Kongresi i Dytë gjithortodoks i Korçës (16.VI – 29.VI.1929) e vuri Kishën mbi baza kanonike e kombëtare
Kongresi i dytë gjithortodoks i Korçës u mblodh pas Kongresit të Beratit. Ai është vijim i vendimeve të Kongresit të Beratit dhe plotësoi ato mangësi që vinin nga rrjedha historike e Kishës Ortodokse Shqiptare. Këto mangësi shfrytëzoi Patriarkana Ekumenike për të mos miratuar vendimet e Kongresit të Beratit dhe për t’i quajtur ato të pavlefshme.
Patriarkana e quajti të paligjshëm dhe antikanonik Këshillin e Lartë të dalë nga Kongresi i Beratit dhe nuk miratoi funksionet e tij në emër të një sinodi episkopal të përbërë prej episkopësh kanonikë. Pra Patriarkana Ekumenike nuk e njohu në atë kohë autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, por pranoi ta kënaqte atë me një farë autonomie dhe ta mbante përgjithmonë në tutelën e saj.
Një nga vendimet kryesore të Kongresit të Beratit ka qenë që brenda tre muajve të krijoheshin kushte për formimin e sinodit episkopal të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, i cili në bazë të kanoneve kishtare do të merrte drejtimin dogmatik të kishës. Nga thashethemet dhe intrigat e shumta, si edhe nga përçarja e brendshme midis ortodoksëve shqiptarë, në një farë mase nga mungesa e përvojës dhe nga interesa vetjake krejt të njëanshme, ky vendim u vonua prej vitit 1922 deri në vitin 1929.
Në vitin 1923 u fronëzua Fan Noli në Korçë nga dy episkopë kanonikë të dërguar nga Patriarkana. Kështu u krijuan kushtet kanonike për organizimin kishtar të Kishës Ortodokse në Shqipëri, sepse me tre episkopë në tri dioqezat kryesore mund të krijohej Sinodi i Shenjtë. Imzot Jerotheu në dioqezën e Korçës, Imzot Kisi në dioqezën e Beratit dhe Imzot Noli në dioqezën e Durrësit atëherë ishin në krye të detyrës kishtare. Pa episkop ishte vetëm dioqeza e Gjirokastrës. Në qoftë se dy prej tyre do të ishin treguar të kujdesshëm për të dorëzuar episkop njërin prej dy kandidaturave të mundshme, Visarionin ose Çamçen, atëherë Sinodi do të formohej në mënyrë të rregullt sipas kanoneve kishtare ortodokse.
Gjendja ndërmjet ortodoksëve shqiptarë në lidhje me qëndrimin ndaj Patriarkanës Ekumenike dhe zgjidhjes së çështjes madhore të autoqefalisë erdhi duke u acaruar çdo ditë dhe më shumë dhe po shkohej edhe drejt cenimit të mirëkuptimit e të harmonisë kombëtare. Disa mendonin se duhej pritur me durim urdhri i Patriarkanës, të tjerë kërkuan rrugë të brendshme dhe të mos i nënshtroheshin pritjes së kërkuar qëllimisht nga Patriarkana. Pala e dytë, me propozimin e Naltmadhënisë së Tij, Mbretit Zogu I, nuk nguroi për të formuar Sinodin Episkopal dhe për këtë dha ndihmën e vet i dërguari i Patriarkanës së Serbisë.
Në javët e para të shkurtit të vitit 1929 me Imzot Visarionin dhe Imzot Eugjenin në krye të ceremonisë kishtare u dorëzuan dy episkopë, Çamçja dhe Ambrozi. Më 18 shkurt 1929 u formua Sinodi i Shenjtë, i cili zgjodhi Visarionin kryetar të tij. Kështu filloi një etapë e re në jetën e Kishës. Dioqezat kishin episkopët e tyre kanonikë, Berati Imzot Çamçen, Gjirokastra Imzot Ambrozin, Tirana dhe Durrësi Imzot Visarion Xhuvanin, i cili përkohësisht do të ishte dhe ad interim për Korçën.
Në Te Deum-in e zhvilluar në Kishën e Shën Gjergjit në Korçë më 25 mars të vitit 1929 Atë Vasil Marko i dorëzoi Hirësisë së Tij, Visarionit, Kryqin historik të Kongresit të Beratit. Kjo ishte shenja simbolike e dorëzimit përfundimtar të kryesisë së kishës. Ky veprim e vuri para përgjegjësisë Kryeepiskopin Visarion për të organizuar Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë duke u mbështetur në vendimet e Kongresit historik kishtar të Beratit.
Patriarkana e Stambollit si dhe Patriarkana greke nuk e pritën mirë formimin e Sinodit të Shenjtë. Ato u vërsulën menjëherë për të shprehur kundërshtimin e tyre, sajuan fyerje të rënda për Sinodin, por më shumë për Visarionin dhe Mbretin Zog. Shpifjet nuk e mposhtën Kryeepiskopin Visarion Xhuvani. Zemërimi i Patriarkanës Egumenike mbushi gazetat më në zë të Greqisë. Atëherë kreu i ortodoksëve shqiptarë vazhdoi me qetësi shembullore dhe me durim mbledhjet e Sinodit në Korçë për të përmirësuar punët kishtare dhe për ta ngritur Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në nivelin e kishave të tjera të Ballkanit.
Në këtë situatë duhej fituar koha e humbur dhe duheshin marrë vendime të rëndësishme. Kjo veprimtari e shquar përbën platformën kishtare të Kongresit të dytë gjithortotoks në Korçë, i cili duhej të organizohej e të mblidhej sa më parë.
Atëherë pengesat shtoheshin çdo ditë me diskutime shterpe të intriguara nga jashtë e të shumëfishuara nga ortodoksë shqiptarë që e kishin shitur shpirtin tek të huajt. Sinodi i kryesuar prej Kryeepiskopit Visarion u mblodh çdo ditë në Mitropolinë e Korçës. Mbledhjet kanë qenë të hapura, në to mund të merrte pjesë kushdo dhe të jepte mendime. Pjesëmarrja masive e dashamirëse e besimtarëve ortodoksë të Kishës sonë bëri që pengesat të kapërceheshin një nga një dhe me dinjitet.
Organizimi i Kongresit kishte nevojë për fonde dhe ato në pjesën më të madhe u siguruan nga shteti shqiptar i kohës. Kujdes i veçantë u tregua edhe për zgjedhjen e delegatëve. Me këto detyra, veç Kryeepiskopit, i cili kudo që shkoi u mor me organizimin e pleqësive të kishave, u tregua mjaft përkujdesje për zgjedhjen e delegatëve në të gjitha rrethet ortodokse shqiptare. Në Kongres u zgjodhën intelektualët e shquar të vendit, klerikë me merita kishtare, tregtarë dhe zanatçinj, të gjithë bij të bindur dhe besimtarë të aftë për të mbrojtur Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Në Kongres morën pjesë 10 klerikë, ndërmjet tyre 3 episkopë, 2 ikonomë mitroforë dhe 5 klerikë të moshuar me përvojë kishtare. Midis delegatëve laikë kishte 7 intelektualë me gradën shkencore Doktor në fusha të ndryshme të dijes.
Listën e të gjithë delegatëve të Kongresit të dytë kishtar të Korçës, po e japim të plotë:
Delegatët e këtij Kongresi qenë:
Delegat i Tiranës Kryepeshkop Visarioni d.v.
Delegat i Tiranës Dr Athanas Shundi d.v.
Delegat i Tiranës Dr Zoi Xoxa d.v.
Delegat i Shpatit Taq Buda d.v.
Delegat i Shkodrës Atë Velisha Popoviq
Delegat i Shkodrës Naim Plevneshi d.v.
Delegat i Shkodrës Mitro Llazareviq d.v.
Delegat i Korçës Ik. i M. Mitrofor Atë Vasil Marko d.v.
Delegat i Korçës Stavraq Ballauri d.v.
Delegat i Korçës Thoma Turtulli d.v.
Delegat i Korçës Vasil Avrami d.v.
Delegat i Korçës Sotir Kotta d.v.
Delegat i Përmetit Dhimitri Kacimbra d.v.
Delegat i Gjinokastrës Thoma Papapano d.v.
Delegat i Gjinokastrës Kostandin Lito d.v.
Delegat i Gjinokastrës Episkop Ambrozi d. v.
Delegat i Gjinokastrës Ikonom Papavlashi
Delegat i Libohovës Dhimosthen Haxhoglu d.v.
Delegat i Leskovikut Andon Kito d.v.
Delegat i Lushnjës Llazar Bozo d.v.
Delegat i Vlorës Kristaq Ikonomi d. v.
Delegat i Vlorës Atë Isaia d.v.
Delegat i Vlorës Kristo Karbunara d.v.
Delegat i Delvinës Mihal Maksakuli d.v.
Delegat i Sarandës Apostol Dhima d.v.
Delegat i Konispolit Loli Qesko d.v.
Delegat i Durrësit Kristaq Zaguridhi d.v.
Delegat i Durrësit Vasil Bakalli d.v.
Delegat i Durrësit Moisi Popa d.v.
Delegat i Kavajës Kleanth Mineu d.v.
Delegat i Himarës Dr Mihal Cane
Delegat i Beratit Episkop Imzot Agathangjel d.v.
Delegat i Beratit Dr Nikolla Haxhistasa d.v.
Delegat i Beratit Ikon. Atë Theodhor Brisku d.v.
Delegat i Fierit Jovan Xoxa d.v.
Delegat i Mallakastrës Ikonom Atë Polizoi d.v.
Delegat i Kolonjës (Ersekë) Petro Prodani d.v.
Delegat i Bilishtit Petro Ilia d.v.
Delegat i Tepelenës Dhimitër Mole d.v.
Delegat i Elbasanit Kostaq Cipo d.v.
Delegat i Elbasanit Kov Deliana d.v.
Delegat i Elbasanit Dhimitër Papajani d.v.
Delegat i Poradecit Spiro Naço d.v.
Delegat i Dibrës Stavrofor Ik. Josifi d.v.
Delegat i Dibrës Dr Filip Papajani d.v.
Delegat i Dibrës Gavril Lasku d.v.
Komisioni i Qeverisë pranë Kongresit Panorthodhoks
Shqiptar në Korçë:
Vasil Bidoshi d.v.
Platforma kishtare e Kongresit u përcaktua me kujdes të madh nga Visarion Xhuvani. Në të u parashikuan vendimet e pritshme, detyrat e komisioneve për organizimin e Kongresit, ceremonitë festive për jehonën e tij. Bazën kryesore të Kongresit e përbënte zgjidhja e drejtë e interesave fetaro-kombëtare, sigurimi i indipendencës dhe i tërësisë territoriale të vendit. Vendimet e tij duhej të mos lejonin në të ardhmen asnjë veprim që të binte ndesh me interesat kishtaro-kombëtare dhe brezat e rinj të ishin syhapur e të kujdeseshin për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Në të gjitha materialet e Kongresit vëmendje e veçantë iu kushtua zbatimit të kanoneve të shenjta dhe të dogmës fetare, që Patriarkana Ekumenike të ndërpriste sulmet e mëtejshme kundër Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Gazeta e Re në Nr. 190, të datës 19.06.1929, ka botuar tekstin e platformës së Kongresit.
“1. Do të merret për bazë Ungjilli i Shenjtë, gojëdhanat e hirshme, rregullat e vendosura prej Sinodeve Ekumenike dhe përgjithësisht rregullat që pasojnë Kishën Ortodokse Autoqefale dhe patriarkike ortodokse, në të cilat Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë është lidhur dogmatikisht.
2. Principi i dytë është interesi kombëtar, i cili është marrë në kujdes të veçantë në bazë të kanonit “Kishë e lirë në shtet të lirë”.
3. Organizimi ekonomik financiar i pasurive kishtare, në mënyrë që kishës t’i sigurohet jetesa nga pikëpamja ekonomike.
4.Vendosja e një disipline të fortë që i jep dinjitetin e duhur kishës”.
Korça e priti me madhështi të paparë mbërritjen e anëtarëve të Sinodit dhe të Visarionit. Për pritjen e tyre autoritetet kishtare dolën deri në Plasë. Midis tyre kanë qenë: Ikonomi i Madh Vasil Marko, Kryetari i Bashkisë, drejtori i gazetës “Zëri i Korçës”, deputeti Llambi Bimbli etj. Ikonom Atë Josifi përshëndeti me një fjalë të shkurtër. Në qytet kish dalë për t’i pritur i gjithë populli pa dallim feje. Në pritje qenë rreshtuar edhe ushtria, nxënësit e shkollave, kleri ortodoks dhe mysliman, banda e bashkisë. Pati mjaft thirrje “Rroftë Kisha Autoqefale”. Në qytet u shkëmbyen fjalimet e rastit. Për këtë pritje Imzot Ambrozi tha: “Pritje të tilla u bëhen vetëm mbretërve” (Gazeta e Re, Nr. 119, 24.03.1929).
Në qytetin e Korçës mbretëroi atmosfera e gëzimit, e entuziazmit, sepse diçka e mirë pritej për kishën e gjithë vendin. Në Mitropoli mbizotëroi përkushtimi, puna e palodhur, e kujdesshme dhe shumë e disiplinuar, e cila iu përgjigj me shumë dinjitet haresë dhe gëzimit mbarëpopullor.
Sinodi i Shenjtë kishte vendosur që Kongresin e dytë ta drejtonte kjo pari: Kryetar Imzot Visarioni, nënkryetar Vasil Avrami, kryesekretar Dr. Zoi Xoxa dhe kujdestar Thoma Papapano. Të ngarkuarit me detyra kishin grupet e punës për organizimin dhe drejtimin e Kongresit. Më 16 qershor të 46 delegatët përfaqësues të klerit dhe të ortodoksëve shqiptarë u mblodhën në Korçë për të filluar punimet e Kongresit të dytë kishtar, që kishte rëndësi të veçantë historike. Në fillim u lexua përshëndetja e Mbretit: “Nuk duhet me harrue se mbi të gjitha duhet të mbretnojë ideali i Kombit dhe plotësimi i Atdheut” (Gazeta e Re, Nr. 190, 16.09.1929).
