Kleriku irlandez Robert Walsh përveçse historian ishte edhe studjues, diplomat, shkrimtar, arkeolog, jurist me titullin Doktor në Jurisprudencë dhe mjek me titullin Doktor i Shkencave Mjekësore. Shumë nga paraardhësit e tij kishin qenë juristë të lartë. Disa breza të familjes së tij ishin marrë me arkeologji dhe Roberti vazhdoi traditën e familjes edhë në këtë fushë.
Walsh-i lindi më 1772 në qytetin më të vjetër të Irlandës – Waterford, të themeluar nga vikingët në vitin 914. Ai ishte biri i një tregtari të pasur të Dublinit dhe u diplomua pas 7 vitesh studimi (1789-1796) në universitetin elitar Trinity College Dublin.
Gjatë viteve studentore Walsh-i kishte miqësi të ngushtë me poetin e shquar irlandez Thomas Moore (mik i ngushtë dhe biograf i Bajronit) dhe me patriotin e flaktë e heroin e popullit irlandez Robert Emmet, i cili në vitin 1802, në moshën 25-vjeçare u dënua me varje, iu pre koka pas varjes dhe u la pa varr për bindjet e tij republikane. Në fillim të vitit 1812, poeti i madh anglez Percy Bysche Shelley, gjithashtu mik i ngushtë i Bajronit, pasi e kërkoi varrin e Emmet-it në Dublin dhe nuk mundi ta gjente, shkroi poezinë elegjiake Mbi varrin e Robert Emmet-it: “Kush ishte ai, pa varr i therrur,/Që ra në ishullin e lënduar t’Erinit[1] /Sepse shpirti i tij guxoi të sfidonte/ Për të ndezur turrën e funeralit të vendit të tij?” dhe poeti i drejtohet martirit Emmet se, me qenë se varri i tij nuk dihet, ai “do të mbetet i pandotur nga fama/ Gjersa armiqt’e tu, nga bota e fati përkëdhelur,/ Do të largohen si mjergull nga drita e emrit tënd”.
Më 1806 Walsh-i filloi punën si klerik në famullinë e Finglasit në periferinë e Dublinit, ku qëndroi deri në fillim të vitit 1820. Në këtë kohë pranon ofertën për të punuar si kapelan i stafit dipllomatik të Lord Strangfordit, ambasadorit britanik në Stamboll. Sëmuret gjatë udhëtimit dhe karantinohet në Beograd. Për pak kohë dërgohet si kapelan në ambasadën britanike në Shën Peterburg, Rusi. Pas disa javësh u transferua në Turqi ku punoi për 8 vjet si kapelan dhe atashe i ambasadës britanike në Stamboll (1820-1828). Pastaj, në tetor 1828 u dërgua në Brazil dhe për 200 ditë punoi si kapelan i ambasadës britanike në Rio de Zhaneiro, Më 4 maj 1829 u largua nga Brazili dhe me 30 qershor arriti në Portsmuth e pastaj u kthye në Londër.
Më 1835 Robert Walsh-i u vendos përfundimisht në vendlindje në Irlandë, ku ushtroi për disa kohë profesionin e mjekut dhe u muar kryesisht me botimin e ribotimin e librave të tij me kujtime e ditare udhëtimi deri sa vdiq në moshën 80 vjeçare, me 30 qershor 1852.
Përveç shumë artikujve që i botoi në revistën Dublin University Magazine, Walsh-i shkroi disa libra, si “Historia e qytetit të Dublinit” (botuar me dy bashkautorë, në 2 vëllime më 1815), “Rrëfenjë e një udhëtimi nga Konstandinopoja në Angli” (1828), “Shënime rreth Brazilit më 1828 dhe 1829” (botuar në Londër në dy vëllime më 1829), “Një ese mbi gurët e çmuar, medaljet dhe monedhat e lashta” (8 vëllime, Londër, 1830), “Rezidencë në Konstandinopojë gjatë Revolucioneve Greke dhe Turke” (2 vëllime, 1836), etj.
Ky intelektual i shquar irlandez ka përshkruar nga Stambolli ekspozimin publik të kokës së Ali Pashë Tepelenës në oborrin e sarajit të Sulltanit më 23 shkurt 1822. Ai rrëfen ballsamosjen e përsosur të skalpit të Ali Pashës dhe ekspozimin e tij për tri ditë në një piadestal mermeri, mbi kokën e të cilit ishte varur “jafta” (shpallja e vendimit gjyqësor për ekzekutimin e pashait shqiptar), të cilin autori e ka përkthyer në anglisht ad-litteram.
Në Rrëfenjë mësojmë për përpjekjen e një tregtari anglez për ta blerë kokën e balsamosur të pashait të famshëm shqiptar dhe për ta dërguar në Londër për ekspozim, si dhe për blerjen përfundimtare të kokës së prerë të Ali Pashës nga shqiptari Sulejman Dervishi, shok i rinisë dhe ish-agjent i Aliut në Stamboll. Autori tregon se pasi Sulejman Dervishi e bleu kokën e Aliut, ai e varrosi atë së bashku me kokat e tre djemve dhe nipit të pashait në pesë varre prej mermeri të bardhë pranë Portës Silivri, një nga dhjetë portat e lashta rrethuese të Stambollit.
Porta e Silivrit (Silivrikapi) në kohën e sotme.
E veçanta e përshkrimit të Walsh-it është se ky irlandez ka qenë dëshmitar okular i ekspozimit të kokës së Ali Pashës. Pra, e ka parë vetë me sytë e tij, bile është përpjekur edhe vetë për ta blerë. Në “Rrëfenjën” e tij Walsh-i, duke qenë resident i Stambollit, si kapelan i ambsadës britanike, përshkruan edhe mbërrritjen në Stamboll të Vasiliqisë, vejushës së re të Ali Pashës. Ai e takon personalisht Vasiliqinë, bën një përshkrim të shkurtër të pamjes, fatit të saj dhe marrëdhënieve të saj me Ali Pashën.
