Pesëdhjetë e gjashtë vite më parë, duke shpresuar që të zgjidhte një krizë në thellim rreth fatit të Berlinit, Presidenti Dwight Eisenhower ftoi kryeministrin sovjetik Nikita Khrushchev për një samit në Camp David. Ike nuk kishte asnjë ide se çfarë po përgatitej të lëshonte në territorin, kushtetutën e të cilit ishte betuar që ta mbronte. Ishte apogjeu i Luftës së Ftohtë, një epokë frikësuese strehimesh dhe tunelesh antiatomikë. Asnjë kryeministër sovjetik nuk i kishte vizituar më parë Shtetet e Bashkuara dhe shumica e amerikanëve dinin pak për Hrushovin përveç faktit që kishte luftuar me zëvendëspresidentin Richard Nixon në “debatin e kuzhinës” të famshëm në Moskë atë korrik dhe tri vjet më parë kishte shqiptuar parashikimin kërcënues “Ne do t’ju fusim në dhe”. Hrushovi i pranoi ftesën e Ike dhe shtoi se gjithashtu do të pëlqente që të udhëtonte nëpër vend për disa javë. Dyshues ndaj diktatorit dinak, Ike pranoi me mëdyshje. Reagimi ndaj ftesës, për të thënë më të paktën, qe i përzier. Qindra amerikanë e bombarduan Kongresin me letra nervoze dhe telegrame proteste, por qindra amerikanë të tjerë bombarduan ambasadën sovjetike me lutje miqësore që Hrushovi të vizitonte shtëpinë, qytetin apo fermën e tyre. “Nëqoftëse do të vini”, i shkruan Hrushovit drejtuesi i Minnesota Apple Festival, “ju lutemi në lajmëroni”. Pak ditë përpara ardhjes së fiksuar të kryeministrit të tyre, sovjetikët lëshuan një raketë, e cila u ul në Hënë. Qe ulja e parë e suksesshme në Hënë dhe kjo shkaktoi një shpërthim masiv të shikimeve të UFO-ve në Kaliforninë Jugore. Ky qe vetëm preludi i një qëndrimi dyjavor, të cilin historiani John Lewis Gaddis do ta karakterizonte si “një ekstravagancë sureale”.
Pas javësh ekzagjerime – “Khrushchev: Man or Monster?” (New York Daily News), “Capital Feverish on Eve of Arrival” (New York Times), “Official Nerves to Jangle in Salute to Khrushchev” (Washington Post), “Khrushchev to Get Free Dry Cleaning” (New York Herald Tribune) – Hrushovi u ul në Andrews Air Force më 15 shtator të 1959. Tullac si vezë, ai ishte vetëm pak centimetra mbi 1.65 metra, por peshonte afërsisht 90 kilogramë dhe kishte një fytyrë të rrumbullakët, sy blu të hapur, një vrimë në faqe, një hapësirë midis dhëmbëve të parë dhe një mes që e bënte të dukej si një njeri që sikur mbante me vete një shalqi. Kur zbriti nga avioni dhe i shtrëngoi dorën Ike, një grua nga turma tha e habitur: “Çfarë shkurtabiqi i lezetshëm!”. Gjërat shkuan akoma më lezetshëm. Ndërsa Ike lexonte fjalimin e mirëseardhjes, bënte paturpësisht grimasa: tundi kapelen, i shkeli syrin një vajze të vogël, në mënyrë teatrale e ktheu kokën për të parë një flutur që i fluturoi afër. Ai e vodhi qendrën e vëmendjes, shkroi një reporter, “me shkujdesjen e studiuar të një aktori të vjetër varieteje”. Shfaqja në udhëtim e Hrushovit kishte filluar.
