Lufta e Dytë Botërore, pati ndikime të fuqishme edhe në tokat shqiptare. Për këtë është folur mjaft nga historianët tanë, në frymën komuniste. Brezat e para vitit 1990, e kanë mësuar këtë nga tekstet shkollore, nga Historia e Partisë së Punës dhe Historia e Shqipërisë, por shumë pak syresh, janë njohur me trajtimin alternativ bërë nga historianët dhe autorët jo komunistë, brenda dhe jashtë vendit. Lidhur me këtë, është me shumë interes libri “La guerra piu lunga” i Franco Benantit, ish mjek në ushtrinë pushtuese italiane, në Ballkan e Shqipëri, botuar nga shtëpia “Mursia” e Milanos (botimi i parë më 1966, pasuar nga katër ribotime të mëvonshme).
Pas 8 shtatorit 1943, kur gjenerali Badoglio shpalli kapitullimin e ushtrisë italiane dhe kalimin e saj në anën e aleatëve, Benanti, sikurse mijëra ushtarë të tjerë, u bashkua me forcat partizane shqiptare, ndërsa pas lufte kaloi një kalvar të gjatë internimi, burgosje dhe pune të detyruar, vite agonie, urie, dhune, brutaliteti, torture, derisa sa më 30 qershor 1948, arriti të kthehej si klandestin në atdheun e vet, Itali, pranë të shoqes dhe familjes.
Ajo që tregohet në këtë libër është dëshmi personale jo vetëm e Dr. Benantit, vetë, por edhe e miqve të tij italianë, me të cilët ndau të njëjtin fat, sidomos sa i përket luftës së përbashkët kundër gjermanëve dhe përjetimit të regjimit komunist pas lufte. Është interesant, se ndonëse vinte nga një vend me regjim totalitar, siç ishte Italia Musoliniane, që nga viti 1922, Dr. Benanti, konstaton më shumë ashpërsi dhe egërsi, më shumë anti-humanizëm dhe primitivitet, në regjimin totalitar komunist shqiptar.
Duke abstraguar nga subjektivizmi i tij, si pjesëtar i një ushtrie të huaj dhe i një populli tjetër, sa i takon opinioneve për Shqipërinë dhe ngjarjet e zhvilluara aty, duhet të pohoj se, në tërësi, autori pasqyron me vërtetësi atë realitet të hidhur dhe tragjik, që ekzistoi në vendin tonë që në vitet e para pas lufte. Kjo vlen sidomos për brezat e rinj, që nuk e kanë vuajtur në kurriz atë burg të madh që përfaqësonte Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës, për shumicën e popullit shqiptar, për të qenë syçelët, që ajo kohë të mos kthehet kurrë më!
Misioni im në Shqipëri
Në një ditë të ftohtë dhjetori 1941, kur shërbeja pranë regjimentit 130, të Këmbësorisë të Divizionit “Perugia” në Dalmaci, mora urdhër të vija në Shqipëri, për të hetuar zonat e sëmundjeve infektive, në radhët e popullsisë vendase, që mund të rrezikonin trupat tanë aty. Në atë kohë mora vesh për ekzistencën e një lëvizje komuniste në fillimet e saj dhe për Enver Hoxhën, lajme këto që i njoftonte Shërbim Informativ i Ushtrisë (SIM).
Atëkohë, sigurisht kjo lëvizje nuk kishte krijuar ende probleme, për ushtrinë tonë këtu. Shqipëria ishte shtrirë pak a shumë në kufijtë e saj natyrorë, i tërë vendi ishte përfshirë nga ndërtime të shumta rrugësh, ndërtesash, objektesh industriale, veprash bonifikimi, etj.
Sikurse edhe kolegët e mi, pata përshtypjen se ky vend ishte një strehë e sigurt, larg teatrit të luftës gjigante, që ishte shtrirë në anë të tjera të Evropës dhe botës. U ktheva në Split, më 22 dhjetor. Rreth dy vite më vonë, Divizioni “Perugia”, u transferua në Shqipëri, konkretisht në rrethet e Përmetit, Këlcyrës, Tepelenës, Gjirokastrës dhe Delvinës. Në gusht 1943, situata në Shqipëri kishte ndryshuar ndjeshëm. Kishte nisur lufta partizane.
