Ish zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit, James Hooper tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se administrata amerikane po synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ishte e pakënaqur me qasjen e qeverisë së kryeministrit tashmë në detyrë të Kosovës, Albin Kurti. Zoti Hooper thotë se synimi është përmbyllja e konfliktit Kosovë – Serbi dhe nëse kjo nuk ndodhë rreziku për Kosovën është që mund ta humbasë mburojën ushtarake amerikane.
Zëri i Amerikës: Zoti Hooper, parlamenti Kosovës rrëzoi qeverinë e kryeministrit Albin Kurti me një mocion mosbesimi. Shumë evropianë u shprehën të bindur se Shtetet e Bashkuara ndihmuan rrezimin e qeverisë. Ju si mendoni?
James Hooper: Mendoj se për qeverinë amerikane, për administratën e presidentit Trump, çështja më e rëndësishme është një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do t’i jepte fund konfliktit të tyre. Nuk mendoj që kjo është çështja më e rëndësishme për kryeministrin (Albin) Kurti. Në fakt mendoj që ai i kundërvihet kësaj. Mendoj që qeveria amerikane e ka parë atë si pengesë, si një problem. Çështja është se nuk është dashur të vijë deri te një situatë e tillë. Kryeministri Kurti, nuk kam folur ka kohë me të, por e njoh dhe mendoj se ai është njeri i ndershëm dhe thellësisht njeri shumë i denjë, por nuk mendoj se është shumë i mirë për menaxhimin e krizave ndërkombëtare, në menaxhimin dhe kuptimin se si funksionojnë situatat ndërkombëtare dhe së këndejmi në menaxhimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Mendoj se ai ka një pikëpamje të sheshtë rreth asaj se si funksionojnë këto gjëra dhe kjo nuk është pikëpamje e sofistikuar se si funksionon komuniteti ndërkombëtar. Dhe ajo që ndodhi është se ai lejoi që marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të rrezikohen nën udhëheqjen e tij. Tani ai është i brishtë përballë akuzave dhe mendoj se janë akuza të drejta se ai keqmenaxhoi marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Mendoj se në Kosovë ka shumë gjera që udhëheqësit mund apo nuk mund t’i bëjnë dhe mund të kritikohen apo jo, por me sa marr vesh unë, marrëdhëniet me Amerikën janë shumë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, sikundër që mendoj se situata në Kosovë është e rëndësishme për qeverinë amerikane. Mendoj se ai e vuri veten në pozitë në të cilën keqmenaxhoi dhe thartoi marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe krijoi një përplasje me Shtetet e Bashkuara kur nuk duhet të ketë një përplasje të tillë.
Zëri i Amerikës: A janë dëmtuar vërtetë dhe deri në ç’masë janë dëmtuar marrëdhëniet?
James Hooper: Nuk mendoj se janë dëmtuar seriozisht ende në Kongres. Mendoj se në Kongres ka një mirëkuptim për situatën në Kosovë dhe më shumë tolerancë për situatën. Mendoj se me administratën janë goxha të dëmtuara dhe nuk është dashur të jetë kështu. Ky është problemi që unë e shoh.
Zëri i Amerikës: Pas votimit të mosbesimit, kryeministri Kurti tha ase arsyeja e rrëzimit të tij ishte largimi i pengesës që presidenti i Kosoëvs Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç të shkëmbejnë territoret si pjesë e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Diplomatët amerikanë, Richard Grenell, Philip Kosnett dhe Matthew Palmer lëshuan më pas një deklaratë të përbashkët duke thënë se “nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim territoresh” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Cila është e vërteta sipas jush?
