Vendndodhja e kalasë së Modrisës për historiografinë tonë deri sot është e paditur. Nga shumica e studiuesve është menduar (ide që vazhdon të mbrohet dhe në ditët e sotme) që Kalaja e Modrisës u ndërtua në fshatin Modriç (në krahun e majtë të Drinit të Zi, në veriperëndim të pellgut të Strugës), në Çermenikë, në guri i Pishkashit, në malin e Sharrit, në luginën e lumit Treska etj. Këto përfundime, të cilat nuk do t’i trajtojmë, nuk janë të sakta.
Siç do të shohim në këtë studim, kalaja e Modrisës që ndërtoi Skënderbeu në vitin 1452 u ngrit në malin Bukovik të Maqedonisë së Veriut, në majën Чингирли Рид (Çingirli Rid, që do të thotë ‘kodra Çingirli’), në kordinatat: 41˚40΄50˝ V, 20˚52΄40˝ L; në lartësinë 1441 metra, rrënojat dhe gjurmët e mureve të së cilës duken edhe në ditët e sotme.
Për përfundimin tonë, që kalaja e Modrisës shtrihej në malin Bukovik, po shohim të dhënat dokumentare që disponojmë për të, të shtrira në terrenin konkret.
1 – Duke folur për ushtrinë barbare nën komandën e Sinam Pashës (1458), e cila u nis nga Ohri drejt Pollogut (kjo ushtri u stacionua në Pollog), për të mbrojtur territoret osmane, Barleti shkruan: “Që këndej [nga Pollogu] ai [Sinam Pasha] e kishte pastaj rrugën të hapur për në Dibër të Sipërme dhe Modrisë” (Barleti, Skënderbeu; f. 382). Gjithashtu kjo ushtri [nga Pollogu] mund të sulmonte dhe Dibrën e Poshtme, ndaj Kastrioti dërgoi “në Dibër të Poshtme për të pritur, po ta donte puna, sulmet e Sinamit, por jo më shumë se një të tretën e ushtarëve, sepse rreziku që andej ishte më i vogël dhe hyrja në tokat tona më e vështirë” (Barleti, Skënderbeu; f. 382). Ndërsa “për shkak të vështërsive të vendeve nga mbrojtja natyrale dhe të luginave të Mokrës, të mbyllura nga katër anët me male të dendura”, nga Kastrioti nuk u morën masa për mbrojtjen e krahinës së Mokrës.
Natyrisht që vendndodhja e Pollogut nuk vihet në dyshim nga ne.
Duke parë me kujdes shpjegimin e Barletit kuptojmë që nga fusha e Pollogut për të shkuar në territoret e Skënderbeut në atë kohë kishte tri rrugë për lëvizjen e ushtrisë:
– Rruga Pollog – qafë e Korabit, drejt Dibrës Poshtme, rruga nga lëvizi ushtria osmane nën komandën e Ali Pashës, 1444 (Kica, Beteja e parë e Skënderbeut; ff. 123-131), çështje e trajtuar hollë në studimin “Beteja e parë e Skënderbeut”.
– Rruga Pollog – Rahonik (Dibër). Këtë rrugë nuk e ka shfrytëzuar asnjë ushtri osmane për të sulmuar territoret e Skëndebeut (Kica, Beteja e parë e Skënderbeut; ff. 113-114).
– Rruga Pollog – Kërçovë, pellgu i Strugës (si dhe dhe një degëzim i saj nga Kërçova në Rahonik, që quhet rruga e Arbrit).
Nga sa arsyetuam (Sinami nga Pollogu e kishte rrugën të hapur për Modrisë), nxjerrim dy përfundime mjaft të rëndësishme për vendin ku duhet kërkuar kalaja e Modrisës;
Përfundimi i parë: Modrisa është në krah (apo anë) të fushës së Pollogut, dhe afër me të.
Përfundimi i dytë: Modrisa është në njërën nga tri rrugët nga Pollogu drejt territoreve të brendshme të Kastriotit. Shih Harta 1, ku duket Pollogu dhe tri rrugët nga Pollogu drejt territoreve të Kastriotit.
2 – Në betejën e Skënderbeut me Hamza Pashën (beteja e Modrisës, 1452), turqit erdhën nga Shkupi në Mokër, dhe nga Mokra filluan të ngjitën nëpër Modrisë. Barleti shkruan: “[Skënderbeu] zuri me ushtri në heshtjen më të madhe një anë të Modrisës. Turqit, që s’dinin gjë, hynë, pasi kaluan malin e Mokrës, në luginën që shtrihej ndërmjet [Mokrës dhe Modrisës], dhe po bëheshin gati t’i ngjiteshin Modrisës, me qëllim që të kalonin s’andejmi në pjesët më të brendshme të krahinës…” (Barleti, Skënderbeu; f. 298).
Pra kuptojmë që Modrisa ishte ngjitur me Mokrën. Duke qenë se ne tashmë dimë saktësisht se ku ndodhej Mokra (Kica, “Beteja e parë e Skënderbeut”; ff. 78-92), sot mali i Thatë “Suva Gora”, që shtrihet në të gjithë anën lindore të Pollogut, nga rruga Pollog – Shkup e duke vazhduar drejt jugut deri në juglindje të Gostivarit, kuptojmë që Modrisën do ta kërkojmë ngjitur me këto territore.