Në fjalën e tij Imzot Visarioni parashtroi përmbajtjen kryesore të Statutit dhe të Rregullores së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, parimet e përgjithshme që frymëzuan Sinodin e Shenjtë për hartimin e Statutit, të cilat janë: “Baza kanonike e Statutit është Ungjilli i Shenjtë, gojëdhanat e hirshme, rregullat e vendosura prej Sinodeve Ekumenike, me të cilat Kisha Ortodokse Autoqefale është lidhur dogmatikisht”.
Statuti sanksionoi Autoqefalinë e deklaruar në Berat më 12 shtator 1922, duke qenë dogmatikisht e bashkuar me patriarkitë e shenjta dhe me kishat e tjera ortodokse autoqefale, por administrativisht mbetej krejt më vete nën flamurin kombëtar.
Imzot Visarioni, i mbështetur në Statutin legal të komuniteteve fetare të miratuar në Kuvendin e vitit 1924, theksoi dhe kërkoi që gjuha zyrtare e Kishës të jetë gjuha shqipe, sepse kjo i ka të gjitha aftësitë e veta dhe kurorëzon përpjekjet shekullore më të hershme dhe të rilindasve. Një artikull i veçantë përcaktoi pavarësinë e kishës në mënyrë të prerë: “Kryepeshkopi, Peshkopët, Zëvendësit e tyre lokalë, Ikonomi i Madh Mitrofor, Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit… duhet të jenë prej gjaku e gjuhe Shqiptarë, si edhe të kenë nënshtetësinë Shqiptare”.
Ky është artikulli 16 i Statutit që u diskutua gjatë në Kongres, u shqyrtua edhe modeli i kishave të tjera. Ai kishte për qëllim të ruante mirëkuptimin e harmoninë shoqërore të brendshme dhe të mbylleshin përgjithmonë mospajtimet e ndryshme që sjellin vetëm ndarje në shtetin shqiptar.
Kongresi vazhdoi punimet 15 ditë. Në fund, mbasi miratoi statutin në parim, vendosi të krijojë një komision të posaçëm të përbërë nga: Mitrofor Vasil Marko, Vasil Avrami, Dhimitër Kacimbra, Taq Buda, Vasil Bakalli, Athanas Shundi, Llazar Bozo, Nikolla Haxhinasta, Kristaq Ikonomi, Thoma Papapano, Mihal Cane, Milto Maksakuli dhe Dr. Zoi Xoxa, të cilët do t’i jepnin statutit formën përfundimtare. Mbas 15 ditë diskutimesh, në orën 7.30 të datës 29 qershor të vitit 1929, të gjithë delegatët firmosën dokumentet për t’u miratuar në statut përfundimtar (definitiv). Ky Statut e vuri në themele të qëndrueshme Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Atë Vasil Marko në letrën që i ka dërguar ministrit të Brendshëm më 27-09-1922, ka shkruar: “Ne ju bëjmë të njohur se çështja kishtare vete shumë mirë. Ne këtu jemi në themele të çelikta thjesht kombëtare, nuk tundemi, por vetëm një gjë na pengon, ajo është financa”. (AQSh. Koleksion fondesh. D. 1519. viti 1922) Ky amanet i Kongresit Kishtar të Beratit u përmbush më së miri në Kongresin e dytë kishtar gjithortodoks të Korçës më 29 qershor të vitit 1929.
Si zgjidhej kryepeshkopi ortodoks në bazë të Statutit
Për lexuesin e sotëm po e japim të plotë tekstin e këtij Statuti, sepse ai ka vlera shumë të çmueshme edhe për ditët tona.
STATUTI I KISHËS ORTHODHOKSE AUTOQEFALE TË SHQIPËRISË
KORÇË 1929
Gjithë kleri dhe populli Orthodhoks i Mbretërisë Shqiptare, i përfaqësuar prej Delegatëve fuqiplotë të mbledhur në Kongresin e Dytë që u mbajt në Korçë, voton me një zë statutin definitiv të Kishës Orthodhokse Shqiptare, të prokllamuar Autoqefale në Kongresin e Beratit më datë 12 Shtator 1922.
KAPTINA I
KISHA
Art. 1. – Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, pjesë e pandarë e së Shenjtës Kishë të Përgjithshme dhe Apostolike, përbëhet prej tërë banorëve të Mbretërisë Shqiptare që i besojnë Krishtit dhe pohojnë Simbolin e Shenjtë të Fesë Orthodhokse (to simvolon tis pisteos) dhe ruan të patundshme gjith sa pranon Kisha e Shenjtë Lindore e Krishtit, Themelonjës e Krye i së cilës është Zoti dhe Perëndia jonë Jisu Krishti.
Art. 2. – Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është e bashkuar dogmatisht dhe shpirtërisht me të gjitha Patriarhit’ e Shenjta dhe me Kishat Orthodhokse Autoqefale dhe ruan, pa ndonjë ndryshim, si të gjitha Kishat e tjera Orthodhokse të Krishtit, burimet e besimit, shkrimet e shenjta dhe gojëdhanat e Hirshme (Again Grafin qe Hieran Paradhosin) si dhe kanonet e Shenjta Apostolike dhe Sinodike.
Art. 3. – Gjuha zyrtare e Kishës është Shqipja.
Art. 4. – Autoriteti më i lartë i Kishës Orthodhokse Autoqefale Shqiptare është Sinodhi i Shenjtë Peshkopal i përbërë prej Peshkopëve aktivë të çdo Dhioqeze, prej Ikonomit të Madh Mitrofor dhe i kryesuar prej Mitropolitit të Qendrës, Kryepeshkopit të gjithë Shqipërisë.
Titulli zyrtar i Sinodhit është: “Sinodhi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”. Peshkopata e Qendrës merr titullin “Mitropoli” dhe titullari i saj quhet Mitropolit i asaj Dhioqeze dhe Kryepeshkop i gjithë Shqipërisë, Peshkopët e tjerë mbajnë titullin Peshkop dhe Dhioqezat e tyre Peshkopata.
Art. 5. – Kisha Orthodhokse Shqiptare është person juridik dhe trashëgon të gjithë titujt dhe të drejtat e komuniteteve Orthodhokse të gjertanishme.
KAPTINA II
SINODHI I SHENJTË DHE DETYRAT E TIJ
Art. 6. – Sinodhi i Shenjtë: Rregullon Kishën Autoqefale të Shqipërisë për sa i përket besimit, adhurimit (Latria), disiplinës Kishtare, organizimit dhe administrimit të brendshëm të Kishës në bazë të dogmave dhe të kanoneve të Shenjta dhe në konformitet me Ligjet e Shtetit;
Ushtron kontrollimin mbi veprimet e Peshkopëve dhe të organeve të Kishës, sipas rregullave Kishtare; themelon dhe mban Shkolla Fetare;
Harton programet e tyre dhe i mbikëqyr me anën e Peshkopëve;
Përkujdeset për edukatën fetaro-Kombëtare, për kulturën dhe për të kryerit e detyrave të Klerikëve e të Murgjve;
Kujdeset për edukatën fetare të popullit Orthodhoks me anën e predikimeve Kishtare, të mësimeve Fetare edhe të redaktimit e të botimit të librave dhe të revistave Fetare.
Art. 7. – Asnjë libër nuk mund të përdoret në Kishë pa pëlqimin zyrtar të Sinodhit, kështu dhe në shkollë për mësimet e fesë Orthodhokse pa pëlqimin zyrtar të Sinodhit dhe të Ministrisë s’Arësimit.
Art. 8. – Librat e Kishës që janë përkthyer do të këqyren prej Sinodhit, i cili e ka për detyrë të kujdeset sa më shpejt për përkthimin dhe botimin e atyre librave të Kishës që mungojnë.
Art. 9. – Sinodhi i Shenjtë detyrohet të vejë re që çdo vepër e paraqitur me anë botimesh, gravurash, çfaqjesh theatrale ose kinematografike dhe konferencash publike të mos cënojë ose çnderojë dogmat dhe dispozitat e Orthodhoksisë ose përgjithësisht Klerin si dhe format e tij dhe, n’e paftë t’arsyeshme të kërkojë ndërhyrjen e autoritetevet në komformitet me ligjet e Shtetit. Kryesia e Sinodhit me pëlqimin e anëtarëvet vendos t’u japë diploma merite atyre që i kanë shërbyer çështjes Kishtare.
MBLEDHJA E SINODHIT TË SHENJTË
Art. 10. Sinodhi mblidhet rregullisht dhe medoemos një herë në vit. Koha e mbledhjes është ipso fakto data 1 Tetor. Mbledhja do të mbajë jo më pak se 15 ditë dhe jo më tepër se një muaj. Kryepeshkopi, për nevoja të domosdoshme dhe me pëlqimin e shumicës së anëtarëve, provokon dhe mbledhje të jashtëzakonshme të Sinodhit. Kryetari çel dhe mbyll mbledhjet.
Art. 11. – Sinodhi ka kuorum kur ndodhen prezentë gjysma plus një e numrit të të gjithë anëtarëve. Po kurdoherë mbledhje legale mund të bëhet vetëm kur përveç Kryepeshkopit ndodhen dhe dy anëtarë të tjerë. Në mungesë të Kryepeshkopit, në rast që ky është pushuar, Sinodhi kryesohet prej më të vjetrit në dorëzim; në raste të tjera Sinodhi kryesohet prej Peshkopit t’autorizuar nga Kryetari me kompetencë të caktuar.
Art. 12. – Vendimet e Sinodhit merren me shumicë votash. Në rast njësie provokohet një mbledhje e dytë, në të cilën, në qoftë se ka përsëri njësi votash, paravlen ana e Kryetarit.
Art. 13. – Sinodhi ka dhe një Sekretar të Përgjithshëm, i cili proponohet prej Sinodhit dhe emërohet me dekret të Kryepeshkopit. Cilësit’e Sekretarit të Përgjithshëm caktohen në Rregulloren e Administrimit të përgjithshëm.
KAPTINA III
PESHKOPATAT
Art. 14. – Kisha Orthodhokse Autoqefaale e Shqipërisë ndahet në katër Peshkopata:
a) Peshkopata e Korçës, Përmetit, Voskopojës, Leskovikut dhe Kolonjës.
b) Peshkopata e Durrësit, Tiranës, Shkodrës, Kavajës, Elbasanit, Shpatit, Gorës, Mokrës, Pogradecit dhe Dibrës.
c) Peshkopata e Beratit, Vlorës, Myzeqesë dhe Kaninës.
ç) Peshkopata e Gjinokastrës, Delvinës, Dropullit, Pogonit dhe Himarës, me kufijtë që ka pasë gjer më sot gjithsecila prej këtyre.
Kufijtë e Peshkopatave mund të ndryshohen me proponimin e Sinodhit, me pëlqimin e Qeverisë dhe me dekret Mbretnor.
Qendra e Kishës Autoqefale caktohet me dekret mbretnor. Gjersa të dalë dekreti relativ Kryesia e Kishës qëndron në Korçë.
Peshkopë pa Dhioqezë nuk mund të jenë më tepër se dy.
Art. 15. – Kryepeshkopi zgjidhet prej Sinodhit për gjithë jetën e tij. Në rast që Kryepeshkopi i zgjedhur prej Sinodhit nuk pëlqehet prej Mbretit, Sinodhi detyrohet të zgjedhë një tjetër, të cilin i a paraqit Mbretit për pëlqim dhe dekretim. Të gjithë këto veprime për zgjedhje, propozim dhe refuzim mbahen sekrete.
Gjithë në këtë mënyrë zgjidhen dhe Peshkopët e tjerë.
CILËSITË E PESHKOPËVE
Art. 16. – Kryepeshkopi, Peshkopët, Zëvendësit e tyre lokalë, Ikonomi i Madh Mitrofor, Sekretari i Përgjithshëm i Sinodhit, si dhe ndihmësit e Zëvendësit Klerikë të Kryepeshkopit dhe të Peshkopëve, duhet të jenë prej gjaku e gjuhe Shqiptarë, si edhe të kenë nënshtetsinë Shqiptare.
Art. 17. – Kryepeshkopi dhe Peshkopët e Shqipërisë që do të dorëzohen, përveç cilësive t’Artikullit 16 duhet të kenë dhe cilësitë që kërkojnë kanonet e Kishës, si dhe të kenë mbaruar një Fakultet Theollogjie.
Në rast nevoje, gjer më pesë vjet pas hyrjes në fuqi të këtij Statuti, mund të dorëzohet Peshkop edhe ay që ka dipllomë fakulteti drejtësie, filologjie ose të një Seminari Orthodhoks në gradë Liceu.
Art. 18. – Kryepeshkopi dhe Peshkopët e tjerë më parë se të fillojnë në detyrën e tyre detyrohen të bëjnë betimet e shënuara më poshtë, një përpara Mbretit, një përpara Sinodhit të Shenjtë.
[b]Betimi përpara Mbretit është:
Betohem dhe premtoj mbi nderin t’im (si Kryepeshkop ose Peshkop) përpara Perëndisë se do të jem kurdoherë besnik i Mbretit të Shqiptarëvet, i Atdheut dhe i Statutit të Mbretërisë. Detyrohem të ve në be në këtë mënyrë dhe gjithë Klerikët që do të dorëzohen prej meje.
Betimi përpara Sinodhit është:
Betohem mbi ndërgjegjen t’ime (Kryepeshkopale ose Peshkopale) përpara Perëndisë se do të ruaj besnikërinë kundrejt dogmave, kanoneve dhe rregullave Kishtare që përmbajnë bashkimin dogmatik fetar dhe soilidarësinë me Patriarhitë dhe Kishat Orthodhokse Autoqefale të botës.
TRANSFERIME
Art. 19. – Kryepeshkopi dhe Peshkopët janë të përjetshëm në Dhioqezat e tyre përveç rasteve të parashikuara në këtë Statut.
Art. 20. – Peshkopët mund të transferohen me vendimin e Sinodhit dhe pas pëlqimit e dekretimit Mbretëror.