James Hooper: Nuk ka një plan për ndarje, dhe nuk është diçka për të cilën zoti Vuçiç dhe zoti Thaçi kanë biseduar. Ata kanë biseduar për marrëdhënie të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe ato marrëdhënie do të kishin një numër komponentësh një prej të cilëve përfshinë demarkacionin e kufijve. Ajo përfshinë po ashtu anëtarësimin e Kosovës ne Kombet e Bashkuara dhe përfshinë përfundimin e konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Çështja për qytetarët e Kosovës është nëse duan t’i japin fund konfliktit me Serbinë. Kjo është ajo që përfshinë kjo ujdi dhe unë mendoj që ka një ujdi, ndërmjet presidentit Thaçi dhe presidentit Vuçiç. Ka një ujdi rreth termave të referencës për t’i dhënë fund konfliktit. Kjo do të kërkojë demarkacionin e kufijve dhe që Serbia të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Kjo është pjesë shumë e rëndësishme. Të gjithë e dinë këtë dhe nuk është fshehtësi. Mendoj se është në interesin e Serbisë që të jetë në BE dhe është në interesin e Kosovës që Serbia të jetë në BE, madje edhe nëse Kosova nuk anëtarësohet në BE në të njëjtën kohë me Serbinë. Është në interesin më të mirë të Kosovës që Serbia të bëhet anëtare e BE-së, sepse kur bëhesh anëtare e Bashkimit Evropian ka kufizime. Nuk mund të bësh çfarë të duash, por duhet të këshillohesh me partnerët dhe kjo është shumë mirë për sigurinë e Kosovës. Kosova do të behët anëtare e OKB-së kur Serbia të bëhet anëtare e BE-së. Mendoj se kjo është pjesë e ujdisë. Ajo çfarë po bën kryeministri Kurti është përkufizimi i kësaj si një votë për ndarjen e Kosovës. Çdo përmbyllje e konfliktit do të ketë komponentë territorial. Kjo ujdi do të ketë komponentë të tillë që do të ketë implikime për Kosovën dhe Serbinë. Nëse e shihni si marrëveshje për ndarje, nëse qytetarët e shohin si marrëveshje për ndarje – kjo është mënyrë e gabuar për ta parë atë. Do të jetë një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit më Serbinë. Njerëzit e Kosovës duhet të mendojnë se çfarë janë të gatshëm të pranojnë, çfarë janë gati të lëshojnë pe, çfarë të bëjnë që t’i japin fund konfliktit.
Zëri i Amerikës: Që nga formimi qeveria e re e Kosovës u gjet nën trysni të madhe të Shteteve të Bashkuara për të hequr tarifat ndaj mallrave serbe. Ligjvënësi amerikan Eliot Engel tërhoqi vërejtjen se ndërkohë nuk po i bëhet trysni Beogradit që t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Përse është kështu zoti Hooper?
James Hooper: Sërish mendoj se është keqkuptim i situatës. Në fakt gjithçka filloi me marrëveshjet e ndërmjetësuara nga zonja (Cathryn) Ashton, marrëveshjet e Brukselit të vitti 2013, që ishte menduar të jenë hapi i parë drejt një marrëveshjeje më të gjerë. Nuk ishte menduar si hapi i fundit. Ajo nuk i zgjidhi dhe nuk synonte të zgjidhë të gjitha problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ajo që pamë është se Asociacioni i komunave me shumicë serbe, që ishte pjesë e marrëveshjes, nuk u pranua në Kosovë. Serbia doli në përfundim se Kosova nuk mund të zbatojë atë për të cilën ishin marrë vesh. Atëherë zoti Vuçiç dhe zoti Thaçi vendosën që të kërkojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, sepse nuk kishte më hapësirë për marrëveshje të pjesshme. Ajo çfarë zoti Haradinaj fillimisht dhe me pas zoti Kurti kur erdhi në pushtet bënë, me tarifat provuan të arrijnë edhe një marrëveshje të pjesshme. Duke imponuar tarifat thanë se do t’i heqin nëse Serbia heq dorë nga fushata e çnjohjeve. Kjo ishte një përpjekje përmes derës anësore për një marrëveshje të pjesshme. Amerikanët e panë se një marrëveshje tjetër e pjesshme nuk do të funksionojë. Prandaj duan heqjen e tarifave për të siguruar rifillimin e bisedimeve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Zoti Vuçiç nuk po thotë se refuzon çdo marrëveshje. Ajo çfarë po thotë, nëse provoni ta kuptoni, dhe nuk mendoj që zoti Kurti nuk e kupton, zoti Vuçiç është i gatshëm të pranojë një marrëveshje por që ajo të jetë gjithëpërfshirëse.
