Sot filloi zyrtarisht fushata zgjedhore në Kosovë e cila do të zgjasë 10 ditë dhe do të përfundojë më 10 qershor. Ndërkaq, më 11 qershor në Kosovë do të mbahen zgjedhjet parlamentare
PRISHTINË – Me fillimin zyrtarisht të fushatës zgjedhore në Kosovë, organizata jo-qeveritare Lëvizja FOL organizoi forumin “FOL Hapur” ku i ftuar ishte Avdullah Hoti, ministri në largim i Financave të Kosovës dhe kandidati për kryeministër i koalicionit LDK-AKR (Lidhja Demokratike e Kosovës – Aleanca Kosova e Re).
Hoti duke folur për fushatën zgjedhore e cila filloi sot zyrtarisht theksoi se do të kenë takime me qytetarët në të gjitha komunat e Kosovës. Ai njoftoi se kanë punuar bashkë më partnerët e koalicionit për të përgatitur programin qeverisës i cili do t’u shërbejë qytetarëve të vendit për katër vitet e ardhshme.
Gjatë bisedës sa i përket procesit të dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, Hoti tha se ky proces duhet të udhëhiqet dhe koordinohet nga kryeministri i vendit dhe theksoi se duan ta krijojnë një platformë të re të dialogut për t’i diskutuar të gjitha temat e rëndësishme. Ai tha se do të kërkojnë involvim të drejtpërdrejt nga partnerët amerikan përveç ndërmjetësuesit të këtij dialogu i cili është Bashkimi Evropian.
“Ne e shohim shumë të rëndësishme ruajtjen e stabilitetit në rajon dhe fqinjësinë e mirë me të gjitha shtetet përfshirë edhe Serbinë. Duhet t’i normalizojmë të gjitha çështjet për të shkuar drejt temës me të rëndësishme në dialogun me Serbinë e që është njohja e shtetësisë së Kosovës”, u shpreh Hoti.
Kurse në pyetjen për shënimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, Hoti u përgjigj duke thënë se do të përfshihen të gjithë aktorët politik në çështjen e demarkacionit sepse nuk është temë vetëm e opozitës. Ai tha se kjo është temë e interesit shtetëror dhe pozita nuk mund ta zgjidh e vetme ku kërkohen 80 vota nga Kuvendi për ratifikimin e saj.
Shtylla kryesore e programit të koalicionit LDK-AKR është zhvillimi ekonomik për të cilin Hoti thotë se për një periudhë kohore prej 2 vite e gjysmë kanë shënuar rritje ekonomike tre herë më të lartë që nga fillimi i mandatit në vitin 2014.
Ai theksoi se shtyllat kryesore të programit janë zhvillimi ekonomik, punësimi dhe të ardhurat.
Sipas Hotit zhvillimi ekonomik duhet të gjenerohet nga sektori privat ku theksoi se qeveria e Isa Mustafës në mandatin e kaluar ka përmirësuar kushtet e të bërit biznes krahasuar me vitin 2014. Ai bëri të ditur se janë hapur mijëra vende të reja të punës duke theksuar se kanë arritur që për herë të parë të krijojnë vende të punës më shumë se numri i hyrjeve të reja në tregun e punës. Hoti pos tjerash tha se duhet të fillohet me mbledhjen e TVSH-së brenda vendit përmes bashkimit të Administratës Tatimore dhe doganore.
“Do të thjeshtësojmë më tutje sistemin tatimor të vendit. E kemi gati pakon fiskale 2 siç po e quajmë që është një listë e masave që do t’i fuqizojë jashtëzakonisht prodhuesit vendor. Do i bëj ata konkurrent me prodhuesit në rajon dhe më gjerë. Është për keqardhje që nuk është aprovuar deri më tani për shkak të pengesave brenda koalicionit qeverisës. Por unë ju garantoj që në ditët e para të qeverisë së ardhshme se kjo pako do të hyjë në fuqi”, deklaroi Hoti.
Ndërsa, sa i përket programit për fushën e bujqësisë, ministri në largim Hoti tha se pika parë e kësaj pakoje është fuqizimi i prodhuesve vendor duke i liruar ata nga çdo ngarkesë tatimore dhe të përgjysmohen importet bujqësore që nga javët e para të qeverisë së re.
“Në bujqësi kemi një program shumë konkret duke qenë se ende importohen sasi të mëdha të produkteve bujqësore. Dëshirojmë ta fuqizojmë dhe ta përmbyllim ciklin e prodhimit bujqësor nga prodhimi deri tek përpunimi dhe shitja e produkteve me një buxhet që do të jetë trefish më i lartë nga janari i vitit 2018”, theksoi Hoti.
Ndryshe, sot filloi zyrtarisht fushata zgjedhore në Kosovë e cila do të zgjasë 10 ditë dhe do të përfundojë më 10 qershor. Ndërkaq, më 11 qershor në Kosovë do të mbahen zgjedhjet parlamentare.
Komentet