Gjithashtu shohim që Barleti shkruan që turqit “po bëheshin gati t’i ngjiteshin Modrisës, me qëllim që të kalonin s’andejmi në pjesët më të brendshme të krahinës” (Barleti, Skënderbeu; f. 298), pra nga Mokra po hynin në Modrisë, dhe nga Modrisa do të hynin në pjesët më të brendshme të krahinës. Kjo, përveç se na mbështet atë që shkruam më sipër (se Modrisa ishte në rrugën nga Pollogu drejt territoreve më të brendëshme), na tregon që nga Modrisa (ngjitur me Mokrën) shkohet drejt territoreve më të brendëshme të Epirit.
Paraprakisht do të bëjmë një sqarim për Mokrën dhe rrugëkalimet nëpër territorin e saj. E gjithë pjesa qendrore e krahinës së Mokrës është një masiv shkëmbor pa rrugë dhe i pa kalueshëm nga ushtria. Ky masiv shkëmbor, pa rrugë dhe i pakalueshëm, shtrihet në të gjithë krahun e jugut të rrugës Shkup – Pollog dhe vazhdon nga lindja deri në lumin Treska, si dhe duke u shtrirë nga perëndimi deri në anën lindore të fushës së Pollogut, në të djathtë të lumit Vardar. Për të shkuar nga Shkupi, (nga erdhi drejt Modrisës ushtria barbare) në jugperëndim të Mokrës (d.mth, duke lëvizur nëpër Mokër), në të vetmin vend ku ajo lidhet me mundësi rruge me territoret e brendshme të Kastriotit (në territoret në juglindje të Gostivarit), ushtria ka vetëm një drejtim të caktuar si mundësi lëvizjeje:
Fillimisht nga Shkupi drejtim Pollogut (Tetovës) sipas rrugës ngjitur me territoret veriore të Mokrës, e pastaj, nga nga Zhelina (në lindje të Tetovës) lëvizet anash lumit Vardar (në të djathtë të tij), ngjitur me pjesën lindore të fushës së Pollogut (nëpër territore të Mokrës), deri në juglindje të Gostivarit.
Meqenëse ushtria barbare po kalonte nga Mokra në Modrisë për të hyrë në territoret më të brendëshme të Kastriotit, atëhere Modrisën do ta kërkojmë në territoret jugperëndimore të Mokrës. Kjo sepse vetëm nga jugperëndimi i Mokrës mund të kalohej drejt territoreve të brendësme të Kastriotit (në kuptimin të kalohet nga Mokra drejtpërdrejt, pra pa kaluar në Pollog, në territore osmane). Ky “shteg” kalimi (nga Mokra drejt territoreve më të brendëshme) gjithashtu është në jug të luginës së Pollogut dhe në veri të Kërçovës. Sepse Mokra nuk ka tjetër pikëkontakti me territoret e Kastriotit. Ky territor që është i vetmi “shteg” për të lëvizur nga Mokra në Dibër të Sipërme, është në jug të fushës së Pollogut (në jug të Gostivarit), ku në vazhdim drejt jugut shtrihet mali Bukovik.
Në perëndim Mokra kishte luginën e Pollogut, territore osmane. Ndërsa në jug ajo kufizohej me territoret e zonës së Kërçovës, gjithashtu territore osmane. Në lindje ajo shtrihej deri në lumi Treska i cili e ndante atë me malet Jakupice, gjithashtu territore osmane. Dhe në verilindje ajo shkonte deri kufi me Shkupin, po territore osmane. Gjithashtu dhe në veri ajo kufizohej me territore në zotërim të otomanëve.
Mokra, përveç kontaktit të drejtëpërdrejtë me malin Bukovik, në veri të tij (dhe në jug të luginës së Pollogut) kufizohej dhe me territoret e Dibrës së Sipërme (territoret mes Modrisës dhe Gostivarit).
Më poshtë kemi paraqitur territoret që trajtuam, ku kemi shënuar dhe malin Bukovik, i cili shtrihej ndërmjet Mokrës, Dibrës së Sipërme dhe zonës së Korçovës. Shih Harta 2.
3 – Kalaja e Modrisës ishte larg Sfetigradit aq sa çështë Ohri larg Pollogut. Këtë e thotë Barleti (1458), i cili shkruan: “Ndërmjes dy ushtrive [e Hamurit në Ohër dhe e Sinamit në Pollog] shtrihej një largësi prej më se 30 mijë hapash [45 km], aq sa janë pikërisht hapat që dalin po t’i numërosh, nga Sfetigradi në Modrisë” (Barleti, Skënderbeu; f. 382). Ne dimë saktësisht se ku ishte Pollogu, Ohri dhe Sfetigradi, kështu që mund të caktojmë përafërsisht harkoren larg Sfetigradit drejtim Mokrës dhe Pollogut të barabartë me harkoren Ohër – Pollog. Harkoren nga Sfetigradi për të kërkuar Modrisën do ta ta bëjmë në drejtim Pollogut dhe Mokrës, sepse më lart konkluduam që Modrisa ishte afër Pollogut dhe ngjitur me Mokrën. Në fakt largësia Ohër – Pollog është rreth 75 km., pra më e madhe nga shifra që jep Barleti, ndaj ne menduam t’i referohemi krahasimit ‘aq sa’, se sa distancës në shifra (me shprehjen ‘më se’ Barleti e ka lënë mjaft fakultative distancën).
