Dy ditë me radhë batalioni kishte përballuar sulmin e artilerisë së forcave gjermane dhe breshërinë e armëve të ballistëve. Gjylet e tyre qëllonin lartësitë ku ishim ne dhe hapnin kratere të vogla ndërsa ciflat e predhave, gurët e balta e përçudnonin dëborën e bardhë duke lënë bllanga në forma të parregullta rrethore.
Ne u përgjigjeshim me të shtëna pushke dhe mitralozi. Të dyja mortajat tona heshtnin pranë arkave të zbrazura të predhave. Nga të shtënat tona kuptohej se municionet tona qenë të kufizuara. Të ndihmuar nga vendi dhe lartësia, ne u mbrojtëm mirë prej tri sulmeve. Por kur erdhën përforcimet gjermane, trupat e tyre u vunë në lëvizje për një goditje të shumëdrejtimshme për të mposhtur rezistencën tonë. Me pak ushqime dhe me një sasi të paktë fishekësh, në orët e natës nisëm një rrugëtim të vështirë nëpër përrenj e driza. Meqë ajo zonë qe nën ndikimin e bajraktarëve të lidhur me Ballin Kombëtar, synimi ynë ishte të kalonim shpejt dhe të dilnim matanë ku kishim mbështetje dhe mundësi për të organizuar një sulm të papritur ndaj pozicioneve të trupave gjermane.
Pas shpinës sonë ishin trupat gjermane që, sipas llogaritjeve tona, do të arrinin në këtë pikë strategjike në orët e pasdites. Ne marshonin krah ujërave të akullta dhe të rrëmbyera të lumit Drin dhe maleve që ngriheshin thikë. Në tërë atë bardhësi nxinte vetëm një faqe mali, e cila nga pjerrësia s’kishte mbajtur veçse tek-tuk, te ndonjë e dalë shkëmbi, ca njolla të bardha dëbore. Shtegu i Kaprollit që ndodhej përpara nesh ishte bllokuar nga forcat mercenare. Të ktheheshim prapa do ndesheshim me gjermanët dhe po qe se shkonim përpara do të binim në pritë.
Në një luginë të ngushtë shtabi i batalionit u tërhoq mënjanë për të shqyrtuar situatën dhe për të gjetur një rrugë-zgjidhje. Partizanët u ulën ku mundën duke u përpjekur t’i kthenin kurrizin erës së fortë. Nuk binte dëborë, por era e acartë e fshikullonte dëborën e ngrirë e të kokrrizuar, që të shponte si maja gjëlpërash. Qielli ngjyrë plumbi peshonte mbi majat e maleve si një helmetë e rëndë.
Shokët e shtabit na lajmëruan të grumbulloheshim.
“Situata është shumë e rëndë, – tha komandanti dhe me pak fjalë shpjegoi se e vetmja rrugë për të çarë përpara ishte sulmi. Dhe pastaj pyeti me ton të rëndë:
-A do të flasë njeri?
Nga mesi i rreshtave u ngrit një partizan i imtë, me shpatulla pak të rrëzuara.
-Me leje, komandant?
Komandanti ia bëri me kokë.
-Fol, Besho!
-Ai shteg s’kalohet, po qe se është zënë.
-Shtegu i Kaprollit nuk çahet, – përsëriti Beshoja për të mos lënë vend për asnjë lloj mëdyshje.
Ç’ishte ky disfatizëm në këtë situatë kaq të rëndë? Mos vallë Beshos i qe lëkundur besimi te batalioni dhe te shokët përpara betejës?
Komisari, që deri atë çast e kishte dëgjuar me shumë vëmendje, iu afrua dhe e pyeti:
-Besho, si është puna? Pse thua se nuk mund të kalohet shtegu?
-Se jam nga ky fshat, – tha Beshoja me sytë në tokë.
Një murmuritje u ndje në radhët e partizanëve.
