DITA E TETË E BOTËS
Drenis Aliaj ti a e din,
Fisit tonë me drita të murosura
I ka munguar viti Një, i Nisjes .
Kanë thënë:
Shiheni hartën tuaj të prerë:
I ngjan lëkurës së dhisë, simbol i Mallkimit.
Po, nëse bota u bë në shtatë ditë,
Përtej Mallkimit, ne jemi Dita e Tetë…
TETË MINUTA
Syri i etur i barit gjuan renë udhëtare,
Tetë minuta për të ardhur drita e diellit në tokë,
Dita vonohet nëpër kokat sferike, rrotat e autove,
barqet e fryra,
Tetë minuta, tetë minuta, tetë minuta, universi në alarm,
A thua në cilën minutë është fati i botës?
Ruajna, o zot, minutën e tetë,
Bota të mos na mbetet as ditë, as natë,
Të mos na ngrijë bota,
E ditën të mos e hedhim në lumë si foshnje të dështuar!
Syri i zbehtë i yllit gjuan tokën e etur As të zgjuar, as të fjetur!
1990
Viti 1990
Mund t’i zbresësh të gjitha vitet deri te viti një
Dhe gjen përvjetorin e çdo ngjarje të botës
Në vitin 1990.
Të gjitha vitet janë më të vogla se ky vit
Gjatë të cilit nuk mora asnjëherë në telefon vetveten
As në Tiranë, as në Prishtinë, as në Ferr
qingjin e parë që ma falën e lashë në pyll tim ndillte ujqerit.
E kish marr malli pyllin tim për ujqër
Gjithë verën ruajta dhitë briarta folklorike të mos m’i gjejë gjë
Në trupin e një bukurie mbolla një yll që s’ia kam gjetur emrin
Isha tejet i çuditshëm: vdisja e rilindja brenda nate
Në gjysmën time binte bore,në tjetrën gjarpëri pelciste vape
në njërën gjysmë nata ish natë, në tjetrën dita ish e pagjumë,
Thua se isha toka, gjysmënatë, gjysmëditë,
Në njërën gjysmë gjarpëri zhvishte lëkurën, në tjetrën
Një nuse rezistonte bukurisht të mos zhvishej
Flija përgjysmë, njëra gjysmë po mbushte shekullin pa fjetur
Ballkani qe mbushur plot minj, thuhej se do kish tërmete
S’di, nga thatësira e gjatë a nga mallkimi i hershëm,
Statujat udhëtonin në këmbë, të gjitha, ndoshta për në Harrim.
Në gjysmën time guri dridhej me mundësi lindjeje, në tjetrën
gjysmë
Njeriu prej mishi të gjallë
Përpiqej të çlirohej përjetësisht prej gurit
Fjala “Demos” lakohej në të gjitha trajtat,
E lakonin poetët, priftërinjtë, diktatorët, demagogët,
Zi na ishin krejt shpatullat e shpendëve ka parashihen fatet
yjet s’jepnin asnjë shenjë
Priteshin veç shpatullat e ylli i njeriut.
Prej vitit 1990 mund t’i zbresësh të gjitha vitet, deri tek viti një
Lehtësisht mund të gjesh rrethin e tij në drurë,
Brenda një viti janë gjithë ditëlindjet e botës,
Ditëlindjet e Zotave, ditëlindjet e Lirive
Shpëtoftë kujtesa e viteve që s’kanë ardhur!
1990
SYRI I SHIVES
Thonë se njerëzimi ka qenë me tre sy:
Syrin e Shivës pas koke e kishte
Për të parë mbrapa
Me dy sy mund të shohësh, para, djathtas, majtas
Bashkë me humbjen e syrit të Shivës
Njeriut i humbi përmasa e katërt e botës.
Duhet të ketë qenë kohë e karrierës dhe krimeve
të mëdha,
Të shihni vetëm përpara urdhëronin Zotat,
Por Syri i Shivës, disident i mallkuar
Shihte edhe mbrapa, këlthiste, kushtronte,
kur shihte thikën që sulmonte pas shpine
E ruante kujtesën dhe shpatullat e njeriut
Nga gjithë gjallesat e tjera me dy sy
Njeriun me tre, e shpallte perëndi.
Të shuhet Syri i Tretë, Zotat urdhëruan
Me tre sy mund të jemi vetëm ne,
…Dhe shpina njerëzore mbeti përjetë në natë,
Dhe thika pas shpine pa dëshmitarë,
Dhe koha mbi botë mbeti pa “dje”
Katër pikat e horizontit u bënë tri,
Tri përmasat e kohës u bënë dy.
