Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha të martën se NATO-ja ndërhyri 25 vjet më parë për t’i dhënë fund luftës në Kosovë pikërisht për shkak të ngjarjeve si ajo në Krushë të Madhe.
Ai i bëri këto komente gjatë një ceremonie përkujtimore në këtë fshat në Kosovën perëndimore, ku me 25 mars të vitit 1999, forcat serbe vranë rreth 250 civilë.
“NATO-ja veproi pikërisht për shkak të krimeve të tilla të tmerrshme që po zhvilloheshin. Të njëjtën ditë, sekretarja e atëhershme amerikane e shtetit, Madeleine Albright deklaroi ‘e kemi të pamundur të negociojmë ndërsa (Sllobodan) Millosheviçi shton numrin e forcave, i sulmon civilët dhe i djeg fshatrat në Kosovë. Aksionet e NATO-s synojnë të nxisin paqen dhe qëndrueshmërinë në Evropë duke u dhënë fund mizorive dhe krizës humanitare’, tha ai.
Njëzet e pesë vjet më parë NATO-ja ndërmori një fushatë bombardimesh ajrore kundër forcave serbe. Fushata nga ajri që zgjati 78 ditë, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Mbi 10 mijë veta u vranë, mbi 800 mijë u dëbuan nga Kosova, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur.
25 vjet më pas ende nuk dihet asgjë për fatin e mbi një mijë e 600 personave. Në mesin e tyre janë edhe trupat e 60 vetave të vrarë në masakrën e Krushës së Madhe.
“Familjet e viktimave kanë nevojë për drejtësi, Kosova ka nevojë për drejtësi sepse ky është parim themelor mbi të cilin duhet të funksionojë secila shoqëri, e pa të cilin paqja asnjëherë nuk është e drejtë”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo e vlerësoi si “institucionalizim të kujtesës kolektive” ngritjen e një muzeu që u përurua sot në këtë fshat, me dëshmi e rrëfime nga ngjarjet e 25 marsit të vitit 1999.
“Rëndësia e një muzeu të tillë është e jashtëzakonshme. Duke hedhur dritë mbi ngjarjet e errëta të së kaluarës sonë, sigurohemi që zërat e viktimave të mos heshten kurrë e të mos harrohen asnjëherë në historinë tonë. Ne nuk duhet të harrojmë rrugën nëpër të cilën kemi kaluar, por duhet të mësojmë nga e kaluara në funksion të një të ardhmeje më të ndritshme dhe paqes së qëndrueshme”, tha ajo.
Ambasadori amerikan Hovenier tha se akti i kujtimit që mundëson ky muze është pjesë thelbësore e drejtësisë kalimtare e cila synon që të trajtojë të kaluarën dhe të ndërtojë themelet për një të ardhme të shërimit dhe pajtimit.
“Është veprim i duhur të ketë një dëshmi fizike të ngjarjeve të tmerrshme që ndodhën këtu dhe të kemi një vend ku mund të bashkohemi për të nderuar kujtimin dhe trashëgiminë e atyre që u vranë. Shtetet e Bashkuara krenohen se kanë mbështetur përpjekjet tuaja për këtë muze, duke përfshirë trajnimet për aftësi intervistuese, etikë të historisë, kurim dhe arkivim”, tha ambasadori amerikan.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rhode, tha se masakra e Krushës është dëshmi që ndërhyrja e NATO-s ishte më se e nevojshme për të ndaluar një katastrofë të mëtejshme humanitare dhe spastrimin etnik që po ndodhte në Kosovë.
“Kjo ndërhyrje ishte gjëja e duhur për tu bërë dhe ne i qëndrojmë prapa. Shumica e autorëve të këtyre krimeve janë ende të lirë dhe e tëra që mund të them është se pandëshkueshmëria nuk mund të lejohet. Jam krenar të qëndroj sot këtu dhe të them se Gjermania ka ndihmuar në ndërtimin e Kosovës si shtet të lirë, demokratik dhe shumetnik”, tha ai.
Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj me mbështetjen perëndimore, por vazhdon të kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.
Ndonëse udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan mbi një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2023, tensionet ndërmjet tyre vazhdojnë të jenë të larta.