Finalja e Ligës së Konferencës së Europës do të jetë një ngjarje, e cila do të mbahet mend nga shqiptarët për disa arsye dhe padyshim, nuk do të harrohet nga shumë biznese, sa u përket përfitimeve në aspektin monetar.
Në mbrëmje, stadiumi i rikonstruktuar rishtazi i Tiranës Air Albania do të presë finalen e UEFA Conference League mes ekipit italian AS Roma dhe skuadrës holandeze Feyenoord.
Tirana është zbukuruar me petkun e finales, kryesisht në zonën e qendrës dhe atë rreth stadiumit arena kombëtare.
Stadiumi “Air Albania” do të presë për herë të parë një finale europiane, teksa i gjithë qyteti është vënë tashmë në dispozicion të kësaj ndeshje historike, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vetë UEFA-n, pasi kjo është hera e parë që ky kompeticion zhvillohet.
UEFA zgjodhi Tiranën si mikpritëse në dhjetor 2020, një vit pasi stadiumi i ri u hap zyrtarisht dhe përpara se ndonjë ekip të kualifikohej për të hyrë në kompeticionin debutues. Deri në 100 mijë tifozë italianë dhe holandezë priten në Tiranë, edhe pse secilës palë i janë ndarë vetëm 4 mijë bileta për finalen inauguruese të kompeticionit të Kategorisë së tretë Europiane të Klubeve.
Kapaciteti në Arenën Kombëtare është rreth 20,000 persona. Rreth 88% e biletave të mbetura janë blerë nga tifozët shqiptarë.
Çmimet e biletave nisën nga 2500-9000 lekë zyrtarisht, deri në çmime të larta, të rishitura në treg të zi, me vlera që tejkalonin 1mijë euro.
Finalja është një ndeshje e profilit më të lartë nga sa ishte parashikuar nga shumë njerëz në vitin 2018, kur UEFA vendosi të krijojë Ligën e Konferencës të Europës. Qëllimi i tij ishte t’u jepte më shumë mundësi klubeve në vendet e rangut më të ulët për të qëndruar të përfshirë në garat europiane përtej dhjetorit.
Sipërmarrësit e konsiderojnë si një ngjarje që do t’i japë një tjetër ritëm fillimit të sezonit veror dhe janë disa kategori biznesesh të cilat mendohet se do të jenë ‘të favorizuar’ nga ky event.
Akomodimi
Teksa Tirana po përgatitej për eventin ndoshta më të rëndësishëm të futbollit që ka pritur ndonjëherë, çmimet e hoteleve për tifozët që kanë rezervuar vende në tribuna janë rritur në mënyrë të parashikueshme, dy javët para ditës së finales. Me fluksin e njerëzve që pritet të vijnë në Tiranë, industria e mikpritjes e ka parë këtë si një vezë të artë.
Çmimet për hotelet dhe Airbnb në faqen e akomodimit Booking.com janë shumë më të larta se zakonisht gjatë dy netëve në Tiranë nga data 23 deri më 25 maj.
Një apartament për dy ditë, që ndodhet 1.2 milje nga qendra e qytetit, për shembull, kushton rreth 422 euro. Një javë më vonë do të kushtonte pothuajse tre herë më pak, rreth 120 euro.
Sipas burimeve në treg, apartamentet me qira ditore janë lëshuar të gjitha , në kapacitet të plotë, me qira për tre ditë, ashtu sikurse hotelet në kryeqytet kanë pasur kërkesat më të larta të sezonit. Ndërsa në hotelet rrotull qendrës, një natë qëndrimi është raportuar të jetë lëshuar mesatarisht 150 euro dhe nqs kërkojmë në minutë të fundit, lajmërohet në Booking ose Agoda që 90% e kapaciteteve janë të zëna.
Të drejtat e transmetimit
Digital ka të drejtën ekskluzive për transmetimin e ndeshjes së ditës së sotme. Në një komunikim me to, pohojnë se interesi për të drejtën e public view ka qenë i lartë këtë vit, duke qenë se ka disa organizime në kryeqytet që do transmetojnë ndeshjen.
Gjithashtu, çmimet e reklamave të transmetuara në ambientet e hapura pritet të jenë të larta, sipas komunikimeve me disa nga organizatorët.
Aktivitetet
Sot priten të mbërrijnë në Tiranë rreth 100 mijë persona për të ndjekur finalen që do të ndahen në tre zona. Tifozët që mbështesin skuadrën e Romës do të ndjekin ndeshjen pranë Amfiteatrit të Tiranës ndërsa ata të Feynord do të qëndrojnë në zonën e Pedonales.