Libri i Walsh-it “Rrëfenjë e një udhëtimi nga Konstandinopoja në Angli” pati shumë sukses, u ribotua disa herë dhe u përkthye nga vetë autori në frëngjisht e u botua në Paris brenda vitit 1828 (me titull të ndryshuar). Këtë vepër e kishte lexuar edhe udhëtari i mirënjohur anglez Thomas Smart Hughes (1786-1847), i cili i referohet drejtpërsëdrejti në botimin e dytë të veprës së tij madhore në 2 vëllime dhe 1024 faqe “Udhëtime në Siçili, Greqi e Shqipëri” botuar më 1830-31 në Londër. Hughes-i citon veprën e Walsh-it kur përshkruan fundin tragjik të Ali Pashës, fatin e kokës së tij të prerë dhe të tre djemve e nipit të tij, si dhe fatin e Vasiliqisë.
Në faqen 303 të kapitullit IX të vëllimit II të veprës së tij, Thomas Hughes-i ndër të tjera shkruan: “Koka e këtij personazhi të jashtëzakonshëm i shpëtoi për një qime floku degradimit që do të pësonte duke u bërë spektakël publik për popullatën angleze dhe duke shëtitur rretheqark nëpër kryeqytetet e Evropës, sepse Doktor Walsh-i, i cili e pa ekpozitën në oborrin e sarait të sulltanit, na informon se një tregtar i Konstandinopojës ofroi një shumë të madhe për ta blerë atë. Mirëpo kur marrëveshja ishte gati për t’u mbyllur, një dervish i quajtur Solyman (Sulejman), i cili kishte qenë një nga agjentët e fshehtë të Aliut, ndonëse kishte hequr dorë nga shërbimi për shkak të disa kundërshtimeve në pikëpamje, ofroi një shumë më të madhe. Ky besimtar bleu edhe kokat e tre djemve të Aliut dhe të nipit të tij Mehmet Pasha, të cilat i depozitoi, së bashku me kokën e vezirit plak, në një varr të gjërë familjar pranë Portës së Silivrit, duke ngritur mbi ta edhe pesë gurë varri prej mermeri të bardhë, të zbukuruar secili, sipas mënyrës turke, me çallma të gdhendura dhe duke deklaruar titullin e pesë të vdekurve”.[3]
Në kapitullin IV të librit të tij Walsh-i tregon se shkoi te Porta Silivri dhe i pa vetë 5 pllakat prej mermeri të bardhë në varret e kokave të prera.
Sipas Robert Walsh-it, Vasliqia i qëndroi besnike Ali Pashës deri në fund. Për këtë ai në librin e tij shkruan: “Kjo zonjë, zakonisht e quajtur Vasilissa (Kira Vasiliqia), ishte vajza e një prifti grek nga Janina (në fakt ajo ishte shqiptare orthodokse nga Filati, R.K.), të cilën Aliu e kishte shumë për zemër. U raportua në fillim se ajo e kishte tradhtuar atë, dhe se kishte tre çifliqe, ose sipërfaqe të mëdha toke që ia kishte lënë ai si shpërblim (trashëgimi). Është e sigurtë se ajo ndihmoi për t’ia ndryshuar mendjen nga projekti i dëshpëruar për të hedhur në erë veten, atë bashkë me thesaret e tij; gjithashtu ajo padyshim ishte ndërmjetse në komunikimin midis atij dhe Hrushidit në rastin konkret: por duket se ajo nuk kishte as dyshimin më të vogël se bëhej fjalë për tradhti. Gjithashtu është e sigurtë se ajo nuk mori asnjë shpërblim përveç faktit që u lejua të mbetej gjallë. Me 19 mars, pak kohë përpara ekspozimit të kokës së bashkëshortit të saj, ajo arriti në Konstandinopojë me një ‘aruba’, apo karrocë turke e tërhequr nga buaj, dhe u dërgua nën kujdestari në rezidencën e Patriarkut[4], i cili ishte përgjegjës për ta ruajtur atë. Këtu pas pak kohësh unë u takova me të. Ajo është një grua e hijshme, me moshë rreth të tridhjet-e-pesave, jashtëzakonisht e pashme dhe elegante në personin e saj. Ajo nuk del kurrë nga apartamenti i saj, përveçse kur përshkon oborrin për të shkuar në kishën e patriarkut, të cilën e frekuenton rregullisht; dhe atëherë ajo është e mbuluar mire me vello. Atë e kanë lënë në një skamje (mjerim) të tillë sa që u propozua që të mblidheshin ndihma për ta mbështetur dhe mua më kontaktuan për këtë qëllim. Vëllai i saj në atë kohë ishte i burgosur në burgun e Bostanxhi-Bashit[5]. Unë nuk po e përmend këtë si provë të pafajsisë së saj, sepse të mos marrësh një shpërblim në Turqi në raste të tilla, nuk do të thotë se nuk të është premtuar apo që do ta marrësh më vonë; por karakteri i saj, në të gjitha rastet e njohura, ishte i drejtë dhe i sjellshëm. Ajo ishtë një bashkëshorte besnike e Aliut, pavarësisht nga diferenca e madhe e moshës midis tyre, dhe ajo kishte ndikim të fuqishëm tek ai, të cilin ajo gjithnjë e përdorte për t’i ndihmuar dhe për të përfituar njerëzit e tjerë.”[6]
Me interes të veçantë dhe deri tani i panjohur për lexuesin shqiptar është edhe një libër tjetër, me ilustrime, në dy vëllime, të cilin Walsh-i e botoi më 1836-1838 bashkë me arkitektin e piktorin Thomas Allom (1804-1872). Libri ka një titull të gjatë: “Konstandinopoja dhe pamje të shtatë kishave të Azisë së Vogël të ilustruara në një seri gravurash nga natyra prej Thomas Allom-it. Me një përshkrim historik të Konstandinopojës dhe përshkrime të gravurave nga Rev. Robert Walsh”. (Constantinople and the Scenery of the Seven Churches of Asia Minor illustrated. In a Series of Drawings from Nature by Thomas Allom. With an historical account of Constantinople, and descriptions of the plates, by the Rev. Robert Walsh…, London/Paris, Fisher, Son & Co.). Gjashtë gravura të vëllimit II të këtij libri paraqesin vendbanime shqiptare, sipas tekstit ilustrues të vetë autorëve. Të gjitha gravurat shoqërohen me përshkrime gjeografike dhe shënime historike, të cilat mendojmë se paraqesin interes si për lexuesin e rëndomtë ashtu dhe për studjuesin e shkencave albanologjike.