Kështu ne duke bërë matjet që sot na i mundëson Google, sipas të dhënave që shkruan Barleti konkludojmë që kalaja e Modrisës është rreth harkores B2C2, e cila kalon përmes malit Bukovik, i cili shtrihet në jug të fushës së Pollogut (natyrisht që Sinami do staciononte ushtrinë në jug të Pollogut, ngjitur me territoret e Kastriotit). Ritheksojmë që harkorja B2C2 është e baraslarguar (‘aq sa’) nga Sfetigradi sa harkorja BC nga Ohri. Shih Harta 3.
Pra vazhdojmë në të njëjtën logjikë që konkluduam dhe më lart, që mali i Modrisës që ku Kastrioti ngriti kalanë sot quhet mali Bukovik.
4 – Për betejën e Skënderbeut me Hamza Pashën (beteja mes dy Hamzave, ose më drejt “beteja e Modrisës”), ku barbarët, më 1452 erdhën nga Shkupi në Mokër, Barleti shkruan: “ia mbrritën armiqtë. Roja e kështjellës së re [Modrisës], dha… me anën e përdredhoreve lajmin. [Skënderbeu u nis] drejtim armikut… [dhe] zuri me ushtri në heshtjen më të madhe një anë të Modrisës. Turqit, që s’dinin gjë, hynë, pasi kaluan malin e Mokrës, në luginën që shtrihej ndërmjet [Mokrës dhe Modrisës], dhe po bëheshin gati t’i ngjiteshin Modrisës, me qëllim që të kalonin s’andejmi në pjesët më të brendshme të krahinës…” (Barleti, Skënderbeu; f. 298).
Dimë që Mokra (Suva Gora “mali i Thatë”) shtrihej në pjesën e rrugës nga Pollogu drejtim Shkupit duke vazhduar drejtim jugut në lindje të Pollogut dhe të lumit Vardar, deri në juglindje të Gostivarit. Meqenëse barbarët edhën në skajin më jugor të Mokrës, dhe pasi e kaluan atë (Mokrën) u futën në luginën që shtrihej ndërmjet [Mokrës dhe Modrisës], dhe po bëheshin gati t’i ngjiteshin Modrisës, me qëllim që të kalonin s’andejmi në pjesët më të brendshme të krahinës, kuptojmë (përveç asaj që Modrisa ishte në jug të Mokrës dhe Gostivarit, drejtim territoreve më të brendshme të Kastriotit), që ajo (Modrisa) ishte ngjitur me Mokrën dhe ndahej prej saj nga një luginë, që për ne është shumë e rëndësishme.
Gjithashtu nga të gjitha këto shpjegime, meqenëse barbarët po lëviznin nga Mokra në Modrisë (në rrugën nga Pollogu drejt Straishtës së Dibrës së Sipërme), kuptojmë që Modrisa është në këtë rrugë, në segmentin në afërsi të Mokrës (dhe Pollogut).
Këtu do bëjmë dhe një sqarim, mjaft të rëndësishëm për të kuptuar fiks vendin ku barbarët u futën në luginën që shtrihej ndërmjet [Mokrës dhe Modrisës], dhe po bëheshin gati t’i ngjiteshin Modrisës (çështje që i përket dhe vendbetejës së Kastriotit me ushtrinë barbare nën komandën e Hamza Pashës, 1452). Për kohën që po flasim, segmenti verior i rrugës nga Ohri në Kërçovë, kalonte në anën lindore të malit Bukovik. Në veri të zonës së Zajazit, rreth 3 km., pa arritur në Kolari, rruga vazhdonte drejt veriut dhe pak nga verilindja, duke lënë në perëndim malin Bukovik (1528 m), dhe në lindje malin Korito “Korita” (1518 m). Segmenti i rrugës (së sotme) nga Kolari që bashkohet me rrugën e grykës së Radikës, Dibër – Pollog, duke lënë në lindje malin Bukovik, është ndërtuar në shekullin XX.
Gjithashtu duhet të kemi të qartë që Mokra ishte krahinë “plot me katunde të dendura” (Barleti, Skënderbeu; f. 89), që është gjithë krahina që sot quhet mali i Thatë (Suva Gora), e cila shtrihej në veri nga rruga Shkup – Pollog dhe duke vazhduar drejtim jugut, sipas kufirit (dhe të sotëm) të malit të Thatë, deri rreth 10 km., në juglindje të qytetit të Gostivarit, në kufi me malin Bukovik. Pikërisht lugina në veri lindje të malit Bukovik (ku mbaron ky mal dhe drejt verilindjes vazhdon mali i Thatë) është ajo që Barleti e quan lugina që shtrihej ndërmjet Mokrës dhe Modrisës. Nga kjo luginë duke vazhduar drejt jugut (sipas rrugës Pollog – Ohër të parashekullit XX) fillon dhe ngjitesh në malin Bukovik, ndërsa në lindje (në krahun e majtë të lëvizjes) shtrihet mali Korite. Shih Harta 4.