Ka kohë që koha nuk po fle
Me një dhimbje pas koke Ylberore,
si dhimbja e flijimit,
Dhimbje prej së cilës as vdiset, as shpëtohet
Syri i Shivës, pas koke i dhemb njerëzimit…
DYSHI NË NJERIUN
Unë, Ti, Ai, Ne…
Unë kam qeshur e Ti brenda meje qaje,
Ti ke bërë dasmë e Ai brenda teje vdiste,
Ai ka qënë në pranga, gjysmën e vet e ka pasur gardian
Unë, Ti, Ai, Ne…
Në këmbën e djathtë këpucë qyteti, në të majtën
Një opingë fshatari,
Në dorën e djathtë një laps, në të majtën
Një gomë harrimi,
syrin e djathtë vigjilent, me të majtin
Betohu se s’ke parë asgjë,
Fytyrë Sokrati në trupin e derrit.
Hesht, folheshtfolheshtfolhesht!
Unë, Ti, Ai, Ne…
Kur ëngjëlli të flejë me ty, të zgjohet djalli,
kur gjysma të ketë vapë, borë të bjerë në tjetrën
Kur qingji të luajë livadhet e shpirtit
Ujku stërdhëmbësh të dalë nga prrocka
Lepuri këmbëshpejtë dhe qerrja e shtetit.
Në mua, në ty, ne atë, në Ne…
Gjysma i burgosur, gjysma prokuror,
Gjysma i virgjër, gjysma prostitutë,
Gjysma i ndjekur, gjysma detektiv,
Gjysma në gjumë, gjysma i pafjetur,
gjysma skifter, gjysma pulë e trembur
Unë, ti, ai, Ne…
Koka e njeriut në trupin e kalit,
Trup i bukur femre, kokë dhie me brirë,
Në trup zvarraniku, krahë të bukur zogu,
Në kurriz balenë, gungat e devesë;
Në javët e prillit, nga tri ditë dhjetori,
Dhe në trup të qingjit, koka ujk të jetë
Unë, ti, ai, Ne
dhe përpjekja shekullore e dyshit për t’u bërë një
Unë, unë,
Ti – ti,
Ai-ai.
Ne…
1989
TMERRI I UDHEKRYQIT
E kam parë njëherë kohën, krejt të hutuar në udhëkryq
E thërrisje në emër e vetveten s’e njihte,
Në emër të dikujt tjetër përgjigjej gjithnjë,
Në udhëkryq vihej prej gjithkundit, shkohej gjithkund
Bota e paemër na ish
Në udhëkryq hidhen gjithnjë penjtë e magjive, nyje-nyje
si vetë udhëkryqi,
Le t’i marrë dikushi i paemër, dhimbja tokës le t’i bjerë,
Në udhëkryq gjithçkaja është e paemërt
Medet, sa i madh tmerri i paemersisë!
E kam parë një herë në udhëkryq, njeriun bashkë me kohën e tij
Udhët ishin të shumta e s’dinte nga t’ia mbante,
Mbrëmbja kish rënë mbi Evropë dhe në udhëkryq
Shtetet- gra lidhnin magjitë e këndonin lutje të vjetra
Unë, në thembër kisha Renë e Zezë, në gisht
yllin e shndritshëm.
Zëra shtjerrakeqe vinin nga të katër anët
Herë si zë nëne, herë si zë gruaje, herë si zë fëmije
Veç diku larg dëgjohej një dënesje që ma perlotëte
Rehë e Zezë në thembër,
Ec pas dënesjes, njeri, thirra, është dënesja e nënës
Ec, se vetëm nëna të shpëton prej udhëkryqit
ajo s’e harron kurrë rrugën e shtëpisë!
Më duket, viti 1990 ka qenë dhe kombet
s’patën fjetur gjithë atë vit
SHIU I ARTË
Zeusi iu shfaq Danajës në formën e shiut të artë
Dhe fjeti me të,
Edhe e virgjër, edhe shtatzënë Danaja.
Ju s’kemi faj, s’keni faj, kriminelë të nderuar
Duart me gjak ua leu shiu i artë,
Ju s’keni faj, s’keni faj, kukulla të popullit,
Të thoni vetëm “po” u mësoi shiu i artë
Ju s’keni faj, s’keni faj, klloçka që ngrohët vezë qyqesh
Zyrave, karrigeve, presidiumeve,
Fajet i ka shiu i artë.
Ju s’keni faj, s’keni faj hije horizontale
Fajet i ka shiu i artë,
Ju s’keni faj, s’keni faj psalltë të ndezur
Zjarrin ua dha shiu i artë.
Jeni edhe të virgjër, edhe shtatzënë si Danaja
Fajet i kemi ne që na duhet përsëri të ndeshemi
Me monstrat e lindura prej shtatzanisë suaj.
1990
A
Para shpikjes se alfabeteve, para lindjes së Romës
Gërmën V të Demokracisë
E formuan dy kokat e shqiponjës.