Të nesërmen, ai vizitoi një fermë në shtetin Maryland, ku përkëdheli një derr dhe u ankua se ai ishte shumë i majmë, më pas kapi një gjeldeti dhe u ankua se qe shumë i vogël. Gjithashtu, vizitoi Senate Foreign Relations Committee dhe i këshilloi anëtarët e tij që të mësoheshin me komunizmin, duke hequr një analogji me një prej tipareve të fytyrës së tij: “Nishanin e kam këtu dhe nuk kam se çfarë t’i bëj”. Herët në mëngjesin e së nesërmes, kryeministri filloi shfaqjen e tij në New York City, i shoqëruar nga guida e tij zyrtare turistike, Henry Cabot Lodge Jr., ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara. Në Manhattan, Hrushovi debatoi me kapitalistët, u ulëriti atyre që e sulmonin, bëri boks imagjinar me Guvernatorin Nelson Rockefeller, ngeci në një ashensor në Waldorf-Astoria Hotel dhe vizitoi Empire State Building, e cila dështoi për ta impresionuar. “Nëqoftëse keni parë një qiellgërvishtëse”, tha ai, “atëhere i keni parë të gjitha”. Ditën e pestë, komunisti grindavec fluturoi për në Hollywood. Atje gjërat u bënë vetëm më të habitshme.
Twentieth Century Fox e kishte ftuar Hrushovin për të parë filmimin e Can-Can, një shfaqje Broadway pikante, ngjarjet e së cilës zhvilloheshin në mes të kërcimtareve të Parisit të fundshekullit dhe ai kishte pranuar. Ishte një arritje e habitshme: një studio e Hollywood-it e kishte bindur diktatorin komunist të kombit më të madh të botës të shfaqej në një reklamë të paturpshme për një shfaqje të dorës së dytë. Studioja e zbukuroi marrëveshjen duke organizuar një drekë në restorantin e saj elegant, Café de Paris, ku diktatori i madh mund të ulej në një tryezë me yjet më të mëdhenj të Hollywood-it. Por kishte një problem: dhoma nxinte vetëm 400 veta, dhe pothuajse çdokush në Hollywood donte të ishte atje. “Një prej evenimenteve socialë “të lirë për të gjithë” më të egër në historinë e papërmbajtur dhe plot ngjyra të Hollyëood është në zhvillim e sipër rreth faktit se kush do të jetë i ftuar në drekë”, shkroi Murray Schumach në New York Times.
Uria për ftesa në drekën me Hrushovin qe aq e madhe sa e tejkaloi frikën e komunizmit që kish mbizotëruar në Hollywood qysh nga viti 1947, kur House Committee on Un-American Activities filloi të investigojë industrinë e filmit, duke frymëzuar një listë të zezë komunistësh të supozuar që ishin ende në fuqi në vitin 1959. Producentët që qenë të frikësuar për vdekje se mos shikoheshin me ndonjë skenarist komunist qenë të dëshpëruar që të shikoheshin duke drekuar me një diktator komunist.
Një dorë yjesh – Bing Crosby, Ward Bond, Adolphe Menjou dhe Ronald Reagan – i refuzuan ftesat në shenjë proteste ndaj Hrushovit, por jo aq sa duhet për ta mbajtur sallën e zbrazët nga hordhitë e atyre që e kërkonin një të tillë. Duke shpresuar që të lehtësonte presionin, 20th Century Fox shpalli se nuk do të ftoheshin agjentët dhe bashkëshortët e yjeve. Ndalimi për agjentët ra brenda pak ditëve, kurse ai për bashëshortët mbeti. Të vetmit çifte burrë e grua qenë ato të cilët të dy anëtarët i kishin yje: Tony Curtis dhe Janet Leigh; Dick Powell dhe June Allyson; Elizabeth Taylor dhe Eddie Fisher. Bashkëshorti i Marilyn Monroe, shkrimtari Arthur Miller, mund të kualifikohej si yll, por u këshillua që të qëndronte në shtëpi sepse ishte një i majtë që do të investigohej nga komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve dhe kështu që konsiderohej pak si shumë radikal për të drekuar me një diktator komunist. Megjithatë, studioja ishte e vendosur që gruaja e tij të merrte pjesë. “Fillimisht Marilyn, e cila kurrë nuk lexonte gazeta apo dëgjonte lajme, duhej t’i tregohej se kush ishte Hrushovi”, thotë Lena Pepitone, shërbyesja e Monroe, në kujtimet e saj. “Megjithatë, studioja vazhdoi të këmbëngulte. Ata i thanë Marilyn se në Rusi me Amerikë nënkuptoheshin dy gjëra: Coca-Cola dhe Marilyn Monroe. Asaj i pëlqeu kjo që dëgjoi dhe pranoi që të merrte pjesë…. Më tha se studioja donte që të vishte rrobat më të ngushta dhe më seksi që kishte për kryeministrin”. “Kam përshtypjen se nuk ka shumë seks në Rusi”, i thotë Marilyn Pepitone. Monroe arriti në Los Angeles nga New York, afër të cilit ajo dhe Miller po banonin, një ditë përpara Hrushovit. Kur zbriti, një gazetar e pyeti nëse kishte ardhur në qytet për të takuar Hrushovin. “Po”, u përgjigj ajo. “Mendoj se kjo është një gjë e mrekullueshme dhe jam e lumtur që ndodhem këtu”. Kjo provokoi pyetjen e pashmangshme në vazhdim: “Mendoni se Hrushovi dëshiron t’ju takojë?”. “Shpresoj që po”, i tha ajo.
