Nga Andon Lula
Viti i parë i pas luftës janar `45 në Gjirokastër, hyri me krisma dhe brohërima. Në këtë atmosferë, Thoma Papapano ndihej si mbi “gjemba”, po në “sy të botës”, shfaqej si më parë; burrë zotëri, i qetë, i menduar, i kujdesshëm, me autoritet e hije. Vishej bukur, me kostum dhe borsalinë, dimrit me pallton “Gub”, që ia kish dërguar Fan Noli nga Amerika, ndërsa verës me kostum doku, bezhë, këmishë të bardhë me jak mbi xhaketë. Ndonjë, dhe për shaka, miqësisht e këshillonte të mbante kasketë, në modë për kohën që kishte ardhur.
Kohën, jashtë punës, më shumë se me komente për politikat e ditës, e kalonte tek Ura e Vjetër. Këtu gjuante me grep, me peshkatarët më të dëgjuar të qytetit. Dhe jo pa arsye: Mendonte se perdja e kohës së tij, po binte dalëngadalë.
Shihej me sy tjetër, nuk i përmendnin “punët e para”, kombëtare edhe pse në sfondin historik të kohës së shkuar, ishte i pranishëm në ngjarje të rëndësishme në Gjirokastër e larg saj, si në Elbasan, Tiranë, Vlorë e Shkodër, nga viti 1908 e në vazhdim, pjesëmarrës aktiv në to, për çeljen e shkollës së parë shqipe Liria, shpalljen e pavarësisë dhe mbështetjen e Shtetit të Pavarur, në mbrojtje të kufijve të vendit, si përfaqësues në kancelaritë e Europës.
Dhe më tej akoma. Në Lëvizjen Fanoliste, për reforma politiko – demokratike dhe emancipim të shoqërisë shqiptare, mbështetës e simpatizant i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
Ndihej edhe i vetëm. Bashkëkohës të tij, ishin larguar nga vendi ose, ishin ndarë nga jeta. Njeri, Vangjel Koça, publicist, mik i babait, afër dhe me shtëpi, me të cilin shkëmbente libra ne frëngjisht, nuk rronte më.
Atë dhe Branko Merxhanin, me të cilët në vitet `30-të e lart, fliste për “Neoshqiptarizmin”, si ideatorë të saj, politika e re i kishte etiketuar, zëdhënës të ideologjisë reaksionare, që synonte ta shkëpuste masën e popullit, nga pozitat e luftës klasore e, ta hidhte në pozitat e nacionalizmit borgjez.
Në këto rrethana, më parë, Branko Merxhani ishte larguar dhe rronte në Turqi, ndërsa Vangjel Koça, në përpjekje për të lënë vendin, drejt Italisë, ishte mbytur me traget në ujërat e Adriatikut. Nga jeta ishte ndarë edhe Jorgji Meksi, një natë dimri, në vetmi, Lefter Dilo, nga një fshat me të, e kish gjetur pa jetë, pranë vatrës së zjarrit…!
Në këtë periudhë, gjendje të rëndë po kalonte “Varoshi”, lagjja e tij, lagjja “aristokrate”, me emër dhe opinion të pa humbur edhe sot. Me zhvillimet e reja, të regjimit komunist, frika, pasiguria dhe sekuestrimet, ishin prezente.
Disa, tregtarë të pasur, kishin lënë dhomat e mira, për të ardhurit nga lufta; kishin mbledhur lëmsh kravatat dhe kapelet republike, pantallonat me vijë të fortë, kishin fshehur sahatet e florinjtë; në heshtje e pa zë, prisnin faturat e majme, që duhet të paguanin për arkën e shtetit të ri, të tjerë kishin marrë rrugën, Tiranë e Durrës, tani të arratisur, braktisur si shtëpitë, ku jeta mungonte.