PUSHIME
Art. 21. – Pushimi i Kryepeshkopit, i Peshkopëvet dhe i Ikonomit të Madh Mitrofor bëhet për faje të rënda dogmatike dhe kanonike, për faje ordinare dhe për arësye ekstraordinare.
a) Për faje të rënda dogmatike e kanonike gjykohen prej një këshille dymbëdhjetë vetash, përveç Kryetarit, të përbërë prej gjithë anëtarëve të Sinodhit të Shenjtë, përveç të akuzuarit prej Peshkopëve Titullarë dhe prej graduatësh Klerikë gjer në numrin e sipërcaktuar, gjashtë prej të cilëve i zgjedh i akuzuari. Vendimi jepet me tri të katërtat e votavet e me vota të fshehta, pasi të dëgjohet më parë apologjia e të akuzuarit.
b) Për faje ordinare Kryepeshkopi, Peshkopët dhe Ikonomi Madh Mitrofor pushohen në rast dënimi kundër lirisë personale në një ndëshkim më tepër se një vit dhe sikur këtij ndëshkimi të mos i jetë shtuar ndalimi nga ofiqet publike; dhe kur dënohen me burgim të rëndë, ose me dënime të fajeve relative për fallsifikim, vjedhje, mashtrim, keqpërdorim besimi dhe atentate kundër zakoneve të mira. Në këto raste dhe Sinodhi detyrimisht vendos pushimin e tyre.
c) Për arsye ekstraordinare, të shpjeguara drejt për drejt e me dekret mbretëror Kryepeshkopi, Peshkopët dhe Ikonomi i Madh Mitrofor, për veç rasteve të përmendura në paragrafin e sipërm, largohen me një herë nga detyra me dekret mbretëror.
Në rast dekretimi largimi prej detyre i Kryepeshkopit, ky zëvendësohet me një herë prej Peshkopit më të vjetër në dorëzim; në rast dekretim largimi të një Peshkopi, Kryepeshkopi emëron me një herë Zëvëndësin e përgjithshëm.
Në rast pushimi të tillë brenda dyzet ditëve ipso fakto, mblidhet Sinodhi i cili bashkë me pushimin e të larguarit, vendos zgjedhjen e Peshkopit për përmbushjen e Dhioqezës vakante.
Në rast pushimi të Kryepeshkopit, për çfarëdo arësye, ky ka të drejtë të marrë një rrogë të përmuajshme prej pesëqind frangash ari.
Gjithashtu në rast pushimi për çfarëdo arsye të Peshkopëvet dhe të Ikonomit të Madh Mitrofor, këta marrin nga një rrogë të përmuajshme prej 300 fr. ari. Art. 22. Kryepeshkopi, Peshkopët dhe Ikonomi i Madh Mitrofor, për shkak sëmundjeje kronike ose pleqërie, të cilat nuk u përmetojnë të përmbushin detyrat e tyre Peshkopale, kanë të drejtë t’i paraqisin kanonikisht dhe me të shkruar dorëheqjen e tyre Sinodhit, i cili vendos. Po Sinodhi mundet edhe motu proprio të çfaqi mejtimin mbi sëmundjen ose pleqërinë e tyre pas një raporti prej pesë mjekësh të zgjedhur dy prej Sinodhit vetë, dy prej të sëmurit dhe një prej Drejtorisë së P. të Shëndetësisë.
Në qoftë se Kryepeshkopi ose Peshkopët nuk japin dorëheqjen brenda dy javëve prej datës së komunikimit, Sinodhi me një herë emëron një ndihmës Peshkop, i cili merr përsipër administrimin e Peshkopatës.
Kryepeshkopi dhe Peshkopët të deklaruar të pamundur mbajnë titullin e tyre dhe përmenden në Kishë e në ceremonitë e Shenjta prej ndihmësit Peshkop dhe prej gjithë Klerit, po nuk ushtrojnë asnjë veprim administrativ dhe nuk marrin asnjë pjesë aktive n’administrimin e Kishës. Në qoftë se Doktorët raportojnë pamundërinë e tyre, ata japin dorëheqjen duke marrë nga arka e përgjithshme e Kishës një shpërblim të përmuajshëm për Kryepeshkopin gjashtëqind franga ari, dhe për Peshkopët katërqind fr. ar.
DETYRAT E PESHKOPËVE
Art. 23. – Kryepeshkopi dhe Peshkopët në Dhioqezat e tyre janë autoriteti Kishtar dhe ushtrojnë të gjitha detyrat që janë caktuar në kanonet e Shenjta, në rregulloret Kishtare dhe në këtë Statut. Ata janë në juridiksionin e Sinodhit dhe ekzekutojnë vendimet dhe urdhërat e tij, sipas dispozitave të këtij Statuti. Për çdo kundërvajtje ose pakujdesi në detyrat e tyre Kishtare janë përgjegjës përpara Sinodhit. Në gusht të çdo viti janë të detyruar të paraqesin një raport të veprimeve të tyre dhe të gjendjes së Peshkopatës. Ky raport këndohet përpara Sinodhit dhe mosparaqitja e tij konsiderohet si një shkelje detyre.
Art. 24. – Kryepeshkopi dhe Peshkopët në Dhioqezat e tyre, si në Qendër ashtu dhe në rrethet e saj, ushtrojnë të gjitha detyrat të imponuara prej kanοneve Kishtare; Celebrojnë Misteret e Shenjta; Predikojnë fjalën e Shenjtë; konsakrojnë Kishat e Shenjta; përkujdesen që të përmbushin të gjitha shërbesat fetare, sipas dispozitave tipike relative; përkujdesen për zbukurimin e hijshëm të Kishave si dhe të Ikonave të Shenjta, vendosja e të cilave kërkon autorizimin e tyre të mëparshëm; përkujdesen për enët e petkat e Shenjta dhe për çdo gjë tjetër që përdoret në Kishë.
Art. 25. – Kryepeshkopi dhe Peshkopët detyrohen të shëtisin një herë në vit nëpër Dhioqezat e tyre për përmbushjen e detyrave Peshkopale.
Kryepeshkopi për Dhioqezën e tij mund t’ia ngarkojë këtë detyrë ndihmësve Peshkopë ose në mungesë Zëvendësit të tij.
Art. 26. – Asnjë Peshkop nuk mund të largohet prej Dhioqezës së vet pa marrë leje nga Kryetari i Sinodhit dhe gjithashtu nuk mund të qëndrojë në Peshkopatën e një peshkopi tjetër pa autorizimin e këtij.
Art. 27. – Kryepeshkopi dhe Peshkopët emërojnë Zëvendësit e Tyre në konformitet me Artikullin gjashtëmbëdhjetë (16) të këtij Statuti.
Art. 28. – Ikonomi i Madh Mitrofor është i detyruar të kryej çdo mision që i ngarkohet prej Sinodhit dhe merr pjesë në të me të gjitha të drejtat e çdo anëtari.
Në rast që mbetet vakant vendi i Ikonomit të Madh Mitrofor, nuk zëvendësohet me tjetër person dhe ky ofiq suprimohet.
KAPTINA IV
MASA DISIPLINORE
Art. 29. – Kryepeshkopi dhe Peshkopët, për gabime të lehta Kishtare të Klerikëve dhe të Murgjve që ndodhen në juridiksionin e tyre, pasi të dëgjohet më parë i akuzuari, kanë të drejtë të ndëshkojnë në mënyrë të prerë dhe pa tjetër formalitet procedure:
a) me qortim;
b) me pezullim (argji) nga çdo shërbim fetar gjer më pesëmbëdhjetë ditë.
Për këto ndëshkime Peshkopi mban një procesverbal, i cili ruhet në arkivat e Peshkopatës.
Art. 30. – Në qendrën e çdo Peshkopate ekziston një Këshillë Kishtare disiplinore, e cila gjykon fillimisht për faje fetare Klerikët dhe Murgjit që ndodhen në juridiksionin e saj ose qëndrojnë n’atë Peshkopatë. Kjo Këshillë Kishtare përbëhet prej Peshkopit vetë si kryetar dhe prej katër Priftërinjve si anëtarë. Këta emërohen dhe pushohen prej Peshkopit dhe emërimi ose pushimi i tyre i njoftohet Sinodhit. Kryepeshkopi dhe Peshkopët mund të formojnë Këshillën Kishtare disiplinore edhe jashtë Qendrës. Vendimet merren me shumicë votash. Kur Kryepeshkopi dhe Peshkopët ndodhen të penguar, vendin e tyre e zënë zëvendësit Klerikë. Kjo Këshillë përbëhet kurdoherë prej pesë anëtarësh dhe plotësohet në mungesë me ndonjë prej tyre.
Art. 31. – Këshilla Kishtare ka të drejtë të japë këto ndëshkime:
a) Qortim
b) Pezullim (argji) nga çdo shërbesë fetare jo më tepër se një vit;
c) Prerje rroge të shoqëruar me ose pa pezullim gjer në një vit.
Ndëshkimet me qortim dhe me pezullim (argji) gjer më 40 ditë janë të prera; të tjerat janë të apelueshme nga ana e t’akuzuarit përpara Këshillës disiplinore të përhershme në qendrën e Kishës.
Në qoftë se një klerik akuzohet për një faj të rëndë që provokon skandal, Kryepeshkopi ose Peshkopi mund t’a ndalojë këtë me një herë nga shërbesa fetare po jo më tepër se dy muaj.
KAPTINA V
KËSHILLA DISIPLINORE E PËRHERSHME
Art. 32. – Në qendrën e Kishës krijohet një Këshillë Disiplinore e përhershme që përbëhet prej Kryepeshkopit si Kryetar dhe prej katër anëtarëve, Peshkopë ose Klerikë graduatë, të zgjedhur prej Sinodhit. Ky zgjedh katër anëtarë suplementarë për të zëvendësuar anëtarët në rast mungese.
Kur Sinodhi ndodhet i hapur, detyrën e kësaj Këshille e përmbush ai vetë.
Të gjitha vendimet e Këshillës Disiplinore të përhershme merren me shumicë votash.
Art. 33. – Këshilla Disiplinore e përhershme gjykon:
a) Apelisht dhe defitinivisht vendimet e apelueshme të këshillave disiplinore të Peshkopatave;
b) Fillimisht fajet e rënda të cilat, pas vendimit të Këshillës Disiplinore Peshkopale, sjellin dënime më të mëdha se ato të shënuara në artikullin 30, si dhe fillimisht çgradimin definitiv (katheresin).
Vendimet e dhëna fillimisht prej Këshillës Disiplinore të përhershme apelohen përpara Sinodhit.
Art. 34. – Apeli i vendimeve të dhëna prej Këshillës Disiplinore të peshkopatave dhe të Këshillës disiplinore të përhershme bëhet brenda 30 ditëve prej datës në të cilën i komunikohet të dënuarit vendimi. Ky komunikim do t’i bëhet të interesuarit brenda 15 ditëve prej datës së vendimit.
Kërkesa e apelit i dorëzohet Kryetarit të Këshillës që dha vendimin, i cili brenda 15 ditëve e dërgon në Këshillën Disiplinore të përhershme.
Art. 35. – Sinodhi gjykon a) Apelisht dhe definitivisht të gjitha vendimet e dhëna Këshillës Disiplinore të përhershme; b) Peshkopët dhe Ikonomin e Madh Mitrofor për faje të lehta.
Vendimet e dhëna prej Këshillave Disiplinore me pezullim zbatohen menjëherë.
Art. 36. – Kryepeshkopi për faje të lehta dhe të rënda Kishtare gjykohet përpara Këshillës së formuar sipas artikullit 21 a.
Art. 37. – Të gjitha vendimet që sjellin pushimin e Kryepeshkopit, të Peshkopëve dhe të Ikonomit të Madh Mitrofor i paraqiten Mbretit për dekretim.
Art. 38. – Ekzekutimi i dënimit për çgradim (katheresis) i klerikëve bëhet sipas kanonevet Kishtare dhe i dënuari me çgradim detyrohet të nxjerrë petkat fetare dhe shenjat e tjera të ofiqit, për ndryshe dënohet në bazë të artikullit 214 të Kodit Penal.
KAPTINA VI
ORGANIZIMI I ADMINISTRIMIT TË PASURISË
Art. 39. – Kishat, Manastiret dhe pasuritë e tyre të tundshme dhe të patundshme si dhe ato të komunitetit Orthodhoks janë të siguruara në komformitet me ligjet e Shtetit.
Art. 40. – Burime financiare të Kishës janë:
a) Të ardhurat e Kishave dhe të Manastireve si dhe të pasurive të komunitetit Orthodhoks;
b) Subvensioni i dhënë prej shtetit për ndihmën e kishës;
c) Pagesa fakultative si dhe çdofarë dhurate ose ndihme e dhënë prej Shqiptarëve.
Art. 41. – Kryepeshkopi dhe Peshkopët e çdo Dhioqeze kanë të drejtë të mbledhin ndihmat fakultative të zakonshme për dobinë e Kishës ose personale të tyre nga çdo familje Orthodhokse, siç do të caktohet në rregullore.
Art. 42. – Asnjë pasuri e patundshme kishtare ose manastiriale si edhe e komunitetit Orthodhoks nuk mund të jetërsohet pa vendimin e Këshillës Mikst, për ndryshe jetërsimi është i pavlefshëm.
Mënyra e administrimit dhe e çfrytëzimit të pasurive të tundshme dhe të patundshme si edhe mënyra e shitjes së pasurive të tundshme të Kishave, Manastireve dhe komuniteteve Orthodhokse caktohet në Rregulloren e përgjithshme t’administrimit.
Art. 43. – Autoritetet e Kishës Autoqefale detyrohen t’i paraqesin kur të kërkohen, inspektorit të Ministrisë së Drejtësisë të gjitha llogaritë e t’ardhurave e të të prishurave. Në rast që konstatohet se është bërë abuzim, kundërvepronjësit dërgohen në gjyq prej Ministrisë së Drejtësisë dhe dënohen sipas dispozitave të Kodit Penal.
KAPTINA VII
KËSHILLA MIKST
Art. 44. – Për administrimin dhe kontrollimin e pasurive të Kishave, të Manastireve, të komuniteteve Orthodhokse të çdo lloji dhurate dhe ndihme si dhe të subvensionit të shtetit krijohet në Qendrën e Kishës një këshillë me emrin “Këshilla Mikst” e përbërë prej të gjithë anëtarëve të Sinodhit dhe prej katër Laikësh, një për çdo Dhioqezë, nën kryesinë e Kryepeshkopit.