Mëngjesin tjetër, ajo u ngrit herët në dhomën e saj në Beverly Hills Hotel dhe filloi procesin kompleks e të bërit Marilyn Monroe. Fillimisht Ralph Roberts, masazhatori personal i saj, i bëri një seancë masazhi. Më pas parukieri Sydney Guilaroff i bëri flokët. Më pas akoma grimiori Whitey Snyder i lyu fytyrën. Më së fundi, siç ishte udhëzuar, ajo veshi një fustan të ngushtë të zi me dekolte të madhe.
Në mes të këtij projekti të përpunuar, Spyros Skouras, Presidenti i “20th Century Fox”, erdhi që të sigurohej që Monroe, e cila kishte famë që vonohej, do të arrinte kësaj radhe në kohë. “Ajo duhet të jetë atje”, tha ai. Dhe atje shkoi. Shoferi i saj, Rudi Kautzsky, e çoi në studio. Kur e gjetën parkingun pothuajse bosh, ajo u frikësua. “Duhet të jemi vonë. Me siguri që ka mbaruar!”. Nuk qe vonë. Ndoshta për herë të parë në karrierën e saj, Marilyn Monroe kishte ardhur herët.
Duke pritur që të vinte Hrushovi, Edward G. Robinson u ul në tavolinën 18 me aktoret Judy Garland dhe Shelley Winters. Robinson thithte puron e tij dhe vështronte mbretërit dhe mbretëreshat e Hollywood – burrat e veshur me kostume të zinj, gratë me veshje firmato dhe bizhuteri vezulluese. Aty ndodhej Gary Cooper. Aty ndodhej Kim Novak, ashtu dhe Dean Martin, Ginger Rogers, Kirk Douglas, Jack Benny, Tony Curtis dhe Zsa Zsa Gabor.
“Kjo është gjëja më e afërt me një funeral të madh Hollywood që kam marrë pjesë në vite”, u shpreh Mark Robson, drejtori i Peyton Place, teksa shikonte skenën.
Marilyn Monroe u ul në një tavolinë me producentin David Brown, drejtorin e filmit Joshua Logan dhe aktorin Henry Fonda, veshi i të cilit ishte veshur me një gjë plastike e cila ishte lidhur me një radio me transistorë për të dëgjuar ndeshjen e bejzbollit midis Los Angeles Dodgers dhe San Francisco Giants, të cilët po luftonin për titullin e National League.
Debbie Reynolds u ul në tavolinën 21, e cila shikonte nëpër dhomë nga tavolina 15, që ishte e zënë nga ish-bashkëshorti i saj Eddie Fisher dhe bashkëshortja e re e tij, Elizabeth Taylor, e cila kishte qenë shoqe e ngushtë e Reynolds deri kur Fisher e la atë për Taylor.
