Kumtesë interesante me vlera historike është ajo e studiuesit historianit Sherif Delvina me titull “HIMARA- EPIRI I ARBËVE”. Ja seç shkruan Sherif Delvina për Himarën:
Në lashtësi, Himara ndodhej në Kaoninë e Epirit e banohej nga fisi i keraunëve. Në veri Epiri kufizohej me malet Keraune( malet e Vetëtimës), e ndërsa në jug me Greqinë, në fund të Gjirit të Ambrakisë. Nga Skylaksi mësojmë se Epiri, përkatësisht Kaonia, fillon me keraunët (Skylaksi 26, 28,). Fisi i keraunëve e kishte marrë këtë emër nga malet Keraune( të vargut të Karaburun- Shëndelli- Çikë) Rripi i ngushtë i prapatokës, që nga Palasa deri në Hundësovë, me dy qendra të pajisura me kala, që ruhen edhe sot, kalaja e Himarës përmendet si kështjellë nga autori latin Gai Plini i Dytë (shek, i parë pas Krishtit) në veprën e tij “Historia e natyrës”.
Nga studimi i mjaft skeleteve të trevës kaone të kohës së lashtë dhe të mesjetës nga antropologu A. Dhima, theksohet se: në kokë qëndrojnë elementet adriatike e mesdhetare, të njohura si përcaktues në sintezë e etnosit ilir, më pas atij arbëror”. Në vitin 395, më pas Himara u përfshi në Epirin e Vjetër. Ajo përmendet në shekullin e gjashtë nga Prokopi i Çezaresë, historian, bashkëkohës i Justinianit (527-568) pas Krishtit, perandor i Bizantit. Deri në shek. E VIII Epiri i Vjetër, ku përfshihej Himara, ishte pjesë përbërëse e patriakatit romak, na bën të ditur Alain Ducelleir. Në vitin 1199, perandori i Bizantit Aleksi III Komeni, u njohu venedikasve privilegjet në krahinën e Himarës. Në vitin 1275 Karli Anzhu e përmend atë në mbretërinë e Arbërisë. Në shek.XIV princi Balsha II, zoti i Himarës, u vra më 1385 në betejën e Savrës nga turqit. Në zotërimet që trashëgoi gruaja e tij, Komita Muzaka, përshihej edhe Himara. Në regjistrin Osman të sanxhakut të Shqipërisë, të vitit 1431, përfshihej edhe Himara. Ajo është “naije” (krahinë) e përbërë nga 9 fshatra: Balasa,Vune, Belovodë, Stefanaj, Kavalarilediç, Rufani, Selcë, Shalsi dhe Kirderjani me 229 shtëpi, 23 gra të veja dhe 22 beqare. Taksat e të dhjetav, që i paguanin këto fshatra sunduesit Osman, ishin 548 dukatë ari. Ato merreshin për një vit nga krahina e Himarës. Gjergj Aranit Komeni, vjehrri i Skënderbeut, theu në grykat e Kurveleshit ushtritë osmane. Në ushtrinë e tij bënin pjesë edhe himarjotët.
