Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, u shpreh falënderues ndaj popullit të Kosovës për përkrahjen e treguar për Ukrainën në luftën kundër Rusisë, në një fjalim gjatë seancës solemne të Kuvendit Komunal të Prishtinës në përvjetorin e nisjes së luftës në Ukrainë.
“Populli i Kosovës është pjesë integrale e këtij reagimi të unifikuar nga kombet demokratike. Ju u keni ofruar strehim ukrainasve që ikën nga lufta, keni qëndruar përkrah nesh dhe BE-së në vendosjen e sanksioneve”, tha Hovenier.
Ai, gjithashtu, shtoi se SHBA-ja dhe partnerët e saj do të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën siç kanë bërë deri tani, teksa tha se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka dështuar në tentimin e tij për ta përçarë bllokun e NATO-s.
Kosova u është bashkuar shteteve perëndimore duke dënuar dhe vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të paprovokuar të fqinjit të saj. Kosova, gjithashtu, ka strehuar disa gazetarë ukrainas, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Në këtë seancë solemne mori pjesë edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Sznunuyog.
Ai, gjithashtu, u shpreh mirënjohës që Kosova u është bashkuar shteteve perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, teksa tha se pushtimi i Ukrainës ka prekur të gjithë botën.
“Edhe pse lufta kishte filluar dhe ishte jashtë kufijve tanë, pasojat janë parë dhe janë ndier në të gjithë botën, përfshirë këtu edhe Ballkanin Perëndimor dhe në veçanti Kosovën”, tha Sznunuyog.
Të pranishmëve në Kuvendin Komunal të Prishtinës, iu drejtua edhe Luidmyla Makei, përfaqësuese e gazetarëve ukrainas të strehuar në Kosovë.
“Dua t’ju tregoj sa më shumë për heroizmin e ushtarëve tanë, mijëra civilëve të vrarë dhe qyteteve të shkatërruara dhe sakrificat e përditshme që i bën vendi im. Unë thjesht dua t’ju them faleminderit”, tha Luidmyla.
Kjo seancë solemne – të cilin e nisi me një fjalim në përkrahje të Ukrainës kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama – është vetëm njëra nga ngjarjet e planifikuara në Kosovë për shënimin e njëvjetorit të luftës në Ukrainë.
Në orën 13:00, do të priten në hollin e Kuvendit të Kosovës gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë. Në këtë pritje do të marrin pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvenit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti.
Gjithashtu, në sheshet kryesore të Prishtinës janë vendosur flamuj kombëtarë të Ukrainës dhe mesazhe në mbështetje të saj.
Homazhet për qëndrueshmërinë e Ukrainës erdhën edhe nga vendet evropiane, ku monumente të njohura u ndriçuan me ngjyrat e Ukrainës – të verdhë dhe kaltër
Lufta në Ukrainë hyri në vitin e saj të dytë të premten.
Pushtimi rus i Ukrainës, që nisi më 24 shkurt 2022, është një prej konflikteve më vdekjeprurëse në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Po ashtu, ka shkaktuar konfrontimin më të madh midis Moskës dhe Perëndimit që prej krizës së raketave kubane të vitit 1962, kur Bashkimi Sovjetik dhe SHBA-ja ishin afër një lufte bërthamore.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.