Studioja u mbush me policë me uniformë civile, amerikanë dhe sovjetikë. Ata kontrolluan pjesën e jashtme plot ferra, lulet në çdo tavolinë dhe banjot e burrave e të grave. Në kuzhinë një kimist i policisë shkencore të Los Angeles i quajtur Ray Pinker kalonte një detektor Geiger mbi ushqim. “Thjesht po merrnim masa paraprake kundër gjetjes së çdo helmimi radioaktiv të përgatitur për të dëmtuar Hrushovin”, tha Pinker përpara se të drejtohej për të kontrolluar lozhën ku kryeministri do të shikonte filmimin e Can-Can.
Ndërsa makina e Hrushovit iu afrua studios, yjet shikonin ardhjen e tij në transmetim të drejtpërdrejtë në televizionet që qenë vendosur nëpër dhomë, luajtëset e kanaleve të hequra në mënyrë që askush të mos e çonte tek ndeshja Dodgers – Giants. Ata e panë Hrushovin të dilte nga limuzina dhe të shtrëngonte duart me Spyros Skouras.
Pak çaste më pas, Skouras e futi Hrushovin në dhomë dhe yjet u ngritën për të duartrokitur. Sipas matjeve të sakta të Los Angeles Times, duartrokitja ishte “miqësore, por jo e zhurmshme”.
Hrushovi zuri një vend në tavolinën kryesore. Në një tavolinë në krah, bashkëshortja e tij Nina u ul midis Bob Hope dhe Frank Sinatra. Elizabeth Taylor u ngjit në krye të tavolinës 15 për të pasur një pamje më të mirë të diktatorit.
Ndërsa kamarierët servirën drekën – kumri, oriz të egër, patate parisiane dhe bizele me qepujka – Charlton Heston, që dikur kishte luajtur Moisiun, u përpoq që të bënte pak muhabet të rëndomtë me Mikhail Sholokhov, romancierin sovjetik që do të fitonte Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1965. “Kam lexuar pjesë nga librat e tij”, i tha Heston.
“Faleminderit”, iu përgjigj Sholokhov. “Kur të marrim disa nga filmat e tu, nuk do të mungojë që të shikoj disa pjesë prej tyre”.
Afër tyre, Nina Hrushova i tregoi Frank Sinatra dhe David Niven fotografi të nipërve e mbesave dhe bëri shaka me yllin kaubojs Gary Cooper, një prej aktorëve të pakët amerikanë që kish parë në televizion. Ajo i tha Bob Hope se donte të vizitonte Disneyland.
Ndërsa Henry Cabot Lodge hëngri kumrinë e tij, shefi i policisë së Los Angeles, William Parker, papritmas u shfaq prapa tij, tejet nervoz në dukje. Më parë, kur Hrushovi dhe enturazhi i tij kish shprehur interes për të shkuar në Disneyland, Parker e kish siguruar Lodge se mund të jepte sigurinë e duhur, por teksa po udhëtonin nga aeroporti drejt studios, dikush hodhi një domate të madhe të pjekur mbi limuzinën e Hrushovit. Ajo nuk i ra asaj, por u përplas mbi makinën e shefit.
Parkeri u përkul dhe i pëshpëriti Lodge në vesh. “Dua që ju, si përfaqësues i Presidentit, të dini se nuk do të jem përgjegjës për sigurinë e kryeministrit Hrushov nëqoftëse shkoni në Disneyland”.
Kjo e tërhoqi vëmendjen e Lodge. “Shumë mirë, shef”, i tha ai. “Nëqoftëse nuk do të jeni përgjegjës për sigurinë e tij, atëhere ne nuk do të shkojmë dhe do të bëjmë diçka tjetër”.
Dikush nga grupi i Hrushovit e dëgjoi bisedën dhe menjëherë u ngrit për t’i raportuar liderit sovjetik se Lodge e kish anulluar shëtitjen në Disneyland. Kryeministri i dërgoi një shënim ambasadorit: “E mora vesh se keni anulluar shëtitjen në Disneyland. Më erdhi jashtëzakonisht keq”.
Kur kamarierët i kish hequr pjatat nga tavolinat, Skouras u ngrit për të folur. I shkurtër, i ngjeshur dhe tullac, 66-vjeçari Skouras ngjante shumë me Hrushovin. Me një zë të ashpër dhe theks të fortë, ai tingëllonte gjithashtu shumë si Hrushovi. “Ai kishte një theks të tmerrshëm grek”, kujton Chalmers Roberts, i cili mbulonte turin amerikan për Washington Post. “Çdo njeri po qeshte”.