1990
MOS
Nis e sos mbi jetë një “Mos”
Kur fola, u shitova, më thanë “Mos”!
Kur heshta, gjë s’u deshta, më thanë “Mos!”
Lëshova zërin, linda zogun, më thanë “Mos”!
Lëshova klithmën, linda kobin, më thanë “Mos!”
Jam njeri, njeri – Liri thashë, më thanë “Mos!”
Pra jam ujk mali, natë janari, më thanë “Mos!”
Për një kec zotat i shes, më thanë “Mos!”
Në dashuri, lind perëndi, më thanë “Mos”!
Jam e s’jam, kam e s’kam, më thanë “Mos”!
O të pakohë, o të pakokë, as në qiell, as në tokë!
1990
QYTETI I DEHUR
Sa të vjella, o zot, sa shumë
Mbi rrugët, artet, njerinë!
Vijnë qentë më pas e i lëpijnë!
EKUINOKS I ZI
Ne jemi të pavdekshëm
S’duam varre, lot s’duam
As shpend të zi në erë.
Ne s’vdesim. S’jetuam asnjëherë!
MIDIS TOKËS E QIELLIT
Reja e zezë u lidh e s’ikën,
Ndezë qirinjtë e nuk po fiken,
Gjumi ikur e s’po vjen,
Qiejt mrrolur, shi s’po bjen,
Kur qe fjala kentaur
Gjysmë kalë e gjysmëburrë,
Pleqëruam në gur e urë,
Kur na thoshin: kurrë, kurrë!
Kur na mori ëndrra në thua
Gjysmëpeshk e gjysmëgrua
Gjysëmpeshkun e bëmë det,
gjysëmgruan e bëmë jetë.
Bie kambana, ka shurdhim
Pelcet dielli, ka verbim
Në fjalorët, ditë për ditë
Sundimtare fjala “ik”
As të fjetur, as të zgjuar,
Çdo njeri, çdo komb, çdo jetë
Ka në qiell yllin e vet
Kështu tha dikur Fillimi
Kur vdes ëndrra, vdes dhe ylli
Rrenë është rrenë, s’ka ardhë zezona
Qe të rrije mbi kokat tona
Qielli me yje – kufoma
Rrenë është, rrenë, s’ka ardhë zezona…
1990
VEÇ MURI ISH I GJALLË
Në qytetin e shkretuar koha ish në perëndim
Gjuha s’e thoshte dot fjalën Dash- Uri. Veç Muri ish
I gjallë. Një zemër e vizatuar në Mur. Shigjetëshpuar
Mur. Njeriu në gur. Ne njerëz, Mur.
Thonë se dielli mund të lindë edhe në Perëndim.
Kjameti. Medeti. Asgjë qytetin s’e fjeti.
Zemra në një re. Mesdhe. Qyteti ish në Mes- Dhe.
Dashuria kurrsesi s’thuhej në gjuhën e tij.
Dash- Uri- Uri- Uri
Thanë se dielli lind edhe andej kah perëndon
Njerëzit u nisën Syrit të Detit.
Tani në qytetin e shkretuar endrrës i thërrisnin Italisht.
Dashurisë frengjisht. Harrimit gjërmanisht
Mallit, isht, isht, isht.
Të shembet Muri- Uri, Uri
Qytetit i patën thënë të ish syçelë e pati harruar
të shohi ëndrra 100 vjet. Jet, jet, jet, …
Me sy çelur mbetur,
Fjetur si lepur
Dikur vonë e zgjoi britma e fëmijës
Të vritet lepuri. Uri. Uri. Uri…
PËRBALLË KRYQIT
Shumëkush e shpalli veten Krisht
Prej tyre u dridh litari e varri
Dhia folklorike mbeti pa bisht
A qenë atdhetare a u bënë At- Dhjetari?
Qenë kohë të buta, frynte erë trëndafili;
Kryqi udhëtonte në hapsira të tjera,
Betimet bërtitëse u kthyen në delir,
Po zhurmat u shfaqën: Kryqi a era?
Natë për natë do krisma te dera
Kryqi i kryqëzimit a era?!
U thirrën Urtaket e moçëm;
U hapën Biblat e vjetra
Dhe thanë urtakët e moçëm:
Ka ndodhur: Është këputur litari,
Ka ndodhur: s’është ndezur pushka,
Po prej kryqit nuk zbritet së gjalli
Dhe thanë dhunarët vetëkrishtër:
Poshtë dhuna, u bë arkaike!
Po kryqi i kryqëzimit, provë e madhe
Tashmë ishte pranë, nuk ikte
E populli s’shfletoi më Bibla
Veç pemës së vet gjenetike
Kryqin e pa sy në sy
Pa drama, pa hije frike.
