Prezantimi i Agim Rexhajt nga Sokol Smajlaj
Federata Panshqiptare “Vatra” dhe Gazeta Dielli kanë gjetur gjithnji një mbështetje pa rezerva prej familjes Merrnaçaj. Marashi, Pjetri, po edhe Marku, Leka gjithnji kanë qenë në krah të kësaj Federate jo vetëm si mbështetje morale po edhe materiale. Sigurisht kohët kanë ndryshue, e s’asht ma ajo “Vatra” e dikurshme e figurave të nalta si Konica e Noli, po as e Pipës dhe Karagjozit, megjithatë në shpresojmë se më ndihmën e Zotit po edhe mendjeve të kthjellta, gjanat kanë me me ndryshue par mire dhe ka me u gjetë gjuha e marrveshjes. I ftuem me thanë dy fjalë për Ditën e Lirisë, asht Vatrani i hershëm zoti Agim Rexhaj, “President Nderi i Vatrës”.
Fjala e zotit Agim Rexhaj
Të nderuem familjarë e bashkatdhetarë,
Të nderuem autoritete politike, fetare e intelektuale
Sot në kët 5 maj, ndjehem i nderuem trefish që jam i ftuem me thanë fjalën teme n’emën të Vatrës, në këtë Ditë të Lirisë së Shqiptarëve, e cila mban emnin e djaloshit idealist, malsorit krenar dhe martirit të demokracisë, Nick Merrnaçaj, dhe ta përkujtojmë së bashku figurën dhe veprën e tij ndër breza.
Së pari me Nikën i përkasim të njajtit brez, dhe kena përcjellë beteja të përbashkëta për çlirimin e Kosovës nga prangat e Jugosllavisë titiste po edhe shpëtimin e Shqipnisë nga zgjedha e diktaturës enveriste që e kishte shkatërrue popullin shqiptar;
së dyti pse Marash Merrnaçajn e kam njoftë dhe e kam vlerësue jashtzakonisht për kontributet e tij në Vatër, po edhe në komunitet, dhe kam admirue te ai shpirtin e bashkëpunimit, përkushtimit dhe sakrificës;
së treti, ndjehem i nderuem pse Familja Merrnaçaj vazhdon me e mbajtë nalt si pakkush kët flamur, e kjo ndodh pse brezi ma i ri i kësaj familjeje ndjehet krenar për brezat e maparshëm dhe e vazhdon me shpirt këtë traditë të trashëgueme edhe n’Amerikën e Madhe të Demokracisë e Lirisë.
Prandaj sot e ndjej për detyrë me falenderue dy miqtë e mi të mirë e të urtë, Lekë e Mark Merrnaçaj, me të cilët kohët e fundit na asht dashtë me përballue edhe do beteja të vështira, n’emën të atyne idealeve të pastra që dikur i patëm mbrojtë me djem guximtarë e sypatrembun si Nick Merrnaçaj.
Në kët rast të veçantë, s’mund të la në heshtje emnin dhe personin e z. Mark Merrnaçaj; bir i derës heroike shekullore të Kelmendit, lindë e rritë në kampet shfarosëse të regjimit sllavokomunist të Enver Hoxhës, i cili menjiherë mbas ramjies së komunizmit në Shqipëri, me plagë në trup erdhi në Shtetet e Bashkueme të Amerikes e qysh në ditët e para të tij në kët vend angazhohet me mish e me shpirt në Federatën VATRA, ku jep ndihmën e tij pa u kursye në asgja. Mark Merrnaçaj, kontributi yt i ndershëm dhe atdhetar në Federatën VATRA, s’mund të cënohet kurrë nga askush.
Historinë e Vatrës e shkruejnë historianët dhe s’kanë me mujtë kurrë me shkrue interesaxhijtë e kohës!!
Në kët 5 maj të Dëshmorve, e përshëndes tubimin tuej, që jo simbas meje po prej shumë shqiptarësh, vlersohet si ndër modelet ma të bukura e ma domethanëse të komunitetit tonë, sepse asht dëshmia ma e vërtetë se liria e demokracia as vijnë dhe as mbahen në kambë, pa heronj të vërtetë dhe idealista.
Prandej, edhe nji herë Ju përshëndes dhe ju falenderoj nga zemra për këtë ftesë në Ditën e Lirisë së Shqiptarëve, e cila denjësisht mban emnin e nji heroi si Nick Merrnaçaj.
U kujtoftë e u nderoftë ndër shekuj, jeta dhe vepra e tij heroike.
Agim Rexhaj, 5 maj 2024