5 – Në krisobulën e carit Stefan Dushan, me të cilën i dhuron Manastirit të Shën Mërisë në Tetovë prona dhe të drejta të tjera feudale, midis viteve 1337-1346, shkruhet: “Në Pollogun e Sipërm metohun e Shën Ilisë. Fshati Shtençe me të gjitha pronat dhe sinoret, me modriçanët dhe gostivarasit deri në metohinë e kishës së Shën e Djelës drejt poshtë gjatë lumit Velika (Lumi Velika është lumi Treska – R. Kica) në Dub Jedini… dhe vetë qytetin e vogël Shtençe… Në Suha Gorë malin me livadhe, me bar, deri në Llokva dhe deri tek kufiri i Çelepekut…” (Burime të zgjedhura; vëllimi II, f. 126). Shohim që modriçanët dhe gostivarasit janë të grupuar bashkë dhe bëjnë pjesë në Pollogun e Sipërm dhe nuk bëjnë pjesë në Suva Gora “Mokër” (Natyrisht që përkthimi ‘modriçanët’ për banorët e Modrisës nuk është korrekt, përkthimi i saktë do ishte ‘modrisasit’, ose ‘modrisarët’). Përveç Shtençe (Stençe), në Suha Gorë (Mokër) krisobula përfshin edhe Llokva, e cila na del të jetë “Lakovica (1061 m)”, krahina mes Gostivarit dhe malit Bukovik, në lindje të rrugës (së parashekullit XX) Gostivar – Ohër. Dhe pikërisht ky segment i rrugës (në luginën) mes malit Bukovik (Modrisës) dhe Lakovicës (Llokva në Suha Gorë, pra Mokrës së Kastriotit) është lugina mes Mokrës dhe Modrisës (duke vazhduar drejt juglindjes deri sa hyn mes malit Bukovik dhe Korita) ku hynë barbarët dhe po bëheshin gati t’i ngjiteshin Modrisës (ushtria nën komandën e Hamza Pashës, 1452). Gjithashtu modriçarët (modrisasit) duhen kuptuar si banorë të luginës mes Lakovicës dhe Bukovikut (në qendër të saj sot janë dy fshatrat Gjonovica). Ndërsa Gjonovica e Poshtme shtrihet në luginë, Gjonovica e Sipërme (rreth 4 km., në veri të kalasë së Modrisës) shtrihet në shpatin verior të malit Bukovik (malit të Modrisës), i cili nga vendasit quhet ‘mali i Ahishtës’.
Ky shtjellim që bëmë, i thënë më shkurt: Llokva (Lakovica e sotme) e cila sipas krisobulës (1337-1346) është pjesë e Suha Gorës (Mokrës) është ngjitur më malin Bukovik (Modrisën), gjë që na përputhet me Barletin se Mokra (Suva Gora) ndahet me Modrisën (malin Bukovik) prej një lugine. Shih Harta 4.
6 – Vendpërplasja e ushtrive barbare që sulmonin Epirin nga Shkupi drejtim Pollogut ishte në luginën e Mokrës, një ngushticë mes dy malesh (mali i Thatë në jugperëndim, maja e të cilit nga vendasit quhet Foinik 960 m.; dhe mali Bërshi e Madhe 1114 m., në verilindje) e mbushur plot dushqe; luginë që gjithashtu shtrihet (në segmentin e rrugës Tetovë – Shkup) në mes të Zhelinës dhe Grupçinit, në kordinatat: 41˚58΄54˝ V, 21˚06΄00˝ L. Shih Harta 5, Harta 10 dhe Harta 11. Natyrisht që këtu (në majën Foinik të malit të Thatë, në jug të segmentit të rrugës Zhelinë – Grupçin) ishte dhe vendi i rojës së kufirit që Kastrioti linte gjithmonë në kufi, në dyert e hyrjes në territoret e tij.
Barleti shkruan: “vëndi i tyre [rojës së zakonshme të kufirit në Mokër] ishte larg Modrisës më se 14 mijë hapa” (Barleti, Skënderbeu; f. 294) [më se 21 km], distancë sa gjysma e largësisë Ohër – Pollog apo Sfetigrad – Modrisë. Pra, duke i ndënjur llogjikës krahasimore, roja e kufirit të Mokrës në rrugën Pollog – Shkup (në majën Foinik të malit të Thatë, në lindje të Zhelinës) është larg Modrisës sa gjysma e distancës nga Modrisa në Sfetigrad (apo sa gjysma e distansës nga Pollogu në Ohër). Po i rrimë logjikës së krahasimit, sepse distanca nga Modrisa në vendi i rojës së kufirit është rreth 38 km. Shih Harta 6.
