Që në verën e vitit 2004, gati-gati fshehurazi ( kjo është një tipar dallues i shtetarëve tanë) u mor vesh se po bëhej një marrëveshje me shtetin italian për importin e mbetjeve urbane dhe ministra e nëpunës e kishin firmosur atë. Pritej që ta firmoste dhe “i pari”, Kryeministri Fatos Nano. Dihej vështirësia e italianëve për menaxhimin e mbetjeve urbane dhe stoqeve qw më vonë , do të zinin edhe sheshet edhe rrugët e qyteteve siç ndodhi , për shembull në Kampania aq sa u detyruan të angazhonin ushtrinë .
Për sa u bë publike kjo marrëveshje, qeveria tha se kjo “draftmarrëveshje” ishte ngrirë . Se ç’do të thoshte kjo nuk kuptohej mirë. Ministri i Drejtësisë z. Xhafaj që, shoqërisë civile i pati deklaruar se marrëveshja ishte e paligjshme, heshti. Ministri tjetër B. Fino heshti dhe ai. Ministri Ruka ( i Mjedisit ) vazhdonte të pohonte se importimi i mbetjeve është i paligjshëm, por se marrëveshjen do ta shqyrtonin një grup ekspertësh. Pra këta ishin ministrat që u takonte të firmosnin ( dhe e kishin bërë ) dhe e “kishin ngrirë” marrëveshjen derisa ekspertët të thonin fjalën e tyre. Por cilët ekspertë? Pikërisht ata që punonin në këto dikastere dhe që e patën formuluar aktmarrëveshjen e firmosur nga ministrat e tyre. Për të mos folur për “guximin” profesional të tyre, gjë që, edhe sot e kësaj dite është kaq i rrallë sa vështirë se ta beson njeri. Por faktikisht qeveria ishte duke kryer edhe negociata me firmën italiane “Albaniabeg Ambient” pavarësisht se as ligj nuk kishte, e as marrëveshje nuk ishte firmosur akoma.
Shoqëria civile reagoi shpejt dhe më 23 qershor i dërgoi një letër të hapur Presidentit të Komisionit Europian, Romano Prodi . Kjo letër ishte nënshkruar nga një numër organizatash për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për mbrojtjen e mjedisit, lëvizje qytetare, organe shtypi etj, lidhur me projekt-marrëveshjen për impiantin e mbeturinave në Kashar. E njëjta letër u ishte dërguar edhe ministrave gjermanë Joschka Fisher, Ministër i Jashtëm dhe Jürgen Trittin, Ministër për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Natyrës. Po ashtu edhe përfaqësisë së delegacionit të Komisionit Europian dhe Ambasadës Gjermane në Tiranë. Berisha , atëherë në opozitë iu kundërvu me forcë projektit që u quajt “Nano-Bechetti” dhe që do të sillte mbetjet italiane në Shqipëri dhe mbështeti deri në fund protestat e shoqërisë civile deri në pezullimin e projektit .
Pas disa debateve dhe këmbënguljes së shoqërisë civile dhe opinionit publik, kjo marrëveshje me të vërtetë ngriu. Nano, duke parë që kishte një sensibilizim të ndjeshëm për Sharrën ku depozitoheshin, e qenë bërë “mullar” mbetjet tona , iu kthye italianëve për “ndihmë” në rehabilitimin e këtij vend-depozitimi. Për importin heshti dhe ai. Siç duket me që nuk pati firmosur marrëveshjen e nisur prej tij. Por kaluan dy vite kur Sharra doli përsëri në planet e qeverisë, kësaj here në krye të saj qe Berisha që e bëri normë pune të quante ambientalistët “ antiglobalistë , komunistë, marksistë etj, deri sa në 2013-n, gjatë firmosjes së referendumit, i quajti “aleanca e plehrave”. Dhe këta ishin e janë bashkëqytetarët e tij e midis tyre edhe intelektualë në zë që e kanë nderuar vërtet Shqipërinë. Perëndia e ndjeftë se njerëzit nuk besoj se ia falin , megjithëse është një nga të këqijat më të vogla që ka lënë pas.