Kapedani i tyre Andon Linjerosa, u vra në betejën e 29 qershorit 1444. Kjo krahinë e vazhdoi luftën edhe pas rënies së Krujës në dorë të osmanëve, thekson Sherif Delvina. Dokumentet e vitit 1479, në disa zona malore u krijuan disa Vatra qëndrese; një ndër to ishte edhe Himara. Shumë banorë u shpërngulën në fund të shek. XV për t’i shpëtuar hakmarrjes osmane dhe u vendosën në malësinë e Kurveleshit, ndërsa të tjerët përtej detit Jon, në Italinë Jugore ku edhe sot ruajnë me fanatizëm gjuhën shqipe. Atje himarjoti Lekë Matrënga përktheu nga italishtja dhe botoi në Romë një katekizëm në shqip. Sipas Papadakis “Historia diplomatike e çështjes së Vorio-Epirit, Athinë, 1958, himarjotët përfunduan një traktat me Portën e Lartë duke fituar venomet më 1518, qeveriseshin vetë, të mbanin armë dhe t’i paguanin haraç sulltanit. Joanis lenclavi në “Pandectae” botuar më 1587, kur na flet për luftërat e himarjotëve kundër turqve më 1572, na bën të ditur në CHR, viti 1572, f.364, se popullsia e Himarës dhe krahina e tyre janë pjesë e Arbërisë. Karakteri etnik thjesht shqiptar i kësaj krahine nuk vihet në dyshim edhe nga shumë autorë të tjerë. Në letrën që himarjotët i dërgojnë Papës më 12 korrik 577, shkruajnë: ..nga Himara, domethënë nga Epiri i Arbërve”. Ndër të tjera, i krenohen për mbretin e tyre Skënderbeun, dhe përfundojnë letrën duke kërkuar ndihmë: “Për këtë qëllim Gjikë Nikolla e Gjergj Katasi, nënshtetasit tanë, vijnë pranë Shënjtërisë suaj si përfaqësuesit tanë e kërkojnë ndihmë të ngrenë peshkopatën, dhe armë për t’u rezistuar turqve”. Në fillim të shekullit XVII në Himarë erdhën misionarë bazilianë. Shumica e tyre ishin arbëreshë. Në vitin 1630 erdhi në Himarë misionari katolik Neofit Rodino një mësues i palodhur. Një nga nxënësit e tij, që më vonë u bë prift ishte Papa Dhimitri nga Dhërmiu, nga familja Gjoleka. Neofiti përktheu në shqip katekizmin. Murgu Zef Skiroi u mësonte katekizmin edhe në sheshe publike në gjuhën greke (gjuhë e ritit), edhe në gjuhën shqipe. Ai së bashku me himarjotin tjetër Matrëngën misionarin katolik, bënë shumë për përhapjen e arsimit shqip. Shkollat e Himarës u mallkuan nga dhespoti i Janinës dhe i Delvinës”,-thotë shkrimtari ynë i shquar Petro Marko. Ndër të tjera Sherif Delvina citon edhe Likun që vizitoi Himaën në fillim të shek.XIX, i cili vë në dukje se gratë e Himarës flasin shqip, ndërsa burrat përveç shqipes dinë edhe italisht, ose greqisht. Millingeri, mjeku i Bajronit, shkruan shprehimisht se dyqind vullnetarë himarjotë, që po i shkonin në ndihmë revolucionit grek, të gjithë veshur me fustanella, nuk dinin asnjë fjalë greqisht. Më 1829 Greqia fitoi pavarsinë. Kryetari i parë i shtetit grek(1827-1831) u zgjodh Konti Jan Kapodistria,ish-ministër i Jashtëm i Rusisë. Bazë e politikës së tij shtëtërore u bë vija e arrogancës shtetërore dhe e shtypjes së minoriteteve. Në sfondin e ideologjisë grekomadhe shqiptarët i futën si viktima e parë që duhej të flijoheshin. Që të zinin mirë themelet e Megaliidesë, u planifikua të merrej Epiri, kjo tokë etnike nga rusofili Jan Kapodistria. Për të vënë në zbatim Megaliidenë, u përpoq me mish e me shpirt edhe Spiro Miloja. Më 1829 ai kërkoi që të ngrinte flamurin e Greqisë në Himarë, pastaj në Vlorë e në tërë Shqipërinë e Jugut. Himara, sipas tij, duhej t’i merrej Turqisë dhe t’i aneksohej Greqisë. Ai s’u kthye më në Himarë. Sipas Arvantinoit, të 7 fshatrat e Himarës (Bregu i Sipërm) më 1856 kishte 3300 banorë. (P.Arvantinoi, “Kronologji e Epirit”, Athinë, 1856, volII. F.178). Në vitin 1870 gjejmë kajmekam të Turqisë në Himarë Myslim Gjolekën, të birin e Zenel Gjolekës.