Hrushovi e dëgjoi për pak kohë Skouras, më pas u kthye nga përkthyesi i tij dhe i pëshpëriti: “Pse përkthen për mua? Ky paska më shumë nevojë”.
Skouras mund të ketë tingëlluar i lezetshëm, por ishte një biznesmen serioz me një histori klasike amerikane suksesi. I biri i një bariu grek, ai kish emigruar në Amerikë në moshën 17-vjeçare, duke u vendosur në St. Louis, ku shiste gazetat, pastronte tavolinat dhe kursente paratë e tij. Me dy vëllezër, ai investoi në një kinema, më pas në një tjetër dhe më pas në një tjetër akoma. Në vitin 1932, ai po menaxhonte një zinxhir prej 500 kinemash. Një dekadë më vonë, ai po drejtonte 20th Century Fox. “Megjithë modestinë, ju lutem që të më shikoni”, i tha ai Hrushovit nga skena. “Jam shembulli i një prej atyre emigrantëve, së bashku me dy vëllezërit e mi, të cilët erdhën në këtë vend. Për shkak të sistemit amerikan të mundësive të barabarta, jam me shumë fat tani që jam President i 20th Century Fox.”
Si shumë oratorë të tjerë të pasdrekës lidhur me udhëtimin e Hrushovit, Skouras donte që ta mësonte atë për kapitalizmin: “Sistemi kapitalist ose sistemi i vlerës nuk duhet kritikuar, por duhet analizuar me kujdes, ndryshe Amerika nuk do të ekzistonte kurrë”.
Skouras tha se kohët e fundit kishte udhëtuar në Bashkimin Sovjetik dhe kishte gjetur se “njerëzve zemërmirë u vinte shumë keq për milionat e të papunëve në Amerikë”. Ai iu kthye Hrushovit. “Ju lutem thoni popullit tuaj se nuk ka asnjë papunësi në Amerikë për t’ia pasur frikën”.
Kur dëgjoi këtë, Hrushovi nuk mundi t’i rezistonte kunjit. “Mos e lejoni Departamentin e Shtetit që të na japë statistikat rreth papunësisë në vendin tuaj”, tha ai, duke i ngritur pëllëmbët me një gjest teatral habie. “Mos më shani mua. Ato janë statistikat tuaja. Unë jam vetëm lexuesi, jo shkruesi i tyre”. Kjo siguroi një të qeshur nga audienca.
“Mos i besoni gjithçkaje që lexoni”, ia ktheu Skouras. Edhe kjo shkaktoi të qeshur.
Kur Skouras u ul, Lodge u ngrit për të prezantuar Hrushovin. Ndërsa ambasadori vazhdonte të fliste për afeksionin e supozuar të Amerikës për kulturën ruse, Hrushovi e ndërpreu, duke reklamuar një film të ri sovjetik.
“E keni parë Ata luftuan për atdheun e tyre?”, pyeti kryeministri. “Bazohet në një roman të shkruar nga Mikhail Sholokhov.”
“Jo”, i tha Lodge, paksa i kapur në befasi.
“Mirë atëhere, bleje”, i tha Hrushovi. “Duhet ta shikoni”.
Duke qeshur, diktatori u ngjit në skenë dhe ftoi yjet që të vizitonin Bashkimin Sovjetik: “Ju lutem hajdeni”, tha ai. “Do t’ju japim keket tona tradicionale ruse”.
Më pas iu kthye Skouras – “Vëllai im i dashur grek” – dhe tha se ishte i impresionuar nga historia kapitaliste e jetës së tij, por e tejkaloi atë me një histori jete komuniste. “Kam filluar të punoj pothuajse sa kam filluar të mësoj të eci”, tha ai. “Ushqeja lopët për kapitalistët. Kjo përpara se të mbushja të 15-at. Më vonë, punova në një fabrikë për një gjerman. Pastaj në një minierë që e kishin francezët”. Ndaloi dhe qeshi. “Sot jam kryeministri i shtetit të madh sovjetik”.