7 – Frangu shkruan që Kalaja e Modrisës u ndërtua “në majë të nji mali të naltë, prej ku dallohej rruga që nisej nga tokat e turqve e binte në ato të Skanderbeut” (Frangu, Skënderbeu; f. 105). Kjo e dhënë e Frangut vërtetohet plotësisht me pozicionin e malit Bukovik, dhe pikërisht të kodrës ku janë rrënojat e kalasë, e cila vështron drejt veriut gjithë luginën e Pollogut (tokat e turqve), së bashku me rrugët në anën perëndimore të saj (në anë të bjeshkëve të Pollogut), si dhe territoret e Mokrës (në anën lindore). Këtë koncept të pozicjonit strategjik të vendit ku u ndërtua kalaja e Modrisës e tregon dhe Barleti i cili shkruan që Mali i Modrisës ku u ngrit kalaja ishte “thikë e rrëpirë, i cili, për shkak të lartësisë së vet, vështronte përpara tokat e turqëve në një hapësirë të madhe” (Barleti, Skënderbeu; f. 293). Fusha e Pollogut është vërtetë një hapësirë e madhe; madje duke studiuar me kujdes të gjitha vendet osmane kufitare, është e vetmja që vështrohet në një hapësirë të madhe nga territoret e Kastriotit (nga mali Bukovik). Shih Harta 7, si dhe Foto 1 dhe Foto 2.
8 – Frangu për vendin (malin) ku u ngrit kalaja e Modrisës shkruan: “Vendi ishte shumë i mirë e i volitshëm, biles paraqitej si e domosdoshme të ngrihej një kala mbi atë mal” (Frangu, Skënderbeu; f. 105).
Nga lugina e Pollogut (territore osmane) barbarët për të hyrë drejt territoreve të brendëshme të Epirit, përveçse duke marrë rrugën drejt jugut nëpër malin Bukovik (apo më saktë rrugën mes malit Bukovik dhe malit Korita), me qëllim që të dilnin në kampin e Dibrës së Sipërme në kodrën Straishta, praktikisht nuk kishin shteg tjetër të mundshëm për të lëvizur.
– Rruga nga Pollogu nëpër grykën e Radikës (përmes Rekës) për të dalë në Rahonik (Dibër) nuk është shfrytëzuar nga asnjë ushtri turke gjatë kohës së Skënderbeut, dhe nuk mund të shfrytëzohej për shkak të terrenit shumë të vështirë dhe plot rreziqe pritash, çështje që e trajtuam dhe më lart.
– Gjithashtu, me katastrofën që pësoi ushtria otomane nën drejtimin e Ali Pashës (verë, 1444) në fushën e Korabit (Kica, Beteja e parë e Skënderbeut; ff. 123-131), edhe mundësia e hyrjes në Dibër të Poshtme (territore më të brendëshme të Epirit) nga Pollogu drejt qafës së Korabit nuk u tentua më nga turqit (dhe këtë çështje e trajtuam më sipër).
Ndaj, Kastrioti qe i detyruar t’iu mbyllte otomanëve shtegun e vetëm ‘të lirë’ për lëvizjen e tyre nga Pollogu drejt territoreve më të brendëshme, duke lëvizur drejt Kërçovës për të dalë ne Straishta (kampi i Kastriotit në Dibër të Sipërme, ku ishte kalaja Belçe), dhe me të drejtë Frangu shkruan që për Kastriotin “paraqitej si e domosdoshme të ngrihej një kala mbi atë mal” (në malin e Modrisës). Për konceptin (kampi i Kastriotit në Dibër të Sipërme, ku ishte kalaja Belçe) shih “Kica, Sfetigradi; ff. 19-28.
9 – Mali Bukovik (mali i Modrisës), vendi ku u ngrit Kalaja e Modrisës është në pozicion të tillë që shihet nga veriu drejt jugut, nga Mokra (si nga pjesa fushore e saj, në anën perëndimore ngjitur me lumin e Vardarit, po ashtu dhe nga malet), nga fusha e Pollogut (si dhe nga malet e Pollogut, territoret në perëndim); po ashtu dhe nga ana e jugut, nga territoret e zonës së Kërçovës. Këtë fakt që e tregon terreni, e thotë dhe Frangu, i cili shkruan se kalaja e Modrisës “mund të shikohej nga larg” (Frangu, Skënderbeu; f. 106).
10 – Kalaja e Modrisës nga që shikonte fushën e Pollogut (territore osmane) si dhe rrugën nga lëviznin ushtritë osmane nga Pollogu (dhe Mokra) drejt territoreve më të brendshme të Kastriotit do kishte qëllim që të lajmëronte ardhjen e armiqëve nga Shkupi në Mokër si dhe mbërritjen e tyre në fushën e Pollogut. Këtë realitet e tregon Frangu, i cili shkruan që Kastrioti “Caktoi dy komandantë trima me ushtarë shumë besnikë për ta ruejtë dhe mbrojtë kalanë e Modricës, me urdhën që të rrinin si roje të vahdueshme për të zbulue afrimin e anmikut, e sapo të dukej, të gjuenin me bombardat për t’i dhanë kushtrimin gjithë krahinës” (Frangu, Skënderbeu; f. 105). {Përkthyesi Lek Pervizi emrin e kalasë e ka shqipëruar ‘Modricë’. Në librin italisht të Frangut (nga është përkthyer), është shkruar “Modriffa” (Modrisa). Franco, Giorgio Castriotto; f. 29/2}.
