Me 17 JANAR 2017
Në fillim të shek. XV turqit sulmojnë Europen dhe shkretnojnë fise e mbretni.
Fatosi i Krujës përballë rrezikut që i kercnohej Shqipnisë, i drejtohet Hyjit edhe e lutë qi mos premtonte, që Shqipnia të bije ndër kthetra të turqve. Lutja e tij prekë të Amshuemin, i cili i dergon së nalti Flamurin Kuq e Zi, emblemë bashkimi e vetsundimi.
Me atë Flamur në dorë Skanderbeu, i mberthyem në armë qet kushtrimin. Shqiptarët rrâjnë (nisen) menjëherë, kështu nisë lufta e mënershme dhe turqvet u thehet sulmi.
Në dorëshkrim që ban Poeti, ka datën 20/11/1919, nën titull, ndër kllapa, lexojmë: Fragment i një poemthi të pabotuem. Nuk dijmë kurrgja për ketë mendim të parë të tij rreth hartimit të këtij poemthi. Kanga, si kemi theksue edhe ma nalt, merr nji ton liriko-epik, tue u nda në shenj për fuqi shprehjesh, paraqitjesh të gjalla e fëtyrash ndjekore. (Koment nga At Viktor Volaj O.F.M. 1941).
Tue zbardhë mosha dhetepestë e jona
Atje prej shtojesh s’ Anadollit t’ plleshem
Hanza pergjakshem, nisë mbi Europë t’ kukzohet.
Ishte zot-madhi i turqvet, qi në krye
Të ma s’ rreptes ushtri së jetës s’ atëhershme
Ujnat e njelmta dilte t’ Helespontit,
Edhe betohej n’ mëni të vet mizore,
Se shpirti trupit s’ do t’i ndahej para
Se hanzen t’ ngrinte mbi Sh’ Sofi t’ Bizantit
E n’ Sh’Pjeter t’ Romës tagji t’i vinte kalit.
E pse ai burrë dokrrash e pallavrash s’ ishte,
Perpara tij ranë frone e ranë therore;
U rroposën mbretni e u shkimen fise,
E as bar ma s’ bijti andej ka ’i shkeli kamba.
Greku, bullgari humben, humbi serbi,
– Humbi, po, Serbi, madhështia e t’ cilit,
Atje te e vona boten mbarë në zi
Do t’a mbështillte. – T’ felgruem droje, shuejten
Zanin mbretent e Europës. Zâmaret heshtën,
Heshti edhe kanga e një mjerim i shemtuem,
I ra mbarë dheut.
Kur, qé, mbi kep të Krujës
Titanike po del një hije burri,
Vetullat ngerthye, si dy hulli rrufeje,
Me do sy zjarmi e ‘i mjekerr t’ thinjtë, e cila
Shllungë gjatë nofllash i derdhej, si ajo mjegulla
Rreth njaj curri s’ thepisun. N’ krye trishtueshem
Flakë i shkelqen tarogza brinatake,
Që, tmershem ka ‘i vezullon nën rreze t’ diellit,
Kometë zharitse dan nder sy t’ anmikut.
Ai asht fatosi i ndiem Gjergj Kastriota,
I Madhi Gjergj Kastriota Skenderbeu,
Që, prej atij kepi, si një shqipe mali
Kundron kah forca e barbarisë lindore
Shkon tue rrëmbye mbretni e fise e popuj,
E gjithshka t’ mbarë perftue kisht’ mendja e njerit;
Si rribë Veriu, qi rêt’ i fshin prej qielli
Dhe e lê token me u tha. Edhe tue pa
Se anmiku i rreptë i qytetnis njerëzore
Po nis per s’ afermi Shqipnisë t’ kercnohej
E se prej njerit s’ kisht’ pse ndihmë me pritë,
Çon syt kah qielli, e zemra gjak tue i shkue,
“O Zot! – gerthet, – O Zot i Madhi i Ushtrive!
E po a njëmend se ma s’ do t’ ket Shqipnia
Një vend ku me t’ u lutë?… E se gratë tona
Djepat n’ Azi mbas sotit do t’ perkundin?…
E se Shqiptari tokën do t’ punojë
Veç per me kndêllë n’ mish gocat çerkeze,
Që një tirani ti sherbejnë ma kandshem?
Oh! Pse ia mbërrim ksajë dite, e s’ ka shperthye
Toka q’ me kohë, me na perpi për s’ gjalli!
Ti, o Zot i Madh i Ushtrive, Ti prej qielli
Zemer e forcë m’ dergo, që këtij tartari
Barbar un t’ ia diftoj, se Shqiptaria
S’ merret pa gjak, e se për Fé e Atdhé
Di t’ vdesë Shqiptari”. Permbi flatra
Të bardha t’ Fésë kjo lutje u çue kah qielli
E i shkoi n’ vesh Perëndisë e e preku n’ zemer.
I Amshuemi, atëherë, prej visarit t’ qiejve
Nxjerrë një pelhurë të ngjyme “kuq e zi”,
Që Engjëjt vetë n’ Parriz endë e kishin:
E mbasi e puth i Lumi e ve në ballë,
Një kerubini t’ lehtë i urdhnon tu’i thanë,
“Na, e ketë Flamur Skenderbeut çoja
Atje poshtë n’ Krujë, e thuej prej anës sime,
Se dersa t’ rrijë tok fisi i Shqiptarit
Nen hije t’ këtij emblemi tim t’ bekuem,
Zot m’ veti e i lirë gjithmonë ai ka me kenë”.
