Ishte viti 1971, kur Kombëtarja Gjermane e Futbollit do të shkelte për herë të dytë në tokën shqiptare, si pasojë e shortit që e vendoste atë brenda një harku të shkurtër kohor, sërish përballë të njëjtës skuadër e që do duhej konsumuar sërish brenda eliminatoreve të së njëjtit kompeticion, Kampionatit Europian “Belgjikë 1972“.
E sërish sikurse në takimin e parë, jo vetëm interesi, por çuditë nuk do të mungonin në këtë përballje, e cila duhet thënë se në aspektin historik sportiv, ishte pikërisht porta që iu çel Kombëtares së RFGJ-së për të nisur rrugën e saj drejt sukseseve më madhore (mjafton të kujtojmë këtu faktin se Gjermania brenda asaj dekade u shpall një herë Kampion Europe, një herë Kampion Bote, ndërsa Bayern Munchen tri herë radhazi fitues i Kupës së Kampioneve) që e katapultuan atë, ekipet gjermane dhe vetë futbollin gjerman në vitet ’70 të shekullit të shkuar si ndër më të mirët në botë.
E këtë radhë, ndryshe nga 1967, asgjë nuk do të neglizhohej e VIP-at si Franz Beckenbauer dhe Gerd Müller, të cilët kishin refuzuar në atë kohë të luanin ndaj Shqipërisë, këtë radhë ishin vënë në rresht për një përkrah legjendave si Patzke, Veber, Overat dhe Netzer për të arritur objektivin, pasi vinin edhe nga një barazim me Turqinë në Gjermani, i cili në ato momente ua rrezikonte jo pak objektivat nëse s’do të kishin fituar në Tiranë.
Madje këtë radhë do të dilnin në pah edhe emra të tjerë që do ktheheshin në legjenda të vërteta të futbollit gjerman e atij botëror, si portieri Majer, Berti Vogts e një ekip më i rinovuar në përgjithësi, drejtuar me mjeshtëri nga legjenda Helmut Schoen, trajneri më jetëgjatë në stolin e Kombëtares Gjermane.
Yjet e Gjermanisë zbritën në Rinas më 15 shkurt, dy ditë para ndeshjes zyrtare që do të kurorëzohej me një fitore minimale 0-1 për ta në “Qemal Stafa“, më 17 shkurt 1971. Dhe pikërisht aty i pret edhe “surpriza e parë“, që vinte si pasojë e një urdhëri të dhënë nga ish-kryeministri Mehmet Shehu, sipas të cilit, të gjithë të huajt që do të zbrisnin në Rinas, do të duhej që këpucët si dhe duart ti pastronin në një përmbajtje dezinfektuese, për t’u siguruar se nuk do përcillnin asgjë nga mikrobet që mund të sillnin nga vendet e tyre.
Është pikërisht një foto që edhe pa diçiturë flet shumë, por gjithsesi në diçiturën e saj shkruhet: Aeroporti i Tiranës / Beckenbauer duhet të lajë duart në një solucion dezinfektues. Në këtë mënyrë eliminohen të gjitha viruset kapitaliste. Vetëm pas kësaj mund të vijonte udhëtimi për më tej.
Beckenbauer do të vinte edhe disa herë të tjera në Shqipëri e do të takohej edhe me miq e tashmë ai e dinte se jo vetëm në 1971, kur stadiumi do të mbushej plot për të parë qoftë edhe seancat stërvitore të Nationalmannschaft-it, shqiptarët përtej solucionit dezinfektues do të rezervonin për të e mbarë kombëtaren gjermane gjithë admirimin e tyre.
Ajo VKM dhe ai vendim i ish-kryeminsitrit Shehu do të vijonte të kishte fuqi madje edhe pas demokracisë, në kohë fare të zakonshme (edhe pse jo në Rinas) ku dëshmitarë janë shpesh udhëtarët që kalojnë në pikat e kalimit kufitar tokësor, ku u duhet të njomin me solucion gomat e makinave të tyre, një procedurë që veç kostos, u duket sidoqoftë shumë e habitshme dhe qesharake. (Nga Armand Plaka)