Në kulmin e debatit politik për reformën në drejtësi dhe duke mbështetur ish-kryeministrin Berisha lidhur me faktin që ndërkombëtarët gjykojnë mbi materialet e shkuara (me raste keq) nga ambasadorët e akredituar, deputetja e PD-së, Jozefina Topalli ka dhënë një shembull konkret me ambasadorin gjerman.
Gjatë debatit dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Topalli ka ndarë me kolegët komunikimin me ambasadorin Hoffman, i cili sipas saj, e lidhte këmbënguljen e opozitës për ligjin e dekriminalizmit me synimin për heqjen e ministrit Klosi, për precedentin e tij me birrat, në të kaluarën
“Dua të tregoj një rast në lidhje me këtë mënyrën se si diplomatët i perceptojnë gjërat dhe më pas ua përcjellin vendeve të tyre respektive. Më ka ndodhur në një takim me përfaqësuesit e Bundestagut, ku ambasadori Hoffman më ka thënë: Ju e bëtë ligjin për dekriminalizimin që të hiqni Blendi Klosin se ka pirë dy birra. U gjenda e befasuar nga ai qëndrim sepse nuk është puna vetëm te ambasadorët vendës, është problemi te dokumentet dhe komunikimi që ata kanë me vendet e tyre, pasi përfaqësuesit e tyre andej kanë si referim vetëm informacionet që marrin nga përfaqësuesit e tyre”- ka thënë Topalli.
Fjala e saj, erdhi fill pas Berishës, i cili theksoi se “pavarësisht qëndrimeve që mbajmë, institucionet ndërkombëtare na gjykojnë mbi bazë të materialeve që nisen nga ambasadorët që kanë në vendin tonë. Diplomatja në fjalë në gjykimin tim i “shkruan” keq qëndrimet e opozitës. Është një njeri që nuk komportohet në mënyrë objektive në transmetimin e gjykimeve të opozitës. Siç e thashë, pavarësisht sa sqarues jemi ne, me rëndësi janë letrat që shkruhen në zyrat e Ramës dhe që nisen drejt BE-së”.
Komentet