Zëri i Amerikës: Por presidenti serb Vuçiç po kërkon diç në shkëmbim, po kërkon veriun e Kosovës apo jo?
James Hooper: Njerëzit në Kosovë duhet të kuptojnë dhe duhet të vendosin për këtë; çfarëdo marrëveshje që arrihet me Serbinë nuk do të jetë marrëveshje në të cilën Kosova përmbushë të gjitha kërkesat e saj maksimale. Kosova duhet të pranojë se ka komponentë territorial në marrëveshje. Çdo marrëveshje gjithëpërfshirëse duhet të ketë komponentë territorial. Kjo është ajo çfarë zoti Vuçiç po thotë. Por, ai po kërkon marrëveshje gjithëpërfshirëse që përfshinë edhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe përfundimin e konfliktit. Njerëzit në Kosovë duhet të vendosin nëse duan të vazhdojnë të ngulin këmbë në kërkesat e tyre maksimale, që nuk do t’i fitojnë, po e them qartazi, e drejtë apo jo, nuk do t’i fitoni dhe nuk do t’ju sjell asnjë të mirë përsëritja e tyre. Kjo është çfarë po thotë zoti Kurti, jo me këto fjalë mbase. Ndërsa zoti Vuçiç po thotë është se është i gatshëm të pranojë një marrëveshje gjithëpërfshirëse por jo më një marrëveshje të pjesshme. Mendoj se zoti Thaçi e kupton se nuk më hapësirë për marrëveshje të pjesshme prandaj e vetmja rrugë përpara është një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Zëri i Amerikës: Marrëveshje gjithëpërfshirëse pa veriun e Kosovës?
James Hooper: Marrëveshje gjithëpërfshirëse me komponentë territorial që nuk i jep Kosovës gjithë çfarë kërkon.
Zëri i Amerikës: Nga çfarë duhet të heqë dorë Kosova?
James Hooper: Do të ketë komponentë territorial në demarkacionin e kufirit. Nëse Kosova dëshiron fundin e konfliktit me Serbinë, duhet të pajtohet me faktin se marrëveshje duhet të ketë komponentë territorial. Ndryshe nuk do të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Të dyja palët duhet të marrin shumë nga ajo çfarë duan, por asnjëra krejt çfarë dëshiron. Ky është kompromisi. Por do të ketë elemente territoriale në marrëveshje.
Zëri i Amerikës: A mund të jeni më të qartë çfarë elementesh territoriale dhe a është diskutuar në Shtëpinë e Bardhë një gjë e tillë?