Në mesin e shkurtit të vitit 1878 shovinistët grekë nisën pushtimin e Lëkurësit me andartë. Në sajë të manovrave të suksesshme të komanduara nga Myslym Gjolka, së bashku me forcat që u erdhën në ndihmë, grekët u shpartalluan. Sipas Megaliidesë, që ishte shtylla vertebrore e politikës së jashtme greke, u shpall botërisht diagnoza: “Epiri vuan nga sundimi Osman. Terapia është helenizimi i shpejtë i tij”. Me trinomin “Patriakanë-qeveri greke-shkolla greke të Hiamarës”, më kot u përpoqën të helenizojnë Himarën, sepse grekët nuk arritën ta ndryshonin substancën krejtësisht shqiptare të saj. Pas revolucionit xhonturk, nëpërmjet doktor Epaminonda Kolekës, filloi në Himarë mësimi i gjuhës shqipe. Pleqësia e Himarës mori një letër në të cilën shovinistët grekë dënonin veprimtarinë e Konom Zotos, sepse kishte lejuar përhapjen e gjuhës shqipe dhe këndimin shqip të Ungjillit. Dënohej gjithashtu veprimtaria e Naqe Konomit, Gaqo Kapore, sepse mësonin gjuhën shqipe në kundërshtim me gjuhën e zotit. Më tej shton historiani Sherif Delvina, se pas luftës së Paë Botërore, Greqia u përpoq të nxisë trazira në Himarë. Ndërsa sot e vazhdon propagandën kundër Shqipërisë lukunia vorioepiriote. Edhe sa kohë do të vazhdojë kështu?
Fshatarët e Himarës përbëhen nga farat e 7 fshatrave të Himarës. Vetëm Piluri ka të gjitha farat vendase. Ai ka 12 fara: Dhramaj, Koçaj, Kokaj, Dodëlagji, Lagjin, Todraj, Gjiklimaj, Gjinmashaj, Qesaraj, Krekaj, Majal, Çakalaj. Ndërsa në Himarë kanë ardhur këto fara: Meko nga Nivica e Kurveleshit; Karo, Zhupa, Dhima, Mihaj, Gegëfikaj nga Porgonati; Lekaj, Gjikaj, Beleri, nga Kuçi; Bollano, nga Regjina e Kurveleshit; Bodinoj nga Piqerasi; Zotaj, Totaj, Mitraj nga Vithkuqi; Konomaj nga Sopiku; Zizaj nga Pogoni e kështu me rradhë për çdo fshat. Në këtë krahinë çdo farë kishte në krye kryeplakun. Pleqtë e çdo fare prbënin pleqësinë. Ata zgjidhnin të parin e fshatit. Institucioni i besës kishte pothuajse atë përmbajtje që ka ai në Veri të Shqipërisë për mikun, mikpritjen nderin etj. Ndarjen në fara Pukëvilli e merrte si zakon të vjetër mbarëshqiptar. Vajet dasmat, këngët, çdo gjë e tillë në Himarë është shumë e afërt me atë të Labërisë: këtu përfshihet dhe qendra e Himarës. Në të gjithë folklorin e tyre nuk gjen një krijim të pajtueshëm me folklorin grek. Në veshjet e Himarës përdoren derivatet e veshjes së Labërisë. Shovinistët grekë kanë dashur të ngrenë folenë e tyre në Himarë dhe të ngatërrojnë fenë me kombësinë, por të gjithë himarjotët janë shqiptarë autoktonë dhe këtë e tregojnë në të gjithë aspektet e jetës (madje edhe në vajtimet që i kanë të njëjta me zonat e tjera të Labërisë).
Një vit më parë u nda nga jeta historiani Sherif Delvina, ai gjithnjë ka pasur busull çështjen kombëtare dhe këtë e ka shprehur kudo në media dhe në librat e tija kushtuar kombit.