Ndërkohë, në Shqipëri kishte filluar të zhvillohej biznesi i riciklimit. Bashkë me zhdukjen, pothuaj totale të kapakëve të pusetave, grumbullohej çdo gjë që vlente. Për mbledhjen e hekurishteve në ndërtimet e vjetra industriale u vodh sa mundej e me pasoje edhe vdekjen e “ricikluesve, deri fëmijë 10-vjeçarë. Shteti po bënte sehir për këto, por edhe për importin klandestin, sidomos të plastikës nga Maqedonia e Greqia. Madje, nga kjo e fundit erdhën dhe një sasi thasësh plastikë , me një lloj kimikati që edhe sot nuk dihet se çfarë ishte, për t’u pastruar në rrethinat e Korçës , në Devoll . Edhe një njeri pa informacion e di se sa vlejnë thasët plastikë që shiten me qindarka e jo më t’i lash. Dhe shteti vazhdonte sehirin për këto e për të tjera . Romët mblidhnin plastikën dhe e shisnin tek ky biznes duke nxjerrë bukën e gojë .
Në këto vite, grupimi ambientalist “Ekolëvizja” zbatoi një projekt të UNICEF për riciklimin e plastikës në shkollat 9-vjeçare të shumë rretheve. U bë një punë e madhe ku, rezultati më domethënës e mbresëlënës, ishte ndërgjegjësimi i fëmijëve për dëmet e plastikës në mjedis dhe riciklimin e tyre. Por dhe këtu shtetarët, megjithë takimet e diskutimet për t’i dhënë ndihmw kësaj nisme, nuk u gjetën të gatshëm. Nga bashkitë as nuk merreshin plastikat e mbledhura nga nxënësit , biznesi i riciklimit nuk “begenisi” të ofrohej se kërkonte sasi të mëdha dhe u ndihmua deri diku vetëm nga shoqatat e romëve në Tiranë e në Fier. Më kujtohet shprehja e përfaqësuesve të bashkisë së Tiranës ( nënkryetar ishte E. Shalësi ) që do të merreshin me këtë punë, por as e vunë ujin në zjarr. Po ashtu edhe kërkesë së dy sipërmarrjeve ricikluese që kërkuan vetëm një vend për të bërë seleksionimin e mbetjeve të kryeqytetit, pra ndarjen e diferencuar të mbetjeve, ju bë një pyetje e tillë: Po bashkia çfarë do fitojë ? Dhe mbeti me kaq.
Do të vinin vitet 2012 e 2013 që importi i mbetjeve do të dilte prapë në skenë. Qeveria e Berishës hartoi një ligj për të e mbas reagimit të publikut e shoqërisë civile, i veshi ligjit ca fjalë “të parrezikshme”, përkrahje e biznesit të riciklimit , “gjelbërim të politikave “por , në thelb mbetej importi i mbetjeve të të tjerëve “. Kësaj here u ndje shumë më tepër opinioni publik, edhe më i sensibilizuar, edhe më i organizuar në Aleancën kundër Importit të Mbetjeve, por dhe i përkrahur nga opozita . Partia Socialiste e bëri kauzë të vetën shfuqizimin e këtij ligji . Fjalori i Berishën ndaj ambientalistëve kapi majat. Për të dhënë ndihmesën e tij ndaj bizneseve të riciklimit, që u përfolën dhe për lidhje interesash të dyshimta, Lulëzim Basha, si Kryetar i Bashkisë ndërmori një reprezalje të vërtetë ndaj romëve që grumbullonin plastikë e u mori edhe ato ciklomotorët për të ndaluar “ndotjen” që bënin nëpër kazanët e mbeturinave. Se ku do të hanin bukë këta njerëz, ishte çështje që do ta zgjidhte biznesi .
Në 6 Mars 2013 , Fatmir Mediu , që kishte “rregulluar” eksportin e municioneve në Gërdec si ministër i Mbrojtjes me gjakun e 26 njerëzve, kësaj here si Ministër i Mjedisit bënte karshillëk publikut : “Nuk mund të diskutoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk kam qenë kundër zhvillimit të referendumit për importin e mbetjeve. Do të vijojë importi i mbetjeve, derisa të zhvillohet referendumi. Shoqëria civile duhet të jetë më konseguente për këtë çështje. Me kërkesën e shfuqizimit të dy neneve, rrezikohet liberalizimi i të gjitha mbetjeve”. Pra të liberalizoheshin mbetjet se kishin mbetur të paligjshme!