James Hooper: Mendoj që administrata amerikane e kupton shumë mirë aspektin territorial të marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Nëse e shihni atë çfarë po bën zoti Grenell është se po përpiqet të çojë përpara një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Mendoj se ai është i frustruar me zotin Kurti që po vazhdon të kërkoj një marrëveshje të pjesshme që nuk do të jetë e pranueshme. Ajo për të cilën po punohet është një marrëdhënie e re ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo është për çfarë po bëhet fjalë, jo për disa kilometra territor. Për nacionalistët, dhe mendoj se zoti Kurti është nacionalist, nëse e përcaktoni çështjen se çdo centimetër i territorit është i shenjtë dhe nuk heqim dorë prej tij, kjo do të thotë se nuk do të keni marrëveshje, nuk do të keni një marrëdhënie të re me Serbinë, nuk do të keni marrëveshje gjithëpërfshirëse që i jep fund konfliktit dhe i jep fund kërcënimit që paraqet Serbia për Kosovën. Kosova nuk është kërcënim për Serbinë, por Serbia është kërcënim ushtarak për Kosovën. Është kërcënim për sigurinë e Kosovës. Njerëzit në Kosovë duhet të mendojnë në mënyrë më të stërholluar siç kanë bërë me parë, siç kanë bërë gjatë luftës. Ajo që më shqetëson është se disa udhëheqës politikë, e nuk dua të jem pezhorativ, nuk dua të jem negativ, por mendoj se mënyra e të menduarit të zotit Kurti pasqyron provincializëm, pasqyron mungesën e kuptimit se si funksionojnë gjerat në pikëpamje ndërkombëtare. Sërish ajo që është në marrëveshjen gjithëpërfshirëse është një mirëkuptim ndërmjet zotit Thaci dhe zotit Vuçiç, se ajo do t’i jap fund konfliktit me Serbinë.
Zëri i Amerikës: Pra që të thjeshtojmë këtë, kjo i bie që Kosova duhet të jap territor për të siguruar njohjen nga Serbia?
James Hooper: Mendoj që për të pasur një marrëdhënie të re që përfshinë fundin e konfliktit, nënkupton që njerëzit në Kosovë duhet të pranojnë se ka komponentë territorial. Të dyja palët mund të pajtohen për të. Serbia duhet të pranojë se ka komponentë territorial dhe Kosova duhet të pranojë se ka komponentë territorial. Në lojë është siguria e Kosovës, përmbyllja e konfliktit, anëtarësimi në OKB, forcimi i legjitimitetit dhe përparimi drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, kjo është ajo për të cilën flitet këtu.
Zëri i Amerikës: Kohët e fundit kemi parë një ndarje të thellë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Si mund të shpjegohet një ndarje e tillë dhe çfarë pasojash mund të ketë për Kosovën?
James Hooper: Ajo çfarë SHBA kanë parë është që nëse nuk ka përparim drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse tani, ajo që do të ndodhë është se do të mbyllet dritarja dhe mundësia për një marrëveshje të tillë për 5, 10 apo 20 vjet e mbase përgjithmonë, nuk mund ta parashikoj. Kjo administratë nuk dëshiron që dritarja të mbyllet. Ka njerëz në Kongres, Eliot Engel bëri atë deklaratë dhe ai dëshiron që njerëzit e Kosovës të kuptojnë se Shtetet e Bashkuara nuk ua kthejnë kurrizin dhe kjo ishte një deklaratë e mirë. Por, administrata është shtyrë nga shumë gjera por njëra prej tyre është që ‘nëse e lëmë këtë për kohë më të mira’, kjo do të thotë se dritarja do të mbyllet, nuk do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe nuk do të ketë përmbyllje të konfliktit. Mbase amerikanët e ndjejnë se evropianët nuk e kuptojnë plotësisht mundësinë për t’i dhënë fund konfliktit. Sërish, problemi është që nëse konflikti nuk përmbyllet dhe vazhdon, rreziku për Kosovën është që mund ta humbas mburojën ushtarake amerikane. Nuk mendoj qe e ka mburojën ushtarake evropiane, e ka mburojën ushtarake amerikane, por kjo tashmë është në rrezik. Ka pasur mjaft shenja nga Washingtoni se qeveria amerikane po lodhet duke vepruar si mburojë ushtarake për Kosovën. Kosova duhet të veprojë tani që të ruajë përparimin që është arritur në marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Evropianët ndërkaq duhet të përballen me faktin se Serbia duhet të futet në binarë të shpejtë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Zëri i Amerikës: Cila është e ardhmja e bisedimeve Kosovë –Serbi dhe cila është adresa e duhur për to? Washingtoni apo Brukseli?