Të zgjedhurit e Laikëvet në fjalë dhe kompetenca si dhe të drejtat e tyre do të caktohen në Rregulloren e administrimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale. Për këtë herë katër anëtarët laikë zgjidhen prej kongresit.
Rregullorja e administrimit të përgjithshëm do të elaborohet prej Këshillës Mikst së cilës do t’i shtohen edhe katër anëtarë laikë një prej çdo Dhioqeze të zgjedhur po prej këtij kongresi. Në Rregulloren do të caktohen rrogat dhe shpërblimet e Kryepeshkopit, Peshkopëve dhe Ikonomit të Madh Mitrofor si dhe të nëpunësve të tjerë klerikë dhe laikë; do të formulohet mënyra e zgjedhjeve të Pleqësive Kishtare (Dhimogjerondive) dhe të kujdestarëve të Kishave e të Manastireve.
Kjo Rregullore do të elaborohet prej Këshillës Mikst, të formuar si më sipër, brenda gjashtë muajve pas datës së dekretimit të këtij Statuti.
Art. 45. – Këshilla Mikst harton për çdo vit buxhetin preventiv të përgjithshëm të Kishës, një kopje e të cilit i paraqitet Ministrisë së Drejtësisë për veprimet e parapara në dispozitat e Rregullores së përgjithshme t’administrimit.
Art. 46. – Pasuritë e tundshme dhe të patundshme që u janë lënë komunitetevet Orthodhokse, Kishave ose Manastireve me një qëllim mirëbërës të caktuar, ndodhen nën kontrollimin e Kishës e cila përkujdeset për të kryerit e qëllimit dhe për ekzekutimin e dëshirës së dhuronjësit.
Art. 47. – Pranë Kryekishës krijohet Arka e përgjithshme në të cilën hyjnë të gjitha të ardhurat e Kishës sipas artikullit 40 dhe prej kësaj bëhen pagesat sipas Rregullores së administrimit.
Art. 48. Çdo zëvendës lokal bashkë me Pleqsinë Kishtare harton Buxhetin preventiv të përvitshëm për të gjitha të ardhurat dhe të prishurat të juridiksionit të tij për pasuritë e komunitetevet Orthodhokse dhe për pasuritë dhe të ardhurat e Kishavet. Ky buxhet i dërgohet Peshkopatës kompetente gjer më një gusht. Peshkopata, pasi të mbledhë buxhetet e të gjithë Dhioqezës së saj, me vërejtjet e duhura, ia dërgon Qendrës brenda 30 ditëve.
Art. 49. – Për çdo Manastir hartohet një buxhet i veçantë, i cili më një gusht i paraqitet Peshkopatës dhe kjo ia dërgon Qendrës me vërejtjet e duhura dhe bashkë me buxhetet e tjera për aprovim.
Art. 50. – Viti financiar i Kishës fillon më një janar dhe buxheti preventiv i dërgohet çdo Peshkopate përpara kësaj date.
Buxheti konsumativ hartohet brenda muajit mars për të ardhurat dhe të prishurat e vitit të shkuar. Ky buxhet, bashkë me tepricën e t’ardhuravet, i dërgohet çdo Peshkopate brenda muajit mars. Teprica e t’ardhurave të Manastireve i dërgohet Qendrës në çdo 6 muaj.
Art. 51. – Në qendrën e Kishës ndodhet një Këshillë ekonomike e përhershme që përbëhet prej Kryepeshkopit dhe katër laikëve. Këta të fundit zgjidhen prej Këshillës Mikst dhe detyrat e tyre caktohen në Rregullore.
Art. 52. – Në Arkën e Përgjithshme të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nuk mund të mbahen më tepër se katër mijë fr. ari, teprica depozitohet në një nga Bankat Shqiptare n’emrin e saj dhe tërhiqet sipas dispozitave të Regullores s’administritimit. Art. 53. Rregullorja e Administrimit të përgjithshëm për të hyrë në fuqi, duhet të aprovohet nga Ministria e Drejtësisë.
KAPTINA VIII
Art. 54. – Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë detyrohet në çdo meshë të bëjë lutje për Mbretin, për gjithë Kombin Shqiptar dhe për ushtrinë.
Art. 55. – Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë n’asnjë mënyrë nuk mund të pranojë, në çdo emër qoftë, dhurata nga një fuqi e huaj dhe veprimi i kundërt shkakton zbatimin e dispozitave të ligjës mbi fajet politike.
Art. 56. – Sinodhi do të veprojë për përmirësimin që kërkojnë konditat shoqërore të sotme mbi sa u përket zakoneve fetare.
Art. 57. – Asnjë klerik nuk mund të funksionojë fenë orthodhokse në Shqipëri pa qenë i emëruar dhe i lidhur me Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Art. 58. – Të gjithë ata Klerikë për të cilët flet artikulli 16 dhe që ndodhen në shërbim të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilët nuk kanë konditat e lypura prej atij artikulli, që ditën e aprovimit të këtij Statuti janë të pushuar nga funksioni Fetar klerikal.
Art. 59. – Asnjë laik ose Murg nuk mund të dorëzohet Prift ose Dhjak pa pasur pëlqimin e Sinodhit dhe pa pasur diplomën e Seminarit Orthodhoks.
Art. 60. – Të gjitha marrëdhëniet që do të ketë Kisha Autoqefale e Shqipërisë me Qeverinë Mbretërore do të bëhen me anën e Ministrisë së Drejtësisë.
Art. 61. – Çdo Peshkopatë ka vulën e saj në të cilën do të jetë shkruar: Peshkopata e (Emri i Dhioqezës).
DISPOZITAT E FUNDIT
Art. 62. – Në rast herezie të një pjese ose të gjithë popullsisë Orthodhokse të një krahine, Kishat, Manastiret dhe pasuritë e tyre i mbeten Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Art. 63. – Në asnjë mënyrë nuk mund të ndryshohen, të modifikohen ose të abrogohen artikujt 1,2, e 3. Art. 64. Mund të ndryshohen me vendim të Këshillës Mikst bashkë me Këshillën e përhershme artikujt: 10; 14 a, b; 25; 40; 48; 49; 52 e 60.
Dispozitat e tjera të këtij Statuti mund të ndryshohen me vendim të një kongresi tjetër.
Ky statut i paraqitet Qeverisë për të marrë formën ligjore.
Korçë, 29 Qershor, 1929.
Sinodi i Shenjtë në shkurt të vitit 1929 u krijua me episkopë kanonikë shqiptarë që e kishin dhe kulturën kishtare për të hedhur themelet e shëndosha të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë (K.O.A.Sh):
Visarion Xhuvani kishte mbaruar studimet e mesme dhe të larta teologjike në Athinë, Agathangjel Çamçe ishte edhe me përvojën e lëvizjes kombëtare shqiptare. Më 1922 mori gradën e Arkimandritit dhe më 1929 u hirotonis dhe u emërua episkop në Berat Ikonomi i Madh Mitrofor Atë Vasil Marko, i cili në Kongresin e Beratit u zgjodh Kryetar i Këshillit të Lartë. Në këtë Kongres edhe Arkimandrit Ambrozi u emërua episkop i Gjirokastrës.
Kongresi i dytë kishtar i Korçës miratoi Statutin e përhershëm (definitiv) të K.O.A.Sh-it, Rregulloren e K.O.A.Sh-it dhe forumet drejtuese të kishës. Kjo qe përgjigjja më e mirë ndaj pretendimeve absurde të Patriarkanës së Stambollit dhe të Patriarkanës greke, që penguan gati 7 vjet rrugën e autoqefalisë për Kishën Ortodokse Shqiptare.
Në mbyllje të punimeve të Kongresit kishtar të Korçës Imzot Visarioni bëri deklaratën e tretë për të paraqitur përmbledhtas përfundimet e Kongresit: “Tue ndjekë udhën e shembullat e shenjta të mbledhjeve të hirshme të kohëve të lumtuna të Apostujve, bamë më 1 qershor të vitit 1929 thirrjen për mbledhjen e gjithë vllezënve dhe bijve tanë në Krisht, meshtarë dhe laikë të krishtenë ortodoksë të Shqipnisë, bamë thirrje për t’u mbledhun në Kongresin e dytë Kishtar në Korçë.
Ekzakt të dielën kur u mblodh në Niqea Sinodi i parë Egumenik para 1604 vjetësh në prezencë të mbretit Kostandin i Madh, edhe këtu, më 16 qershor 1929 përfaqësuesit e klerit të popullit të gjithë Shqipnisë, në prezencë të përfaqësuesit të Mbretit, banë thirrje të përzemërta në Perëndi për me lypë hirin e shpirtit të shenjtë” (Gazeta e Re. 16.7.1929).
Deklarata e Kryeepiskopit Imzot Visarion Xhuvanit paraqiti çështjet më të rëndësishme të Statutit përfundimtar, duke dhënë edhe përfundimet historike të këtij kuvendi të rëndësishëm kishtar:
– “Kisha Ortodokse e Shqipnisë asht pjesë e pandame e kishës së shenjtë, që asht pjesë e përgjithshme apostolike dhe përbahet prej gjithë ortodoksëve të Shqipnisë, asht e bashkueme me të gjitha patriarkitë e shenjta dhe me kishat ortodokse të botës.
– Gjuha zyrtare e kishës asht shqipja.
– Autoriteti ma i naltë asht Sinodi i Shenjtë episkopal, i përbamë nga Kryeepiskopi, Episkopët, zavendësat e tyne, Ikonomi i Madh Mitrofor, të cilët duhet të jenë prej gjaku dhe gjuhe shqiptarë dhe nënshtetas shqiptarë.
– Vendimet e Statutit kërkojnë vendosjen e rregullit, të disiplinës dhe zbatimin e urdhnave të eprorëve. Disiplina e fortë, kultura, morali dhe zakonet e mira janë shtylla për të mbajtë ndërtesën shpirtnore të kishës së shenjtë.
– Asnji pasuni kishtare e tundshme ose e patundshme të mos përdoret, veç për misionin e shenjtë shpirtnor të kishës, për këtë qëllim u formuen këto organe:
– a) Sinodi i Shenjtë për qeverisjen shpirtnore.
– b) Këshilli Mikst (i përziem) i përbamë prej Sinodit dhe katër antarëve laikë, që do të kujdeset për kontrollin dhe rregullimin e pasunive. c ) Këshilli administrativ i përhershëm ekonomik financiar.
Qëllimi kryesor i kësaj mbledhjeje të përgjithshme asht bashkimi shpirtnor i gjithë të krishtenëve për të sigurue solidaritetin e gjithë atyne që bajnë grigjën e anijes shpëtimtare që ka emnin e bekuem “Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipnis”. Qëllimi tjetër asht që të vemë të gjitha fuqitë tona për organizimin dhe rregullimin e mirë të saj”.
Kongresi i dytë kishtar i Korçës e gjykoi të domosdoshme hartimin dhe miratimin e Rregullores së K.O.A.Sh-it, e cila do të ishte shtylla e dytë e çeliktë mbi të cilën do të mbështetej veprimtaria e Kishës. Për qartësimin e ideve të Rregullores korrespondenti i “Gazetës së Re” mori këtë intervistë prej Imzot Visarion Xhuvanit:
“Intervistë me Kryetarin Imzot Visarion
Kongresi panortodoks i Korçës votoi Statutin por me që s’kishte kompetencë të votonte rregulloren e la këtë të hartohej prej nji komisioni kompetent brenda 6-muejve. Unë nuk mund të qeveris Kishën pa ligje relative të administrimit të saj të përgjithshëm. Prandaj urdhënova këshillin e caktuem prej Kongresit për hartimin e rregullores në fjalë, të mblidhet menjiherë pas mbylljes së Kongresit e brenda 10 ditëve rregullorja të jetë e kryeme.
Me kohë kam hartue projektin relativ dhe sot ditën e ejte në ora 5 pasdreke, fillojmë mbledhjen e Këshillit Mikst bashkë me 4 anëtarët që janë zgjedhun posaçërisht për hartimin e rregullores. Mbledhjet do të zhvillohen përditë në orën 5-8 në pallatin e Mitropolisë së Korçës dhe janë të hapuna.
Për hir të kësaj Rregulloreje që ka randësi të madhe për Kishën iu luta Qeverisë të më lejë në dispozicion edhe Z. Kov Deliana, Kryetar i Këshillit të Shtetit, i cili ka bamë studime të posaçme të ekonomisë politike dhe sa për pikpamjen gjuhësore Kostaq Cipon, profesor në Liceun e Korçës.
(Gazeta e Re. Nr. 206. 9.7.1929)”
Çfarë parashikonte Rregullorja e KOASH-it
Imzot Visarioni hapur dhe me shumë çiltëri ftoi për diskutimin e Rregullores Administrative të Kishës të gjithë njerëzit dashamirës e të interesuar. Mbledhjet e hapura dëshmuan për një transparencë shembullore në shqyrtimin e çështjeve të Rregullores dhe grupi që punoi mundi të vjelë mendimin më racional për mbarëvajtjen e veprimtarisë kishtare. Kjo transparencë shembullore është mbështetur dhe realizuar sipas traditës së kuvendeve popullore shqiptare, ku kanë të drejtë të barabartë të gjithë të shprehin mendimin dhe qëndrimin e tyre dhe fuqia e argumentit është përcaktuese në marrjen e një vendimi dhe jo sasia e pjesëmarrësve që votojnë formalisht për të.
Ky dokument themelor u projektua me mençuri nga Imzot Visarion Xhuvani dhe me shumë kujdes u hartua nga bashkëpunëtorët e tij. Rregullorja administrative përcaktoi qartë të drejtat dhe detyrat e çdo forumi drejtues të Kishës. Ajo është ndërtuar në mënyrë hierarkike. Forumet japin llogari njëri pas tjetrit deri te forumi më i lartë. Është përcaktuar qartë dhe në mënyrë demokratike zgjedhja e anëtarëve drejtues. Të gjitha forumet drejtohen nga besimtarë të zgjedhur lirisht, por që plotësojnë kushtet e rregullores. Ato kanë afat kohor vetëm dy ose tre vjet dhe mund të zgjidhen vetëm deri në dy mandate.