Walsh-i e ka emërtuar Janinën “kryeqytet i Shqipërisë”, i cili sot tingëllon i pasaktë, por është nisur nga fakti se, për aq sa dinte ai, në atë kohë Ali Pasha ishte guvernatori më i fuqishëm i disa provincave shqiptare brenda jurisdiksionit të Perandorisë Osmane, ashtu siç ishte Shkodra kryeqendra e Pashallëkut të Bushatllinjve në Shqipërinë e veriut. Për Janinën autori britanik nën foton e qytetit shkruan:
“Qyteti i Janinës, i cili dikur në Angli thuajse nuk dihej fare që ekzistonte, u bë në kohra të mëvonshme jashtëzakonisht i famshëm si kryeqyteti i njeriut të jashtëzakonshëm Ali Pasha dhe tërhoqi vizitorë të shquar nga çdo pjesë e Europës. Duket e pazakontë që siguria e vend-ndodhjes së tij, pjelloria e fushave që e rrethojnë dhe bukuria e përparësia natyrore e liqenit të tij nuk kanë tërhequr vëmendjen as të grekërve as të romakëve, të cilët njëri pas tjetrit kanë sunduar në Epir dhe në Shqipëri, ku dhe ndodhet në këtë të fundit. Nuk është e dallueshme këtu asnjë shënjë e çfarëdo qyteti qoftë përpara sundimit të Gjon Kantakuzenit, në shekullin e katërmbëdhjetë, si dhë asnjë relike klasike nuk i fisnikëron gërmadhat barbare të Mesjetës. Supozohet se quhet Joannina nga emri i krishterë i themeluesit të tij. Zakonisht shkruhet Yannini.
Ai vazhdoi si qytet bizantin deri në vitin 1432, kur Murati II u dërgoi një letër banorëve të Janinës dhe i thirri që të mblidhen, si ajo që Sennaçeribi u dërgoi banorëve të Jeruzalemit. Ajo letër u rikujtonte atyre gjëmat që u kishte shkaktuar pushtuesi banorëve në qytetet e tjerë dhe i paralajmëronte që t’i shmangnin ato duke u dorëzuar menjëherë. Kristianët e tmerruar u nënshtruan menjëherë dhe muhamedanët e pushtuan atë. Veprimi i parë që bënë ishte rrafshimi i disa kishave kristjane; pastaj u bë një veprim që ishte i ngjashëm me rrëmbimin e sabinave në mitologjinë romake: një grup burrash të armatosur zunë pritë për kongregacionin e krishterë derisa të dilnin nga vendi i lutjeve (një kishë që ende nuk ishte prishur); çdo burrë rrëmbeu vajzën që i pëlqente më tepër, sapo ajo dilte nga porta; dhe prindërit e saj, pas thirrjeve të pashpresa kundër kësaj dhune, u detyruan më në fund që ta miratonin atë. Gratë u pajtuan me fatin e tyre dhe kështu popullata e krishterë dhe muslimane u pleksën, si romakët me sabinat, dhe jetuan në harmoni së bashku.
Mirëpo, në vitin 1611 u bë një përpjekje fatkeqe për t’i përzënë turqit. Një peshkop fanatik deklaroi se kishte parë në ëndër që sulltani u ngrit nga froni i tij në Konstandinopojë për ta përshëndetur dhe kjo, sipas peshkopit ishte shenjë që tregonte se ai (peshkopi) duhej të sundonte në Janinë. Ai mblodhi disa pasues dhe i sulmoi turqit, mirëpo u mundën shpejt, lëkurën e peshkopit e mbushën me lesh dhe e dërguan në kryeqytet. Sulltani, i nxitur nga kurioziteti, u ngrit për ta parë dhe kështu përmbushi prarashikimin e ëndrës së tij. Nga ajo kohë banorët e krishterë jetojnë në një nënshtrim më mjeran ndaj turqve se në çdo pjesë tjetër të perandorisë.
Popullsia e sotme llogaritet në 40.000, për të cilët ka nëntëmbëdhjetë xhami, pesë teqe, gjashtë kisha greke dhe dy sinagoga. Janina dallohet për shkollat e saj dhe ka nxjerrë shumë njerëz të ditur. Zhvillon një trafik të konsiderueshëm me Rusinë, Venedikun dhe Maltën dhe është e famshme për qëndistarinë e saj, për mjeshtrinë e hollë në zbukurimin e shpatave dhe armëve të tjera, dhe vëçanërisht për çibukët e saj të bukur.”