Nga të katër grupet komuniste, që ekzistonin para nëntorit 1941 (i Korçës me Enver Hoxhën, Koço Tashkon, Koçi Xoxen, Nako Spirun dhe Mihal Lakon, i Shkodrës me Zef Malën, Qemal Stafën, Liri Gegën, Tuk Jakovën, Vasil Shanton dhe Kristo Themelkon, i Të Rinjëve, me Anastas Lulën, Elami Nimanin, Sadik Stavelecin, Hysni Kapon, Bedri Spahiun dhe Ramadan Çitakun dhe i Zjarrit, me në krye Andrea Zisin), tri të parët kishin formuar Partinë Komuniste, nën mbikëqyrjen dhe udhëzimet e dy komunistëve jugosllavë, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç dhe në lidhje me Kominternin (Internacionalen e tretë Komuniste, që drejtohej nga Moska).
Nga partitë e tjera, më e rëndësishmja ishte ‘Balli Kombëtar’, i kryesuar nga Al Këlcya, Skënder Muço, Xhem Gostivari, Hysni Dema, etj. Autori me sa duket harron një figurë qendrore, themeluesin e “Ballit Kombëtar”, Mit’hat Frashërin. Nacionalistët shqiptarë, afirmonin të drejtën e lirisë së individit, të drejtat kombëtare të popujve, “Shqipërinë e Madhe”, duke pasur jehonë të shumë shtresa të popullsisë. Por bashkëpunimi ndërmjet tyre, për shkak të parimit të “Luftës së klasave”, që ndiqnin komunistët, nuk ishte realizuar.
Ndeshjet e para me partizanët, ushtria italiane i pati në muajin mars 1942, kur u sulmuan disa posta të largëta dhe u vranë disa ushtarë. Me 1 maj 1942, partizanët dogjën depot e Mavrovës, rreth 15 km. larg Vlorës, rrugës për Gjirokastër. Një karvan automjetesh u sulmua dhe iu vu zjarri, një kompani karabinierësh në Selenicë, ra në pritë.
Me 25 (apo 24?) korrik, u prenë të gjitha linjat telefonike të vendit dhe iu vu zjarr centralit telefonik të Tiranës. Vojo Kushi me shokë, sulmoi edhe aeroportin e Tiranës. Në Korçë u dogj ndërtesa e prefekturës, ndërsa në Elbasan, depot e municioneve. Çetat e Mehmet Shehut, Isa Toskës dhe Alizot Demirit, kryenin thuajse çdo ditë goditje, ndaj qendrave italiane këtu.
Veprimet në zonën bregdetare, shoqëroheshin edhe me ato në Shqipërinë e Mesme, ku vepronte Myslym Peza dhe në Dibër, ku vepronte Haxhi Lleshi. Partia Komuniste mori hegjemoninë në Frontin Nacional-Çlirimtar, që u shpall më 16 shtator 1942, në Pezë. Komunistët jugosllavë, vijuan të drejtonin punën e komunistëve shqiptarë. Kështu, pas largimit të Dushanit, vjen Bllazho Jovanoviç, që organizon një konferencë të jashtëzakonshme në Labinot, më 17-22 mars 1943.
donëse jugosllavët, veç të tjerash, kërkonin që të mos bashkëpunohej me nacionalistët, Hoxha dhe Dishnica (Ymer) më-dyshonin. Por megjithatë Enver Hoxha, e vlerësoi shumë “ndihmën e shokut Bllazho që erdhi si një hyjni, e zbritur nga qielli”, (kështu diskutoi ai më vonë në Mbledhjen e Beratit). Sidoqoftë, këta organizuan në gusht 1943, Konferencën e Mukjes, ku u muarën shumë vendime të rëndësishme, midis të cilave ishte zgjedhja e “Komitetit të Shpëtimit Kombëtar”.
Kur u muar vesh kjo nga Popoviçi dhe Mugosha, këta, të mbështetur nga Koçi Xoxe, e kritikuan ashpër Hoxhën, i cili paskëtaj e shpalli marrëveshjen të pavlefshme, duke provuar kështu që Partia Komuniste e Shqipërisë, ishte një shtojcë e asaj jugosllave dhe antikombëtare. Ndërkohë, veprimet luftarake me partizanët u ashpërsuan dhe forcat tona patën humbje të mëdha, në njerëz dhe materiale.
Tragjedia e shtatorit 1943
Grushti i shtetit i 25 korrikut 1943 në Romë, ngjalli shpresa për një armëpushim dhe për t’u rikthyer më në fund në shtëpitë tona. Por gjeneral Badoglio, deklaroi se; “Lufta do vazhdojë”. Kundër kujt? A do i kishim sërish aleatë gjermanët? Apo do luftonim me ta?