Rregullorja ka përcaktuar hierarkinë drejtuese dhe detyrat:
– Organi më i lartë është Këshilli Mikst, i cili administron të gjitha pasuritë kishtare, mblidhet një herë në vit dhe kryesohet nga Kryeepiskopi. Vendimet ai i merr me shumicë votash. Këshilli Mikst përbëhet nga klerikë dhe laikë dhe ka afat kohor dy ose tre vjeçar. Ai cakton administratorët e manastireve, të cilët quhen igumenë.
– Këshilli igumenal përbëhet nga igumeni dhe nga 4 laikë e mblidhet një herë në muaj dhe kujdeset për mbarëvajtjen, rregullin dhe pasuritë e manastirit.
– Pleqësitë kishtare (dhimogjeronditë) zgjidhen në mënyrë indirekte një anëtar për 250 besimtarë. Ato kanë për detyrë të emërojnë kujdestarin (epitropin), të zgjedhin priftërinjtë dhe dhjakët, të administrojnë pasuritë e kishës. Kujdestarët kanë për detyrë që të kujdesen për mbarëvajtjen e kishës, për buxhetin dhe të ardhurat.
– Organika administrative e Kishës fillon me anëtarët e Sinodit, përcakton pagat e tyre dhe honorarët e Këshillit Mikst, të organeve të tjera drejtuese që punojnë në administratë, në kisha dhe në manastire. Rregullorja ka përcaktuar dhe kuotat (taksat) që paguan çdo ortodoks i martuar sipas të ardhurave të tyre.
RREGULLORJA E ADMINISTRIMIT TË PËRGJITHSHËM TË KISHËS
Organizimi i brendshëm i Kishës dhe administrimi i pasurive të manastireve, të kishave dhe të komuniteteve fetare, si dhe të çdo lloj dhurate ose ndihme që bëhen sipas dispozitave të kësaj Rregulloreje.
KAPTINA I
KËSHILLI MIKST
Art. 1 – Autoriteti m’i lartë për administrimin dhe kontrollimin e pasurive është Këshilli Mikst, i cili e ushtron kompetencën e tij me anën e Këshillit Ekonomik të Përhershëm, sipas detyrave dhe të drejtave që i caktohen në këtë Rregullore.
Art. 2. – Këshilli Mikst formohet sipas dispozitave relative të Statutit.
Anëtarët laikë zgjidhen në këtë mënyrë:
Peshkopi i çdo Dioqeze një muaj më parë se të mbarojë periudha e anëtarëve të Këshillit Mikst, provokon, me anë deklarate, kandidaturën e çdo besniku që ka cilësitë e kërkuara prej artikullit 3 për anëtar të Këshillit Mikst. Kandidaturat pranohen brenda 15 ditëve prej datës së deklaratës.
Peshkopi emrat e kandidatëve u a komunikon të gjitha pleqësive kishtare të Dioqezës së tij me anën e zevendësve lokalë.
Pleqësitë kishtare, me vendim të tyre, zgjedhin një prej kandidatëve të paraqitur.
Vendimi i dërgohet Qendrës së Peshkopatës me anë të zëvendësve.
Pleqësia Kishtare e Qendrës së Peshkopatës (Dhimogjerondia) deklaron për anëtar’të Këshillit Mikst kandidatin që ka fituar shumicën e votave. Në rast njësie votash, Pleqësia Kishtare e Qendrës heq shortin midis atyreve që kanë vota të njëshme.
Çdo anëtar zgjidhet për dy vjet dhe mund të rizgjidhet për periudhën e dytë po jo dhe për të tretën.
Art. 3. – Anëtarët laikë duhet të kenë mbaruar një shkollë të mesme të plotë dhe të kenë të gjitha cilësitë që kërkohen për nëpunësit e Shtetit.
Art. 4. – Kompetenca e Këshillit Mikst është:
a) të caktojë mënyrën e përgjithshme për administrimin e pasurive të Kishave, të Manastireve, të komuniteteve Orthodhokse, të çdo lloj dhurate dhe ndihme si dhe të subvencionit të Shtetit;
b) të kontrollojë të gjitha veprimet e Këshillit Ekonomik të Përhershëm;
c) të vendosë mbi jetërsimin e pasurive;
ç) të hartojë buxhetin preventiv të përgjithshëm të Kishës, një kopje e të cilit i paraqitet Ministrisë së Drejtësisë në konformitet me dispozitat e ligjës së administrimit të pasurive të komuniteteve për aprovim.
MBLEDHJET E KËSHILLIT MIKST
Art. 5. – Këshilli Mikst detyrohet të mblidhet një herë në vit në kohën kur ndodhet i mbledhur Sinodhi, sipas thirrjes së Kryetarit.
Kryepeshkopi, në rast pune të jashtëzakonshme, që i përket kompetencës së Këshillit Mikst, e mbledh këtë pasi të marrë pëlqimin e shumicës së anëtarëve. Art. 6.-Mbledhjet e Këshillit Mikst kryesohen prej Kryepeshkopit.
Këshilli Mikst ka quorum kur ndodhen tre laikë dhe tre klerikë midis të cilëve përmblidhet dhe Kryetari. Vendimet merren me shumicë votash. Në rast njësie, paravlen ana e Kryetarit.
KAPTINA II
KËSHILLI EKONOMIK I PËRHERSHËM
Art. 7. – Këshilli Ekonomik i Përhershëm formohet sipas artikullit 51 të Statutit dhe anëtarët e tij zgjidhen për tre vjet.
Pas mbarimit të këtij afati, anëtarët laikë mund të zgjidhen pasi të kalojë një periudhë tre vjetësh prej ditës së mbarimit të afatit të tyre.
Anëtarët laikë duhet të kenë të gjitha cilësitë që kërkohen për nëpunësit e Shtetit.
Art. 8. – Këshilli Ekonomik i Përhershëm emëron administratorët e Manastireve të cilët janë klerikë dhe mbajnë titullin Igumen. Kryetari dekreton emërimin e tyre, duke pasur vetëm arsye shpirtërore.
Igumeni merr rrogën që caktohet në buxhet.
KAPTINA III
KËSHILLI IGUMENAL
Art. 9. – Këshilli Igumenal përbëhet prej Igumenit dhe dy laikëve, një prej qytetit dhe një prej fshatit më t’afërm të manastirit.
Anëtarët laikë të këtij këshilli zgjidhen si pason:
Peshkopi paraqet gjashtë kandidatë, tre prej fshatit në të cilin ndodhet Manastiri dhe tre prej qytetit më t’afërm, Qendër Peshkopate ose Qendër zëvendësie.
Kandidatët e fshatrave i paraqiten pleqësive të fshatrave përkatëse të cilat prej të treve zgjedhin dy; kandidatët e qyteteve i paraqiten pleqësive kishtare të qytetit përkatës dhe ajo prej të treve zgjedh dy. Të katër kandidatët të zgjedhur në këtë mënyrë i paraqiten Këshillit Ekonomik të Përhershëm, i cili prej tyre zgjedh dy, një prej qytetit dhe një prej fshatit.
Art. 10. – Kompetenca e Këshillit Igumenal është:
a) të kqyrë mbarëvajtjen dhe rregullin e Manastirit, të administrojë pasuritë e tij, sipas urdhërave hierarkike;
b) të vërë në ankand çdo shfrytëzim pasurie të tundshme dhe të patundshme;
c) të shesë në ankand, sipas ligjeve të ankandeve, produktet dhe frytet e përmotshme. Në rast nevoje, Këshilli Igumenal mban të drejtën të bëjë shitje pa ankand të produkteve dhe të fryteve të përmotshme një herë në çdo 2 muaj dhe vetëm kur shuma nuk kapërcen të 150 (njëqind e pesëdhjetë) fr. ari.
ç) të mbledhë të ardhurat, arkëtar i të cilëve do të jetë anëtari laik prej qytetit. Ky paguan me urdhër-pagese të nënshkruar prej Igumenit, në bazë të vendimit të Këshillit Igumenal, i cili e ka për kompetencë të caktojë shumën e përmuajshme për nevojat e ditës.
d) të mbajë libra kontabilteti të rregullshme për të cilat ka një ndihmës llogaritar me shpërblim të caktuar në buxhetin e Manastirit;
dh) të vendosë mbi nevojën e jetërsimit të pasurive të patundshme, i cili përmbarohet pasi vendimi të aprovohet prej Këshillit Mikst.
Këshilli Igumenal dorëzon në çdo gjashtë muaj t’ardhurat në Arkën e Përgjithshme dhe gjithashtu paraqet një raport relativ.
Art. 11. – Në fund të çdo adjudikate Këshilli kompetent, me anën e Kryetarit të tij, duhet të lidhë kontratë me sipërmarrësin dhe ta vërtetojë në noteri. Shpenzimet përkatëse rëndojnë mbi sipërmarrësin me gjithë taksat shtetërore dhe komunale të lypura prej ligjeve.
MBLEDHJET E KËSHILLIT IGUMENAL
Art. 12. – Këshilli Igumenal mblidhet një herë në muaj rregullisht dhe, në rast nevoje, dy herë.
Art 13. – Peshkopi ruan mbi Igumenin të gjitha të drejtat kanonike për disiplinën kishtare si dhe për lejimin ose pushimin e meshimit për arësye kanonike dhe të justifikuara.
KAPTINA IV
PLEQËSITË KISHTARE
Art. 14. – Pleqësitë kishtare (Dhimogjeronditë) të qytetit përbëhen prej gjashtë vetash dhe zgjidhen për dy vjet.
Zgjedhja e këtyre Pleqësive bëhet në mënyrën indirekte si pason:
Prej 1 gjer më 1000 frymë zgjidhen katër për çdo 250 frymë;
Prej 1001 gjer më 2000 frymë zgjidhen tre për çdo 250 frymë;
Prej 2001 gjer më 3000 frymë zgjidhen dy për çdo 250 frymë;
Prej 3001 e lart zgjidhet një për çdo 250 frymë;
Art. 15. – Zgjedhësit e parë që të mundin të votojnë duhet të kenë të gjitha ato cilësi që kanë zgjedhësit e parë në zgjedhjen parlamentare dhe të jenë në rregull me pagesat fakultative dhe llogaritë kishtare.
Art. 16. – Zgjedhësit e dytë duhet të dinë të shkruajnë dhe të këndojnë gjuhën shqipe dhe të jenë 25 vjeç e lart.
Art. 17. – Pleqtë (dhimogjerondët) duhet të dinë të shkruajnë dhe të këndojnë gjuhën shqipe dhe të jenë 30 vjeç e lart.
Art. 18. – Pleqësitë Kishtare të katundevet përbëhen prej priftit të fshatit dhe dy laikësh. Këta të fundit zgjidhen prej popullit të katundit për dy vjet dhe zgjedhjet e tyre konfirmohen prej Peshkopit. Mbledhjet e Pleqësive Kishtare të fshatrave mbahen nën kryesinë e priftit. Kompetenca e tyre është si ajo e Pleqësive të qyteteve. Pleqësitë kishtare të katundeve zgjedhin dy kandidatë për kujdestar. Këta i paraqiten Peshkopit, i cili emëron një prej tyre.
Art. 19. – Administrimi i pasurivet të kishave dhe të komunitetevet fetare bëhet prej Peshkopit ose Zëvendësit të tij së bashku me Këshillat Kishtarë të qytetevet ose të katundeve.
Art. 20. – Kompetenca e Pleqësive Kishtare është:
a) të emërojë kujdestarët (epitropët e Kishave)
b) të zgjedhë priftërinjtë dhe dhjakët duke votuar për këtë punë dhe kujdestarët e Kishës përkatëse në të cilën emërohen prifti ose dhjaku;
c) të kqyrë mbarëvajtjen dhe rregullin e Kishës, të administrojë pasuritë e saj sipas urdhërit hirarkik dhe të veprojë sipas artikullit 10 të kësaj Rregulloreje. Në emërimin e priftërinjve dhe të dhjakëve, Peshkopi mban veton për arësye shpirtërore, të cilat nuk detyrohet t’i bëjë të njohur asnjeriu dhe në asnjë mënyrë.
ç) të hartojë buxhetin preventiv të çdo viti dhe t’ia dërgojë Peshkopatës sipas artikullit 48 të Statutit.
Art. 21.- Në rast neglizhence të rëndë ose mosmarrëveshjeje të Pleqësive, dërgohet si inspektor një prej Qendrës mbi raportin e të cilit Këshilli Ekonomik i Përhershëm vendos duke pasur të drejtë të shpërndajë Pleqësinë e vjetër dhe të zgjedhë një të re.
Kujdestarët e Qendrave të Peshkopatës pushohen për neglizhencë të rëndë prej Pleqësisë Kishtare dhe ata jashtë Qendrës prej Peshkopit, pas propozimit të Këshillave Kishtare lokale.
Art. 22. – Pleqësitë Kishtare si dhe ato Igumenale veprojnë sipas buxhetit të përgjithshëm t’aprovuar prej Këshillit Mikst.
Art. 23. – Peshkopi ruan veton për psaltët dhe kishtarët.
KAPTINA V
KUJDESTARËT
Art. 24. – Kujdestarët e Kishave të qyteteve dhe të katundeve emërohen prej Pleqësive Kishtare relative, dekretohen prej Peshkopit kompetent dhe janë dy për secilën kishë. Në kishat që kanë popullsi të madhe emërohen dhe dy ndihmës kujdestarë. Koha e vazhdimit të tyre është dy vjet dhe shërbejnë darovisht.
Art. 25. – Të drejtat e kujdestarëve janë:
a) të marrin pjesë në Këshillin e Pleqësive Kishtare për zgjedhjen e priftërinjve dhe të dhjakëve;
b) të emërojë dhe të pushojë, së bashku me Pleqësitë Kishtare, psaltët dhe kishtarët;
Vendimet dekretohen prej Peshkopit kompetent. Organizimi i Koreve mbetet në kompetencën e Peshkopëve.
c) të kujdesen për mirëmbajtjen e Kishës, të shpenzojnë sipas buxhetit të caktuar dhe të kujdesen për shtimin e t’ardhurave;
ç) t’inkasojë t’ardhurat dhe çdo katër muaj të paraqesë një raport për gjendjen e Kishës dhe të personelit të saj.