Kështu tha i Amshuemi; e ai kerubini i qiejve,
Palosun n’ parsmë Flamurin e Shqipnisë,
Hap flatrat e prarueme, e poshtë Empirit
Zhgjetë n’ per një rreze drite dirgjet n’ Krujë,
Ku Skenderbeut n’ dorë dhuntinë Zotit –
Flamurin e Shqipnisë – ia jep e këshillin
E t’ Lumit ia difton: Se si Shqiptari
Zot m’ veti e i lirë gjithmonë do t’ mund qindroje.
Si ai nieri, që trishtue një andrre s’ keqe,
Kur gjumi i del, me vete zë’ e gëzohet,
Se n’ hije e jo njëmendtë iu shfaq rreziku:
Kështu Skenderbeu nis me u gëzue me vete,
Si Lajmi i qiejve n’ dorë ia dha Flamurin
E i tha se per nën hije t’ tij Shqipnia
E lirë e zojë m’ vete përherë do t’ mbetej.
Edhe armatoset Burri i dheut krejt n’ hekur,
Ngjeshë pallen n’ ije – pallen t’ rreptë, mizore,
E n’ patershanë, e me pafta arenzi t’ mbathun,
Njet Flamurin kuq e zi, qi vetë i Amshuemi
E kishte puth edhe mbi shpinë të kalit,
Qi, fry turinjtë, nuhatte erë gjaku,
Hidhet porsi duhi e rreptë. Prej millit
E nxjerr pallen mizore, e drejt kah qielli
Heshten e ngreh. Një fllad i lehtë, i ambel –
Flladi i Dashunisë – po e zhdrivillon Flamurin.
– Flamurin e Atdheut tim – që tue gufue
Mallnueshem nepër ajr të lirë t’ Shqipnisë,
Nisë me u valvitë si fleta e Kerubinit,
Si ai skundilli i petkut t’ Perendisë,
Që, mirë qendisë me hana, yj e diej,
Prej krahve t’ amëshuem e t’ gjithpushtetshëm
I varet poshtë nepër hapësi t’ Empirit,
Kah, mështetë n’ stuhi e n’ flatra t’ rribës s’ murranit
Sheston boshtin e moknes s’ rrokullisë.
E ashtu n’ atë dukë të rreptë e t’ perfrigueshme
Me ‘i za, si tue ulrue, prej kepit t’ Krujës
Po u thërret Shqiptarve t’ vet e u thotë: “Këtu burra!
Këtu ejani, o bijtë e Maleve! Shqipnia
Gjindet n’ rrezik!” N’ atë bulurimë ushtuene
Malet e fushat e Shqipnisë kreshnike,
Edhe nji çetë e vogel homeridësh,
– Burrash si motit, veç që bate nana –
Per rreth tij mblidhen, e nen hije t’ Flamurit
Një bé të madhe bajnë e lidhin besen,
Se i pëllâmë toke t’ Atdheut s’ ia lëshojnë tartarit,
Po s’ e lánë para me gjak t’ tij t’ perdhosun.
T’ forcuem me atë bé, t’ forcuem me shejtni tagresh
E shpresë n’ Zotin tue mbajtë e n’ krah të vetin,
Me Flamur kuq e zi zhdredhun perpara,
Poshtë errmoreve t’ maleve t’ thepisuna
Si rreshme bore prej ndo ‘i kulmi t’ rryeshëm,
Rrâjnë fulikare permbi rradhë t’ turqve,
Të cilët, prej s’ largut tue ua pamë hovin,
Thonë se kulshedra me dragoj po u turret.
Edhe mnershem nisë lufta titanike.
Kah t’ idhtat shpata, kah gjakbâset heshta
Çeken nder shkëndija me vringllimë t’ trishtueshme,
E bumbullojnë henikë edhe gopedra,
E vërrasin keqas të varruemt perdhé.
Kaq nji zhurmë, një rropame e ‘i vigmë e kobshme
Çohet per ajr të terratuemun pluhuni,
Që rreth e rrotull t’ tanë dridhet Ballkani.
Shkon gjaku rrëkajë. T’ tanë fusha e gjanë e Dibrës
Me kurma t’ zeshkët barbarësh asht mbulue. Hidhet,
Hingëllon, trumhaset kali i Skenderbeut,
Kah thundra e mbathun thellë i humbë në dhé
Të rijtun n’ gjak t’ barbarit. N’ dhambë brén buzen,
Atëherë zotmadhi i turqve pendohet
Që i ra kurr n’ mend t’ mësyjë Shqipninë mizore.
E sheh, po, vetë gjakbâsi, se rob s’ bahet
Ai dhé, ku Flamri kuq e zi valvitet.
Shenim nga F. Radovani: Poezia e At Gjergj Fishtës asht marrë nga libri i Tij
“Mrizi i Zanave”, i redaktuem nga Prof. Ndue Zef Toma. 2001.
U shkrue në 1919, kur At Fishta ishte në delegacionin e Lidhjes së Kombëve.
Kjo poezi asht një kujtesë per ata që nuk e kanë njoh kurrë madhshtinë e Tij.
Melbourne, Janar 2017.
Komentet