Në Ballkan, atëkohë ndodheshin 700.000 trupa italiane, që prisnin një urdhër për t’u rikthyer në atdhe. Në Shqipëri ndodheshin: Korpusi i katërt, korpusi XXV, trupat e zonës Shkodër–Kosovë. Të gjitha këto, përbënin armatën e nëntë italiane, që varej nga Grup-Armata e Lindjes, me qendër në Tiranë. Shtojmë këtu edhe reparte të tjera individuale, si trupat e Marinës, ato Ajrore, Aeronautike, Karabinierë dhe Policinë.
Forcat italiane në Shqipëri, kështu përbëheshin nga gjashtë divizione, përveç reparteve shtesë, duke kapur shifrën 120.000, të ndarë në 200 njësi të mëdha e të vogla, të dislokuara në pjesë të ndryshme të Shqipërisë. Kishte edhe një divizion gjerman, me reparte shtesë.
Erdhi 8 shtatori, e mërkurë ora 19 e 15, kur dëgjuam në radio, për shpalljen e armëpushimit. Në çastin e parë, u gëzuam pa masë. Mendimi i parë ishte, të ktheheshim në shtëpitë tona! Deri në mëngjes, rrinim duke pritur, duke pyetur se çdo bëhet me ne, tash e tutje. Por s’u tha asgjë tjetër, veç që; “trupat italiane të jenë të gatshme të reagojnë, ndaj çdo situate eventuale…”! Lidhur me një ndeshje të mundshme me gjermanët, kishim një farë sigurie, se do t’i mundnim, nga që numri i forcave atëkohë, ishte në favorin tonë, 4 me 1.
Për atë situate, shumë gjëra kanë mbetur me vite një enigma, deri sa Departamenti i Shtetit i SHBA-ës më 1964, zbuloi të vërtetën. Trupat tona në Ballkan, përbënin atë kohë dy të tretat e ushtrisë italiane. Ne kishim mjaft kohë, duke filluar muaj më parë, kur kishin nisur traktativat e fshehta me aleatët, që të tërhiqeshim gradualisht për në atdhe.
Por kjo nuk ndodhi. Sepse duhej shpëtuar Kurora Mbretërore dhe kapot e mëdhenj në kurriz të ushtrisë, kjo kishte qenë shqetësim më i madh i Komandës së Përgjithshme, që nga 25 korriku, deri më 8 shtator. Pra nga frika e reprezaljeve, nga ana e gjermanëve, Badoglio dhe të tjerët, e mbajti sekret planin e tyre, për të kaluar në anën e aleatëve.
Familja mbretërore, Badoglio dhe gjeneralët madhorë, e braktisën Romën më 9 shtator dhe u strehuan në Pescara. Ndërkohë, komandanti i Armatës së nëntë, ndodhej në Romë dhe nuk mund të fluturonte dot në Tiranë. Kështu që trupat tona mbetën, pa ditur si të vepronin.
Që më 19 gusht, Roozvelti dhe Çurçilli, i kishin thënë Stalinit që Italia do kalonte në anën e tyre dhe kishin dhënë porosi që Kombet e Bashkuara, të tërhiqnin ushtarët italianë me anije në bregdet, për në Itali. Ndërsa Badoglio, “ky ushtar i vërtetë”, që pas vdekjes i ngritën edhe monument, i harxhoi 45 ditë, pa njoftuar askënd, nga frika e vet ndaj gjermanëve.
Në tërë Ballkanin, nuk kishte më shumë se tetë divizione gjermane, tre në Dalmaci dhe pesë në Shqipëri e Greqi. Pra, gjermanët ndjeheshin të dobët, ata kërkonin në momentet e para një farë kompromisi, për zgjidhjen e situatës dhe jo përdorimin e forcës. Ende sot e kësaj ditë, nuk është bërë e njohur sa duhet, drama e divizioneve italiane në Shqipëri dhe kostua e humbjeve të tyre.
Më 9 shtator 1943, gjermanët futën në Shqipëri divizionin e 181 të koracuar, që zuri post komandat tona në Shkodër dhe në Lezhë. Regjimenti 92 i motorizuar, u vendos në Durrës dhe Vlorë. Më 10 shtator, divizioni 100 i këmbësorisë, rrethoi Tiranën, zuri post-komandën e Armatës, Autoparkun dhe barakat, zyrat dhe magazinat ushtarake. Gjermanët e mbajtën rob komandantin e Gruparmatës së Lindjes, Ezio Rosi, që kishte ardhur të bisedonte me ta. Komandanti i armatës së 9-të, Renzo Dalmazzo, u detyrua nga gjermanët, të urdhërojë çarmatimin e ushtrisë së vet.