Gjithashtu këtë fakt e shkruan dhe Barleti: “atje [në malin e Modrisës] ai [Skënderbeu] vendosi të ngrinte një kështjellë dhe ta mbushte me luftëtarë, të cilët me krismën e përdredhoreve, të lajmëronin kur të vinin armiqtë” (Barleti, Skënderbeu; f. 293).
11 – Kalaja e Modrisës përveç qëllimit që të lajmëronte më krismën e përdredhoreve ardhjen e armiqve, në rastet e sulmit otoman kishte dhe qëllimin e rëndësishëm si vend ku do të strehoheshin banorët e zonës aty afër. Këtë e shkruan shkoqur Barleti: “Atje [në kalanë e Modrisës] do të shkonin për strehim edhe gjithë sa ishin afër” (Barleti, Skënderbeu; f. 293). I vetmi vend ku mund të shkonin (për strehim) banorët e Mokrës dhe Dibrës së Sipërme ngjitur me Pollogun, është mali Bukovik; fakt që e tregon terreni.
12 – Natyrisht qenia me ushtarë e një kështjelle në malin anash rrugës nga vazhdonte hyrja drejt territoreve të brendshme të Kastriotit e bënte të pamundur avancimin e ushtrisë osmane në atë dretim.
Pra, me ngritjen e kalasë së Modrisës, Kastrioti u hoqi otomanëve dhe mundësinë e lëvizjes nga Pollogu drejt Dibrës së Sipërme 70 mijë hapa larg Krujës (zona Belçishta), kampit ushtarak të Straishtës (minikalaja e Belçes), minikalasë së Goties, pellgut të Strugës etj. Në koncept të përgjithshëm bëhet fjalë për rrugën (e para shekullit XX) nga Pollogu drejtim Ohrit. {‘Dibër e Sipërme 70 mijë hapa larg Krujës’ shtrihej në territoret që sot njihen si ‘komuna Debarca’ në Maqedoninë e Veriut. Më hollë shih Kica, Sfetigradi; ff. 19-28}.
Përfundimisht themi: me ngritjen e kalasë së Modrisës Skënderbeu u mbylli ushtrive osmane të vetmin shteg që u kishte mbetur për të hyrë drejt Epirit (Dibrës së Sipërme 70 mijë hapa larg Krujës) nga fusha e Pollogut.
Emri i kalasë së Modrisës është Modrisum “Modriffum”, nga Barleti (Barletii M. Historia de vita; f. LXXXVII/2), dhe Modrisa “Modriffa” nga Frangu (Franco, Giorgio Castriotto; f. 29/2). Gjithashtu Barleti sqaron që mali ku u ngrit kalaja e Modrisës quhej “Modrisë” (Barleti, Skënderbeu; f. 293). {Në origjinal latinisht, Modrisum “Modriffum” (Barletii M. Historia de vita; f. LXXXVII/2)} nga dhe mori emrin kjo kala.
Ekspedita në rrënojat e mureve të kalasë së Modrisës
Ekspedita në rrënojat e mureve të kalasë së Modrisës, gjë që u mundësua pas shumë studimesh dhe kryqëzime të të dhënave të dokumenteve me terrenin, u bë me datë 10 maj 2022, nga Ramazan Kica i shoqëruar nga Ali Hyka (Kolonel në pension) dhe Prenush Paloka (ish alpinist). Në fakt, udhëtimi jonë në kodrën Чингирли Рид (Çingirli Rid), në malin Bukovik, për të parë rrënojat e mureve të kalasë së Modrisës, ishte aq sa i bukur dhe me fat, sepse Barleti nuk na la të lodheshim; duke na treguar gjithçka dhe me kaq saktësi, ai “na mori për dore” dhe na çoi në Modrisë. Udhëtimi nisi nga Gostivari në rrugën (e sotme) Gostivar – Kërçovë. Rreth 20 km., rrugë larg Gostivarit, në toponimin Стража (Strazha), që ndodhet në kordinatat 41˚40΄17˝ V, 20˚51΄15˝ L, 1210 m., lamë rrugën Pollog – Ohër (në koncept të përgjithshëm veri – jug), dhe u kthyem drejt lindjes, duke lëvizur në këmbë në një lloj rruge ku lëviznin makina që transportonin lëndë drusore, në një malore të lehtë, duke udhëtuar nëpër pyll. Pasi përshkuam një rrugë pak më shumë se 2.5 km., kaluam pyllin dhe u ngjitëm në malin Bukovik. Nga aty, lëvizëm në terren të hapur, kryesisht me barë, duke u kthyer drejt veriut, dhe pas rreth një km., largësi arritëm në kodrën Чингирли Рид (Çingirli Rid), në sheshin e ish kalasë së Modrisës. Shih Harta 8.