1989
DHIMBJE QË S’MË LË TË VDES
Kjo ditnatë, barkthatë në tehshpatë
Qirifikur duke ikur e bërtitur,
Mes Kaosit edhe Mosit bien fletët e Eposit
Zhbëhen hijet e padijet e hafijet,
Me Grenuiçin matin vitin edhe Hiçin,
Nëpër qiell, nëpër fyell deri në diell,
Si Akili, si debili, si kopili,
Kanë një emër, kanë një thembër, dhimbjezemër,
I tradhtuari, i bekuari, dorëhuri,
Të pangjyrë, një fytyrë kanë në pasqyrë.
Nata zbret dhe bërtet në kob të vet
Hap pas hapi vjen lugati zi si fati
Dhe me tutën, zi si futen tremb lahutën
Në qershor, në dhjetor, orë për orë
Fijat borë dhe me vdes zogu në dorë
Nëpër dhimbje e pabindje duhet lindje
Në trishtime, nëpër thinje e thellime
Duhet lindje, vdekjelindje, njerilindje
U plak ngrysja, vdekjegjysma, njeridyshja,
Gjysmëjeta, gjysmëvdekja, gjysmëvetja
Të mos lindë me njeriu nga përgjunja as nga Uja
Edhe Uja edhe Uja të mos pjellë kurrë më statuja.
1991
KURRË MË ME INDIANËT MOS QESHNI
Në hyrje të Albanopolit
Vendosni statujën e një lope në kujtim
të marrëzisë,
Varni në gjinjtë e saj Albanin dhe Albanën
Në gjinjtë e saj, me të shenjtë se gjiri i nuses së murosur
në legjendat tona,
Dhe bini, bini në gjunjë para kësaj shënjtërie,
Siç u përgjunj kaq e kaq vjet dhia briartë
E pakapshmja, e paprekshmja e Lugjeve të Verdha.
Ku rrinte fuqia e Zanës Kombëtare, shpirtit tonë
të lirë,
Bini në gjunjë në kujtim të marrëzisë,
Dhe kurrë, kurrë më mos qeshni me indianët,
Që i falen lopës, e kanë perëndi
dhe e varrosin me nderime hyjnore,
Kurrë, kurrë më me indianët mos qeshni
dhe mos harroni,
Se lopa, si perëndia Kronos,
Mund të hajë kohë, hapsira, shtete,
dhe faraonët e ngujuar në piramida
Më mirë se çdo sfinks mund t’i ruajë ajo
Kurrë, kurrë më me indianët mos qeshni!
1991
RUAJENI BOTËN PREJ NESH
Ciu, ciu, ciu, ty, ty, keh, keh, keh,
Ham-ham. Sa është ora, në cilin vit jemi,
Muuuu- Qeveria ra. Sa lekë bëjnë cigaret
Ciu-ciu. Pranvera sa kushton, po zemra?
Krrau-krrau. Sorrat ndjellin shi apo çfarë?
Aleluja. Uja Të pres në ora pesë
Uja. Allahu Ekber, Ber.
Vijmë nga Ferri, mos u përpiqni të na i shihni fytyrat.
Të na prekni mos guxoni, jemi ajrorë, hije
Ju thermohemi nëpër duar, jemi, ëndrra
Që vërtiten mbi planet. Dhe dhëmbim
Veç ruani vajzat e bukura prej nesh
Prej nesh, prej nesh mund të lindin Jezuse të rremë,
Flemë si hijet me Bukuritë dhe i lëmë shtatzana
Dhe ato lindin fëmijë duke qënë të virgjëra.
Ruajeni botën prej nesh!
1991
ORËT E NDALUARA
Në qytetin e madh ishin ndalur orët
Shkohej për gjithkund, por s’dihej ora e mbërritjes
Na ish i mërguar nocioni kohë, ngatërroheshin vitet
Të dashuruarit niseshin për në takim e takoheshin
pas njëqind vjetësh. Sa bukur!
Zyrtarët mbetën njëqind vjet në zyra ngujuar
Prisnin orën 15 e ajo s’vinte. Sa bukur!
Të gjitha mbledhjet mbetën pa u bërë
Ditë e çuditshme, s’dihej çfarë kohe i përkiste
Na ish e rrezikshme gjithçka: bije në gjumë
E mund të zgjoheshe pas 99 vjetësh
Ne shekullin e ardhshëm, ndoshta në shekullin e kaluar,
Se orët ishin ndalur e koha s’dihej a ecte
para a se prapthi,
Bukuri e tmerrshme, fillim bote e kohe,
Se orët na ishin ndalur, a thua a plakej më
njeriu?
Na ishin ndaluar krejt orët në qytetin e madh
Atëhere u thirr njeriu e koha filloi të matej
Me hijen e tij në diell
Çkahere dita s’ish matur me hije njeriu!
Ç’bukuri e ç’brengë, çfarë dhimbje e çfarë malli!
Komentet