Në këto kushte, shumë ushtarë dhe oficerë italianë, nuk pranuan t’i lëshojnë armët dhe kaluan në radhët e partizanëve shqiptarë, të tjerë u kapën dhe u keqtrajtuan nga gjermanët (u vranë në vend, u nisën në kampet e përqendrimit në Gjermani, apo u vunë në punë të detyruar).
Vetë reparti im, u zu rob nga gjermanët dhe u urdhërua të marshonte në drejtim të Vlorës, për t’u larguar që andej për Gjermani. Në Mavrovë, duke përfituar nga rrethanat, së bashku me të tjerë, u arratisa dhe kalova në malet për rreth, ku vepronin forcat partizane, me të cilat u bashkova. Si mjek, u caktova të punoj në spitalin partizan të Smokthinës. Kushtet aty ishin jashtëzakonisht të mjera. Të plagosurit i mbanin shtrirë në tokë, në kushte higjienike të vajtueshme dhe në çrregullim të madh.
Përveç dy kolegëve italianë, punonte Dr. Ibrahim Dervishi, i ndihmuar nga një studente, e quajtur Lume. (Në fakt emri i saj i vërtetë, ishte Drita Kosturi, ish e fejuara e Qemal Stafës). I pyeta ata, në se mund t’i shikoja edhe ushtarët italianë të plagosur, që i kishin vënë në një çadër. Edhe këta pesë ushtarë të Divizionit “Perugia”, ishin shtrirë në tokë. Ishin tretur nga uria. Vdiqën natën e parë dhe u varrosën diku, pranë lumit Shushica.
Pas pak ditësh, u transferuam në malin e Kudrevicës, rreth 2000 m. mbi nivelin e detit, sepse gjermanët po afroheshin. Aty ndenjëm disa ditë dhe pastaj u kthyem në Smokthinë, pasi vala e reprezaljeve gjermane, kaloi. Të çarmatosur nga gjermanët, në marshim drejt kufirit maqedonas, rreth katërqind ushtarë italianë, kapen nga partizanët, zhvishen nga rrobat dhe këpucët dhe çohen në kampin e punës në Punë-mirë, afër Voskopojës.
Komisari i kampit ishte një kriminel sadist, i cili sillej me italianët, njësoj si nazistët në kampet e tyre të përqendrimit. Ushtarë dhe oficerë italianë, gjysëm të zhveshur, banonin na baraka pa dyer, rreth 1500 m. mbi nivelin e detit, ku temperatura ditën, shkonte nën zero, ndërsa natën, deri në minus 15 gradë celsius. Ushqeheshin me 300 gram bukë misri në ditë e, asgjë tjetër.
Me gjithë këto kushte, ata punonin tërë ditën, pa ndërprerje.. Shpyllëzonin, bënin dru zjarri, bartnin materiale në kurriz nga Voskopoja në Punë mirë. Kush kthehej me vonesë, nuk merrte racionin e bukës. Shumë të burgosur vuanin nga ethet malarike, nga kallot në këmbë, pa marrë asnjë mjekim. Disa vdiqën nga dizenteria, ose nga rraskapitja. Kush nuk e realizonte normën, ndëshkohej rëndë.
Një herë, kur pati një sulm nga gjermanët dhe partizanët ia mbathën, grupi i italianëve u nis në marshim drejt bregdetit, me shpresë se mos kapte ndonjë anije për Itali. Shumë pak syresh arritën në bregdet, ndërsa të tjerë, ose vdiqën rrugës, ose u kapën nga fshatarët, që i morën në shtëpi për të kryer punë për një copë bukë.
Ndihmesa e italianëve në luftën çlirimtare
Siç thashë, shumë italianë u bashkuan me partizanët dhe luftuan me heroizëm. Ata formuan madje edhe reparte të veçanta, si batalioni “Tomorri” dhe “Antonio Gramshi”. Këtë e dëshmojnë edhe komandantë partizanë, si Riza Kodheli e Mehmet Shehu, në përbërje të reparteve të të cilëve vepronin edhe skuadra apo kompani të tëra, me artiljerë dhe specialistë ushtarakë italianë.
