Kombëtarja shkruan historinë, duke u kualifikuar për herë të parë në play off-in e një Kampionati Evropian.
Kuqezinjtë barazuan 0-0 ndaj Danimarkës në Kopengahen dhe vazhdojnë ta ruajnë pathyeshmërinë në Grupin I eliminator për “Francë 2016”.
Në “Telia Parken”, skuadra e De Biazit diti të vuajnë duke dalë me një pikë të çmuar që e ngjit në kuotën 11, aq sa danezët.
Playoff-i është matematikisht i siguruar, mbetemi të pamposhtur në grup, tani mendja te Portugalia kryesuese.
Shihemi të hënën në Elbasan.
Deklaratat pas ndeshjes
De Biazi: “Është një pikë shumë e rëndësishme, pavarësisht se kundërsulmi nuk funksionoi si duhet. Janë në total 2 pikë të vlefshme që i kemi marrë një kundërshtari të fortë. Patëm dy raste të mira që nuk i shfrytëzuam. Mund të kishim humbur, por në fund edhe mund ta kishim fituar ndeshjen. Danimarka ishte shumë lart fizikisht, na bëri të vuajmë disi, por edhe ne kishim në fund rastet tona. Nëse Roshi dhe Sadiku do të kishin bërë më mirë në fund, kapitulli mund të ishte mbyllur që sonte. Pjesa e mbrojtjes funksionoi mirë, bashkë me Berishën. Ekipi bëri punë të mirë sot. Të hënën kemi një ndeshje të vështirë kundër një kundërshtari si Portugalia. Pas ardhjes së trajnerit Santos kanë ndryshuar dhe vijnë në Shqipëri për të mbyllur ndoshta kualifikimin. Por ne do të vazhdojmë misionin tonë dhe pse jo, ta fitojmë ne ndeshjen. Ndërsa sa i përket kontratës sime, është shpejt për folur për rinovim. E rëndësishme është që po bëjmë një ekip të ri dhe do të vendosim më tej për vazhdimësinë”.
Cana: “Kemi pasur një sërë rezultatesh pozitive, por e dinim që kjo ndeshje do të ishte mjaft e vështirë për ne. Sot kemi hasur vështirësi në lojën tonë pasi Danimarka e kërkoi me ngulm fitoren, por për fat ia dolëm duke marrë një barazim më vlera. Megjithatë, nuk do ndalemi këtu por do të vazhdojmë ëndrrën tonë të madhe që tashmë jemi akoma edhe më pranë. Pjesën e parë luajtëm mirë, por vuajtëm në të dytën. Mendoj se mund të luajmë më mirë në ndeshjet e ardhshme. Rëndësi ka që nuk humbëm dhe tashmë duhet të përqendrohemi te ndeshja me Portugalinë”.
Duka: “Morëm një pikë ndaj një kundërshtari shumë të fortë që na jep siguri në të ardhmen. Nëse do të kishim shënuar me Roshin do ishim më të kënaqur. Unë besoj se duke luajtur në fushën e kundërshtarëve, duke fituar me Portugalinë, duke barazuar me Danimarkën, është një argument bindës për të shkuar në finale. Patjetër që duhet të festojmë sot dhe do të festojmë, por do shohim edhe për ndeshjen e ardhshme. Urojmë që Armenia të fitojë kundër Danimarkës. Të them të drejtën ende nuk më janë kthyer në normalitet rrahjet e zemrës, sepse edhe mund të kishim pësuar një gol, ashtu siç mund ta kishim shënuar atë me anë të Roshit. Nëse do ta ruajmë të pastër kolonën e humbjeve, atëherë jemi të sigurt drejt ‘Euro 2016’-ës”.
Gjimshiti: “Ishte një ndeshje e veçantë, një emocion i jashtëzakonshëm, sepse debutova në një ndeshje shumë të rëndësishme. Jam shumë i kënaqur me rezultatin, besoj se jemi në rrugën e duhur. Jam i ri dhe besoj se do të përmirësohem, por në këtë takim kisha edhe një ngarkesë të madhe psikologjike. Kemi shumë punë për të bërë, duke nisur që nga ndeshja e së hënës kundër Portugalisë. Do të jetë një betejë”.
(22:40)
“Shpirti i sakrificës bëri histori”
Kryeministri Edi Rama ka uruar Kombëtaren në “Facebook”, ku shkruan se historia e shkruar sot në Kopenhagen i kushtohet shpirtit të sakrificës kuq e zi.
“Suuuuuuupeeeer! Shpirti i sakrificës kuqezi bëri histori. Jemi në playoff me siguri, po ëndrra vazhdon #ForcaShqipëria“, shkruan Rama.
(22:18)
Danimarka gjen rrugën e rrjetës me Niklas Bendtnerin në minutën e 74-t, por më parë gjyqtari kishte fishkëllyer për pozicion jashtë loje.
(22:01)
Etrit Berisha ka bërë dy pritje shpëtimtare në minutat 57′ dhe 60′. Në fillim “gardiani” nuk lejoi që topi i goditur me kokë nga Poulsen të prekte rrjetën pas një krosimi nga këndi, më pas priti gjuajtjen qendrore të Jorgensenit.
Danezët e shtojnë gazin përpara në kërkim të golit, kuqezinjtë vazhdojnë të luajnë ngjeshur në prapavijë.
(21:53)
“Kompaktësi dhe rezistencë për të siguruar pikën e artë”
Kryeministri Rama, i cili po e ndjek ndeshjen nga Parku i Kryeministrisë, bashkë me dhjetëra tifozë kuq e zi, është optimist për takimin e sotëm. Rama shpreson që kompaktësia dhe rezistenca në lojë do t’i sigurojnë Kombëtares pikën e artë në Danimarkë.
“Po të kemi këtë kompaktësi dhe rezistencë edhe pjesën e dytë, atëherë marrim pikën e artë që na duhet #ForcaShqipëria”, shkruan Rama në “Facebook”.
Parku pas Kryeministrisë është shndërruar në një ministadium për dhjetëra tifozë kuqezi. Kryeministri Rama është ulur mes tifozëve.
(21:34)
Mbyllet me rrjeta të paprekura gjysma e parë e ndeshjes mes Danimarkës dhe Shqipërisë. Vendasit kontrolluan topin, por nuk arritën asnjëherë ta vinin në provë Berishën. Në krahun tjetër, kuqezinjtë u mbrojtën mirë, duke ngacmuar portën daneze me kundërsulme të shpejta.
(21:06)
Kombëtarja shqiptare e futbollit po luan me Danimarkën një nga ndeshjet më të rëndësishme të eliminatoreve për Evropianin 2016.
Fillim i vrullshëm për danezët, të cilët sulmojnë nga të gjitha anët. Kuqezinjtë mbrohen mirë: minuta e 25-të, 0-0.
(19:45)
Kështu zbritën në fushën e stadiumit “Telia Parken” Danimarka dhe Shqipëria:
Danimarka (4-3-3): Shmajkëll; Jakobsen, Kjaer, Ager, Dyrmishi; Hojbjerg, Kvist, Kron-Dehli; Sisto, Jorgensen, Bendtner. Trajner: Morten Olsen
Shqipëria (4-5-1): Berisha; Gjimshiti, Cana, Ajeti, Agolli; Kukeli, Xhaka, Abrashi, Gashi, Lenjani; Cikalleshi. Trajner: Xhani De Biazi
Gjyqtar: Uilliam Kollum (Skoci)
Himni kombëtar
Komentet