HAPAT E NATËS
Natën kur i fiki dritat
Mendimet më shpallin luftë
Duke rrahur muret e zemrës së trembur
Rrugëtimeve me konflikte kohe
E sa ashpër përplasin shpirtin e trazuar
Ato mallime të djegura
Ngujuar dhomave të vetmisë
Si në ankth natën ndiej zhurmë
Krismë çelësi në derë
E askush nuk futet brenda
Pos fytyrat e fëmijëve
Që nga largësitë lëvizin
E do hapa të lehtë dëgjoj
Herë në dhomë e herë në oborr
Tërë natën mbeta roje e kujtimeve
Hapat vazhdonin rrapëllimën
Askund nuk i takova
Pos hijen që kallej në flakë malli
E prap rrinte aq larg meje..
Të gjitha u treten ikën
Një rigë shiu e mëngjesit
Trembi qepallat e ngatërruara
Unë mbeta statujë e ngrirë
Hapave të zhgënjimit i përvëluar….
ZHURMË SHIU MË ZGJOJ NATËN VONË…
Zhurmë shiu me zgjoi nga gjumi
Ndërsa kërcisnin ullugjët e shtëpisë
Vrullshëm suferina trondiste trarët e saj
Pas zërit tim të shurdhër pllakos heshtja
Si dhimbje eshtrash që ndrydhnin shpirtin
Një “oh nënë” e rëndë bie shtratit të lodhur
Drita pastaj shprish mendimet e djersitura
Dhe një zile shkund befas frikën time
A të ka pushuar dhimbja, më pyet djali nga larg
A të ka zënë gjumi akoma babë
Po nana si ndihet sonte
Zëri i tij që dridhej laringut shkëputet
Shtrëngoj fort buzët e përjargura malli
Mos t’i dëgjohet dhimbjes fjala ime
Po-i them, mirë jam! Flej, flej, ti i qetë
Je shumë larg, nuk ke çfarë më bënë
Nëse kemi ndërprerje telefoni,
E nuk dëgjohemi dy ditë, mos nguro
Fluturo, fluturo sa me parë, i them
Duart e tua të më bartin te varri
Aty afër e kam babën e nanën
Në pushimoren e përjetshme
Mos m’i mbylleni sytë menjëherë
Vjen malli fshehurazi në mua
Shuan etjen e djegur e ikë
Etja as atje nuk mbaron kurrë
Lotët si dhuratë e natyrshme nga Zoti
Edhe n ‘atë botë biri jem…
Zhurmë shiu më zgjoi natën vonë
Në një ëndërr malli dhe shprese
Ndërsa ndjej vrapin marramendës të jetës…
Gjakovë,mars,2024