Sipas rrënojave të mureve, Kalaja e Modrisës kishte formë rrethore me diametër rreth 77 metra, me sipërfaqe të përgjithshme rreth 4650 metra katrorë. Nga kalaja shikohet plotësisht e gjithë fusha e Pollogut së bashku me rrugët në të, si dhe malet e Mokrës. Shih Harta 9, Foto 1 dhe Foto 2.
Muret ishin rrënuar plotësisht nga barbarët dhe shekujt. Dëshmi e gjallë ishin gurët e ish mureve të sheshuar, në formë harkore gjatë gjithë perimetrit. Një zbukurim që binte në sy ishte jeta në ato gurë e vazhduar me pemët pothuajse në të gjithë rrethin, fakt i jetës që shpërthen në themele. Qendra e sheshit të kalasë (që është dhe pika më e lartë), në drejtimin veri – jug është në mes, ndërsa në drejtimin lindje – perëndim është e spostuar nga lindja. Sipërfaqja e brendshëme e kalasë (sheshi) është me pjerrësi të vogël e cila nga qendra zbret në të gjitha drejtimet.
Për vendin ku u ngrit kalaja e Modrisës Barleti shkruan: “Vendi, prej natyre shumë i mbrojtur dhe gati i paafrueshëm, nuk mbeti as pa pahisore, as pa gropa” (Barleti, Skënderbeu; f. 294). Natyrisht që pahisorja (drunj të ngulur pingul në tokë) është tretur nga shekujt, ndërsa ajo pjesë e mbrojtjes që është quajtur gropa, dukej edhe në ditët e sotme. Ne identifikuam gjurmët e ‘një si kanal mbrojtës’ (më të jashëtmin), rreth 20 metra të gjatë, në anën e perëndimit, rreth 30 metra larg murit rrethues; si dhe një tjetër (më të brendëshmin), rreth 10 metra të gjatë, në veriperëndim, rreth 8-10 metra larg murit rrethues. Shih Foto 3.
Gjithashtu në anën e perëndimit ishin gjurmët e disa pikave vrojtimi, në shtrirje mjaft të gjatë, sidomos drejtim jugut. Ana e lindjes ishte më e mbrojtur natyrshëm. Normalisht, siç tregon terreni, drejt kalasë së Modrisës shkohet nga jugu drejt veriut duke i dalë nga ana perëndimore.
Barleti shkruan që “gëlqerja, gurët dhe gjërat e tjera të nevojshme për ndërtim ishin grumbulluar” (Barleti, Skënderbeu; ff. 293-294). Ndërsa gurët duken në të gjithë perimetrin, gjurmët e gëlqeres hasen në formën e copëzave të gurit gëlqeror (CaCO3) i krijuar nga thithja që i ka bërë gëlqerja (CaO), gjatë shekujve, dyoksidit të karbonit (CO2).
* * *
Që kur Kastrioti e çliroi atdheun (1443) e deri në kohën kur u ndërtua kalaja e Modrisës (1452), pa u marrë me fushatat perandorake, të gjitha ushtritë osmane e kanë sulmuar Epirin vetëm nga verilinda, duke ardhur nga Shkupi në Mokër (Kica, Beteja e parë e Skënderbeut; ff. 78-79), ndaj dhe shqetësimi i Kastriotit për këto territore u bë çështja kryesore e tij.
Natyrisht që ushtritë osmane nuk mund të tentonin Epirin nga shtegu i juglindjes (Manastir-Sfetigrad-Ohër) për faktin se në këtë drejtim lëvizjeje ato kishin mbi krye mbrojtësit epirotë të kalasë së Sfetigradit të cilët mund tu binin pas shpine (me një tmerr sikur binin nga qielli) sapo të preknin territoret e Kastriotit, kreshtën e Peristerit (Çështje e sqaruar në studimi “Sfetigradi (Fundi i një enigme)”).
Ndaj Kastrioti mendoi që dhe në këtë drejtim lëvizje të ushtrive osmane (nga veriu) të ngrinte një kala, me funksion që jo vetëm të lajmëronte, me anën e përdredhoreve, ardhjen e armiqve; por dhe të strehoheshin në të popullsia e këtyre territoreve. Këtë shqetësim të Kastriotit na e tregon Barleti, i cili (në momentin kur filloi ndërtimi i kalasë së Modrisës, 1452) shkruan: “Këtë punë [ndërtimin e kalasë së Modrisës] ai [Skënderbeu] e pat menduar qysh më përparë dhe ishte kujdesur me çdo mënyrë për të, por e la në mes nga shkaku i pengesave të pambaruara të luftës” (Barleti, Skënderbeu; f. 293). Madje këtu do theksojmë që Kastrioti jo vetëm që e pat menduar këtë projekt, por edhe pati bërë disa veprime fizike (që në vitet e luftimeve në Mokër, në rrugën Shkup – Pollog, 1444-1446), për të cilat Barleti Shkruan [pas largimit të ushtrisë osmane që kishte rrethuar Krujën (1450) ku Skënderbeu fillimisht u mor me riparimin e pjesës së mureve të dëmtuara të kalasë]: “Rindërtimi i qytetit [të Krujës] kish arritur nga fundi dhe punimet e tjera të mureve ishin plotësuar. Prandaj ai [Skënderbeu] mori muratorët dhe pjesën më të madhe të mjeshtërve, …, dhe u nis për Modrisë… Por, me qenë se gëlqerja, gurët dhe gjërat e tjera të nevojshme për ndërtim ishin grumbulluar që më parë, kështjella u rrethua me mure brenda një kohe shumë të shkurtër,…” (Barleti, Skënderbeu; ff. 293-294).