-Aty pesëdhjetë fshatarë kanë mbajtur katër taborë turqish më 1911. Kanë luftuar tri ditë e tri netë. Shumë nga tanët u vranë, por turqit s’kishin të numëruar.
Beshoja duhej të ishte rritur me rrëfimet e luftës të treguara nga pleqtë dhe nga vetë pjesëtarët e luftës për pavarësi. Ai e dinte se edhe kjo qe luftë por ai po paralajmëronte humbjen e betejës.
-Po ne jemi partizanë dhe për partizanët s’ka pengesa, – përsëriti komisari një thirrje të njohur.
Vërtet ne kishim kapërcyer pengesa që dukeshin të pakapërcyeshme dhe Beshoja vetë kishte marrë pjesë në ato beteja.
-S’them për partizanët, them për vendin. Është grykë e keqe.
Për një çast komisari u lëkund dhe pyeti:
-Ti, si i vendit, a di të ketë ndonjë shteg tjetër nga mund të kalojmë, ngado që të jetë?
-Ai mal s’ka shtigje, – tha Beshoja, – se ujërat i gërryejnë monopatet që këputen si litar e vithisen teposhtë.
Fjalët e Besho Kësulës e rënduan gjendjen edhe më shumë.
Komandanti dhe komisari biseduan kokë më kokë. Forca e erës e mori kapelën e komandantit dhe e shpështolli në dëborë. Ai e ngriti nga toka dhe e pastroi me mëngën e kapotës përpara se ta rraste me inat mbi veshë.
-Kemi dy rrugë: t’i futemi lumit e të hidhemi në krahinën matanë ku reaksioni është i fortë, ose të gjejmë këtë shteg të zënë dhe natën vonë, shumë-shumë nesër në mëngjes, të afrohemi në bazat tona.
Si në një asamble të madhe tok me erën e tufanin buçitën zërat “të çajmë shtegun”.
-S’dihet ç’rreziqe na presin. Dhe ky lum tani në dimër…,- tha komandati duke nënkuptuar se kapërcimi i lumit do të qe me pasoja.
-Ne nuk detyrojmë askënd të marrë pjesë në këtë aksion pa vullnetin e tij, – shtoi ai.
Ndonëse komandanti foli me takt, duket se fjalët i adresoheshin vetëm njerit nga ne. Beshoja uli kokën dhe shpatullat e rrëzuara u dukën sikur dolën edhe një pëllëmbë më lart. Ne na erdhi keq.
-Unë dua pesëdhjetë vullnetarë, – tha komandanti.
Disa partizanë ngritën pushkët e disa brofën në këmbë. Besho Kësula s’ngriti as dorën, as pushkën.
-Me leje? – tha përsëri Beshoja.
-Akoma ti?- e pyeti komandanti si i bezdisur.
-Derisa vendosëm të çajmë, – tha Beshoja- atëherë mua më takon të dal në krye.
Ishte e vështirë të kuptohej kthesa e atij që deri atë çast qe i vetmi që kishte kundërshtuar planin. Kjo duhet të ishte pendesa e tij.
-Në krye do të dalë ai që do të caktoj unë, – tha komandanti. –Ti i the ato që kishe për të thënë.
-Jo, shoku komandant, mua më takon të dal në krye se unë jam nga ky fshat. Unë e di rrugën më mirë se kushdo tjetër.
-Ti kundërshtove… – i tha një partizan, tani pse kërkon të shesësh mend?
-Unë thashë mendimin tim, por tani që u vendos të çajmë me luftë, s’mund të lë tjetër njeri të prijë. A s’ka thotë gjithnjë komandanti, “Kush është nga ajo krahinë, të dalë përpara”? Hë, more shokë, a nuk është kështu?
Ashtu qe dhe këtë s’mund ta mohonte askush. Beshoja u vu në kye të kolonës kur u dha urdhri të niseshim. Komandanti na porositi të bënim gati bombat e dorës.