Dy autorët (shkrimtari dhe piktori), si dy vizitorë symprehtë e të vëmendshëm, kanë bërë një përshkrim të bukur e të gjallë të Gjirokastrës dhe rrethinave të saj në atë kohë:
“Midis maleve të egër e thuajse të pakalueshëm të Shqipërisë, udhëtari shpesh habitet kur hyn papritmas në fusha pjellore e të bukura, ku ai nuk priste asgjë tjetër përveç një vazhdimësie të atyre shkëmbinjve të thyer e shterp, mbi të cilët ai ka qenë duke u ngjitur me vështirësi e me rrezik. Një nga këto fusha madhështore të Gjirokastrës është një nga më të mrekullueshmet. Ajo shtrihet në gjatësi për më shumë se tridhjetë milje dhe varion nga gjashtë deri në tetë në gjërësi. Ajo përfshin thuajse njëqind fshatra, të cilat ose varen në dy shpatet e barrierave të saj alpine, ose fshihen nën hijen e të çarave të luginave të ngushta që ndajnë anët e tyre. Nëpër qendër gjarpëron përroi i kthjellët i Drunos (Drinos) duke përhapur freski e pjellori në brigjet e tij të gjelbëruara. Tufa të mëdha delesh e zbardhojnë fushën poshtë dhe tufat shumëngjyrshe të dhive varen nëpër lugoret sipër; dhe e gjithë pamja, instinktivisht e mbushur me jetë, i jep egërsisë e aspektit madhështor të natyës një bukuri të pashoqe dhe karakter interesant.
Në një skaj të këtij vendi, e vendosur mbi majën e një gremine, qëndron qyteti i Gjirokastrës. Shkëmbi mbi të cilin është ndërtuar është i ndarë me të çara të ndryshme, kështu që rrugët janë të ndara nga rrëzina e përroska të thella, të cilat e ndajnë qytetin në lagje të ndryshme dhe i japin atij një karakter krejt të veçantë që ndryshon nga çdo qytet tjetër. Shtëpitë janë për nga madhësia dhe struktura më të larta se ato në qytetet tjera shqiptare. Ato nuk janë të puqura, apo në formën e rrugëve, që të mbështeten te njëra-tjetra për t’u mbajtur.Ato qëndrojnë të vetme dhe tëë pavarura, nganjëherë në majën e një shkrepi, nganjëherë në buzë të një gremine, dhe nganjëherë janë të fshehura në të çarat e një shkëmbi. Megjithatë, numri më i madh i tyre gjënden në tokë të rrafshët në fund të luginave të thella dhe rruga është që të çon atje është e çara natyrale e një mali. Nëpër anët janë të rrjeshtuara pemë frutore, shkurre natyrale dhe kopështe të varura, kështu që çdo rrugë e ngushtë është një luginë e ngushtë malore romantike. Megjithatë, këto rrugë piktoreske kanë disavantazhet e tyre. Kur ka shkrirje të papritur të dëborës ose rrebeshe shiu, rrëketë nga vendet më të larta vërshojnë me vrull të frikshëm nëpër to duke i përmbytur nga një cep në tjetrin dhe duke mos lënë asgjë mbrapa veç pemë të shkulura, shtëpi të shëmbura dhe trupa të mbytur.
Popullsia e sotme llogaritet në 150,000; pjesa më e madhe dhe më e kamur janë turq (që në fakt ishin shqiptarë muslimanë, R.K.), të tjerët janë shqiptarë orthodoksë dhe çifutë. Shumë nga ata kohët e fundit merreshin gjërësisht me tregti dhe qyteti ka një treg të madh të mbushur me lloj-lloj mallrash, por mirëqenia e tij ka rënë shumë: dora e pamëshirshme e Ali Pashës ea mbi të, si në të gjitha qytetet e tjera fqinje; banorët e saj u masakruan, tregtarët e saj u plaçkitën dhe u shpërndanë, dhe mirëqenia e qytetit, me tregtinë e tij u paksuan shumë.
Ilustrimi ynë paraqet kështjellën ose fortesën e qytetit që lartësohet mbi fushën e saj të bukur. Kjo fortesë është një nga më të gjërat dhe më të rëndësishmet në Shqipëri. Ajo përmban sarajin e pashait, xhaminë dhe strehimin e një garnizoni prej 5000 vetësh. Për ta siguruar atë nga efektet e urisë, është ngrënë shkëmbi me gërmime të nëndheshme, të cilat formojnë hambare të mbushur gjithnjë me drithë; dhe me qëllim që të mos jetë i varur nga era, uji apo ndonjë fuqi tjetër e passigurtë, mulliri që bluan drithin vihet në lëvizje me anën e një maqinerie me ingranazhe si sahati, e shpikur nga një vendas i zgjuar. Ky mulli bluan çdo ditë sasi të bollshme mielli. Elementi i domossdoshëm i ujit sillet nga kodrat fqinje nëpërmjet një akuadukti (ujësjellësi) të lartë. Këto vepra ruhen nga një artileri me tetëdhjetë topa anglezë e francezë, kështu që kjo mund të konsiderohet një nga fortesat malore më fisnike e më të sigurta në Europë.”
[Akuadukti i lartë që duket në pikturë është kryesisht vepër e Ali Pashës. Kjo vepër arkitekturore e mrekullueshme, që sillte ujë për kështjellarët që nga mali i Sopotit, ka ekzistuar deri në shekullin XX dhe fatkeqësisht është prishur rreth vitit 1932. Ajo gjëndet vetëm në këtë gravurë të piktorit të famshëm anglez Thomas Allom, disa nga pikturat e të cilit janë të ekspozuara edhe në Luvër, si dhe në pikturat e Eduard Lirit e ndonjë piktori tjetër të huaj.]
“Më në jug të Janinës dhe duke iu afruar Adriatikut gjënden qyteti dhe kështjella e Paramithisë. Ndryshe nga Janina, këtu janë zbuluar disa shënja të vend-ndodhjes së saj që tregojnë se ka qenë një qytet i lashtë grek ose romak: kampione të bukur të artit të lashtë zbulohen çdo ditë dhe harqet e mureve të rëndë e të dyfishtë tregojnë se banorët e tij të mëparshëm kishin një shkallë inteligjence shoqërore shumë më të lartë se zotëruesit e tij të sotëm. Megjithëse emri i qytetit të lashtë që ngrihej në këtë vend ka humbur, mbetjet e tij arkeologjike dëshmojnë për ekzistencën e tij të dikurshme.
