Një valë terrori përfshin Parisin: Dhunë, trazira të ngjashme me luftën civile, në rrugë ka të vdekur.
Autorët: Islamikë- të gatshëm për të vrarë dhe për të vdekur për idetë e tyre të çmendura.
Skena të tilla përshkruhen në librin e autorit-skandal francez, Michel Houellebecq, 59 vjeç, me titull: “Nënshtrimi”.
Por tani nga trillimi kemi një realitet të përgjakshëm.
A është vepra e tij e diskutueshme një skemë për ngjarjet e të premtes në Paris?
Sa për kujtesë: ditën e publikimit të librit më 7 janar të vitit 2015, terroristët islamikë sulmuan në Paris redaksinë e gazetës “Charlie Hebdo”, duke vrarë 12 njerëz.
Në faqen e parë të Charlie Hebdo atë ditë ishte Michel Houellebecq si një përbindësh pa dhëmbë.
Por libri i tij vlerësohej nga gazeta, pavarësisht kritikave.
Autori i tekstit ishte Bernard Maris, 68 vjeç, mik i ngushtë me Houellebecq. Ai vdiq gjatë sulmeve.
“Nënshtrimi” luhet në vitin 2022: Shoqëria franceze është zhytur në një luftë kulturash.
Për të parandaluar fitoren e Frontit Nacional të ekstremit të djathtë, gjoja i moderuari, Mohammed Ben Abbes zgjidhet i pari president mysliman, i mbështetur nga votat e socialistëve dhe konservatorëve.
Por pa ardhur mirë në pushtet Abbes, gratë duhet të veshin shami dhe nuk duhet të punojnë më, të krishterët duhet të konvertohen në myslimanë, poligamia është e lejueshme, profesorët jo-islamikë humbasin vendet e punës.
A është ky libër një parathënie për frikën e islamizimit të Europës?
Autori e ka mohuar këtë akuzë gjithmonë: ai thotë se libri i tij është një satirë dhe nuk është armiqësor ndaj Islamit.
Por: “Është e drejta e gjithkujt për të shkruar një libër islamofobik”.
Ai jeton për të provokuar.
Në roman, figura kryesore është një profesor i fiksuar pas seksit. Beteja e tij është kjo: A duhet të nënshtrohet? A duhet të përqafojë Islamin, për të vazhduar të jetë profesor?
Ai shtyhet nga frika: nga e ardhmja, nga regjimi në pushtet, që shtyp çdo raportim në kushtet e luftës thuajse civile në vend.
Në fund ai konvertohet në mysliman dhe vazhdon të punojë si profesor.
Me titullin “Nënshtrimi” nuk nënkuptohet profesori, por i gjithë kombi.
Shkrimtari flet për një shoqëri, e cila nuk i njeh më vlerat e saj dhe nuk mbron lirinë dhe demokracinë.
Tema kryesore nuk është vetëm Islami, por një “kulturë, e cila shpërbën lidhjet e komunitetit, ku dëshira për stabilitet është më e madhe se nënshtrimi në një regjim fetar”.
Komentet