Rruga për te Shtegu i Kaprollit i përngjante një shkalle që ngjitej në majë të malit, nga ku mund të prekje me dorë retë ose të shpoje qiellin me majën e dyfekut. Ne ecnim njëshkolonë mbi dëborën e ngrirë e të kokrrizuar. Kishim shpresë se do ta çanim pritën dhe do të fitonim terren, të mbrojtur nga armët e shokëve. Përfytyrimi ynë ishte ende i paqartë, si ndodh kur gjendesh në një vend që s’e ke parë kurrë e ku të drejton vetëm fantazija e ndërthurur me terrenet në betejat e kaluara. Beshoja nuk kishte përfytyrime. Beshoja e dinte se ku po shkonim…
Ndersa po i afroheshin grykës, aty këtu u dukën shtëpitë-kulla në faqen e malit dhe fjolla tymi që na sjellin ndër mend zjarret e vatrave tona. Nja dyqind metra para se t’i afroheshim shtegut shohim tri burra me rroba leshi të zeza. Njeri prej tyre kishte lidhur në majë të pushkës një leckë të bardhë dhe ecte përpara. Dy të tjerët me pushkë në sup dhe me tytën poshtë e shoqëronin.
-Po dorëzohen, – bëri shaka dikush. –Kanë nxjerrë flamurin e bardhë.
Komandanti urdhëroi të ndaleshim. Afër tij qëndronin komisari dhe Besho Kësula.
-Kemi dy fjalë me kapidanin, – tha fshatari që mbante lidhur në majë të grykës së pushkës një leckë të bardhë. Ai qëndronte gatitu me pushkën përpara trupit në një pozë të ngrirë sa të vinte pak për të qeshur.
-Unë jam, – i tha komandanti. –Ç’keni për të thënë?
Ai që mbante pushkën ktheu kokën pas si për tu siguruar se dy shoqëruesit e tjerë ishin aty dhe për t’i dhënë më rëndësi vetes.
-Na ka dërguar Dan Bajraktari t’ju themi se këtej s’keni rrugë të kaloni.
Në format e organizimit të vjetër fisnor bajraktari kishte në dorë çështjet e luftës, të armëpushimit, të aleancave apo të paqes. Ai ishte njeriu më i fortë dhe më me ndikim si nga ana ekonomike, ashtu edhe nga e drejta e zakonit. Dan Elez Mehmeti kishte zënë vend te gryka dhe nuk lejonte t’i pranonte partizanët të hynin në fshatin e tij. Ai e hiqte veten si patriot dhe interesat e tij ekonomike dhe politike i kishte njësuar dhe i paraqiste si interesa të të gjithë komunitetit.
-Kaq?- e pyeti komandanti.
-Si urdhëron, – tha ai që mbante pushkën dhe që zhbironte vështrimin tek ata që kishte përballë.
S’kishin parë partizanë dhe tani po u jepej rasti t’i shikonin nga afër dhe të bisedonin me këta që “u kishte shkrepur në kokë ta kthenin çdo gjë përmbys”. Për ata thuhej se s’kishin as nder, as atdhe, as flamur. Ç’mund të prisje nga ca njerëz që nuk e kishin për gjë të martoheshin me motrat e tyre? Ata u shkulin mjekrat hoxhallarëve dhe pastaj i djegin brenda në xhami. Si mund të silleshin kështu me njerëz që s’bënin asgjë të keqe, veç i faleshin Allahut?” Gjërat më të shtrenjta siç ishin nderi, atdheu, feja, prona, mënyra e jetesës, të gjitha rrezikoheshin nga njerëz, të cilët nuk mund të ishin shqiptarë. Këta ishin të shitur te greku e te serbi, e mbase edhe te rusi, për t’i bërë varrin Shqipërisë. Po a mund t’i pranojmë ne këta njerëz, qoftë edhe të kalojnë nëpër fshatit tonë? Jo, kurrë.
-Tani ule pushkën dhe dëgjo.