Paramithia, si Gjirokastra, qëndron në skajin e një fushe pjellore dhe duket sikur rri pezull mbi një shkëmb që lartësohet përmbi fushë. Shtëpitë, si ato të strukturave të qyteteve shqiptare në përgjithësi, janë të ndërtuara të veçuara nga njëra tjetra. Megjithatë, ato tregojnë për gjëndjen e mjeruar të pasigurisë në të cilën jetojnë banorët. Ato i ngjasojnë aq shumë fortesave të izoluara në pjesën e jashtme nga drita dhe ajri, me mure të çpuar nga frëngji të vogla prej ku dalin tytat e dyfekut. Ato janë përgjithësisht të mbuluara nga hija e degëve të shtrira të rrapit (oriental platanus): kjo pemë madhështore arrin një madhësi të tillë gjigande në Lindje, sa që ka qenë mrekullia e antikitetit: në trungun e një peme u gostitën për darkë 22 vetë dhe degët e një rrapi tjetër i bënin hije një fshati të tërë. Në Paramithi ato rriten në përmasa madhështore dhe qyteti është pjesërisht i mbuluar nga tenda e gjetheve të tyre. Ky bollëk bimësie shkaktohet ndoshta nga burimet e shumta që dalin nga kodrat dhe ujisin rrënjët. Çdo pemë duket se ka një burim të pastër që lidhet me të. Tregu i madh i qytetit dallohet posaçërisht për këtë veçori: i mbuluar nga një tendë shumë e madhe degësh dhe i freskuar nga shumë gurra uji të shijshëm. Mbi qytet lartësohet fortesa që pushon mbi një shkëmb të madh që në disa vende është më se 300 metra mbi fushë dhe bën që qyteti të priret në shpatin e malit pikërisht nën të. Struktura gëlqerore e këtij shkëmbi nganjëherë shëmbet duke shkëputur masa të mëdha, të cilat i mbulojnë e i shëmbin shtëpitë mbi të cilat bien. Kështjella është e rrethuar nga mure të gjërë mbrojtës rreth të cilëve ngrihen kullëzat me frëngji. Pikërisht këtu janë më të dukshme rrënojat e qytetit të dikurshëm. Muret e sotëm ngrihen mbi mbetje akoma më madhështore të themeleve të lashtë; këtu ende kanë mbetur harqet portale që duket se janë të një date shumë të lashtë.
Ilustrimi ynë paraqet fushën pjellore poshtë, të pasur me produkte të ndryshëm, plot me kopështe e shkurre, ku rrallë pushon kënga e bilbilave që, siç thuhet, është veçanërisht e ëmbël dhe e përvajshme. Lart mbi të ngrihen kreshtat e vargut të madh të maleve shqiptare, të cilët në lashtësi quheshin ‘Akrokeraunian’ (malet e vetëtimave), për shkak se në majat e tyre gjithnjë shkrepnin vetëtimat. Ndër këto lartësitë madhështore, pesë nga majat e tyre mund të ndiqen me sy prej këtu deri në Adriatik. Në fushën e pjerrët të shpatit të malit pushon qyteti me fortesën e tij, i rrethuar nga pyjet e lartë të rrepeve, kurse përball është një nga ato harqet e lashtë, të cilët tregojnë themeluesin e hershëm të qytetit por të padëshmuar nga historia.”
“Malet e egër të Shqipërisë kishin fjetur për një kohë të gjatë në errësirë dhe, ndonëse janë ngjitur me Europën e qytetruar, dhe fare afër bregdetit të Italisë, nuk ishin vizituar kurrë nga udhëtari kureshtar, gjersa Ali Pasha, si një meteor i shndritshëm sensacional, flakëroi vrullshëm në këtë krahinë të errët dhe tërhoqi vëmendjen dhe admirimin e botës me aftësitë e tij, kurajën e tij, krimet e tij dhe sukseset e tij.
Ky njeri i jashtëzakonshëm kishte lindur në Tepelenë, një fshat i vogël në Shqipëri, në vitin 1741. Paraardhësit e tij ishin shquar ndërmjet prijësve të ashpër të krahinës dhe nëna e tij, një grua me energji të rreptë karakteri, ishte e vendosur që ai të mos binte poshtë. Ai u bë ekspert në të gjitha ushtrimet burrërore dhe, në një moshë shumë të re, u bë i shquar midis ‘kleftëve’, apo kusarëve (kaçakëve), të vendit. Kur ishte larguar nga shtëpia për të shkuar në një dasëm, banorët e Gardakit (Kardhiqit), një fshat fqinj e rival, u vërsulën në Tepelenë dhe rrëmbyen nënën e tij dhe motren e tij Shainicën, të cilat i përdhunuan. Ai u betua se nuk do të gjente kurrë qetësi deri sa t’i mbushte jastekët e divanit të tij me flokët e të gjithë grave të Kardhiqit. Këtë betim ai e mbajti me fanatizëm. Pasi i shfarosi banorët dhe e rrafshoi fshatin, flokët e gjatë, të cilët janë krenaria e zbukurimi i grave shqiptare, i qethi nga trupat pa jetë; dhe motra e egër e Aliut ngazëllehej ndërsa pushonte mbi jastekët që ishin mbushur me ato flokë.
Pas një karriere krimesh, në të cilat mizoria e pabesia e tij ishin po aq të shquara sa dhe guximi e aftësitë e tij, ai më në fund u bë zotrues, me pretekste të ndryshme, i të gjithë qyteteve dhe fortesave në vend dhe shkatërroi, me egërsi të pamëshirshme, çdo rival që me forcë ose me mashtrim mund ta vinte nën pushtetin e tij. Pastaj u konfimua nga turqit në krye të pashallëkut të gjithë Shqipërisë dhe e bëri Janinën rezidencë të tijën dhe kryeqytet të territorit të tij. Këtu ai ftoi të gjithë udhëtarët e shquar të Europës që të vinin për ta vizituar; dhe nga raportimet e tyre emri i tij u përhap shpejt përtej errësirës së maleve të vendit të tij.
