Sot, më 25 nëntor, 2023, u mbushën 110 vjet nga lindja e shkrimtarit Petro Marko.
Ishte lajmëruar prej ditësh që kjo ditëlindje do të përkujtohej. Sektori i Bashkisë së Tiranës, që i pëlqen të vetëquhet “ i rekreacionit”, kishte bërë gati sheshin ku do të inagurohej busti i shkrimtarit të lirisë, këtij shpirti të bukur, që provoi mbi veten dhe mbi familjen të gjitha stuhitë, mosvlerësimin, internimet, burgosjen e tij dhe të djalit…, por ai nuk u dha, nuk u mposht, nuk u shit te pushteti. Megjithëse ditë me shi, banda frymore po luante sot marrshe luftarake dhe kamerat e stacioneve televizive, të rreshtuara si armët në llogore, po prisnin që t’ia nisnin punës me të mbërritur Ai… Aaaai, i pari…, i madhi i qytetit, Kryetari i Bashkisë, zoti Filimon…
Koha po kalonte, njerëzit në shi po e humbnin durimin…
Më në fund, nga një makinë luksoze, zbriti shefi. U afrua, dhe reporterët , sikur i pickoi grenza, iu vërsulën me mikrofonët , për të marrë intervistën…
Ne, ia nisi ai,- kemi një plan të madh për vlerësimin e figurave të shquara të kulturës dhe historisë, Petro Marko, etj, etj…
Pastaj ai hoqi mbulesën dhe u shfaq busti i tij. Flokët e derdhura, cigarja gjysmë e fikur në cepbuzë dhe ai shikimi i hedhur larg e një tis trishtimi…valzonte gjithçka.
Duartrokitje dhe një grup, krejt spontanisht, ia nisi të brohorasë: Petro Marko, Petro Marko,Petro Marko!Ashtu si në fillim të viteve 1990, kur rinia e asaj kohe shkoi poshtë dritares së shtëpisë së tij, atje, në fund të bulevardit “ Dëshmorët e Kombit”…
Pranë mikrofonit u afruan disa folës që lexonin ca tekste standarde dhe pa ndonjë frymë apo emocion… Shiu e shtoi vrullin dhe piklat përplaseshin mbi bronxin e bustit… Në atë çast u duk sikur busti përsëriti fjalët lapidare të shkrimtarit:” Kur erdha në jetë, bota ish në stuhi.Edhe kur ika nga kjo jetë, ajo ishte në stuhi…,
por , mesa duket edhe tani , në jetën e përtejme, shëmbëlltyra ime, derdhur në metal, do duhet të jetojë në stuhi…
Kjo histori nuk ndodhi , sepse askush nga pushtetarët nuk u kujtua për këtë 110- vjetor të lindjes së shkrimtarit Petro Marko. Institucionet ishin nisur për një pushim të gjatë, në drejtime krejt individuale…
Heshtja kishte mbuluar qytetin, kujtesën, dhe bashkia kishte në punë vetëm policinë që merrej me parkimet e parregullta dhe planin e gjobave…
Na fal, Petro Marko …! Historia tashti blihet e shitet, eh ti nuk ishe dhe nuk mund të jesh nga i llojë brumi i thartuar ! Ndaj ndjesë, por nuk mund të ketë njē bust për ty.
Jemi të turpëruar para teje Petro Marko.