James Hooper: Të dyja kryeqytetet duhet të jenë të përfshirë sepse Serbia ka nevojë për anëtarësimin në BE. Është pjesë e pikëpamjes së zotit Vuçiç. Nuk po them se zoti Vuçiç është udhëheqës ideal, por ai ka bërë përparim dhe dëshiron që Serbia të jetë pjesë e perëndimit, pjesë e institucioneve transatlantike. Ai është serioz për këtë dhe dëshiron të heqë Kosovën si një çështje përcaktuese të cilën çdo nacionalist serb mund ta marr në duar. Çdo marrëveshje ka tri elemente: duhet pajtimi, ratifikimi dhe zbatimi. Mendoj se ka një shkallë të besimit ndërmjet zotit Thaçi e zotit Vuçiç. Ata e kuptojnë njëri tjetrin si udhëheqës të kombeve që kanë qenë armiq. Nuk mendoj se janë miqtë më të mirë, nuk po them se janë dhe nuk po them se duhet të jenë miqtë më të mirë, por mendoj se kanë gjetur rrugën për të qenë konstruktiv, si kundërshtarë, të mbrojnë interesat e vendeve të tyre dhe shohin përpara për t’i dhënë fund konfliktit. Mendoj se kanë gjetur mirëkuptim. Njerëzit në Kosovë duhet ta kuptojnë këtë dhe të vendosin nëse duan ta lënë të kalojë kjo mundësi, sepse nuk besoj që Serbia do të prodhojë një udhëheqës më të mirë se zoti Vuçiç, sado problematik që mund të jetë, ai është i përgatitur ta çojë përpara Serbinë përfshirë edhe përmbylljen e konfliktit me Kosovën. Pikëpyetja e shtruar nga zoti Thaçi ishte nëse Vuçiç mund të kalojë marrëveshjen ta ratifikojë dhe zbatojë. Mendoj se ai ka ardhur në përfundim që Vuçiç mund ta bëjë këtë nëse evropianët dhe amerikanët e bëjnë pjesën e punës së tyre. Por edhe Vuçiç kishte të njëjtën pikëpyetje: nëse Thaçi mund ta zbatojë atë. Ajo çfarë zoti Kurti po përpiqet të bëjë është që të dëshmojë se zoti Thaci nuk mund ta bëjë këtë. Ai po vepron si pengues për marrëveshjen gjithëpërfshirëse që nuk është në pajtim me kushtet e tij.
Zëri i Amerikës: A mund të pritet një marrëveshje para zgjedhjeve presidenciale amerikane?
James Hooper: Mund të prisni një marrëveshje para zgjedhjeve amerikane, nëse zoti Haradiaj dhe zoti Kurti nuk e bllokojnë këtë. Mendoj se një marrëveshje është para duarsh. Mendoj se vijat janë hedhur dhe udhëheqësit serbë dhe ata të Kosovës e kuptojnë këtë. Vuçiçi është gati, ai do ta zbatojë, ai do të sigurojë që kjo të ndodhë. Udhëheqësit e Kosovës nuk janë gati ende, nuk janë të vullnetshëm ta bëjnë këtë dhe kjo frustron amerikanët.
Zëri i Amerikës: Dhe prandaj u rrëzua zoti Kurti?
James Hooper: Unë mendoj se prandaj amerikanët nuk janë të pikëlluar që zoti Kurti u rrëzua nga posti i kryeministrit. Nuk mendoj se kishte lot pikëllimi në Shtëpinë e Bardhë kur kaloi në parlament vota e mosbesimit. Janë çështje të mëdha në lojë. Çështja është përfundimi i konfliktit me Serbinë që në të kaluarën çoi në luftë ndërmjet NATO-s dhe Serbisë, që u udhëhoq nga Shtetet e Bashkuara. Ishte rrezik i madh për presidentin Clinton na atë kohë. Nuk mendoj që amerikanët duan të shohin njerëzit në Kosovë të qëndrojnë mënjanë dhe të lënë të mbyllet mundësia për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që ata e kanë dashur.
Komentet