Organizata e Gruas “Shpresë & Paqe” festoi ditën e nënës në një takim me anëtare të shoqatës dhe me të ftuar nderi Senatoren e Nju Jorkut Nathalia Fernandez, përkrahëse dhe bashkëpunëtore e këtij institucioni të pavarur civil të grave dhe vajzave shqiptare amerikane.
Misioni i organizatës është paqja dhe barazia gjinore në familje dhe shoqëri, toleranca fetare, lufta me mjete demokratike kundër dhunës ndaj gruas dhe fëmijëve në familje si edhe kundër trafikimit njerëzor.
Themeluesja e organizatës Mimoza Dajçi, gazetare dhe aktiviste, e përkushtuar ndaj familjes dhe kombit, ka ngritur zërin për të drejtat e gruas dhe fëmijëve ish të persekutuar politikë në Shqipëri, për të drejtat e nënave dhe motrave shqiptare në Kosovë, dhe veçanërisht për drejtësinë që nuk është arritur në lidhje me krimet e kryera gjatë luftës nga makineria serbe.
Secila nga pjesëmarrëset ka një histori të dhembjes por edhe të triumfit të gruas mbi padrejtësitë dhe abuzimet e lirive nga diktatura komuniste. Në takim mori pjesë edhe Shoqata Marigona e përfaqësuar nga shkrimtarja Sabije Veseli.
Shoqata Hope and Peace ka patur një ecuri të suksesëshme ndër vite dhe vazhdon me përkushtim. Disa anëtare të organizatës Shpresë dhe Paqe kanë marrë pjesë në Samite e Konferenca Botërore të Grave.
Për kontributin e dhënë në dobi të misionit të shoqatës, zyra e Senatores Fernandez vlerësoi me Mirënjohje Nderi znj. Rita Saliu, poete dhe humaniste e titullit “Nënë Tereza” nga Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, Dr. Dolora Bushati, ish e persekutuar politike, lindur e rritur familjarisht në kampet e përqendrimit të diktaturës komuniste shqiptare, sot pedagoge në Universitetet Amerikane, znj. Gazmenda Tapia, ish pedagoge e kimisë në Shqipëri, publicisten Gena Bajrami, gazetaren dhe editoren për anglisht të gazetës Dielli Rafaela Prifti. Për mbështetjen e dhënë shoqatës Hope and Peace në kauzën e saj për të drejtat e grave dhe fëmijëve me Mirënjohje Nderi nga zyra e Senatores Fernandezja u nderua edhe shkrimtarja, publicistja dhe editorja e Voal.ch Elida Buçpapaj si dhe gazetaret Mimoza Lakna dhe Valentina Madani.
Drejtuesja Mimoza Dajçi, e cila ka qenë fituese e këtij vlerësimi prestigjioz, në fjalën e saj përshëndetëse në këtë takim bëri edhe një historik të shkurtër për ditën e nënës në Amerikë, duke u fokusuar tek gratë shqiptare që janë nëna të përkushtuara dhe shembuj të qëndresës, mirësisë, sakrificës, e dashurisë, baza e themelit të familjes shqiptare.
Takimi u mbajt tek Restoranti Cakor në Bronx i pronarit patriot, Vatranit Kujtim Funiqi.