Kujdestarët e kishave të katundeve si dhe arkëtarët e Këshillës së kujdestarëve të qyteteve janë të detyruar t’i dorëzojnë të hollat në çdo tre muaj Arkëtarit të Pleqësisë Kishtare të vendit.
Arkëtarët e Pleqësisë Kishtare tepricat e të gjitha të ardhurave ia dërgojnë Arkëtarit të Qendrës së Peshkopatës në fund të çdo viti.
Në rast që teprica kalon 2000 (dy mijë) fr. ari, këto depozitohen në një nga Bankat shqiptare më të afërme. Regjistrat do të bëhen prej Qendrës në formë të njëshme, do të shpërndahen ndër Dioqeza dhe do të vërtetohen prej Peshkopit.
Art. 26. – Çdo Pleqësi Kishtare emëron prej gjirit të saj arkëtarin. Kur kujdestarët janë më tepër se një, Peshkopi emëron arkëtar njërin prej tyre; në rast se është i vetëm, ky ipso facto mbetet arkëtar.
Arkëtari i Këshillit të kujdestarëve do t’i dorëzojë tepricat e kishës, sipas buxhetit, në Arkën e Pleqësisë kishtare lokale. Kjo ia dorëzon Arkës së Qendrës së Dioqezës, e cila ia dorëzon Arkës së Përgjithshme. Peshkopët tepricat i dorëzojnë një herë në vit në Qendër.
Art. 27. – Kujdestarët detyrohen të regjistrojnë të gjitha të ardhurat hollësisht në libra zyrtare të dërguara posaçërisht prej Kryesisë.
Art. 28. – Priftërinjtë mund të transferohen për arësye të jashtëzakonshme prej Peshkopit të Dioqezës dhe me pëlqim të Kryepeshkopit.
KAPTINA VII
ANËTARËT E SINODHIT
Art. 29. – Mitropoliti i Qendrës dhe Kryepeshkopi merr një rrogë të përmuajshme prej 800 (tetëqind) fr. ari dhe një shpërblim përfaqësimi prej 300 (treqind) fr. ari në muaj.
Peshkopët kanë nga një rrogë të përmuajshme prej 600 (gjashtëqind) fr. ari.
Ikonomi i Madh Mitrofor ka një rrogë të përmuajshme prej 400 (katërqind) fr. ari dhe 100 (njëqind) franga ari si shpërblim i anëtarit të Sinodhit të Shenjtë.
Peshkopët titullarë (pa Dioqezë) kanë një rrogë prej 400 (katërqind) fr. ari në muaj.
Në rast se një Peshkop mban zëvendësinë e një Peshkopate tjetër, merr dhe gjysmën e rrogës së Peshkopit që zëvendëson.
PERSONELI
Art. 30. – Sekretari i Përgjithshëm ka rrogë të përmuajshme fr. ari 300 (treqind) në muaj. Llogaritari i Përgjithshëm ka rrogë të përmuajshme 250 (dyqind e pesëdhjetë) fr.ari.
Sekretari 160 (njëqindegjashtëdhjetë); Kopisti 150 (njëqind e pesëdhjetë); Dhjaku ose nën Dhjaku i kryesisë 120 (njëqind e njëzet);
Dy shërbëtorët nga 100 për çdo njeri; Predikonjësi i Përgjithshëm 300 (treqind).
(vijon më poshtë)
Ky dokument themelor u projektua me mençuri nga Imzot Visarion Xhuvani dhe me shumë kujdes u hartua nga bashkëpunëtorët e tij. Rregullorja administrative përcaktoi qartë të drejtat dhe detyrat e çdo forumi drejtues të Kishës. Ajo është ndërtuar në mënyrë hierarkike. Forumet japin llogari njëri pas tjetrit deri te forumi më i lartë. Është përcaktuar qartë dhe në mënyrë demokratike zgjedhja e anëtarëve drejtues. Të gjitha forumet drejtohen nga besimtarë të zgjedhur lirisht, por që plotësojnë kushtet e rregullores. Ato kanë afat kohor vetëm dy ose tre vjet dhe mund të zgjidhen vetëm deri në dy mandate.
Organi më i lartë është Këshilli Mikst, i cili administron të gjitha pasuritë kishtare, mblidhet një herë në vit dhe kryesohet nga Kryeepiskopi. Vendimet ai i merr me shumicë votash. Këshilli Mikst përbëhet nga klerikë dhe laikë dhe ka afat kohor dy ose tre vjeçar. Ai cakton administratorët e manastireve, të cilët quhen igumenë.
Roli i Mbretit Zog në krijimin e KOASH-it
PERSONELI I KËSHILLIT MIKST
Art. 31. – Për mbledhjet e rregullshme të Këshillit Mikst çdo anëtar laik për shpërblim dhe shpenzimet e udhëtimit merr 400 (katërqind) fr.ari. Për mbledhjet e jashtëzakonshme çdo anëtar laik merr shpenzimet e udhëtimit dhe 20 (njëzet) fr.ari. në ditë.
ANËTARËT E KËSHILLIT EKONOMIK TË PËRHERSHËM
Art. 32.- Çdo anëtar i Këshillit Ekonomik të Përhershëm merr 10 (dhjetë) fr. ari për çdo mbledhje.
PERSONELI I PESHKOPATAVE
Art. 33. – Sekretari i Peshkopatave merr një rrogë të përmuajshme prej 200 (dyqind) fr. ari; Dhjaku ose nëndhjaku i çdo Peshkopate 100 (njëqind); Shërbëtorët 80 (tetëdhjetë).
Zëvendësit lokalë klerikë marrin nga 30 (tridhjetë) fr. ari.
Për subvencionin e priftërinjvet vihet në dispozitë një shumë prej 30.000 (tridhjetmijë) fr. ari. Për përmbushjet e Seminarit lihen në dispozitë 40.000 (dyzetmijë) fr. ari.
Art. 34. –Këshilli Mikst në hartimin e buxhetit është i detyruar të caktojë shumën e të hollave të duhura për të dërguar dhe për të përmbajtur në një nga fakultetet theollogjike dy gjer më katër studentë. Për botimin e revistës lihen në dispozitë 600 (gjashtëqind) fr. ari.
CILËSITË E PERSONELIT
Art. 35 – Predikonjësi i Përgjithshëm dhe Instruktori duhet të jetë i diplomuar prej një fakulteti theollogjie dhe, në rast nevoje, këtë vend mund t’a zerë dhe një nga graduatët klerikë të provuar në zotësi.
Art. 36 – Sekretari i Përgjithshëm duhet të ketë mbaruar një shkollë të mesme dhe duhet të dijë një gjuhë të huaj të Oksidentit.
Llogaritari i Përgjithshëm duhet të ketë mbaruar një shkollë tregtare ose një shkollë të mesme; Sekretari duhet të ketë mbaruar një shkollë qytetëse; Sekretari i Dioqezave duhet të ketë mbaruar një shkollë qytetëse.
EMËRIMET
Art. 37 – Predikonjësi i Përgjithshëm emërohet me vendimin e Sinodhit dhe me dekretimin e Kryepeshkopit. Sekretari i Përgjithshëm emërohet dhe pushohet sipas Statutit.
Llogaritari i Përgjithshëm emërohet dhe pushohet prej Këshillit Ekonomik të Përhershëm.
Dhjaku ose nën Dhjaku i Kryesisë, kopisti dhe shërbëtorët emërohen dhe pushohen prej Kryepeshkopit. Sekretarët e Dioqezave emërohen dhe pushohen prej Pleqësive Kishtare dhe dekretohen prej Peshkopit kompetent.
Dhjaku ose nëndhjaku dhe shërbëtorët emërohen dhe pushohen prej Peshkopit.
DETYRAT E TYRE
Art. 38. – Detyrat e Predikonjësit të Përgjithshëm dhe të Instruktorit të klerit janë:
a) të predikojë Fjalën e Perëndisë, sipas instruksioneve të marra nga Kryesia;
b) të stërvitë klerin në gjuhën amtare dhe në rregullën kishtare për sa u përket shërbesave të hirshme;
c) të përmbushë çdo mision për inspektimin e manastireve dhe kishave si dhe çdo mision tjetër kishtar të ngarkuar prej Kryesisë.
Art. 39. – Detyrat e Sekretarit të Përgjithshëm janë:
a) të rregullojë të gjitha veprimet e sekretarisë për të cilat është përgjegjës përpara Kryetarit;
b) të mbajë procesverbalet e mbledhjeve si dhe të gjithë korrespodencën
c) të përkujdeset për mirëmbajtjen e arkivave dhe të protokollit me anën e dipendeteve të tij.
Art. 40. – Detyrat e Sekretarit janë:
a) të zbatojë urdhërat e Sekretarit të Përgjithshëm;
b) të mbajë në rregull arkivat dhe protokollin;
c) të mbajë korrespondencën private të Kryesisë dhe të përmbajë çdo punë që i përket Zyrës së tij.
Art. 41. – Detyrat e Llogaritarit të Përgjithshëm janë:
a) të zbatojë urdhërat e Sekretarit të Përgjithshëm për sa u përket të ardhurave dhe të prishurave;
b) të përkujdeset për zbatimin e plotë të buxhetit.
c) të jetë në dispozitë të Këshillit Mikst dhe të Këshillit Ekonomik të Përhershëm për sa u përket llogarive;
ç) të mbajë në rregull regjistra dhe dëftesë-pagesat për mungesën e të cilave është përgjegjës;
d) të jetë në korrespondencë me Dioqezat për sa i përket buxhetit;
dh) të lëshojë dëftesë-pagesat në bazë të vendimeve të Këshillave përkatëse. Dëftesë-pagesat duhet të jenë të nënshkruara prej tij dhe prej Kryepeshkopit. Gjithashtu nënshkruhen prej tij dhe prej Kryepeshkopit urdhër-pagesat ose urdhër-marrjet.
Art. 42. – Kopisti ekzekuton të gjitha urdhërat që merr prej Kryesekretarit.
Art. 43. – Të gjithë funksionarët e Kishës janë të detyruar të punojnë sipas orarit të zyrave qeveritare.
Art. 44. – Arkëtari inkason të ardhurat dhe paguan me mandat-pagese si më sipër.
Art. 45. – Për shkak mospërmbushjeje detyre, autoritetet kompetente për emërimin e tyre kanë të drejtë të përdorin më parë qortimin, pastaj gjobitjen me një pjesë të rrogës dhe më në fund pushimin prej pune.
KAPTINA VIII
PAGESAT FAKULTATIVE
Art. 46. – Pagesat fakultative shkojnë në Arkën e Përgjithshme të Kishës.
Peshkopët janë përgjegjës për mbledhjen e pagesave fakultative.
Për të përmbushur sa më mirë dhe në mënyrën më efikase këtë detyrë, këta do të jenë në bashkëpunim me Pleqësitë Kishtare të Qendrave si dhe të katundeve.
Art. 47. – Pagesat fakultative do të paguhen prej çdo Orthodhoksi të Krishterë të martuar.
Art. 48. – Pagesat fakultative do të jenë një gjer më pesë fr. ari. në mot.
Klasat e komunitetit orthodhoks që paguajnë janë: e para, e dyta, e treta. Përveç këtyre, Këshillat Kishtare caktojnë dhe një klasë nderi. Klasa e parë paguan pagesë-fakultative pesë fr.ari, klasa e dytë dy franga ari dhe e treta një fr. ari. Klasa e nderit paguan sipas dëshirës.
Art. 49. – Klasat e ndryshme caktohen prej Pleqësive Kishtare, të cilat i dërgojnë përfundimin Këshillit Ekonomik të Përhershëm.
Art. 50. – Pagesat mblidhen prej klerikësh ose laikësh që do të caktohen prej Peshkopit. Prej të ardhurave fakultative 10 (dhjetë) për qind i mban Peshkopi dhe 10 (dhjetë) përqind kleriku ose laiku që ngarkohet për mbledhje.
TË NDRYSHME
Art. 51. – Klerikët të çdo grade të cilët ndodhen pa punë dhe që s’kanë mjetet e jetesës së tyre dhe jetojnë duke lypur ose në një mënyrë që cënon dinjitetin e gradës së tyre, dërgohen me vendim të Këshillit Disiplinor peshkopal në një nga Manastiret.
Art. 52. – Manastiret që nuk janë në gjendje financiare të përmbajnë Igumenin dhe t’u bëjnë ballë shpenzimeve të ndryshme, pasuritë e tyre të tundshme dhe të patundshme deklarohen me vendim të Këshillit Ekonomik të përhershëm, si pjesë e pandarë e Manastirit më t’afërm.
Art. 53. – Priftërinjtë që janë në shkallë të përdorin gjuhën shqipe në meshë, në rast që nuk konformohen me urdhërat e Kryetarit të Sinodhit për përdorimin e gjuhës shqipe në Kishë, pushohen nga shërbimi i tyre administrativisht dhe humbasin çdo të drejtë relative me shërbimin e tyre të gjertanishëm. Ky pushim bëhet me vendim Kryepeshkopal.
Art. 54. – Psaltët dhe koret, në rast që nuk konformohen me urdhërat e Kryetarit të Sinodhit për përdorimin e gjuhës shqipe në kishë, pushohen menjëherë nga shërbimi i tyre.
Art. 55. – Kjo Rregullore, pas tre vjetësh, mund të modifikohet prej Këshillit Mikst së bashku me Këshillin Ekonomik të përhershëm në konformitet me Statutin.
Art. 56. – Kjo Rregullore i paraqitet Ministrisë së Drejtësisë për aprovim.