Tani ishte radha e Skouras që të kundërpërgjigjej. “Sa kryeministra keni?”.
“Do t’i përgjigjem kësaj”, replikoi Hrushovi. Ai ishte kryeministri i të gjithë vendit dhe secila nga republikat kishte kryeministrin e saj. “Ju keni kaq shumë?”.
“Ne kemi 2 milion presidentë amerikanë të koorporatave amerikane”, ia ktheu Skouras.
Goli i parë për Skouras! Sigurisht, Hrushovi nuk kishte ndërmend të lëshonte pe.
“Zoti Tikhonov, ngrihuni pak ju lutem”, urdhëroi kryeministri.
Nga një tavolinë në audiencë, Nikolai Tikhonov u ngrit.
“Kush është ai?”, pyeti Hrushovi. “Ai është punëtor, i cili u bë inxhinier metalurgjie…. Ai është drejtues fabrikash të mëdha kimike. Një e treta e mineralit që nxirret në Bashkimin Sovjetik vjen nga rajoni i tij. Atëhere, shoku grek, nuk është kjo mjaft për ju?”.
“Jo”, ia ktheu Skouras. “Ky është monopol”.
“Është monopol i popullit”, replikoi Hrushovi. “Ai nuk posedon asgjë tjetër përveç pantallonave që vesh. Gjithçka i përket popullit!”.
Më herët, Skouras i kish kujtuar audiencës se ndihma amerikane ndihmoi që të luftohej zija e bukës në Bashkimin Sovjetik në vitin 1922. Tani, Hrushovi i kujtoi Skouras se përpara se të dërgonin ndihmë, amerikanët kishin dërguar një ushtri për ta shuar revolucionin bolshevik. “Dhe jo vetëm amerikanët”, shtoi ai. “Të gjitha vendet kapitaliste të Europës dhe të Amerikës marshuan drejt vendit tonë për ta mbytur në pelena revolucionin e ri. Asnjë prej ushtarëve tanë nuk ka qenë kurrë në truallin amerikan, por ushtarët tuaj kanë qenë në atë rus. Këto janë faktet”.
Prapëseprapë, tha Hrushovi, nuk kishte asnjë urrejtje. “Edhe në këto rrethana”, tha ai, “akoma iu jemi mirënjohës për ndihmën që na dhatë”.
Pastaj Hrushovi tregoi përvojat e tij luftarake në Ushtrinë e Kuqe gjatë luftës civile ruse. “Isha në rajonin e Kubanit kur u ndeshëm me Ushtrinë e Bardhë dhe i hodhëm në Detin e Zi”, tha ai. “Jetoja në shtëpinë e një familjeje intelektuale borgjeze shumë interesante”.
Ja ku ishte, vazhdoi Hrushovi, një minator i paarësimuar me duart gjithë qymyr, ai dhe ushtarë të tjerë bolshevikë, shumë prej të cilëve të pashkollë, që ndanin shtëpinë me mësues dhe muzikantë. “Kujtoj të zonjën e shtëpisë që të më ketë pyetur: “Më thoni, çfarë dini rreth baletit? Ju jeni një minator i thjeshtë, apo jo?”. Të them të vërtetën, nuk dija asgjë rreth baletit. Jo vetëm që nuk kisha parë kurrë balet, por dhe nuk kisha parë as edhe një balerinë”.
Audienca qeshi.
“Nuk e dija se çfarë lloj gjelle ishte apo se me çfarë hahej”.
Kjo solli akoma më shumë të qeshura.
“Dhe u thashë: “Prisni, gjithçka do të vijë. Do të kemi gjithçka, edhe balet””.
Edhe denigruesit e kuq të palodhur të shtypit Hearst e pranuan se “ai qe një moment pothuajse i rrallë”. Por sigurisht që Hrushovi nuk mund të ndalej aty. “Tani kam unë një pyetje për ju”, tha ai. “Cili vend ka baletin më të mirë? I juaji? Ju bile nuk keni asnjë trupë të përhershme opere apo baleti. Teatrot tuaj përdorin atë që u jepet nga të pasurit. Në vendin tonë është shteti ai që i jep paratë dhe baleti më i mirë është në Bashkimin Sovjetik. Ai është krenaria jonë”.