Ai e uli pushkën pranë këmbëve dhe e shtrëngoi me duar tytën dhe leckën e bardhë.
-I thuaj bajraktarit se ne i marrim urdhrat nga shtabi ynë dhe jo nga tradhtarët.
-Hej! – i shpëtoi fshatarit padashur kjo pasthirrmë në mbrojtje për bajraktarin.
-Dhe e dyta, i thuaj të heqë forcat që ka vënë në pritë, në qoftë se s’do që t’i dalë flaka në majë të kullës së tij. I mban mend këto që thashë?
-Si urdhëron! – tha ai se kështu ishte mësuar t’i përgjigjej bajraktarit dhe mendonte se ashtu i dukej përgjigjur çdo njeriu që kishte një farë pozitë.
Njeri prej shoqëruesve që vuri re Besho Kësulën pranë komisarit i ra me bërryl shokut, thuajse i habitur.
-Beshoja, – i pëshpëriti ai.
-Cili Besho?
-Beshoja i Beqir Kësules. yt kushëri. Qenka me këta.
-Ku?
Ai tregoi me kokë. Ata u panë sy më sy dhe fshatari i buzëqeshi në formë krejt instiktive partizanit.
Që të bënte përshtypje më të fortë, propaganda antikomuniste arrinte gjer në banalitet dhe madje përzihej me shpifjet më të ulëta. Pëshpëriteshin fjalë se Beshoja kishte dalë partizan e ndodhej andej nga Toskëria. E pse dukej të linte shkollën Beshoja dhe të bashkohej me partizanët, me ata që s’kishin as nder, as fe, as familje. Në kohë lufte qarkullojnë shumë legjenda e fjalë dhe njeriu s’mund t’u zërë vesh të gjithave, thoshin bashkëfshatarët në biseda të odës.
Beshon ata e njihnin sikurse njihnin çdo djalë fshati dhe tani u dukej çudi që e shikonin partizan. Po, ndërsa për partizanët në përgjithësi besonin me naivitet çdo gjë që u thoshte bajraktari sepse nuk i kishin njohur nga afër dhe s’i kishin parë kurrë, për Beshon s’mund të besonin se mund të martohej me të motrën, apo se mund të therrte gratë dhe vajzat e tyre, apo se mund t’i shkulte mjekrën hoxhës…
Shoqëruesi iu afrua Beshos pa e ditur se ç’ndiente për të, urrejtje apo mëshirë. Sidoqoftë ai kishte hedhur hapin e parë dhe atij i takonte të hidhte dhe të dytin.
Ai nisi me zë të butë, si duke u lutur:
-Besho, më mirë kthehuni nga keni ardhur. Pse kërkoni belanë me këmbët tuaja? Dan bajraktari ka thënë “S’do të lë këmbë partizani të kalojë këtej. Ne më mirë shuhemi se të lëmë këtu të kuqtë!”
-Pse nuk erdhi vetë Dani të bisedonte si burrat? Apo është mësuar të hedhë gurin e të fshehë dorën? – e pyeti Beshoja.
-Për atë zot që është në qiell, po e ngarkon kot Dan bajraktarin. Ai tha vetë: “Janë shqiptarë, o burra, dhe gjynah të vritemi me njëri-tjetrin, le të kthejnë rrugë me të mirë dhe të na lënë rehat në shtëpitë tona.” Të themi atë që është.
-Dhe ty Ymer të duken të drejta keto? – e pyeti jo pa qëllim Beshoja.
-Të drejta janë, – tha me sinqeritet Ymeri.
-I thënka vetes shqiptar, pale, edhe patriot. Dhe u zë pritë e u kthen pushkën atyre që luftojnë të huajt!
-Ne nuk duam të shkelni kësaj ane. Duam të rrimë rehat në shtëpitë tona… Ja, këtë duam ne.