Korçë, 20 korrik 1929
Kryetari i Këshillit për hartimin e kësaj Rregulloreje
Kryepeshkopi Visarion
Anëtarët :
Agathangjel
Ambrozi
Ik. M. Mitr. V. Marko
Av. Ilia Kotta
Vasil Avrami
Thoma Papapano
Dr. Mihal Cane
Kristaq Zaguridhi
Vasil Bakalli
Dr. Zoi Xoxa
Vërtetohet njësia me origjinalin
Durrës, 6-IX-1929
Kryetari i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipnis,
Kryepeshkopi.
Vetëm një njohës i shkëlqyer i rregullave kishtare, i përkushtuar për të lartësuar punët fetaro-kombëtare, vetëm një organizator i talentuar mundi të përfshinte në punë vartësit e kualifikuar për të ngritur kolonat e çelikta të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë: Statutin e përhershëm dhe Rregulloren e Administrimit të Përgjithshëm të Kishës. Ky ishte Fortlumturia e Tij, Kryeepiskopi i parë i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Visarion Xhuvani.
Për hartimin e Rregullores së Administrimit të Përgjithshëm të Kishës kontribut të shquar kanë dhënë dhespotët Agathangjel e Ambroz, Ikonomi i Madh Mitrofor Vasil Marko, si dhe avokat Ilia Kota, Vasil Avrami, Thoma Papapano, dr. Mihal Cane, Kristaq Zaguridhi, Vasil Bakalli, Dr.Zoi Xoxa e në mënyrë të veçantë Kov Deliana. Me punën e tyre të përbashkët më 20 korrik të vitit 1929 u miratua Rregullorja e mësipërme.
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, me Sinodin e Shenjtë episkopal, me Statutin Definitiv dhe me Rregulloren e Administrimit të Përgjithshëm përmbushi kërkesat kanonike të Autoqefalisë dhe e meritonte Tomin e Patriarkanës së Stambollit. Për fat të keq nuk ndodhi kështu, u deshën edhe gati 9 vjet që të ulej zemërimi i Patriarkanës së Stambollit. Gjatë kësaj kohe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, e ngritur mbi themele të shëndosha kombëtare dhe kanonike, eci pa u lëkundur në rrugën që përcaktuan Kongresi i parë historik kishtar i Beratit dhe Kongresi i dytë i Korçës.
Përkrahja e plotë nga populli shqiptar dhe mbështetja shtetërore e kohës u shoqëruan dhe me një hare të paparë ndonjëherë. Vendimet historike që u morën me shkathtësi të pabesueshme prej organizatorëve patën si kundërpërgjigje mosbesimin e plotë të atyre që donin ta shihnin Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë gjithnjë si shtojcë të Kishës greke e të Patriarkanës së Stambollit.
Kongresi i dytë i Korçës nuk ishte vetëm kurorëzim i dëshirës së hershme të ortodoksëve shqiptarë, por ai pati mbështetje dhe përkrahje nga shteti dhe qeveria shqiptare. Naltmadhnia e Tij, Mbreti i Shqiptarëve Zogu I, dërgoi si përfaqësues të tij në Kongresin kishtar Z. e tij, kolonel Gjilardi, inspektor i ushtrisë mbretërore shqiptare, si dhe përfaqësuesin e Qeverisë, z.Vasil Bidoshi, anëtar i gjyqit të diktimit për të marrë pjesë në mbledhjet e Kongresit me kompetenca ligjore.
Vlerësim të veçantë i bëri Kongresit Naltmadhnia e Tij, Mbreti Zog I, nëpërmjet letrës që i dërgoi Kryeministrit Koço Kota:
“Zoti Kryeministër!
Mundimet e rrjedhuna prej traditave të gabueshme shekullore, ngatërrimet e nxjerruna prej autoriteteve hyjnore, i përballonte vetëm vullneti i patundun e dashunia që populli shqiptar ka për lirinë. Më 1922 kur unë isha ministër i Punëve të Brendshme e Ju prefekt i Beratit iu arrit qëllimit për me u mbledhë Kongresi i parë i Kishës Ortodokse Autoqefale në Berat.
Mundimet që Ju hoqët në këtë periudhë, ashtu dhe koha e çmueshme që ju bjerrët me dërgim delegacionesh në Kostandinopol, dhe ma pastaj diskutimet e pa-përfundueshme me përfaqësuesit e Patriarkanës në Tiranë, janë shembulla e paharrueshme, që kanë hjekë ortodoksët për këtë qëllim.
Tue pa kundërshtimet e randa qi u bajshin, Shqipnia, vërtet që nuk kish tjetër rrugë, por o me u përkulë e me hjekë dorë prej nji të drejte njerzore që i ka falë natyra, ose me veprue kështu si veproi. Veprimi i bamun asht aq legal dhe i drejtë, si ka qenë edhe në shtete të tjera.
Përveç se janë ruejtun e bamun të gjitha formalitetet kanonike, por asht sovraniteti i popullit që i jep fuqi legale çdo krijimi sado i naltë e i shenjtë që të jetë.
Shteti shqiptar nuk ndahet në Ortodoksë, Katolikë e Myslimanë, por asht nji dhe i pandamë, shtet i lirë, nuk ka shumicë e pakicë, nuk ka nji fe zyrtare, por të gjitha fetë i mbron e i nderon. Megjithkëtë nuk lejon në asnji mënyrë e prej kurkujt, që feja të përdoret si mjet cenimi e këtij vllaznimi të nji gjaku e të nji gjuhe. Madhështinë e kësaj vepre do ta ndjejnë gjeneracionet që do të vijnë.
Falenderoj Ju personalisht, Klerin Ortodoks për qëndrimin e tij patriotik, ashtu dhe gjithë shtypin kombëtar, i cili diti të mbrojë tezën e tij.
Zog I
Tiranë 19 qershor 1929
(Marrë nga Gazeta e Re, 20 qershor 1929)
Me vëmendje e ndoqën Kongresin Kishtar të të gjithë ortodoksëve shqiptarë Konsujt e shteteve miq të Mbretërisë dhe të Kishës Shqiptare, Deputetë, Kryetari i Gjyqit, Komandantët e ushtrisë dhe të xhandarmarisë, Kryetari i Bashkisë, Këshilli i Mitropolisë, Epitropët e kishave, gazetat, trupi arsimor me gjithë nxënësit, si dhe i gjithë populli pa dallim feje.
29 qershori i vitit 1929, dita e mbylljes së punimeve të Kongresit, ishte dita më e hareshme për qytetarët e Korçës. I gjithë tregu ishte mbyllur, para Kinema Luksit parakaluan nxënësit e shkollave. Gëzueshëm jehoi banda e qytetit. Një gëzim i tillë dhe një miratim i njëzëshëm mbretëroi në të gjitha qytetet e vendit, ku u shpreh me entuziazëm në Te Deum-et që u organizuan me pjesëmarrës dashamirë të Kishës Kombëtare Shqiptare pa dallim feje.
Kryesia e Sinodit të Shenjtë me një shpallje të veçantë ftoi të marrin pjesë në Te Deum-in e Kishës së Shën Gjergjit në ora 10:30 qytetarët e Korçës, delegatët e Kongresit, Konsujt e shteteve miq, të deleguarit e Qeverisë dhe autoritetet e larta të vendit që ndodheshin në Korçë. Prej Kishës anëtarët e Sinodit të Shenjtë dhe 12 priftërinjtë me dhjakonët, kongresistët, autoritetet dhe i gjithë populli u kthyen në Pallatin e Mitropolisë, ku në emër të nismëtarit të Kongresit, Kryetari i Sinodit, Fortlumturia e Tij, Kryeepiskop Visarioni përshëndeti të pranishmit. Në emër të Kryesisë së Sinodit të Shenjtë u shpreh besimi i plotë se i gjithë populli i Korçës nuk do të kursehej për të shfaqur solidaritetin dhe entuziazmin me vepra dhe sakrifica të rralla për Kishën e Shenjtë Ortodokse Autoqefale Shqiptare, ashtu si ka vepruar historikisht.
Në darkën madhështore të shtruar për nder të përfundimeve të Kongresit morën pjesë edhe Konsujt e Italisë e të Jugosllavisë, Myftiu e shumë të ftuar. I dërguari i posaçëm i Mbretit, kolonel Gjilardi, duke ngritur gotën përshëndeti Kryetarin e Sinodit të Shenjtë Visarion Xhuvanin dhe gjithë anëtarët e Kongresit: “Në emër të Mbretit tonë uroj dhe lus fatbardhësi të plotë për të gjithë ju dhe për popullin të cilin me meritë të plotë keni fatin e madh ta përfaqësoni” (Gazeta e Re, 2 korrik 1929).
Milto Sotir Gurra në shkrimin e së dielës ka vënë në dukje se veç harmonisë fetare të ortodoksëve të Korçës e të Shqipërisë është edhe toleranca fetare. Në darkë morën pjesë edhe 60 të ftuar bashkë me 46 delegatët. Mbas përshëndetjes së të deleguarit të Mbretit e mori fjalën Fortlumturia e Tij, Visarioni, i cili theksoi rolin e fesë në përparimin e kombit shqiptar. Kisha do të organizohet dhe do të forcohet, do të futet në disiplinë e do të jetë mjet i zhvillimit dhe i lartësimit të Kombit dhe të Mbretërisë.
Më pas ngritën gotën Hirësia e Tij, Myftiu i Korçës M. Mulla për të përshëndetur Kongresin e dytë kishtar të Korçës dhe vendimet e tij: “Ligjet fetare nuk janë krijuar kurrë që të jenë në kundërshtim me ligjet kombëtare. Predikimi në gjuhën shqipe sjell qytetërimin e përparimin dhe çdo komb duhet ta zhvillojë fenë e vet në interesa kombëtare”.
Si reaguan grekët kundër autoqefalisë shqiptare
Vënia në dukje e harmonisë dhe e tolerancës fetare ngriti më lart vlerat e Kongresit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Kjo cilësi sublime shoqëroi gjatë gjithë jetës veprimtarinë e Visarion Xhuvanit dhe të klerit atdhetar shqiptar. Në darkë ishin ftuar prefekti Hilë Mosi, kryemyftiu, dy Baballarë, gazetarë etj.. Në dollinë e tij prefekti Hilë Mosi ngriti gotën për shëndetin e Kryehirësisë së Tij, Visarion Xhuvanit dhe e siguroi atë se Qeveria Shqiptare do ta përkrahë Kishën në realizimin e detyrave fetaro-kombëtare. Në dollinë e fundit Kryeepiskopi ndër të tjera tha: “Për herë të parë në historinë e përbotshme ngre dolli për lulëzimin e përparimin e Kishës Ortodokse Autoqefale nji katolik dhe nji kryetar mysliman. Kjo tregon edhe nji pikë të naltë që Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare asht institut kombëtar”.
Kongresi i dytë kishtar i Korçës ishte gëzim i madh për të gjithë vendin dhe u miratua nga i gjithë populli shqiptar. Nëpërmjet tij u shpreh edhe një herë uniteti vëllazëror midis ortodoksëve, katolikëve dhe myslimanëve. Ai pohoi dhe vërtetoi se shteti shqiptar nuk ndahet sipas besimeve, ai është një i vetëm dhe respekton njëlloj besimet fetare, dënon çdo lloj përçarjeje që mund të vijë për arsye fetare. Kongresi i Korçës u përshëndet nga i gjithë populli, sepse vendimet e tij ishin shtylla të patundshme mbi të cilat nuk mbështetej vetëm dogma fetare, por lumturia e gjithë kombit shqiptar, që priste me padurim realizimin e veprës së filluar nga rilindasit tanë dhe më herët për emancipimin dhe të mirën e Atdheut. Është kjo arsyeja që në të gjithë vendin u organizuan Te Deum-e solemne dhe madhështore.
Në dioqezën e Gjirokastrës, në një qark me popullsi myslimane dhe ortodokse, në datën 1 korrik 1929 u organizua një festim i madh për nder të Kongresit kishtar të Korçës. Kremtimit i dha hijeshi të veçantë zbukurimi i qytetit me flamurë kombëtarë, veçanërisht i vendit ku u zhvillua Te Deum-i, në krye të të cilit ishin Episkop Ambrozi, Ikonom Papapavli, Thoma Papapano, Kostandin Lito, delegatë të Kongresit të Gjirokastrës, Libohovës, Delvinës, Sarandës, Konispolit.
Në këtë Te Deum solemn morën pjesë shumë myslimanë dhe greqishtfolës të Dropullit, personalitete të qytetit, si prefekti Zef Kadarea, kryetari i Bashkisë Javer Rushiti, deputeti myfti Halil Peshkëpia etj.. Këta mbushën Kishën dhe mjediset rreth saj. Në fjalën e tyre sekretari i Mitropolisë, prefekti dhe myftiu folën për rëndësinë kombëtare të Kongresit kishtar të Korçës dhe e quajtën atë ngjarje të rëndësishme në historinë e rilindjes kombëtare shqiptare. Kjo ngjarje u quajt prologu i një periudhe të ndritshme kombëtare për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Kongresi pati mbështetje të plotë në të gjitha kishat e krahinës së Himarës, në festimet e të cilave mori pjesë Dr.Mihal Cane, delegat i Kongresit. Jehonë të veçantë pati përshëndetja midis banorëve të fshatit Vuno: “Fshati i Vunoit është veçanërisht i lumtur që u celebrua Statuti i Kishës Ortodokse Autoqefale, ai është i bindur se këtej e tutje do të rregullohet kisha. Bijtë e këtij fshati pa përjashtim e kanë përkrahur këtë çështje, zgjidhja e së cilës u bë sipas dëshirës së të gjithë elementit ortodoks (Gazeta e Re. 13 korrik 1929).
