Këtë të martë do të fillojë kapitulli i fundit i një prej rivaliteteve më të mëdha që ekziston në futbollin europian.
“Los blancos” dhe bavarezët kanë përjetuar disa nga betejat më epike në kompeticion.
Një rivalitet që u bë i njohur si klasikja evropiane. Por historia e këtij rivaliteti shkon përtej të dhënave, bazohet, mbi të gjitha, në duelet e luajtura nga shumë prej lojtarëve më të mirë në histori, shumë prej tyre në radhët e një Bayerni në të cilin u bënë të njohur si “ogra” (në spanjisht) ose “bisha të zeza” të Madridit.
TORPEDO MYLER DHE NJË I ÇMENDUR – Kapitulli i parë i kësaj historie ndodh në sezonin 1975-1976, kur skuadra e bardhë u takua me Bayernin ndoshta më të mirë në histori në gjysmëfinalet e Kupës së Kampioneve siç quhej asokohe Liga e Kampioneve. Bayerni kishte emra që do të bënin të dridhej çdo skuadër: Bekenbauer, Rumenigge, Hënes, Maier dhe një nga sulmuesit më të lavdishëm në histori, Gerd “Torpedo” Myler. Fati u vendos në Mynih pas ndeshjes së parë në “Bernabéu”, e cila ishte një skandal mbarë botëror.
Një tifoz i Madridit u hodh në fushë për të sulmuar gjyqtarin Linemajer dhe vetë Mylerin. Në një “Olympiastadion” “të nxehur” nga shtypi gjerman dhe në të cilin gjermanët Netzer dhe Brajtner, në atë kohë në Madrid, u trajtuan pothuajse si tradhtarë të vendit të tyre, dy golat e Myler mposhtën Madridin (2-0).
“BRIRËT” E AUGENTALERIT – U desh më shumë sesa një dekadë pritje për të përjetuar, një tjetër kryqëzim mes dy klubeve, sërish në gjysmëfinale në sezonin 1986-1987. Bayerni fitoi takimin e parë 4-1 në një duel ku Madridi përfundoi me nëntë lojtarë. Përjashtimi i Huanitos në minutën e 32-të ishte kyç. Gjeniu nga Marbeja e humbi durimin dhe, ndoshta i çmendur nga loja e ashpër e gjermanëve, shkeli Mateusin me këmbë kur ky ishte në tokë.
“Instinkti im kafshëror më ka mposhtur”, deklaronte më vonë ai duke kërkuar falje. Në ndeshjen e kthimit, “Bernabéu” beson në një përmbysje, veçanërisht pas daljes me të kuqe të Augentaler, i cili goditi Hugo Sançezin. “Ai po më shante pa pushim… Më çmendi!”, ka shpjeguar më pas në “AS” qendërmbrojtësi gjerman.
Dalja e tij nga fusha, duke sharë të gjithë stadiumin, përfundoi duke ndezur tribunat. “Ajo ndeshje ishte si një ndeshje me dema. Gjesti ishte produkt tensioni” do të analizonte ai më vonë. E vërteta është se Madridi mund të fitonte vetëm 1- 0, sepse portieri i Bajernit, belgu Pfaf, priti gjithçka.
E KUQJA E RUMENIGES… DHE NJË TROFE I HEDHUR – Ishin kohë rivaliteti të madh. Edhe ndeshjet miqësore mbaheshin mend si beteja gjithëpërfshirëse. Dhe mjerë kush nuk e ka marrë kështu.
Në një miqësore parasezonale në vitin 1980, Bayerni mundi Madridin 9-1! Vujadin Boshkov, trajneri i Realit të Madridit, doli pas takimit i turpëruar me një frazë historike: “Më mirë të humbas një ndeshje me nëntë gola sesa nëntë ndeshje me nga një gol”.
Rivaliteti arriti edhe në “Trofeun Bernabeu”. Rumenige u përjashtua për shkak të gjesteve të turpshme ndaj turmës në minutën e 44-të dhe rrëmuja që u krijua ishte e tillë që arbitri përfundoi duke përjashtuar edhe përkthyesin e ekipit gjerman. Shumë vite më vonë, në vitin 2004, “AS” zbuloi se “Trofeu Bernabéu”, i pari në histori, i fituar rastësisht një vit më parë nga vetë Bajerni, u gjet i hedhur poshtë shkallëve në selinë e klubit bavarez, larg kupave të tjera. Klubi gjerman ndryshoi qasje dhe sot trofeu është në vendin e tij të privilegjuar në vitrinat e trofeve të klubit gjerman.
NJË “BISHË” I QUAJTUR KAHN – Rivaliteti kaloi nga një ngjarje sporadike në një përvojë pothuajse të përvitshme. Dhe kaq shumë fërkime… prishën marrëdhëniet midis lojtarëve bavarez dhe tifozëve madrilenë. Portieri Oliver Kahn dhe karakteri i tij i fortë e bënë atë një nga objektivat e publikut të bardhë. Portieri nuk iu shmang asnjëherë përballjes.
SALIHAMIXHIÇ, PIZARRO DHE “PALAÇOT” – Ato ndeshje u nxehën shumë nga deklaratat para tyre. Në sezonin 2000-2001, Madridi duhej të dorëzohej, duke humbur të dyja ndeshjet e tyre gjysmëfinale (0-1 dhe 2-1). Por ata u kundërpërgjigjën me një përmbysje në çerekfinalen e sezonit 2001-2002 (humbën 2-1 dhe fituan 2-0), pavarësisht faktit se Salihamixhiç kishte siguruar se Madridi “do ta bënte në brekë” ose mendimin e Kahn, i cili tha për Realin: “Shumë reklama, por nuk luajnë futboll”.
Fitores në raundin e dytë të sezonit 2003-2004 (1-1 dhe 1- 0) i ka paraprirë edhe një deklaratë tjetër nxitëse. “Le t’u japim atyre klounëve një pesëshe” tha peruani Pizarro, i cili nuk mundi ta mbajë premtimin e tij…
“FUCK OFF” NGA VANBOMEL – Reali i Madridit ktheu historinë, por duelet e tyre me Bayernin ishin ende të tensionuara. Në raundin e 1/8 të finaleve në sezonin 2006-2007, të dyja skuadrat do të takoheshin sërish dhe kualifikimi i shkoi bavarezëve ku pati dhe problematika.
Në ndeshjen e parë, Reali udhëhoqi deri në 3-1 në ”Bernabéu” në minutat e fundit. Por goli i Van Bomel (88′) shkurtoi për Bayernin dhe ndezi tribunat. Holandezi, i ardhur nga Barça, shënoi golin dhe shkoi direkt në tribunë, të cilës i dedikoi dy “fuck off” me gjeste, duke bërë që UEFA të hapte procedim ndaj tij. Më vonë ai kërkoi ndjesë për gjestin. sn