Pasi u kënaqën për gjysëm shekulli me këtë njeri të famshëm, turqit u bënë xhelozë për fuqinë e tij dhe vendosën ta rrëzojnë nga pushteti. Ai u rezistoi të gjitha përpjekjeve të tyre të hapura dhe më në fund ra viktimë e një pabesie njëlloj si të tijat. Një pasha i bëri një vizitë miqësore dhe, pas shumë deklaratash lajkatare, u ngrit për t’u larguar dhe i bëri Aliut përuljen e zakonshme në shenjë nderimi. Aliu ia ktheu nderimin dhe, përpara se ta drejtonte trupin, vizitori i tij ia nguli jataganin në shpinë që iu fut drejt e në zemër dhe i doli në gjoks. Kështu mbaroi, në moshën 81-vjeçare, “luani plak”, siç e kishin emërtuar turqit. Koka e tij iu pre dhe u dërgua, së bashku me gruan e tij të fundit, Vasiliqinë, në Konstandinopojë, ku u ekspozua për tri ditë në një pjatancë argjendi në oborret e sarajit. Katër kokat e djemve dhe nipit të tij u dërguan pas tij dhe u varrosën të gjitha, me monumentet e duhura, jashtë mureve të Konstandinopojës, dhe janë objektet e para që shihen nga udhëtarët pasi kalojnë Portën Selivria. Trupi u balsamos dhe u varros bashkë me atë të gruas së tij të parë, Fatimes apo Erminesë, në mauzoleumin që ai kishte ndërtuar për të në pedonalen e sarajit në Janinë, ku shikon liqenin, siç është paraqitur në ilustrimin tonë.
Kapelani Robert Walsh e ka përshkruar Pargën nga këndvështrimi i një kleriku orthodox fanatik. Për të shmangur interpretimet e tij paragjykuese e të njëanëshme, po citojmë vetëm përshkrimin gjeografik:
“Ky qytet ka themele krahasimisht moderne dhe ishte i panjohur përpara shekullit XV…. Në majë, mbi shpellat, gjëndet akropoli i qytetit dhe në pjerrësinë e shpatit janë shtëpitë e banorëve…. Parga u ngrit mbi shkëmbin e saj që rrihet nga deti, buzë Adriatikut…. Vend-ndodhja e zgjedhur është veçanërisht e bukur. Një kodër konike zgjatohet e del nga një gji i thellë, duke krijuar limane të sigurtë në të dy anët e tij. Që këtej gjiri zbret ëmbël me kurba tërheqëse duke përqafuar me krahët e tij të gjatë një sipërfaqe madhështore uji; pamja mbaronte mbrapa me humnerën e thyer të vargmaleve shqiptare, kurse përpara nga ishujt Pakso dhe Korfuz, duke rrëshqitur mbi një det veçanërisht të pastër e të kthjellët.” Pastaj autori përshkruan pushtimin e ishullit nga francezët, anglezët dhe Ali Pasha, si dhe mizoritë e Aliut në Pargë. [Walsh-i nuk e dinte që në shekullin XIV Parga ishte kryeqendra e princit shqiptar Gjin Bue Shpata (1358-1399), që më 1401 ra nën kontrollin venecian për më se dy shekuj, por në fakt gjatë gjithë shekullit XV zotërohej nga pasardhësit e dinastisë së Shpatajve, që shqiptarët kanë qenë të përhershëm aty para se të vinin venecianët, kleftët grekë, turqit, francezët, anglezët, etj.]
- Kështjella dhe lugina e Sulit, Akeroni i lashtë, Shqipëri. (CASTLE AND VALLEY OF SULI, THE ANCIENT ACHERON. ALBANIA.)
“….Një udhëtar që gjarpëron në udhën e tij nëpër luginat e ngushta e përroskat e këtyre maleve të errët, kur arrin në majë gjëndet befas mbi një platformë të gjërë e të bukur. Këtu, më se 600 metra mbi shtratin e Akeronit, fisi i Sulit ndërtoi qytetet e tij; dhe në këtë lartësi të sigurtë shkëmbore fiksuan vendbanimin e tyre kryesor që e quajtën Kako-Suli, nga vështirësia shumë e madhe e ngjitjes në të. Në këtë tryezë të lartë shkëmbore gjëndeshin katër qytete të populluara dhe ata përmbanin gjashtëdhjetegjashtë fshatra që vareshin prej tyre, të ndërtuar mbi çdo vend të mundshëm midis luginave e humnerave poshtë. Karakteri i këtyre malësorëve dhe zakonet e tyre të veçanta i bënin ata shumë të dallueshëm nga fqinjët e tyre. Guximi i tyre i pamposhtur dhe i rreptë, durimi i tyre ndaj lodhjes e sakrificave, aftësia e tyre në përdorimin e armëve luftarake i bënin ata që të shiheshin nga të tjerët me respekt të madh. Kurdo që shfaqeshin, ata njiheshin nga karakteri që i dallonte. Lëkura e tyre ishte ngjyrë bronzi e zeshkët; nga që ishin vazhdimisht të ekspozuar ndaj diellit dhe erës dhe duke mos pasur strehën e çadrave në ekspeditat e tyre, sipërfaqja e ekspozuar e lëkurës merrte ngjyrën dhe qëndrueshmërinë e lëkurës së regjur të bagëtive dhe kishte thuajse të njëjtën pandjeshmëri. Veshja e tyre përbëhej nga gunë e gjatë e bardhë që bënte kontrast të fortë me ngjyrën e lëkurës së tyre. Ata mbain në kokë një kësulë të vogël që e quanin fez, e cila i ngjante një pjate filxhani të kthyer mbrapsht dhe që mezi i mbulonte majën e kokës, nga e cila i dilte një tufë flokësh që ia merrte era. Armët e tyre ishin dyfeku ose mushqeta pa bajonetë dhe në brez ngjeshnin jo një jatagan të drejtë, por një shpatë të harkuar. Kështu dallohej ‘. . . . . . . . . . . . . . . . . . . . Sulioti zeshkan,
Me këmishën e bardhë dhe gunën e ashpër;
Ujkut dhe hutës ia lë tufën e egër,
Dhe zbret në fushë si përroi nga shkëmbi.’ [Lord Bajron, poema epiko-lirike Shtegtimet e Çajld Haroldit, Kënga II, strofa LXXII+strofa 2 e këngës “Tamburxhi! Tamburxhi!]