“Gëlqerja, gurët dhe gjërat e tjera të nevojshme për ndërtim e kalasë së Modrisës që ishin grumbulluar që më parë”, nënkuptohet para luftës me Muratin në Sfetigrad (1448, apo 1449). Kjo, sepse që nga momenti i nisjes së Muratit drejt Epirit për të filluar goditjen e Skënderbeut në Sfetigrad (1448, apo 1449) e deri sa u largua nga rrethimi i Krujës, kur “motrat ia torrën fijet” (1450), Kastrioti ishte tej mase i zënë në kulmin e aktivitetit luftarak, dhe nuk kishte asnjë mundësi të merrej me gëlqere, gurë dhe gjëra tjera për të ndërtuar kala.
Edhe Frangu e ka shprehur shqetësimin që ndiente Kastrioti për qenien e pjesës verilindore të territoreve të tij pa ndonjë ‘pengesë’ për ushtritë osmane, ndaj Kalanë e Modrisës ai e ndërtoi “tue e gjykue se shteti i tij do të ngacmohej e plaçkitej vazhdimisht prej turqve” (Frangu, Skënderbeu; f. 105).
Pjesa e Mokrës nga Shkupi në Pollog ishte shkatërruar, kështu që Kastrioti e shikonte ‘portën’ e hyrjes drejt Epirit në pjesë më të brendëshme të territoreve. E thënë pak më ndryshe: Kastrioti përplasjen fillestare me turqit nuk e shihte më në rrugën Shkup – Pollog, por në rrugën Pollog – territore më të brendëshme të tij (Modrisë).
Pikërisht në këtë moment historiografia jonë është gabuar: duke parë që kalaja e Modrisës u ndërtua menjëherë pas rënies së kalasë së Sfetigradit, u gjurmua vendndodhja e saj në vazhdim të rrugës nga Sfetigradi në territoret më të brendëshme të Epirit, në Modriç (në anën e majtë të Drinit të Zi, në veriperëndim të pellgut të Strugës), në Çermenikë, apo në guri i Pishkashit.
Mali Bukovik (me kalanë e Modrisës) i rri sipër si Rodi i lashtësisë luginës së Pollogut nga ana e jugut (nga duhej të kalonin ushtritë barbare drejtim territoreve të Epirit), ashtu siç i rri Peristeri (me Sfetigradin legjendar) nga ana e perëndimit rrugës nga Manastiri dhe hyrjes drejt Epirit nga lugina e Pelagonisë (ku ishte rruga Egnatia, e vetmja mundësi e hyrjes nga juglindja drejt territoreve të Kastriotit).
Për një historian që i njeh territoret, vetëm e dhëna e Barletit dhe Frangut që ‘kalaja e Modrisës shikonte territoret osmane në një hapësirë shumë të madhe, si dhe rrugët e ardhjes tyre’, është detyrim i padiskutueshëm që kalaja e Modrisës duhet kërkuar në pozicion që sheh fushën e Pollogut.
——————–
Bibliografi
Barleti, Skënderbeu; – “Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut”, Marin Barleti, shtypur nga “Mihal Duri” Tiranë 1964, përkthyer nga Stefan Prifti.
Barletii M. Historia de vita; – MARINI BARLETII, “Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis, imressum Romae, per, BV”.
Burime të zgjedhura; – “Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, shekulli VII-XV”, vëllimi II. Shtyp. N.I.SH. Shtypshkronja “Mihal Duri”, Tiranë 1962.
Franco, Giorgio Castriotto; – Demetrio Franco, “Gli illustri et gloriosi gesti et vittoriose imprese fatte contra Turchi dal Sign. D. Giorgio Castriotto detto Scanderbeg Prencipe d’Epirro”. In Venegia Pressio Altobello Salicato. 1584. Alla Libraria della Forezza.
Frangu, Skënderbeu; – “Veprat e famshme e të lavdishme dhe ndërmarrjet fitimtare kundër turqve të zotit Don Gjergj Kastriotit i quejtun Skanderbeg, Princ i Epirit”, shkruar nga Dhimitër Frangu, shtypur nga “Arbëria”, Tiranë 2007, përktheu Lek Përvizi.
Kica, Beteja e parë e Skënderbeut; – Ramazan Kica, “Beteja e parë e Skënderbeut (Beteja e Korabit)”, botim i dytë, 2M PRINTING, 2019.
Kica, Sfetigradi; – Ramazan Kica, “Sfetigradi (Fundi i një Enigme)”, 2M PRINTING, 2021.
Komentet