Për të gjithë sportdashësit e tjerë shqiptarë është menduar Sheshi Skënderbej që do të kenë mundësinë të shikojnë finale përmes disa ekraneve të mëdhenj.
Sheshi “Skënderbej” do të ketë një organizim të veçantë, i quajtur “Fan Fest”, dhe ku të gjithë njerëzit mund të hyjnë dhe ku do të ketë lojëra futbolli për të gjithë. Futbolli do të jetë “tema e ditës” për të gjithë. Do të vijë trofeu i vërtetë ditën e sotme, i ruajtur me siguri maksimale dhe të gjithë njerëzit mund të vijnë të bëjnë foto, por nuk mund ta prekin.
Përveç sheshit “Skënderbej” ka edhe dy pika ku do të organizohen dy tifozeritë e klubeve që do të vijnë në Tiranë, të quajtura “Fan Meeting Point”. Secila tifozeri ka grupimet e veta dhe është menduar edhe se si do të drejtohen për të shkuar në pikat e tyre të takimit, përmes ekraneve, tabelave drejtuese. Një pikë do të jetë te Pedonalja në Tiranë, ndërsa pika tjetër e takimit do të jetë te Diga e liqenit.
Teksa tubimet tashmë janë lejuar pas ndalesave të mëparshme të pandemisë, këto hapësira, sikurse edhe ambiente lokalesh në Tiranë, kanë kërkesa të larta për frekuentim. Tifozët e futbollit, krahas ndjekjes së ndeshjeve, padyshim janë konsumatorë të pijeve e ushqimeve në ambiente të tilla komerciale. Shqiptarët vijojnë t’i mbeten besnikë birrës për raste të tilla. Ushqimet apo pijet e ofruara në ambiente të tilla raportohet të jenë me çmime rreth 15% më shumë se sa në një ditë normale.
Kompanitë importuese apo prodhuese të birrave në Shqipëri, tregojnë se kjo ngjarje, sikurse kanë treguar edhe kompeticione të mëparshme, është ndër më shpresëdhënëset sa u përket përfitimeve që mund të arrijnë.
Sipas tyre, tre janë kanalet e shpërndarjes: lokalet, që pritet të shtojnë dyfish porositë e tyre, një pjesë e madhe e tyre kanë vendosur një ambient dedikuar birrës.
I dyti, supermarketet dhe marketet e shumicës kudo në Shqipëri, që janë kryesisht të lidhur me kërkesat e individëve dhe konsumin në familje. I treti janë ambientet e jashtme të organizuar për këtë event, që premtojnë në mënyrë të pashmangshme konsum të lartë.
Ogur i mirë për turizmin
UEFA Conference League disa ditë më parë, ka zgjedhur të prezantojë Tiranën në një video promo të eventit të ditës së sotme.
Në një video prej 30 sekonda, të bërë publike në rrjetet sociale shfaqen disa nga pikat identifikuese të Tiranës, si Sheshi Skënderbej, Pazari i Ri, Zogu i Zi, për ta mbyllur në fund me një prezantim në detaje të stadiumit “Air Albania” dhe të trofeut për të cilin do të “luftojnë” Roma dhe Feyenoord.
Krahas kësaj videoje në postimin e UEFA Conference League shkruhet: “Mirë se vini në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë. Duart lart nëse do të jeni në finalen e #UECL.”
Ekspertët e fushës së turizmit pohojnë se, eventi do të mundësojë një reklamë të mirë për turizmin e vendit tonë, përfshirë edhe atë qytetar dhe se nuk duhet të abuzojmë me çmimet.
Fakt
Trofeu i UEFA Europa Conference League, origjinali i të cilit u vendos me 24 maj në qendër, është 57.5 cm i gjatë dhe peshon 11 kg. Ai përbëhet nga 32 shtylla gjashtëkëndore – një për çdo ekip në fazën e grupeve të garës – duke u përdredhur dhe lakuar nga baza e trofeut.
Skuadra fituese prezantohet me 40 medalje ari dhe nënkampionët me 40 medalje argjendi. Fituesit gjithashtu fitojnë një vend në fazën e grupeve të UEFA Europa League 2022/23, nëse nuk janë kualifikuar për Ligën e Kampionëve të UEFA-s përmes konkurrencës së tyre vendase./D.Hyka/MONITOR
Komentet