Pak orë pasi që prokuroria e posaçme e Kosovë tha se ka hapur hetime rreth një fotografie të publikuar nga deputetja Flora Brovina, e cila pretendonte se ishin pamje të një përdhunimi nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, janë hedhur dyshime për vërtetësinë e saj.
Mediet lokale publikuan pamje të njëjta të marra nga disa faqe me përmbajtje pornografike, e të cilat shfaqen edhe në faqe të publikuara në Lindjen e Mesme për propagandë kundër forcave ushtarake amerikane.
Zonja Brovina, i tha Radiotelevizionit Dukagjini se fotografia e publikuar prej saj megjithatë është “autentike” dhe ajo do të bashkëpunojë me prokurorinë për të sqaruar këtë cëshje.
Prokuroria e Posaçme e Kosovës, tha të enjten gjatë ditës se “me të marrë lajmin që deputetja e PDK-së, Flora Brovina, ka paraqitur një fotografi që sipas saj dëshmon dhunimin e një gruaje 35 vjeçare nga ushtarët serbë gjatë luftës në Kosovë, do ta hap hetimin, ndërsa do të ftohet deputetja Brovina për dhënien e informacionit lidhur me viktimën për të cilën ajo pohon se është e gjallë, si dhe, dorëzimin e fotos dhe dëshmive që ajo pohon se i ka lidhur me këtë rast dhe raste të tjera”.
Fotografia të cilën për shkak të pamjeve grafike, Zëri i Amerikës, nuk e publikoi, nxiti reagime në parlament dhe jashtë tij.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, e cila është e mbijetuar e njërës prej masakrave të luftës në Kosovë kërkoi që fotografia të mos publikohet sepse “familjarët janë të shqetësuar, tepër të shqetësuar me pamjet”.
Qendra e Kosovës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, tha se “publikimi i këtyre pamjeve në mënyrë të plotë – pa censurë, i ka rikthyer kujtimet e tmerrshme të luftës për shumë gra, burra e fëmijë që kanë përjetuar këtë tmerr, duke ritraumatizuar dhe duke i thelluar edhe me tej plagët dhe dhimbjet shpirtërore të tyre të përjetuara gjatë luftës. Paraqitja e këtyre imazheve në mënyrë publike më së paku iu ndihmon të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës si dhe familjarëve të tyre, andaj për shkak të emocioneve të provokuara dhe për shkak të pamjeve të ndieshme, kërkojmë nga mediat dhe të gjithë ata që e kanë publikuar këtë fotografi, ta largojnë nga shfaqja në publik”.
Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e cila është e përfshirë në procesin e ndriçimit të përdhunimeve gjatë luftës, reagoi ashpër duke theksuar se “veprimi i deputetes është jonjerëzor, jo etik e joligjor! Publikimi fotografisë cenon rëndë privatësinë e viktimës dhe mund të çojë në zbulimin e identitetit të një dëshmitareje potenciale të krimit që Serbia ka kryer ndaj popullit tonë. Publikimi i asaj fotoje ri-traumatizon viktimën dhe të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe dekurajon të mbijetuarit që të dalin përpara me të vërtetën mbi krimin që është kryer mbi trupat e tyre”.
Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, për fatin e 1 mijë e 600 prej të cilëve, ende nuk dihet asgjë. Mijëra gra ishin viktima të përdhunimeve nga forcat serbe, të cilat atëbotë dëbuan mbi 800 mijë shqiptarë të Kosovës.
Komentet