Ai vazhdoi të llomotisë më tej dhe më pas kërkoi falje për bezdisjen. Pas 45 minutash të folure, u duk se po i afrohej një mbylljeje të ëmbël. Pastaj iu kujtua Disneyland.
“Pikërisht tani m’u tha se nuk mund të shkoj në Disneyland”, shpalli ai. “Pyeta: “Pse jo? Çfarë ka ndodhur? Mos keni rampa lëshimi raketash atje?””.
Audienca qeshi.
“Vetëm dëgjoni”, tha ai. “Vetëm dëgjoni se çfarë m’u tha: “Ne, domethënë autoritetet amerikane, nuk mund ta garantojmë sigurinë tuaj atje””.
Ngriti duart në stil estrade. Kjo i solli një të qeshur tjetër.
“Çfarë është kjo? Mos ka ndonjë epidemi kolere atje? Mos e kanë pushtuar vendin gangsterët atje? Policët tuaj janë aq të fortë sa ta lëvizin një dem duke e kapur nga brirët. Sigurisht që mund të rivendosin rend nëqoftëse ka ndonjë gangster. Unë thashë: “Do të doja shumë që ta shikoja Disneyland”. Ata thonë: “Ne nuk mund ta garantojmë sigurinë tuaj”. Atëhere, çfarë duhet të bëj unë? Të kryer vetëvrasje?”.
Hrushovi po fillonte të dukej më shumë i zemëruar sesa i mërzitur. Grushtat e tij goditën ajrin rreth fytyrës së tij të kuqe.
“Kjo është situata në të cilën e gjej veten”, tha ai. “Për mua, një situatë e tillë është e pakonceptueshme. Nuk mund të gjejë fjalët për t’ia shpjeguar këtë gjë popullit tim”.
Audienca u befasua. Vërtet po shikonin diktatorin 65-vjeçar të vendit më të madh të botës që po shfrynte zemërimin pse nuk mund të shkonte?
E ulur në audiencë, Nina Hrushova i tha David Niven se ishte vërtet e mërzitur pse nuk mund të shikonte Disneyland. Kur dëgjoi këtë, Frank Sinatra, i cili ishte ulur në krah të zonjës Hrushov, u përkul dhe i pëshpëriti Niven në vesh.
“Në dreq policët!”, tha Sinatra. “Thuaj zonjës se ti dhe unë do t’i çojmë atje këtë pasdite”.
Shumë shpejt, zemërimi i Hrushovit, nëqoftëse qe ky ai që kishte, u zhduk. Ai llomotiti pak rreth faktit sesi ishte ngjeshur në një limuzinë të mbyllur në vend të një kabriolete të mirë e të freskët. Më pas, ai disi kërkoi falje: “Ndoshta do të thoni: “Çfarë miku i vështirë qenka ky”, por unë i besoj rregullit rus: “Ha bukë e kripë, por thuaj gjithmonë atë që mendon”. Më falni nëqoftëse isha disi gjaknxehtë, por edhe temperatura këtu kontribuon në këtë. Gjithashtu”, iu kthye ai Skouras, “miku im grek më ngrohu”.
E çliruar nga ndryshimi i gjendjes shpirtërore, audienca duartrokiti. Skouras i shtrëngoi dorën Hrushovit, i ra shpatullave dhe të dy burrat trashaluqë e tullacë qeshën, ndërsa yjet, të cilët njohën një shou të mirë kur e parë një të tillë, i shpërblyen ata me një duatrokitje entuziaste në këmbë.
Dreka mbaroi, Skouras e shoqëroi mikun e tij të ri drejt studios së zërit ku Can-Can po filmohej, duke pushuar së përshëndeturi yjet e ndryshëm gjatë rrugës. Kur hasi Marily Monroe në turmë, Skouras nxitoi që t’ia paraqiste atë kryeministrit, i cili kishte një parë një pamje të madhe me fytyrën e saj në një film rreth jetës amerikane në një ekspozitë amerikane në Moskë. Hrushovi i shtrëngoi dorën dhe i nguli sytë.