Aty ndërhyri komisari:
-Mos u ka zënë ndonjëherë pritë ai, bajraktari juaj, gjermanëve, italianëve ose ballistëve? Po qe se u zënë pritë e ka hedhur pushkë kundër tyre, unë do t’i them: “Bravo të qoftë!”
Mendimi iu vërtit shpjet nëpër kokë dhe fshatari s’pati ç’të thoshte.
-Pas disa orësh këtu do të vijnë gjermanët, – vazhdoi komisari. – Kush i thotë vetes shqiptar duhet të dalë këtu që të mos i lërë të kalojnë asnjë hap më tej.
-Punë që s’bëhet! – tha fshatari
-Pse jo?
-Po gjermani të djeg e të përvëlon, po t’i kundërshtosh. Ai ka thënë: “Për një ushtar të vrarë, njëqind shqiptarë do të vras!””
-Dhe atëherë t’i puthim dorën! – tha komandanti. – T’i themi, “urdhëro e shtrohu këmbëkryq në vatrat tona se ne s’na dhimbset as atdheu, as liria. Ti jep urdhra dhe ne do të bindemi si skllevër.” –Ja, këtë po bën bajraktari juaj. U hap rrugën atyre dhe u thotë “mirë se erdhët”, ndërsa neve na zë pritë dhe na kërcënon me armë.
Të dy fshatarët e tjerë atje matanë po e dëgjonin këtë diskutim dhe e shikonin se Ymeri kishte mbetur ngushtë e ishte zënë në fjalë. Edhe Ymeri e ndjeu këtë rrezik dhe mendoi të dilte nga situata dhe t’i jepte fund diskutimit me dinjitet.
-Këto fjalë që këmbyem qenë kot, – tha fshatari, – se ne s’kemi gjë në dorë. Ne na dërguan t’ju themi dy fjalë. Shkurt hesapi. Mos kaloni shtegun, se do të kërcasë pushka dhe askush s’do të mbetet i gjallë. Beshoja e di ç’vend është.
-Ne do kalojmë, – tha Beshoja.
-Veç po patët krahë, – ia priti Ymeri, – se ndryshe s’kalohet Shtegu i Kaprollit.
-Keni gjysmë ore afat sa t’ia thoni bajraktarit apo kuvendit fjalët tona, – i lajmëroi komisari. – Po qe se jeni dakord të hapni rrugën, shtini tri herë me pushkë. Ju e keni në dorë e jo bajraktari. Bajraktari një pushkë ka. Mos e lini veten t’ju heqë për hunde.
-A kane dalë të gjithë burrat? – e pyeti Beshoja.
-Mëhalla e Halilajve nuk pranoi, – tha Ymeri, duke lënë të nënkuptohej se kuvendimi nuk kishte qene unanim, dhe se bajraktari ia kishte arritur qëllimit të tij, të nxirrte njerëzit në pritë.
Të dërguarit ikën. Për gjysmë ore asgjë veç dyshime dhe pikëpyetje. Me të ndërmjetëm nuk e di asnjëherë në i çojne fjalët ashtu si i dëgjojnë apo i ndryshojnë për t’i ardhur pas qejfit dërguesit. Lufta i plekste gjërat në një mënyrë të çuditshme. Ata fshatarë s’ishin as ballistë, as bashibozukë, as mercenarë. Kishin dalë aty ngaqë ende kishin frikë të thyenin urdhrin e bajraktarit dhe t’i kundërshtonin haptazi. Më shumë i kishte shtyrë zakoni dhe tradita, sesa bindja dhe vullneti. Pse vallë bajraktari fliste gjithmonë keq për partizanët? A thua ashtu është folur dikur edhe për ata që janë ngritur në këmbë dhe kanë dalë në luftë me guxim e trimëri si Dedë Gjon Luli e Mixha Isë, baca Bajram, Shpend Sokoli e Shota.