Ky shtet i vogël mblidhte nën armë në malet e tyre me majat nën mjegull 2500 palikarë të tillë siç përshkruhen këtu. Ata ishin objekt frike e respekti për të gjithë shqiptarët e tjerë kur shiheshin atje poshtë. Këta ishin burrat, të cilët nën Skënderbeun trim i bënë ballë sulmeve të para të turqve në këtë vend.
Pjesëmarrja dhe mendimi i grave shërbenin për të mbajtur gjallë karakterin e tyre luftarak. Burimi, si në kohën e Homerit, ishte vendi ku mblidheshin grate dhe shfaqnin tiparet e tyre të karakterit kombëtar. Këtu tregohej respektimi më i përpikët për përparësinë. Bashkëshortja e burrit më trim kishte të drejtën ta mbushte e para shtambën me ujë, pastaj me radhë të tjerat, sipas reputacionit që kishin treguar burrat e tyre në luftë. Kur grindeshin familjet, askush nuk kishte leje të ndërhynte, me përjashtim kur ai rastësisht mund të vriste një grua, një veprim që shikohej me tmerr dhe lahej me vdekjen e tij. Në raste të ndryshme gratë rrjeshtoheshin vetë në formacione ushtarake, armatoseshin vetë me armët e burrave të tyre, turreshin në mes të përleshjes dhe luanin rol përcaktues për fitoren.”
Pastaj autori irlandez përshkruan me hollësi marrëdhëniet e vështira e komplekse të suliotëve me Ali Pashën, konfliktet e vazhdueshme midis tyre, derisa komuniteti suliot u shpërbë, u largua nga trojet autoktone të Sulit dhe u shpërnda nëpër Korfuz, Janinë, Pargë, etj. “Më vonë ata u rrjeshtuan në formacione të ndryshme ushtarake dhe ndihmuan në çlirimin e Greqisë. Një nga këto formuan truprojën e Lod Bajronit dhe ishin midis pjesmarrësve në varrim rreth varrit të tij në Mesolongj. Mirëpo ata tani nuk kanë më asnjë ‘vendbanim të përcaktuar’, aq sa edhe emri i tyre bile thuajse është harruar.”– Kështu e përfundon autori përshkrimin e Sulit.
JAFTA
Koka e ekspozuar këtu është ajo e tradhëtarit të fesë, i njohur me emrin Ali Pasha Tepelenliu.
Është skandaloze që gjatë tridhjetë apo dyzet viteve të vazhdueshme ky Ali Pasha Tepelenliu ka qenë i mbushur me favore nga Porta, e cila i kishte besuar qeverisjen e disa provincave e krahinave. Ai vetë, djemtë e tij dhe, ata të lidhur me ta, kanë marrë shumë përfitime nga Sulltani. Megjithatë, ai jo vetëm që nuk ka treguar mirënjohje, por e ka kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme vullnetin e Portës së Lartë, duke përdorur ҁdo lloj pabesie e tradhtie për të shtypur popullin që qeveriste. Historia e asnjë periudhe nuk paraqet një shembull të perversiteteve që të krahasohen me të tijat. Aktet e tradhtisë dhe mizorisë si ato që ai ka kryer nuk janë parë e dëgjuar kurrë më parë. Gjithnjë ka qenë trazavaç e turbullues dhe kudo që ndodhte ndonjë trazirë, ai merrte pjesë atje—nganjëherë haptas, nganjëherë fshehtas, ose duke e inkurajuar atë me para, ose duke e nxitur e ushqyer atë me veprime tinëzare. Duke rënë pre e ambicjeve mëkatare, ai nuk ishte i kënaqur me provincat që i ishin besuar, por uzurpoi qeverisjen e disa krahinave fqinje në të cilat shkaktoi trazira.
Ai tentoi t’u merrte jetën një numri rajash (fshatarësh të varfër kristjanë) të mjerë, të cilët janë një depozitim i shenjtë në duart tona që na është besuar nga Zoti i Plotfuqishëm; të tjerëve u mori nderin dhe ua plaçkiti pronat. Shkurt, ai rrënoi familje të tëra. Këto ndodhën jo vetëm në Shqipëri, por edhe në krahina të tjera të ndryshme në të cilat ai kishte shtrirë sundimin e tij, si në Jeni Sheri (Larisa), Monastir dhe Saripoel.