Batalioni “Antonio Gramshi”, ndonëse mbante emrin e një komunisti të njohur italian, formohej vetëm nga ushtarë italianë, me bindje të ndryshme ideologjike, por me ndjenjën e lirisë dhe drejtësisë të përbashkët. Po përmendim një rast: sulmin ndaj një autokolone gjermane në rrugën Elbasan – Peqin ku u shkatërruan 18 automjete, u hodhën 28 000 kg bomba, u qëlluan dy avionë gjermanë dhe u vranë 54 gjermanë. Për t’u përmendur janë luftimet në Zagori në janar 1944 ku humbën jetën 11 italianë me Terzilio Cardinalin në krye.
Operacioni gjerman i dimrit, 1943-1944
Në këtë operacion, gjermanët angazhuan pesë divizione të tyre në Shqipëri, Greqi e Jugosllavi, plus disa reparte speciale dhe forcat kolaboracioniste. Partizanët kishin rreth 20.000 luftëtarë, në katër brigada, nëntë grupe dhe 18 batalione, përfshi batalionin “Antonio Gramshi”. Këta morën ndihma në armë, veshmbathje dhe ilaçe nga aleatët. Anglezët kishin rreth 30 këshilltarë të tyre pranë brigadave partizane, ku përveç të tjerash, kishin edhe tetë stacione radioje. Por ata trajtoheshin nga partizanët, si armiq potencialë, të nxitur nga i dërguari jugosllav, Svetozar Vukmanoviç Tempo, prandaj mbikëqyreshin rreptë.
Pas katër ditë luftime të forta në zonën e Arbanës, pranë Tiranës, partizanët u tërhoqën në zonën e Çermenikës. Pati shumë të vrarë e të plagosur. Rregullat ishin të ashpra, sa që ata që nuk mund ta ndiqnin kolonën, në tërheqje vriteshin me një plumb pas qafe. Me këto masa, Mehmet Shehu arriti ta ruajë Brigadën e vet nga shpërbërja, përkundër Brigadës së Dytë të Beqir Ballukut, e cila u shkatërrua krejt (u vranë ose dezertuan në masë). Gjermanët ndërmorën një ofensivë të dytë me 7 janar, kur brigada e parë ishte tërhequr poshtë Shkumbinit, e dyta dhe e treta ishte shkatërruar dhe Komanda e Përgjithshme qe izoluar dhe nuk funksiononte dot.
Spitali i Vermikut, pranë Smokthinës
Ishte një shtëpi e fshatarit Riza Luna, që u vu në shërbim të të sëmurëve e të plagosurve. Përgjegjëse e spitalit ishte partizania Ylvie. Disa partizanë të Brigadës së V-të, që vepronte aty pari, kujdeseshin për mbrojtjen dhe shërbimet në spital. Ylvia ishte rreth 30 vjeç, e martuar me një partizan të një brigade që vepronte në Dibër, i quajtur Skënder. Vishej me pak elegancë dhe e mbante veten. I urrente italianët, por me mua sillej korrekt.
Në shkurt, erdhi në Vermik Ibrahim Dervishi dhe i shoqi i Ylvies. Ata sollën një urdhër për transferimin e kolegut tim italian, Condrell, diku në kufirin Maqedon dhe ikën sërish. Disa ditë më pas, Ylvija ra shumë në dashuri me Braho Kuçin, komandantin e rojeve të armatosura të spitalit. Por pak kohë më pas, ajo u ftoh me Brahon dhe nisi të bëjë dashuri me cilindo mashkull që kalonte aty pari, edhe me të sëmurët. Rasti i saj më dha të kuptojë, se si shpërthejnë ndjenjat e dashurisë së lirë, edhe në kushtet e rrepta të luftës. Memorie.al
Aspasia ishte kurva më e madhe e Athinës se asaj kohe , ajo mundet sot të jete tipi i sekretareve të ” burra shtetasve ” të këtije sistemi që nuk e kanë për gjë vetem të fitojnë pozitë shoqerore dhe para kesh.
Kështu dhe Aspasia vajti për të diskretituar Sokratin dhe fillozofinë e tije, nëpermjet afrimit të oferave seksuale, Sokrati e kuptoi qëllimin dhe i kerkon të largohet por ajo i gjunjëzohet duke i kërkuar në monologun e saje; Rihmë rihmë sa të duash vetem të mbarojme punë, Sokrati çohet shkon tek perdja ku isht fshehur ushtari qe do faktonte veprimin duke zbuluar skenarin e Perikliut dhe i largon këto prostituta.