Në 16 korrik të atij viti , Ministria e Mjedisit organizoi tryezën “Politikat Mjedisore për Riciklimin”, ku merrnin pjesë përfaqësues të biznesit të riciklimit, specialistë të ministrive të linjës, përfaqësues të pushtetit vendor, si dhe përfaqësues të shoqatave mjedisore. Në këtë tryezë, ministri Mediu u shpreh se procesi i riciklimit në Shqipëri kishte lidhje edhe me zbatimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Kjo ishte e vërtetë, por nuk ishte i tillë importi i mbetjeve që në Marrëveshje nuk përmendet asnjëherë . Dhe si gur themeli përmendi si rastësisht edhe një VKM që përmbante një listë të plotë të mbetjeve metalike, plastike, tekstile, letrës dhe organike, që lejoheshin të importohen dhe eksportohen në Shqipëri. Kjo do të thoshte që edhe ato mbetje të diferencuara që mblidheshin në atë kohë ( për shembull Lezha apo projekti i ambasadës Hollandeze në Fier ) do të mbeteshin në periferinë e riciklimit që do të mbytej nga importi. Paçka se një titullar i lartë i MMPAU u shpreh : “Do të ishte shume mirë që industria e riciklimit të mbështetej në burimet e brendshme. Pra , me që nuk jemi të zotët “t’i dalim për zot” grumbullimit të diferencuar , atëherë le të marrim plehrat e të tjerëve”.
Në gusht të vitit 2013, pasi kishte humbur zgjedhjet dhe pritej që do duhej vetëm të përkujdesej për vendin deri në kalimin normal të pushtetit, Berisha vazhdonte të merrte vendime, një nga të cilët kishte të bënte dhe me importin e mbetjeve. Kjo bëhej pasi ishte miratuar mbajtja e referendumit të iniciuar nga Aleanca kundër importit të mbetjeve ( 60 mijë firma për disa ditë nga “Aleanca e plehrave” siç e kishte quajtur ai ) dhe pasi mazhoranca e zgjedhur kishte deklaruar se një nga vendimet e para që do të merrte do të ishte shfuqizimi i ligjit për to . Bëhej fjalë për 600 ton nga Greqia dhe 2000 ton nga Italia . Caktoheshin edhe sipërmarrjet që do ta bënin këtë :“Plastika – Albania”, sh.p.k., dhe “V.A.L.E. Recycling’.
Por me ndërrimin e qeverisë në 2013-n u shfuqizua dhe ligji mes një euforie deputetësh që po mbanin fjalën. Atëherë Kryeministri Rama u shpreh se nëpërmjet ndalimit të importit të mbetjeve jo të rrezikshme, parashikohet të nxitet pastrimi i vendit dhe do të sigurohet lëndë e parë e mjaftueshme për industritë ricikluese. “Jam shumë krenar që ky Kuvend do të miratojë përfundimisht ndalimin e importit të plehrave në Republikën e Shqipërisë. Plehrat në Shqipëri nuk do të hyjnë asnjëherë, deri në ditën kur Shqipëria do të jetë në gjendje të seleksionojë, të ndajë, të mbledhë, të përpunojë plehrat që prodhon vetë. Ne do t’i heqim plehrat nga sytë e gjithkujt që në këtë vend e ftojmë të vijë për të shijuar bukuritë dhe për të shtuar fuqinë tonë të industrisë së turizmit dhe që nuk mund ta mikpresim dhe as të presim të kthehet përsëri pasi e kemi shëtitur mes malesh, kodrash dhe pirgjesh me plehra, në të katër anët”. Dhe më tej : “Ka vetëm dy kategori vendesh që importojnë plehrat, ose vendet me standarde maksimale dhe me garanci maksimale, të cilat i lejojnë vetes import edhe të mbeturinave më të rrezikshme për shkak se kanë të gjitha aftësitë për të kontrolluar dhe për të trajtuar këto lloj mbeturinash dhe vendet me standardet më të ulëta të kontrollit dhe me standardet më të ulëta, madje inekzistente, të përpunimit të tyre”. Kjo është e vërtetë nga që importi dhe riciklimi i mbeturinave nga vendet e BE është fitimprurës për kompanitë evropiane, sepse në Shqipëri ndotja e mjedisit nuk penalizohet, siç ndodh nё vendet e BE-së.
Edhe Eduard Shalësi , iniciator i sotëm i importit të mbetjeve , atëherë tha në karrigen e Kryetarit të Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin se : “Do të duhet kohë për një Shqipëri pa plehra, por me këtë akt kemi ndërmarrë vendimin e duhur”.