Pas gjysmë ore nuk u dëgjua asgjë. Ne filluam të ecim në njëshkolonë, pa marrë formacion luftarak si njerëz që shkojnë në punën e tyre. Në dëborë tani shihnim gjurmët që kishin lënë këmbët e të dërguarve të pritës. Ata kishin ecur jo në rresht, por në krah të njëri- tjetrit. Pas thuajse njëqind metra, vumë re disa kësula dhe kokë të lidhura me shami që lëviznin prapa shkëmbinjve. Kur do të qëllonin, tani që na arrinte rrezja e zjarrit të pushkës, apo do të pritnin sa të futeshim në pritë? Ne vazhdonim t’i hidhnim këmbët me të njëjtin ritëm. Me të dëgjuar të shtënat e para, do të shriheshim për tokë dhe do t’i mbanim nën zjarr, ndërsa shokët tanë, që ishim më pas do të sulmonin. Beshoja arriti i pari te përroi aty ku niste prita. Papritur dëgjuam një zë të thellë e të plotë:
-Besho Kësula, mos ec më tej se do të të qëlloj!
Dhe Beshoja qëndroi në vend. U kthye andej nga i erdhi zëri dhe e pyeti:
-Ti Sadri je?
Asnjë përgjigje nga ana e pritës.
-Hajt, bre burrë, në ke për të qëlluar, qëllo, unë s’po të kthej shpinën. Ty të paskan lënë të parin?
Mbi majën e një shkëmbi pushka u drodh.
-S’më vret pushka jote o Sadri! – i tha Beshoja dhe u kthye për të vazhduar rrugën. Përfund shtegut gjarpëronte një vijë e paktë uji përgjatë gurëve të mbështjellë nga një masë e lëmuar akulli. Nëpër kataraktet e vogla buzët e akullit qenë larg, të çara e të mprehta si thika, kurse në pellgje uji lëvizte nën cipën e fortë pa ngjyrë. Atje formoheshin pa pushim sumbulla të rrumbullakëta që ecnin në një vijë zigzage me një ritëm shumë të parregullt. Diku ujët këndonte klik-klik, se akulli dhe ngrica s’kishin mundur ta ndërprisnin rrjedhën. Vërtet lufta të ishte aq pranë, buzë atij përroi aq piktoresk, ku uji dhe ngrica formonin krijime të hatashme natyrore?
Tani kishim hyrë në pritë. Dikush nuk kishte guxuar të qëllonte. Apo nuk kishte dashur? Detyra jonë është të jemi të gatshëm të kundërveprojmë qysh në krismën e parë.
-Ndalonil burra, s’keni rrugë më tej! A dëgjon, Besho? – Ai doli si bust në një të çarë shkëmbi. Një burrë afër të gjashtëdhjetave fliste ngadale sikur ende mendohej nëse duhej t’i thoshte ato fjalë.
-Axha Rexhep, për ideal, s’ma merrte mendja se do të dilje këtu. Krenat e bardhë nuk turpërohen për qejf të tjetërkujt.
Një tytë tjetër u tërhoq pas shkëmbit ndërsa Besho vazhdoi.
-Axha Rexhep, ne luftojmë për Shqipërinë siç ke luftuar edhe ti dikur, në kohë të Turqisë. Mos e turpëro pushkën dhe derën! Pas nesh po vjen gjermani. Atij armiku t’i biem, unë e ti bashkë.
-Jo, he burrë, nuk e turpëron axha emrin e babës, po na e kanë bërë mendjen çorap disa burra që i kemi besuar si të mençëm e si të parë.
Beshoja bëri edhe një hap më tej.
-Mexhit a je, aty? Ende atë pushkë që ke pasur mban? Me atë zor të më qëllosh në shenjë edhe pesë metra afër të jesh. Mos e turpëro veten. Eja, po të jap pushkën time.