Te Deum-et dhe festimet në dioqezën e Gjirokastrës dëshmuan se populli ortodoks me gjithë zemër e donte Kishën Autoqefale Kombëtare dhe mbështeti vendimet historike të Kongresit të dytë kishtar të Korçës. Më 6 korrik të vitit 1929 Episkop Imzot Agathangjeli, Ikonom Atë Theodhor Brisku, Ikonom Atë Polizoi, delegatë të Kongresit dhe klerikët e tjerë të dioqezës së Beratit organizuan Te Deum-in madhështor. Edhe në këtë qark pjesëmarrja ishte e jashtëzakonshme. Hapat e parë vendimtarë të Autoqefalisë u hodhën në qytetin e Beratit, prandaj edhe pjesëmarrja popullore ishte shumë e hareshme për festën. Mbas Te Deum-it mësuesi Z. Përmeti lexoi deklaratën me të cilën u përkrahën dhe u përshëndetën vendimet e Kongresit kishtar të Korçës. Nga ky Te Deum iu dërgua një telegram urimi Kryeepiskopit Visarion, në të cilin u shpreh gëzimi shpirtëror për Kongresin e Korçës si një vepër e shenjtë kishtare. Me këtë veprim u tregua hapur para botës se ndërhyrjet fanariote për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë nuk mund të duroheshin më. Kisha e Shën Marisë në Elbasan dhe mjediset e jashtme të saj nuk kishin parë ndonjëherë kaq shumë njerëz për të marrë pjesë në Te Deum-in madhështor. Brenda në Kishë për të ndjekur Te Deum-in zunë vend paria vendore, delegatët e Kongresit Kostaq Cipo, Kov Deliana, Dhimitër Papajani, Taq Buda delegat i Shpatit. Mbas lutjeve kishtare foli arsimtari i nderuar i qytetit, Vasil Llapushi. Ndër të tjera ai tha: “Vepra të tilla përparimtare bahen në hijen e lirisë që mbretnon në Shqipni dhe sigurohen nga N.M. Tij Mbreti Zog”. Urimet e personaliteteve pjesëmarrëse dhe të të gjithë të pranishmëve i priti Imzot Eugjeni.
Në këtë gëzim dhe miratim të Kongresit të Korçës mori pjesë edhe peshkopata e Kishës Shqiptare të Bostonit. Ajo e uroi Qeverinë Mbretërore me këtë telegram: “Peshkopata e këtushme i shfaq Qeverisë Mbretërore gëzimin e saj për mbrojtjen që i dha zgjidhjes së çështjes kishtare ortodokse dhe shpreson edhe në zhdukjen e përçarjes së shkaktuar nga nëpunësit e saj këtu”
Administrator Protopap Kondili, Chairman Kristo Kirka Kryeministri Koço Kota në emër të Qeverisë i ktheu këtë përgjigje: “Në emër të Qeverisë që kryesoj Ju falenderoj për ndjenjat e sinqerta që shfaqni, duke ju siguruar se Qeveria nuk bëri gjë tjetër, përveç se realizoi një nga pikat e Idealit Kombëtar dhe do të vazhdojë pa pushim për plotësimin e çdo qëllimi të shenjtë, që lartëson prestigjin e shtetit dhe siguron mbarëvajtjen e Kombit” (Gazeta e Re, 26 korrik 1929). Fortlumturisë së Tij, Kryeepiskopit Visarion, i erdhi ky telegram nga Bostoni: “Imzot Visarionit, Tiranë. Kisha Shën Trinia dëshiron të jetë në juridiksionin e Kishës Autoqefale të Shqipërisë dhe nëse pranohemi lajmëroni telegrafisht. Përgjigja është e paguar. Jemi kundër Peshkopatës së këtushme se s’ka lidhje me Kishën Shqiptare”
Për komisionin Kristo Josef
Boston 25.10.1930”.
Kryesia e Kishës Ortodokse Shqiptare iu përgjigj telegramit të tyre shkurt dhe qartë:
“Pranojmë. Përgëzojmë. Bekojmë. Shkruani.
Kryeepiskopi i Shqipërisë
Visarioni
Tiranë 30.10.1930”
(marrë nga revista Kisha Kombëtare, N. 15, 9 nëntor 1930, faqe 4).
Kisha Kombëtare Autoqefale ishte në rrugë të drejtë dhe të gjitha vendimet e Kongresit të parë kishtar të Beratit dhe të dytë të Korçës jo vetëm mbështeteshin kanonikisht, por ato u miratuan edhe nga mbarë populli shqiptar. Kjo i dha krahë parisë së saj të ecte me hapa të sigurt drejt modernizimit dhe përkrahjes prej patriarkanave të tjera evropiane dhe ballkanike. Në Shqipëri veprimtaria kishtare e Sinodit të Shenjtë dhe e të gjithë klerikëve ortodoksë u mbështet fuqishëm e me entuziazëm nga të gjithë shqiptarët në Te Deum-et e organizuara në të gjitha dioqezat dhe në kremtimet e kishave të veçanta të fshatrave. Këtë ndjenjë gëzimi, këtë entuziazëm të shpalljes së Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare fletorja greke “Eleftheron Vima”, organ i Venizellos, më datën 5 shtator 1929 e paraqiti me ngjyra të zeza dhe mohoi punën e atdhetarëve shqiptarë, duke e quajtur Visarionin aventurier dhe pseudopeshkop, që ka vepruar sipas tyre kundër kanoneve të Kishës Ortodokse dhe e ka shkëputur Kishën Shqiptare që ishte në juridiksionin e Patriarkanës Ekumenike. Z. Koço Kota kjo gazetë e ka quajtur si njeriun që nuk zbatoi Akordin e vitit 1926 të miratuar nga Eksarku Krisanthos për caktimin e episkopëve shqiptarë, për qeverisjen dhe ndarjen e Kishës, për shpalljen e Autoqefalisë dhe për dërgimin e Tomit sipas zakonit. Të gjitha veprimet që gjetën një miratim të gëzueshëm dhe mbarëpopullor u quajtën prova të shfaqjes së nacionalizmit të flaktë, të shpirtit të pabindur të Shqipërisë së atëhershme (është fjala për vitin 1929), veçanërisht të metodave oligarkike tiranike të myslimanëve të Tiranës, të cilët drejtojnë shtetin e përbërë prej shumë racash e fesh të ndryshme, shtet që nga dita në ditë po bëhet më i guximshëm. (A.Q.Sh. F 251. D. 850. kutia 251)
Nuk mjaftoi ky shkrim, por për të denigruar dhe demaskuar punën e patriotëve shqiptarë, shovinistët grekë vunë në veprim andartët në kufirin greko-shqiptar, të cilët me propagandën e tyre vorioepirote vepruan edhe kundër Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. (A.Q.Sh. Fondi 151. dosja 323. kutia 9. xhaketa 410. viti 1929). Për këtë lëvizje dhe ndërhyrje të hapur Ministria e Punëve të Jashtme iu drejtua me notë verbale Legatës së Qeverisë Greke në Tiranë. Për të gënjyer besimtarët ortodoksë të kolonive shqiptare në Greqi, Amerikë, Rumani, Egjipt u angazhuan klubet vorioepirote. (A.Q.Sh. Fondi 151. kutia 60. xhaketa 389-399, viti 1929)
Më i rëndë është rasti i ndërhyrjes së konsullit grek në punët e brendshme të vendit tonë në Sarandë. Për këtë ka pasur korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Shqipërisë. (A.Q.Sh. fondi 151, dosja 345, kutia 10, xhaketa 431, viti 1929)
Këto veprime e shumë të tjera që pasuan më vonë nuk mundën ta kthejnë nga rruga e nisur të gjithë ortodoksinë shqiptare, e cila u gëzua bashkarisht, sepse gjithnjë e më shumë ata ishin bindur se anija e Kishës Ortodokse në përpjekje me tallazet e ndikimet e huaja dhe e lënë pa zot, pa udhëheqës, tashmë ka hyrë në limanin e organizimit dhe të zhvillimit Apostolik dhe Kombëtar. (revista Kisha Kombëtare. N. 15, 9 nëntor 1930. faqe 3)
Vetëm njerëzit puthadorë të Patriarkanës Ekumenike dhe greke nuk morën pjesë në gëzimin e përbashkët të shpalljes së Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, e cila i ka plotësuar me kohë të gjitha kushtet kanonike. Në dokumente dhe në zbatimin e tyre nuk ka asnjë cenim të vogël për të gjitha kanonet e shenjta të Kishës Ortodokse.
Autoqefalia shqiptare i ka plotësuar të gjitha këto kushte:
-Është shpalluar në një shtet sovran e të lirë.
-Ka pasur Sinod të Shenjtë episkopal me episkopë kanonikë.
-Kisha ka funksionuar mbi bazën e një Statuti të përhershëm dhe të një Rregulloreje për administrimin e brendshëm të miratuar njëzëri nga delegatët e Kongresit kishtar të Korçës dhe të përcaktuar dhe të miratuar nga të gjithë ortodoksët shqiptarë.
-Është drejtuar nga Sinodi i Shenjtë Episkopal dhe nga klerikë e laikë të zgjedhur në mënyrë të lirë dhe demokratike nga të gjithë banorët e dioqezave, pleqësive, epitropive.
– Është e pajisur me literaturën liturgjike të përshtatshme shumë kohë përpara vitit 1929, nga vitet 1866-1884 nga Kostandin Kristoforidhi, në vitet 1914 nga Noli e më vonë nga Sinodi i Shenjtë. Për këtë literaturë kishtare nuk ka pasur asnjë lloj kritike apo mosaprovimi.
– Është seminari priftëror për përgatitjen e kuadrit të nevojshëm, si edhe revista për propagandën fetare. -Pasuritë e tundshme dhe të patundshme administrohen mirë dhe vetëm për qëllime fetare nga Këshilli Mikst. Të gjitha këto janë të mjaftueshme për të bindur dhe ndriçuar mendjen e çdo shqiptari ortodoks e atdhetar për drejtësinë e vendimeve të Kongresit të dytë kishtar të Korçës.
Me gjithë pengesat jo të vogla, të cilat filluan nga jashtë dhe u shumuan edhe nga brenda prej atyre që nuk i çmuan vlerat fetaro-atdhetare të veprimtarisë kishtare të Sinodit të Shenjtë të drejtuar nga Visarion Xhuvani, shqiptarizimi i Kishës eci çdo ditë e më mirë. Këtë e ka paraqitur Kryesia e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në komunikatën e përkujtimit të trevjetorit të mbledhjes së Sinodit të Shenjtë, në të cilën ndër të tjera është shkruar: “Veprat dhe përparimet kryesore që i ka ba K.O.A.Sh-i mbrenda vitit të dytë të stabilitetit të saj nën drejtimin e Sinodit të Shenjtë të kryesuem prej Kryeepiskopit Imzot Visarionit, me ndihmën e Perëndisë, të Mbretit dhe të gjithë dashamirëve të misionit të shenjtë social-shpirtnor dhe patriotik, janë këto:
1. U botue libri i gjithë shërbimeve të shenjta për çdo nevojë fetare të popullit, si dhe mesha e shenjtë me të gjitha pjesët e mëngjesorit dhe mbramësores.
2. U botue Ungjilli i madh, i ndamë në 365 pjesë të përditshme.
3. U botue Apostulli (letrat dhe veprat e Apostujve), i ndamë në 365 pjesë të përditshme sipas Rregullores së Ortodoksisë.
4. U botue libri i të Kremteve të mëdha (përmbledhja e 12 librave të të Kremteve të çdo muaji).
5. U botue libri i Shërbesës së Vojit të bekuem. Këto botime plotësojnë nevojat e klerikëve për të krye të gjitha shërbesat fetare dhe e shkëputin Kishën nga influenca e randë e Fanarit dhe përdorimi i gjuhës së huej, sepse ato janë ma afër dhe ma të kuptueshme për ta”.
Ndër të tjera në këtë komunikatë është theksuar se çdo gjë që është bërë gjatë këtyre vjetëve, është bërë me shumë mundime e sakrifica. Komunikata përfundon me vlerësimin e punës së Visarionit për shqiptarizimin e kishës dhe për përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha shërbesat kishtare ortodokse. Futja e gjuhës shqipe në veprimtaritë e përditshme të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë shënoi shkëputjen e plotë të Kishës nga ndikimi shumëvjeçar i Fanarit dhe i Kishës greke (revista Kisha Kombëtare, Nr 4, 17 gusht 1930). Kështu u realizua aspirata e hershme e besimtarëve shqiptarë për t’u lutur e për të shprehur kulturën e tyre kombëtare në gjuhën e ëmbël amtare shqipe.
Fund
Kongresi i dytë kishtar i Korçës ishte gëzim i madh për të gjithë vendin dhe u miratua nga i gjithë populli shqiptar. Nëpërmjet tij u shpreh edhe një herë uniteti vëllazëror midis ortodoksëve, katolikëve dhe myslimanëve. Ai pohoi dhe vërtetoi se shteti shqiptar nuk ndahet sipas besimeve, ai është një i vetëm dhe respekton njëlloj besimet fetare, dënon çdo lloj përçarjeje që mund të vijë për arsye fetare
Kisha e Shën Marisë në Elbasan dhe mjediset e jashtme të saj nuk kishin parë ndonjëherë kaq shumë njerëz për të marrë pjesë në Te Deum-in madhështor. Brenda në Kishë për të ndjekur Te Deum-in zunë vend paria vendore, delegatët e Kongresit Kostaq Cipo, Kov Deliana, Dhimitër Papajani, Taq Buda delegat i Shpatit. Mbas lutjeve kishtare foli arsimtari i nderuar i qytetit, Vasil Llapushi. Ndër të tjera ai tha: “Vepra të tilla përparimtare bahen në hijen e lirisë që mbretnon në Shqipni dhe sigurohen nga N.M. Tij Mbreti Zog”. Urimet e personaliteteve pjesëmarrëse dhe të të gjithë të pranishmëve i priti Imzot Eugjeni.
Për të denigruar dhe demaskuar punën e patriotëve shqiptarë, shovinistët grekë vunë në veprim andartët në kufirin greko-shqiptar, të cilët me propagandën e tyre vorioepirote vepruan edhe kundër Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. (A.Q.Sh. Fondi 151. dosja 323. kutia 9. xhaketa 410. viti 1929). Për këtë lëvizje dhe ndërhyrje të hapur Ministria e Punëve të Jashtme iu drejtua me notë verbale Legatës së Qeverisë Greke në Tiranë. Për të gënjyer besimtarët ortodoksë të kolonive shqiptare në Greqi, Amerikë, Rumani, Egjipt u angazhuan klubet vorioepirote. (A.Q.Sh. Fondi 151. kutia 60. xhaketa 389-399, viti 1929)
Komentet