Por siç duket sot duan të vërtetojnë se fjalët i merr era. Qofshin edhe ato të deputetëve. Por me çfarë llogari po ecin drejt importit të mbetjeve?
Së pari , në ekonominë e tregut biznesi do të ketë patjetër dhe mbështetjen e shtetit, por përherë në dobi të të gjithëve. A janë bërë mirë llogaritë e interesat financiare të këtyre bizneseve dhe përfitimi i të gjithëve dhe në krahun tjetër dëmtimi i mjedisit ? Mos vallë , presioni që ushtron Shoqata dhe biznesi i riciklimit ndaj qeverisë për importin e këtyre mbetjeve , do të ishte më mirë të ushtrohej për diferencimin e mbetjeve tona? A ia vlen importi i mbetjeve kur, sipas parimeve të sakta të BE-së, duhet të menaxhojmë dhe riciklojmë mbetjet tona njëherë e pastaj të shikojmë për interesat e një apo disa bizneseve ? Sa për shembull , në venddepozitimet tona të mbetjeve , plastika zë 40% të vëllimit . Po të hiqej e të riciklohej do të shtonte 40% edhe jetëgjatësinë e këtyre depozitave që po na zënë frymën dhe duan goxha para të ndërtohen .
Së dyti sa të sigurtë do të jemi për “cilësinë” e mbetjeve që do të importohen? Sepse , sot më shumë se kurrë, ky fenomen është në qendër të vëmendjes me rastet e përsëritura. Në plehrat e Napolit, që nga qeveria italiane u dërguan në Gjermani të kontrolluara të paktën dy herë, strukturat kufitare gjermane gjetën mbeturina toksike dhe radioaktive. Në Kinë shkojnë gati nën dorë rreth 100 mijë ton mbetje që askush nuk i di se çfarë janë. Aq sa një qytet i tërë vuan pasojat e helmimit nga plumbi. Sipas statistikave të BE-së , “ekomafia” në Itali trajton mbetje të rrezikshme me një faturë prej 6 miliardë euro në vit dhe nuk do të jetë e vështirë që me shifra shumë më “modeste” , mbetje të tilla të hyjnë (il)legalisht edhe tek ne. Le të kujtojmë po ashtu se gati 50% e mbetjeve europiane ( sipas të dhënave të Agjencisë Europiane të Mjedisit ) eksportohen ilegalisht , por edhe qeveritë “mbyllin” njërin sy. Le të kujtojmë “Albaniabeg Ambient” që do të digjte falas plehrat e shqiptarëve për 5 vjet në impiantin e Kasharit, por që do ta bënte këtë edhe me mbetjet italiane për 25 vjet të tjera dhe që shtypi italian shprehu se po e kthejmë Shqipërinë si “nevojtorja jonë “. Por kjo bëhej për të shmangur taksat doganore dhe për të mos alarmuar shumë opinionin publik italian duke i quajtur plehrat si lëndë e parë djegëse, siç mund të quhen sot “për riciklim”. Le të kujtojmë se dhe nga diplomatët italianë anulimi i marrëveshjes dhe polemikat e opozitës së atëhershme u tha se do të ndikojnë negativisht në negociatat për hyrjen e Shqipërisë në BE. Mos duhet të paguajmë një votë për hyrjen në BE me importin e plehrave? Kush e di, edhe mundet.
Nuk mendojmë se kontratat që mund të lidhen për importin e plehrave të të tjerëve do të jenë “mafioze”. Por kur këto ndodhin në vendet e BE-së, me përvojën e kontrollit dhe të teknologjisë në përdorim, me ligje të forta si ai i vitit 2009 (CE n. 967/2009 për eksport-importin e mbetjeve ), pa përmendur këtu edhe Konventën e Bazelit për transportin ndërkufitar të mbetjeve, ç’mund të ndodhë tek ne?! Vështirë të thuhet. Ose më saktë e dimë ç’mund të ndodhë, por nuk na e nxë goja ta themi.
Në vendet e Europës, për mbetjet urbane ka vite që përdoret një shprehje : “not in my backyard!” që do të thotë ( pak më thjeshtë se përkthimi ) nuk i dua plehrat e të tjerëve në oborrin tim. Ndofta do të ishte mirë t’ia u kujtonim shtetarëve tanë çdo ditë . Aq më tepër atyre që me të drejtë e shfuqizuan njëherë ligjin .
*Kryeredaktor i gazetës “Ekolëvizja”
Komentet