“Jeni një zonjë e re e bukur”, i tha duke qeshur.
Më vonë, ajo do të tregonte sesi ishte të shikoheshe me kujdes nga diktatori: “Më shikoi në mënyrën sesi një burrë shikon një grua”. Në atë moment, ajo reagoi ndaj shikimit të tij duke e informuar se ishte e martuar.
“Im shoq, Arthur Miller, iu dërgon përshëndetjet e tij”, u përgjigj ajo. “Duhet të ketë më shumë nga këto gjëra. Kjo do t’i ndihmonte të dyja vendet që ta kuptonin njëri tjetrin”.
Skouras e shoqëroi Hrushovin dhe familjen e tij drejt Sound Stage 8 dhe e ngjiti në një shkallare të drunjtë jo shumë të qëndrueshme drejt një ambienti sipër skenës. Sinatra u shfaq në skenë i veshur me një kostum francez të fillimit të shekullit, kostumi i tij. Ai luante rolin e një avokati francez që bie në dashuri me një valltare, të luajtur nga Shirley MacLaine, e cila ishte arrestuar për luajtjen e një vallëzimi të ndaluar të quajtur cancan. “Ky është një film rreth shumë vajzash të bukura dhe tipave që i pëlqejnë shumë ato”, deklaroi Sinatra.
Duke dëgjuar përkthimin, Hrushovi buzëqeshi dhe duartrokiti.
“Më pas në këtë film, ne shkojmë në një saloon”, vazhdoi Sinatra. “Ky është një vend ku shkoni për të pirë”.
Hrushovi qeshi me këto fjalë. Dukej se po ia kalonte mirë.
Filmimi filloi; radhët u formuan dhe pas një numri vallëzimi që nuk la kurrfarë dyshimi se pse cancan dikur ishte ndaluar, shumë spektatorë, amerikanë dhe rusë, ngritën supet: Pse zgjodhën këtë për Hrushovin?
“Qe zgjedhja më e keqe e imagjinueshme”, kujton më pas Wiley T. Buchanan, Shefi i Protokollit i Departamentit të Shtetit. “Kur kërcimtari futet në fundin e MacLaine dhe del duke mbajtur ato që duket se janë mbathjet e kuqe të saj, amerikanët e pranishëm ia dhanë një psherëtime tmerri të dëgjueshme, ndërsa rusët qëndruan stoikë, duke disaprovuar në heshtje”.
Më vonë, Hrushovi do ta denonconte kërcimin si gjë pornografike, megjithëse në ato momente dukej mjaft i kënaqur. “Po e shikoja me vëmendje”, thotë Richard Townsend Davies i Departamentit të Shtetit, “dhe dukej sikur po e shijonte çka po shihte”.
Sergei Khrushchev, i biri i kryeministrit, nuk është dhe aq i sigurtë. “Ndoshta babai ishte i interesuar, por më pas filloi të mendonte: “Çfarë do të thotë kjo?”, kujton ai. “Për shkak se Skouras qe shumë miqësor, babai nuk e mendoi atë si ndonjë provokim politik, por nuk kishte shpjegim. Ajo ishte thjesht jeta amerikane”. Sergei mblodhi shpatullat, më pas shtoi: “Ndoshta Hrushovi e pëlqeu, por do të thoja për të sigurtë: Nëna nuk e pëlqeu”.
Pak çaste më vonë, Hrushovi hipi në një limuzinë të gjatë të zezë me bishta të mbrapëm të gjatë. Lodge rrëshqiti pas tij. Limuzina eci përpara, duke fituar me ngadalë shpejtësi. Duke e prishur Disneyland, guidat e Hrushovit u shtrënguan që të dilnin me një plan të ri. Në vend të tij, ata e dërguan kryeministrin në një tur në vende ku po bëheshin ndërtime të reja. Hrushovi nuk shkoi asnjëherë në Disneyland.
Peter Carlson ka kaluar 22 vite tek Washington Post si editorialist dhe gazetar për gjëra të veçanta. Ai jeton në Rockville të shtetit Maryland.
Përgatiti ARMIN TIRANA
Komentet