Beshoja dhe ne e dinim tani se ata ishin të mbrojtur dhe zotëronin lartësitë. Kjo pritë nuk mund të ishte asgjë tjetër veç vetëvrasje. Ne s’kishim hyrë as deri në çerekun e pritës. Shtegu i Kaprollit! A ka pasur ndonjëherë kaproj në këtë vend? Nëse do të kishte kaproj, pylli duhej të ishte afër, por pemë s’po shikonim gjëkundi. Mali qe i zhveshur dhe vetëm tek-tuk kishte mbirë ndonjë dru me gjëmba e disa dëllinja.
-Pash zotin, mos shkoni më tej, – tha dikush në formë lutje, – se do t’ju qëllojnë. Dan Bajraktari ka bërë be të mos dilni gjallë prej këtej. Gjynah, se qenkeni të gjithë djem të rinj. Eh!
Keqardhja e tij ishte e sinqertë, por ajo s’na ndihmonte. Ne po kalonim mes shtegut dhe ata që kishin dalë në pritë i mbanin grykët e pushkëve drejtuar tek ne. Në atë shteg ku ishin vrarë turq e dushmanë, këtë herë në shënjestër ishim ne, njerëz të një gjaku, të një gjuhe me ata që kanë zënë pritën. Beshoja kishte bërë mirë që doli në krye.
-Besho, ti kalo matanë, se je djalë i fshatit, këta të tjerët s’kanë punë këtej, – u dëgjua një zë plaku me inat. Papritur ai kërceu nga prita dhe erdhi drejt nesh si të donte ta merrte Beshon me vete.
-Ngadalë, ngadalë të them edhe unë dy fjalë e pastaj, po deshe, shkrehim armët, – i tha Beshoja.
-Fol! – i tha plaku.
-Po të vije ti me shokët e tu dhe të bije në pritë dhe unë të thosha “Kalo ti, axha Islam, këtej se unë këta të tjerët do t’i qëlloj,” a do guxoje t’i lije shokët të vriten për të shpëtuar veten?
Besho Kësula vazhdoi:
-Nuk po më jem mendje të mirë, axha Islam, megjithëse je burrë plak. Këta shokë kanë ardhur me mua dhe, po qëllove ata, me ke qëlluar mua. Njëlloj është.
Plaku filloi të bërtiste duke tundur duart:
-Këta janë komunistë, janë tradhtarë, janë të pafe, kurse ti je yni, je djalë i fshatit tonë dhe s’ke punë me ta. Ndahu prej tyre, s’ke punë me ta ti!
-A mos do t’u kthej dhe pushkën për qejf të bajraktarit dhe të hoxhës?
-Atëherë ti je bërë me ta?
-Po, me ta kam qenë dhe me ta jam. Për një ideal luftojmë.
-Ti i paske sjellë vetë këtej… Më qafë na paç! Kur të keqen ta bën yti, është mallkim nga zoti. Mallkim!
Në një hop e mori qeleshen e përplasi në dëborë me egërsi.
Lajmi se partizanëve u printe Besho Kësula kishte shkaktuar hutim te fshatarët por Dan Elezi kishte dhënë urdhër: “Beshoja a dreqi vetë të jetë ta qëlloni e ta lini top në vend, gjersa vjen me të pafetë.”
Në ajër ndihej një peshtjellim e tension ndërsa batalioni kishte hyrë tani në gjysmë të pritës. Prapa nesh vijonte kolona partizane dhe pas cdo shkëmbi kishte pushkë që prisnin. Po fshatarët duket se po prisnin sinjal nga bajraktari. Ai, po të donte le ta fillonte luftën i pari. Arritëm në një vend ku gurët qenë si basamakë të gjerë shkalle.
Një zë autoritar u dëgjua:
-Besho Kësula, ndal aty ku je, se kam dy fjalë.
Beshoja ngriti kokën përpjetë.
-Burri flet ballë për ballë e jo prapa ferrës. Dil në shesh, o Dan Mehmeti, në i thua vetes burrë.
Bajraktari u ngrit më këmbë. Një burrë i gjatë e të thatë, me buzë të holla e hundë të mprehtë, veshur gjysmë ushtarak e gjysmë civil, u kapardis duke ecur disa hapa përpara.
