Nëse për bardhezinjtë ky kompeticion është një “ves” i vjetër, duke qenë se ata janë edhe rekordmenët e triumfeve, me 10 suksese, si dhe kampionët në fuqi (fituan 2-1 kundër Lacios pas kohës shtesë), për Milanin, ky është një rikthim pas 13 vitesh mungesë (hera e fundit ishte finalja e fituar kundër Romës në sezonin 2002-2003, sukses 4-1 në “Olimpiko” për kuqezinjtë dhe barazim 2-2 në “San Siro”).
Gjithsesi, Juventus-Milan, në finalet e Kupës, është një duel që brenda tij ka parë si protagonist edhe një legjendë shqiptare si Riza Lushta, i vetmi me kombësi të huaj në fushën e lojës, ndonëse i natyralizuar italian, i cili në përballjen e parë të këtyre dy skuadrave në finale, në sezonin 1941-1942, la gjurmë të forta, duke shënuar një tripletë, e cila do ta kurorëzonte atë dhe Juventusin kampion të Kupës së Italisë, për të dytën herë në histori.
Lushta merr për dore Juventusin
Akti i parë i Juventus-Milan në një Kupë Italie do të luhej në sezonin 1941-1942, një finale ku protagonisti do të ishte vetëm një, Riza Lushta.
Ndeshja e parë u luajt në “San Siro”, më 21 qershor 1942, me takimin që përfundoi në barazim 1-1 me juventinin Belini që shënonte në minutën e 63-të dhe festonte me Riza Lushtën (titullar dhe pjesë e bardhezinjve gjatë gjithë lojës) dhe shokët e tij bardhezi, por Kapelo, vetëm shtatë minuta nga fundi vendoste baraspeshën, rezultat ky që detyronte ndeshjen e kthimit, por me ndërrimin e fushave.
Kjo finale e 21 qershorit shoqërohej edhe me lajmin e nisjes së Benito Musolinit në drejtim të pushtimit të Afrikës veriore, me vetë diktatorin italian, i cili do të drejtonte një nga avionët bombardues, i mbështetur edhe nga flota gjermane.
Ndërkohë, një javë më pas, ndërsa e gjithë Italia festonte arritjen e saj në luftë, në Torino luhej akti i kthimit, një Juventus-Milan i cili do të shihte bardhezinjtë triumfues, 4-1 përballë kuqezinjve që dorëzohen përpara klasit të Riza Lushtës.
Shqiptari, i dalë nga radhët e klubit të Tiranës, shënoi tri herë, duke hapur dhe mbyllur suksesin, si dhe fitoren e trofeut, ndërkohë që Sentimenti III shënonte të katërtin gol për bardhezinjtë, ndërsa Bofi atë të nderit për Milanin.
Suksesi ishte i plotë, me një jehonë të fortë, duke aq sa komentuesit e ndeshjeve në radio, për të ngritur në qiell figurën e diktatorit të tyre komentonin: “Pas bombave të Benito Musolinit në Afrikë, është Riza Lushta që bombardoi Milanin me golat e tij”. Fundja, sulmuesi i Juventusit, shënonte në atë stadium që mbante pikërisht emrin “Benito Musolini”.
Bomberi i formacionit bardhezi, me atë sezon fantastik, jo vetëm që shkroi emrin e tij në historinë e klubit të Juventusit, por në fund u shpall edhe “Këpuca e Artë” e Kupës së Italisë, me 8 gola të shënuar, duke lënë pas milanistin Aldo Bofi, me 6 realizime.
Hakmarrja e Milanit
Kalojnë 30 vite që Milani të vendosë të hakmerret në finalen e dytë kundër Juventusit, ndeshje e zhvilluar në Romë, më 1 korrik 1973. Edhe pse bardhezinjtë kalojnë të parët në avantazh me Betegan në minutën e 16-të, ku deciziv do të ishte devijimi i Ankuiletit, për “Djallin” barazoi Beneti me penallti në minutën e 40-të.
Gjithsesi, pjesa tjetër e lojës, përfshirë edhe kohët shtesë nuk do të ofrojë gola, prandaj të dyja skuadrat i drejtohen lotarisë së penalltive, me portierin Veki, i cili do të bëjë të lumtur trajnerin e Milanit, Nereo Roko, pasi ndalon gjuajtjet e Anastazit dhe Betegas.
Edhe Spinozi gaboi për kuqezinjtë, por Shnelinger me shokë janë perfektë dhe kaq mjafton për të ngritur në qiell Kupën e Italisë. Për kuqezinjtë kjo ishte një fitore e madhe, pas humbjes fatale me Veronën, e cila shkatërroi ëndrrat e Milanit për titullin kampion, duke ia dhuruar kampionatin pikërisht Juventusit.
Galia ngrin “San Siro”-n
Gjithsesi, bardhezinjtë vendosin të rimarrin avantazhin në duelet direkte, në duelin vajtje-ardhje të sezonit 1989-1990. Kjo ishte një finale atipike, sepse ndeshja e parë u zhvillua në Torino, më 28 shkurt 1990, duke u mbyllur në barazim 0-0. Prandaj, gjithçka do të vendosej në “San Siro”, me Milanin e plotfuqishëm dhe fitues të Arrigo Sakit që ngec në pjesën më të bukur.
Më 25 prill 1990, është Galia ai që surprizon të gjithë mbrojtjen kuqezi, në minutën e 17-të. Anësori i ri i bardhezinjve gjendet në vendin dhe në kohën e duhur, duke mposhtur Franko Barezin që kërkonte më kot një pozicion jashtë loje me krahun e ngritur lart, por edhe portierin Xhovani Gali që tentoi më kot me një dalje të dëshpëruar që të shmangte golin, sepse topi shkund rrjetën dhe ky gol mjafton dhe i lejon Juventusit të trajnuar nga legjenda e portës, Dino Xof, që të festojë kupën, në strofkën e armikut.
Por duhet të kalonin 26 vite që historia e finaleve të Kupës së Italisë mes Juventusit dhe Milanit të përsëritej. Kohët, klima dhe futbolli ka ndryshuar shumë, por rivaliteti ka mbetur po aq i fortë, prandaj ndeshja e 21 majit 2016 në Romë do të jetë një duel i gjithi për t’u shijuar…
Kupa e Italisë 1941-1942
Finalja e vajtjes
Milano, e diel, 21 qershor 1942
Milan-Juventus 1-1
GOLAT: Belini 67′, Kapelo 83′
MILAN: Rozeti, Boniforti,
Guanjeti, Antonini, Remondini,
Topan, Trapaneli, Meaca, Kapelo,
Granata, Roselini.
Trajner: Manjozi
JUVENTUS: Peruketi, Foni, Rava,
Depetrini, Parola, Lokateli,
Kolaneri, Varxhlien II, Lushta,
Sentimenti III, Belini.
Trajner: Monti
ARBITËR: Datilo
Kupa e Italisë 1941-1942
Finalja e kthimit
Torino, e diel, 28 qershor 1942
Juventus-Milan 4-1
GOLAT: Lushta 30′, Sentimenti III 35′
(p), Bofi 57′, Lushta 70′, Lushta 72′
JUVENTUS: Peruketi, Foni, Rava,
Depetrini, Parola, Lokateli,
Kolaneri, Varxhlien II, Lushta,
Sentimenti III, Belini.
Trajner: Monti
MILAN: Roseti, Boniforti,
Guanjeti, Antonini, Remondini,
Topan, Trapaneli, Todeskini, Bofi,
Kapelo, Roselini. Trajner: Manjozi
ARBITËR: Galeati
Përgatiti: JETON STAMOLLA
Komentet