Si sot, në 28 janar, vite më parë, unë u lirova nga burgu dhe u ktheva në Lushnjë, pranë familjarëve të mi…
E kam treguar dhe në librin tim “Ferri i çarë”. Isha dënuar për poezi, por poezi shkruajta dhe në burg fshehurazi.
Në Lushnjë nuk më flisnin më poetët dhe shkrimtarët, se edhe Lushnja kishte të tillë si i gjithë vendi, përveçse poetit dhe libretistit të Estradës së qytetit, Bujar Xhaferi. S’kisha të drejta më, as të profesionit, siç thuhej, megjithëse kisha qenë mësues, punoja punëtor krahu në fabrikën e tullave, atje njoha dhe njerëz të mrekullueshëm, nuk kisha as të drejtën elektorale, pra as nuk mund të zgjidhja e as të zgjidhesha. Ndërkaq unë do të bëhesha deputet i Lushnjës…
E them këtë jo se më duhej mua e as e kërkova, asgjë s’kam kërkuar, por se si jeta luan me ne, ajo ka më fantazi se dhe fantazia më e çthurur, sipas Dostojevskit, se dhe diktaturat bien, etj, mbetet vetëm dashuria njerëzore, miqësia, nëse jemi të aftë ta japim…
Mësomë të dua! – thoshte Shenjtja Nënë Tereza…
Së fundmi dolën për herë të parë të plota të gjitha poezitë e mia të burgut, i botoi “Onufri” anastatikisht në një libër të madh dhe juria e konkursit kombëtar të letërsisë në fund të vitit që shkoi, u dha çmimin e parë për poezinë.
E kam treguar se ato dolën nga dheu, ku ishin fshehur, nga terri në dritë, por dua të theksoj tjetër gjë, jo për vete, unë e di, se ne qëndruam në ferr dhe me poezinë tonë, kurajo morëm dhe prej jush, i mbrojtëm të tjerët, shokët siç dhe na mbrojtën dhe… dhe… dua që përndjekjen tonë ta shikoni dhe si histori dhe përvojë që duhet, mbase, por i shërben njohjes, të vërtetës, por dhe të ardhmes; edhe librat tanë shikoheni si dëshmi artistike, se heshtja, të mos shkruarit, nuk janë letërsi dhe s’ka pse të mburren… Dostojevskin, e kujtoj prapë, libri i tij i burgut “Shënime nga shtëpia e të vdekurve” nuk e pakëson, përkundrazi, madje pasuron gjithë letërsinë botërore. Edhe Dante s’do ishte më siperan dhe më me rrëzëllim pa “Ferrin” e tij… pra më mirë që shkruajtëm dhe dhe në ferr, kur nuk na lejohej, dhe mbi tokë, ju, të gjithë bashkë, bëjmë letërsi shqipe, se heshtja nuk është letërsi, e përsëris.
Një kritik i njohur, studiues i letrave shqipe, Dr. Luan Topçiu, shkruan se do të ishte anomali mosvlerësimi i “Dorëshkrimeve të fshehta të burgut”, edhe në letërsi, sipas tij, ka etikë dhe qëndrime morale…
I thashë këto sot në ditën e lirimit tim, se liria, jo urrejtja dhe ambicjet makbethiane, por dashuria dhe vlerësimi, pra liria e kujdo qoftë, sa më pranë, e birit, e bijês, e vëllait, e motrês, e mikut, e shokut, e fqinjit, e të panjohurve, na bën të gjithëve më të lirë, edhe më të mirë. Edhe atë që shkruajmë…