SYRI TV siguron dokumente ekskluzive ku hidhet poshtë pretendimi i Rektorit të Fakultetit të Mjekësisë në universitetin publik të Tiranës “se nuk është në dijeni të jetë nën hetim nga autoritetet italiane”.
Në dosjen hetimore të prokurorisë së Cagliari-t, njoftoi gazetarja Alba Kepi, rektori shqiptar renditet në listën e personave të hetuar së bashku me 6 persona të tjerë, mes të cilëve Guvernatori i Sardenjës Christian Solinas dhe Roberto Raimondi, i cili prej vitit 2011 figuron të jetë i punësuar në Shqipëri.
Fillimisht, italiani Roberto Raimondi ka qenë i punësuar në Shqipëri në sektorin privat e më pas në atë publik.
Prej vitit 2018 deri më 2022 ka qenë pedagog në Fakultetin e Mjekësisë në universitetin e Tiranës dhe drejtonte Sektorin e Doktoraturave në këtë universitet.
Hetimet e prokurorisë së Cagliari-t zbardhin se Guvernatori i Sardenjës Christian Solinas, më 22 gusht 2022, e ka emëruar Roberto Raimondi-n, Drejtor i Përgjithshëm i Zyrës Speciale të Autoritetit të Menaxhimit të Programeve Eni, CBC të pellgut të Mesdheut, në shkëmbim të favoreve personale.
Sipas prokurorëve italianë, përmes ndërhyrjes së rektorit shqiptar Arben Gjata, Drejtorit të Doktoraturës e Kërkimit Shkencor në fakultetin e universitetit publik në Tiranë, Roberto Raimondi-t si edhe të Christian Stevelli-t, këshilltarit të Guvernatorit të Sardenjës, Guvernatori i Sardenjës Christian Solinas do të merrte detyrën “profesor” në unversitetin e Tiranës.
Gjithashtu, po përmes ndërhyrjes së Rektorit Arben Gjata dhe dy italianëve, Raimondi dhe Stevelli, Guvernatori i Sardenjës do të merrte titullin “Honoris Causa” në universitetin publik të Tiranës.
Dosja hetimore e prokurorisë Italiane dokumenton se Guvernatori i Sardenjës e ka marrë premtimin për t’u emëruar “profesor” në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë si dhe titullin “Honoris Causa” më 12 shtator 2022.
Po sipas akuzës së prokurorisë italiane, Rektori Arben Gjata, Drejtori i Sektorit të Doktoraturave në Fakultetin shqiptar, Roberto Raimondi dhe këshilltari i Guvernatorit, Christian Stevelli, i kanë premtuar Guvernatorit të Sardenjës edhe katedrën e profesorit në universitetet Italiane, mes të cilave ata të Chieti-t e Pescara-s.
Dosja hetimore dokumenton se më 12 maj 2022 Guvernatori i Sardenjës është emëruar “profesor universitar” në “Link Campus University”. E në këtë universitet punonte si profesor i jashtëm Roberto Raimondi, Drejtor i Doktoraturave në Universitetin e Tiranës.
Duke ndjekur kronologjinë e ngjarjeve, prokurorët italianë zbardhin se
– Më 22 gusht 2022, Drejtori i Sektorit të Doktoraturave në Fakultetin e Mjekësisë në universitetin publik në Tiranë, Roberto Raimondi, emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Zyrës Speciale të Autoritetit të Menaxhimit të Programeve Eni, CBC të pellgut të Mesdheut.
– 20 ditë më vonë, më 12 shtator 2022, Guvernatori i Sardenjës merr premtimin për titullin “Honoris Causa” në Universitetin e Tiranës dhe për katedrën si profesor në këtë universitet.
Çfarë favoresh do të fitonte rektori shqiptar Arben Gjata?
Së pari, premtimin nga Roberto Raimondi për ta futur Shqipërinë në Programet e Zyrës që ai drejtonte si Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit të Menaxhimit të Programeve Eni, CBC në pellgut e Mesdheut. Gjithashtu dhe premtimin e ndihmës pranë Ministrisë së Jashtme italiane për të marrë për Fakultetin e Mjekësisë, fonde komunitare për financime projektesh.
Çfarë fitonte në shkëmbim, Roberto Raimondo, pas emërimit të Solina-s, profesor në Tiranë e në disa universitete të tjera italiane?
I ishte premtuar posti i Sekretarit të Përgjithshëm në Rajonin e Sardenjës, fakt që nuk u krye për shkak të nisjes së hetimeve e kontrolleve në zyrën e tij nga prokuroria e Cagliari-t më 17 shkurt 2022.
E çfarë favoresh përfitonte këshilltari i Guvernatorit, Christian Stevelli?
Një ndihmë për mbylljen e provimeve të prapambetura universitare dhe një ulje prej 8000sh euro të regjistrimit të djalit të tij në një universitet italian ku pedagog ishte Roberto Raimondi.