Arrestimin e Thoma Kolës, me shtëpi përballë, një jetë me hyrje dalje, ndarë nga një sokak, e përjetoi keq, me dhimbje. Kësaj situate të rënduar në gjithë lagjen, një poet anonim, i bashkëngjiti vargjet:
“Ç`ka Varoshi qe po qan,
E kanë ngritur havadanë,
Me dyshekë e me jorgan,
me tenxhere dhe tigan…”!
Kështu Papapanua, i vetëm, me hap të lehtë, çdo mëngjes bënte rrugën e përpjetë të “Varoshit”, nga të dy anët me dyqane. Në ndonjë edhe pushonte. Shërbehej akoma tek dyqani i ushqimeve, të Minushit, tek furra e Stathit, tek Gega për kos dhe ëmbëlsira, Teli Mihali dhe Kotrua, për qepje dhe qëndisje, ashtu dhe në Hanin e Mangës, marangozin e Nakës, por jo tek Hadër Latia.
Zanatçinjtë e tjerë, disa te shoqërisë së dikurshme, të “Opingës”‘, mbështetës të Fan Nolit, në prag falimentimi, kishin humbur gjallërinë e parë dhe punonin për bukën e gojës. Ende privatë, te rënduar me taksat, dyfish e më shumë, që dyqanet e shërbimit të shtetit të ri, të kishin epërsi.
Thomai, djali i Gaqit të Xuhanos, 50 vjet teneqexhi në zanat të parë po që bënte dhe orëndreqësin, meremetonte ombrella dhe “nxirrte dhëmballë të prishura”, nga dyqani kishte hequr reklamën “Tregtar dhe pemëshitës”.
Dikush e kish këshilluar: “S`ka më treg të lire”, dhe, si privat, me laps kopjativ, majën e te cilit e lagte me pështymë, bënte llogaritë e fundit, për t`u bashkuar me të tjerë në ndërmarrjen e shtetit, te shërbimeve.
Të tjerë ishin bashkuar më parë; Vaso Bashari e Tolo Çabeliu marangozë, Nako Urra, që punonte drurin për dyer e dritare, djepe e tabute, po që ende luante dhe karnavalet në rolin e kapitenit, Zoto Naçi, berber, ku Papapanua qethej kare, të shtunën e parë të çdo muaji.
Pas mësimit, po në rrugën e “Varoshit”, në zbritje, një copë kohë, kthehej nga Kola ku psoniste lakra dhe fruta të thata, tek Polo Donua, sa për ta përshëndetur, specializuar në Greqi, po pa klientelën e parë, vazhdonte të qepte këmisha për burra.
Nuk shkonte më tek Qirjako Naçi, për ndonjë mellanore, ndërsa tek Pandeli Majko, ku pushonte një copë kohë, sa të rregullonte ombrellën, i ishte prerë rruga se ai, pas djalit, në shkollë ushtarake, kishte zënë Tiranën.
Rruga, pa njerëz e gjysëm e zbrazët, i dukej më e vogël. Kështu dyqanet, shtëpitë e avllitë, të heshtura. Vetëm në oborrin e madh të shtëpisë së madhe të Lolo Manit, të pushtuar nga të “ardhurit”, disa, familje ushtarake, ku flitej në dialekte të ndryshme, kishte lëvizje. Fëmijët, me këpucë me sholle dhe opinga, luanin luftash, me gropa dhe shpata.
Përshtypje, nuk i bënin më as reklamat në të cilat, ende lexohej: “Mallra të cilësisë së lartë”, “Tek ne gjeni modën e fundit, Parisin, Romen e Londrën”. Ndryshe ca kohë më parë. I lexonte një për një, fjalë për fjalë. E dinin të gjithë. Nëse gjente ndonjë gabim drejtshkrimor, i prisheshin sytë e, i hipnin “xhindet”. “Hekurat, thoshte, këta janë për 7 penxheret”!
Në lagjen dikur e qetë, ku çdo njeri ishte në shtëpinë dhe punën e vet, shumë gjëra kishin ndryshuar, flitej më shumë për shpronësime dhe dhunë. Me ushtarakë dhe ushtarë, mushka të hutuara, që lëviznin të ngarkuara me ushqime e dru, në sfondin gri të regjimit të ri, ngjante me kazermë.