-A mos do të të jap edhe dorën e të të marr në grykë, – e pyeti me ironi bajraktari.
-Jo besa, se do të të shkonte mundimi kot. Dorën e kam për njerëz të ndershëm e s’ia jap gjithkujt që më del në rrugë.
Përgjigjja qe flakë për flakë dhe therëse. “Paska qenë djalli vetë ky Beshoja ynë. Ne nuk e njihnim për të zotin e gojës.”
-Dëgjo, Besho Kësula, në të dhimbset ajo kokë që ke mbi supe, merr shokët e tu dhe kthehu prapa, andej nga ke ardhur. Këtej s’ka rrugë për ju.
-Burrit që ka një armë në sup nuk i merret nderi para armës, o bajraktar.
Pas një momenti mund të krisnin armët dhe të shpërthenin bombat, por aty për aty peshën më të madhe e kishte marrë fjala. E folura e tyre kishte njëherësh edhe tension edhe përmbajtje ashtu si në kuvendin e burrave ku të parët e tyre kishin folur shkurt, qartë dhe me mprehtësi.
-Këtë shkallë nuk e kalon Besho Këshula pa e larë me gjak. Kështu si të them. Kjo është fjala e fundit dhe kur të hedhësh hapin, bëj, hesap kokën!
-Nuk marr urdhra prej teje! – i tha Beshoja dhe u kthye nga komandanti i batalionit. – Komandant?
-Nisemi, – erdhi përgjigjia.
-Ti e di ç’e pret atë që çart besën! Ti po na çart besën, – kërcënoi bajraktari.
-Aty ndalu, Dan Mehmeti. Me besën tuaj mua s’më lidh kurrgjë se nuk e kam dhënë besën tek ju.
-Ne nuk pranojmë partizanë këtu, – u kanos bajraktari.
-Edhe sikur të lutesh, nuk ulen partizanët në sofrën tënde, o Dan Elezi, se nuk e hanë bukën e atyre që paguhen nga fashizmi, prandaj hiqu mënjanë dhe hape rrugën.
Besho Kësula u nis. Hodhi hapin e parë, të dytin dhe eci pa denjuar të shikonte as me bishtin e syrit bajraktarin. Ai si i tërbuar nxori revolen e duke e tundur në erë bërtiti:
-Bini, burra, kusur mos lini!
Dhe me ato fjalë mori shenjë mbi Beshon. Komandanti dhe ne u ndalëm. Një krismë ushëtoi dhe revolja e zezë fluturoi nga dora e Dan Elezit. Një nga shokët që e pa bajraktarin të merrte shenjë, e qëlloi në dorë dhe arma e bajraktarit ra në dëborë. Ai e shtrëngoi llërën me dorën tjetër, u kruspullos dhe i egërsuar bërtit:
-Qëlloni, burra!
Ne u shtrimë barkas për tu mbrojtur në pozicionet ku ishim. Një kokë me flokë të kuq u ngrit dhe bërtiti: “Hapni shtegun burra! Janë shqiptarë e nuk vritemi shoq me shoq.”
Vetëm një këlysh i bajraktarit nuk iu bind urdhrit dhe deshi të ndizte luftën duke qëlluar me pushkë, por malësorët që ishin afër tij e paralajmëruan se, po të shtinte qoftë edhe një herë, do të kishte punë me ta.
Kur dolëm nga Shtegu i Kaprollit, Komandanti i rrahu supin Beshos. Në një livadh të mbuluar nga dëbora, erdhën kuqoja, Ymeri dhe disa fshatarë të tjerë. Meqë u njohëm të parët me ne, na dhanë duhan dhe na përshëndetën sipas traditës së vendit, aty matanë shtegut ku të parët e tyre kishin hyrë me krenari në historinë e krahinës dhe ua kishin lënë atë trashëgim pasardhësve të vet.
Komentet