Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë të enjten gjatë një debati në Komitetin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian se Kosova do ta respektojë marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Në raundin e fundit të diskutimeve me Serbinë në Bruksel janë hapur dy çështje kryesore: çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe pretendimet financiare në mes të të dyja vendeve. Ne kemi nënshkruar marrëveshje në vitin 2015 për këtë Asociacion dhe ne nuk po mundohemi në asnjë mënyrë që t’i ikim asaj marrëveshjeje, ne do ta respektojmë plotësisht atë, por jemi pajtuar që të punojmë së bashku që të arrijmë një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë, ku përfshihet edhe Asociacioni dhe çështje tjera”, ka deklaruar ai.
Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Më tutje, detajet konkrete janë harmonizuar me parimet/elementet e përgjithshme nga marrëveshja e vitit 2015.
Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
Gjykata kishte konstatuar që Asociacioni i komunave me shumice serbe do të themelohet, siç ishte paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit (të vitit 2013), të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe të shpallur nga presidentja e Republikës së Kosovës (v.j. Atifete Jahjaga), kurse Marrëveshja mbi parimet (për themelimin e Asociacionit, e arritur më 2015), nuk është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës.
Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që implementon parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese.
Në fakt, është e diskutueshme që Asociacioni nuk bazohet në multietnicitet, por bashkon komuna në të cilat një komunitet etnik është shumica. Janë gjithsej dhjetë komuna me shumicë serbe në Kosovë.
Teksa ka folur për marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë, Hoti ka thënë nënshkrimi i këtij dokumenti përbën një tjetër hap drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse.
“E kemi quajtur marrëveshje për normalizim ekonomik, meqë që pjesa më e madhe ka të bëjë me çështje ekonomike. Unë e shoh këtë marrëveshje si plotësuese të dialogut që po zhvillohet në Bruksel”, ka thënë ai.
Mes tjerash, Hoti ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës është tejet e rëndësishme sa i përket integrimit evropian.
“Të rinjtë e Kosovës nuk janë në gjendje të vijnë në Evropë. Ne kemi popullatën më të re në Evropë. Për ne është e rëndësishme të hapen kufijtë për qëllime studimore, ekonomike dhe të tjera”, ka deklaruar ai.
Teksa u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve evropianë rreth bashkëpunimit me opozitën, Hoti ka thënë se ai është duke bërë më të mirën për t’u siguruar se opozita është e përfshirë plotësisht në të gjitha zhvillimet, sidomos në procesin e dialogut.
Ai ka shtuar se tashmë ka informuar pjesëtarët e opozitës për këtë proces dhe se i raporton parlamentit pas secilit raund të dialogut.
“Nuk e di se si mund të kemi më transparent ndaj partive opozitare”, ka deklaruar Hoti, duke shtuar se ai është i bindur se do ta ketë mbështetjen e opozitës kur duhet për ratifikimin e marrëveshjes finale me Serbinë.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së ka rinisur më 16 korrik të këtij viti.
Ky proces ishte pezulluar në nëntor të vitit 2018 për shkak të një takse që autoritetet e Kosovës kishin vënë në mallrat serbe.
Raundi i fundit i dialogut mes liderëve të këtyre vendeve, përkatësisht kryeministrit Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq është mbajtur më 7 shtator, tri ditë pas takimit që kanë pasur të njëjtit në Uashington. rel
Komentet