Dhuna dhe tërbimi i padëgjuar i Ali Pashës i kishte detyruar banorët e Shqipërisë dhe të provincave fqinje të emigronin. Porta e Lartë, e informuar për tiraninë e tij, dërgoi herë pas here përfaqësues që ngulnin këmbë për ta bindur për nevojën që ta ndryshonte sjelljen e tij. Mirëpo Ali Pasha, jo vetëm që nuk ua vinte veshin këtyre këshillave të dobishme, por vazhdonte me kryeneçësi paturpësitë e tij dhe bile, duke mos marrë më parasysh asnjë kufi, guximi i tij shkoi aq larg sa të qëllonte me armë në Konstandinopojë (në rezidencën e Kalifit dhe qendrën e gjithë sigurisë) mbi disa individë, të cilët nuk e miratonin sjelljen e tij dhe kishin ardhur për të kërkuar azil në kreyeqytet. Kjo shkelje e qartë e të gjitha ligjeve, hyjnore e njerzore, e kishte bërë dënimin e tij të pashmangshëm. Ai u shkarkua dhe provincat që ai qeveriste iu dhanë vezirëve të tjerë. Pikërisht atëherë ai e çorri maskën dhe ngriti flamujt e revoltës. Dhe duke pasur si synim që të realizonte synimet e tij të mbrapshta, të cilat kishte një kohë të gjatë që i mendonte, ai u ngujua në qytetin e Janinës, të fortifikuar qysh më herët për atë qëllim, dhe kujtonte, pa i menduar pasojat, se atje do të mund t’i bënte ballë fuqisë së Portës, bamirëses së tij. Fryma e hakmarrjes që e karakterizonte Ali Pashën u shfaq me gjithë furinë e saj në çastin kur plasi rebelimi i grekëve. Ai u dërgoi shuma të mëdha të pafeve të Moresë, po ashtu edhe suliotëve, për t’i nxitur ata që të ngriheshin kundër muslimanëve. Ky veprim i pafe e mbushi kupën e krimeve të tij, kështu që ligjet e shenjta dhe siguria e Shtetit kërkonin vdekjen e tij. Dhe Hurshid Ahmed Pasha, seraskieri fitimtar i Rumelisë, i cili e kishte zënë rob, e ekzekutoi urdhrin e dhënë për këtë qëllim, me autoritetin e Fetvas së shenjtë e cila shpalli dënimin e tij.
Kështu populli musliman u çlirua përgjithmonë nga poshtërsitë e tirania e tradhtarit Ali Pashë Tepelena.” (f. 429-431)
Nga formulimi ekstremisht negativ i vendimit të Sulltan Mahmudit II në “Jafta” për ta dënuar me vdekje Ali Pashën dalin disa përfundime logjike:
- Forcimi i pushtetit separatist të Ali Pashës e kishte tronditur Portën e Lartë, kishte krijuar të çara në perandorinë osmane, të cilat sa vinin e thelloheshin.
- Vetë Sulltan Mahudi II ishte i tmerruar nga rritja e autoritetit të Ali Pashës, bile përtej kufijve të perandorisë osmane, aq sa kërkoi ta asgjësonte me çdo kusht, bile jo vetëm atë personalisht, por gjithë familjen e tij. Prandaj përdori dredhinë, tradhtinë e hilet e ulta për ta zënë në kurth e për ta vrarë Aliun me anën e veglave të tij të verbëra – Hurshid Pashës, seraskierit gjeorgjian lakmitar, mizor e karrierist dhe Muhamed Pashës së Moresë, një pasha servil i një rangu të ulët i cili ia nguli Aliut hanxharin tradhtisht pas shpine. Për ironi të fatit, disa muaj më vonë Hurshidi u dënua me vdekje nga sulltani për mashtrim dhe mori shpagimin e merituar sipas maksimës “Ut necis artifices arte perirent sua” që përmend Walsh-i.
- Gjithashtu, për të justifikuar dënimin me vdekje të Aliut sulltani përdori një pretekst banal të dy shqiptarëve gjoja të dërguar në Stamboll nga Aliu për të vrarë një agjent të fshehtë. Qëllimi i vërtetë i sulltanit ishte ta zhdukte nga faqja e dheut familjen ‘e rrezikshme’ të Tepelenlijve.
- Vetë Sulltani u tregua i pabesë, i ulët, jofetar e mizor në kulm duke ua prerë kokat 5 pashallarëve të një familjeje dhe duke i varur kokat e prera për ekspozim publik. Kjo ishte në kundërshtim flagrant me parimet e “ligjeve të shenjta” që ky sultan famëkeq pretendonte se zbatonte.
- Në “Jafta” shprehet qartë kontributi i rëndësishëm që dha Ali Pasha në kryengritjen e grekëve kundër pushtimit osman.
Më 25 janar 2022 mbushen 200 vjet nga vdekja e Ali Pashë Tepelenës, një datë që meriton të përkujtohet në kuadrin e vitit jubilar të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ali Pasha i parapriu idealeve të Rilindasve duke qenë një nga të parët që hodhi farën e mvehtësisë së Shqipërisë nga pushtimi osman, por që u realizua me shpalljen e Pavarësisë 90 vjet më vonë, më 28 nëntor 1912.
===============
[1] Erin=Irlandë
[2] Përkthimi në anglisht nga Walsh-i gjëndet në fund të librit të tij në Appendix II, faqe 429-431, botim II, Londër, 1828. Përkthimi shqip gjëndet në fund të këtij shkrimi.
[3]T. S. Hughes, “Travels in Greece and Albania”, in two volumes, London, 1830 (vol. II, ch. IX, p. 303).
[4] Sipas Walsh-it, “Kryepeshkopi i Janinës emërohej nga Patriarku i Stambollit me rekomandimin e Vezirit” (Bot. II, Vëll. II, kap. IV, f. 99). Kështu që është e kuptueshme që Vasiliqia, duke qenw bijë prifti orthodoks të vihej nën kujdesin e mbrojtjen e Patriarkut.
[5]Bostanxhi (turq.)-kopështar; ushtar i gardës perandorake. Bostanxhi-Bash (turq.)–komandant i gardës perandorake.
[6]Walsh, Rrëfenjë e një udhëtimi…, etj., botim IV, Londër, 1831, kap. IV, f. 58.
[7]Kemi vënë në kllapa edhe titullin e origjinalit anglisht të 6 fotove.
Komentet