Këto pamje e situatë e rënduar, Papapanos i ngjallnin trishtim e humbje, ia zbehnin forcën dhe optimizmin e fillimit. Shumë gjëra mendonte. Politika e re, “cenet” i shkonte në vrimë të gjilpërës.
Etiketimet; “aristokrat”, “borgjez”, që thoshnin disa ekstremistë partiakë, i shkaktonin mërzi dhe hidhërim, po ai vazhdonte të mbetej, Papapanua i parë, i paangazhuar politikisht dhe i patrazuar në jetën partiake; të ishte vetvetja, me mendësi e frymë që ishte rritur e formuar, rilindës, liridashës, me botëkuptim demokratik e kulturë perëndimore, të notonte në “ujërat e tij“, paqësore, afër jetës atdhetare dhe intelektuale, “larg politikës”.
Megjithatë në shoqëri të ngushtë, shprehej se me sistemin e ri, pak e nga pak po përshtatej dhe se një shpresë e kishte, se diçka do të ndryshonte, në favor të tij. Disa herë ishte matur t`i shkruante Komandantit, Enver Hoxhës, ish-nxënësit, tani në krye të vendit, po kish hequr dorë. Një nga miqtë, e kish këshilluar: “Shiko rrotull, ç`bëhet! Pse të shfaqesh i pakënaqur, apo të haçë ndonjë dhogë”!
Dhe me vete, nën zë, fliste e kujtonte, intelektualë e miq që e “kishin ngrënë”, disa, nga familje të mëdha të qytetit, pas vizitës së parë të Enver Hoxhës, në `47-ën, si Aqif Kashahu e Sheraf Karagjozi. Një nga miqtë e tij, të ngushtë, që e furnizonte me libra, Alizot Emiri, p.sh., për një llaf goje, ishte brenda, në “7 penxheret”.
Por me të ndodhi ndryshe, nuk pati fatin e zi të disa intelektualëve, edhe gjirokastritë, dhe shokë me të, që në mos plumbin hëngrën burgun. Sa rrojti, në vitet e regjimit të shkuar, mbeti “Papapanua i parë”, bëri jetë të qetë, në paqe me veten dhe të tjerët; vlerësohej, siç kujtohet dhe tani, në demokraci, figurë e nderuar e arsimit shqiptar, me vend të merituar në historiografinë shqiptare, personalitet i spikatur i arsimit dhe kulturës sonë kombëtare.
Me porosi të Enver Hoxhës, i caktuan pension të veçantë dhe, ne gjimnaz, 5 orë në javë, të jepte mësimin e gjuhës shqipe. Ndihej i kënaqur, i mburrur dhe i mbrojtur, kur i Madhi i dërgoi dhuratë edhe një kostum. Nuk mbahej. Disa moshatarë u bënë xheloz. Kishte ndodhur disa vjet më parë, kur Fan Noli nga Amerika, i dërgoi një pallto të madhe “Gub”, dhe poeti Ramiz Harxhi, nxitoi t`i thoshte: “Do t`i shkruaj. E ç`e ka Noli një pallto, një copë bukë”!
Sa më sipër shkruam, “vuajtjet” i takojnë një kohë të shkurtër se pas viteve `50-të, ishte në vëmendje, për mirë, në krye të trapezit, në të gjitha festat kombëtare, në çdo aktivitet lokal e me gjerë, fjalë-dëgjuar për problemet e arsimit lokal dhe kombëtar, për ankesat e popullit, ndaj të cilave ngrinte zërin dhe luftonte për zgjidhjen e tyre.
I ngarkuar me detyra të rëndësishme, arriti dhe deputet i Kuvendit Popullor, për 4 vjet, u zgjodh në forume qendrore e vendore, u vlerësua me urdhra e tituj, edhe “Mësues i Popullit”. Memorie.al