ËSHTË UJKU
Për ujkun me emër
Derën e shtëpisë
Nuk e hapi vetëm
Bija
E lamë hapur ne
Nga kjo anë, nga ajo anë
Bijtë nga shtëpia.
E zeza shëtit si n’shtëpi t’vet
Ku shkel shkrumbon e del gur
Për ta ngritur edhe një mur
Që nuk shembet kurrë
DITA IME
Dita ime është mollë e verdhë
E ndarë përgjysmë
Gjysmë e ndarë përgjysmë
Gjysma e gjysmës përgjysmë.
Mos më pyesni
Pse këndoj.
BJESHKA E BARDHË
E bukur si borë mbi flokë
Që të merr sytë
Mbi supe ka një diell
Kraharorin e veshur me qiell
Që nuk i ndahet
Deri poshtë në det
Duke e përqafuar çdo ditë të lume
E me mall e përshëndet.
Qielli i takon asaj që është
Krenare për çdo fjale
Veç një nuk e di
Çka do të thotë të bie në gjunjë të thyhet
E pasi të thyhet të shkelet
O njeri!
E Bekuar,
Kush të tha ‘Bjeshkë e nëmur’
Kush të nëmi
Bjeshkë e Bardhë emrin kush ta nxiu
Kujt ia zure udhën
E i mbete në fyt
Në det desh të shtyu.
I nëmuri të nëm.
SHËN NAUMIT KUSH DO T’I TREGOJË
Kur i pashë për herë të parë
Sa fisnik e të bardhë
Të pavdekshmit e mi
Kokën mbanin lart
Deri në qiell krifat e gjata
Nuk preknin në tokë
Fluturonin mbi njeri tjetrin
Veç qafën sa se thyenin
Dhe prapë ngriheshin
Sikur s’kishte ndodhur gjë
Shën Naumit kush do ti tregoj i pari
Se erdhëm me një frymë
Të faleshim me të.
Natën pa yje e pa hënë
Kuajt fatkeq u nxinë e ranë
Fryma ju ndal
E këmbët në vend ju prenë
U zbehën e u bënë ujë,
Shkumë u bënë
Sikur t’a ndjenin, sikur më panë
Se u falëm për herë të fundit.
Ne fund të ditës
Në mesnatë
Zogu fluturoi si mbret.
KORBI
Nuk më vjen rëndë
Të të hedh mbi ballë
Këtë grusht dheu
Këtë grusht dheu që të mbajti gjallë
O Ylli i nënës, ,
Sa më vjen rënd
Kur të shoh në sy
Që të rrinë mbi kry’
Kush të shuajti natën
E të qanë ditën.
Një pëllëmbë mbi tokë
Po Edgar Allan Po edhe Korbi i tij
Do ta kishin zili
Për një shkrehje
Kurrë më.
Kurrë më
Mos na raft të harrojmë!
NJË NATË SI KJO
Më shikoni sikur njihemi
Sikur jemi parë
Një natë si kjo
Njëmijë vjet më parë
Dilni nga mjegulla si nga pasqyra
Me të njëjtat fytyra
Ka ndërruar vetëm ngjyra.
ULËRIMË
Ujku në këmbë ulërin.
Tufë, tufë
Ne ulë rrimë.
UJQIT E SHPIRTËRAVE
Ujqit e shpirtrave
Erdhën me hije
Te huaj, më të madhe se vetja
Kokën mbi re
Erdhën me të shenjtin
Emër
E gur në zemër
Erdhën me vrap,
Vrapi është gjithçka
Syri ju ka mbet
Te e Vërteta
Derën me ja zënë
Një fjalë mos me ja lënë
Pa ja thyer
Shpirtin
Shpirtin t’ia copëtojnë,
Për masë të vet
Copat ti bashkojnë.
Hëna lart e ujku poshtë.
UJQIT E KUQ
Ujqit vijnë bashkë
Natën, ditën
Nuk i zë vendi
Vend, kujt nuk i besojnë
As hijes së vet
Mendjen e kanë te bishti
I shenjtë.
Si t’shpëtojnë
Fshihen t’a fshijnë
Me gjuhën e kuqe të gjatë
Çdo gjurmë gjaku
Të shpirtrave që i bajnë në qafë.
Kush e lanë këtë mallkim,
Këtë turp
Kujt i mbet një pikë gjak në trup
Një pikë vetëm një pikë
Dhe bëhet,
fryma i ik’
Zjarrin në sy e fik’
Për së gjalli
Njëri tjetrin e shqyejnë
Bëhet pre
E gjakut të vet
Që fikte çdo frymë mbi dhe.
Njeri
Ujku për ujkun është lule.
UJKU QAN
Ujku qan për natë
Kur rriten sytë
Kur sheh më së miri
Kush është kush
Në pritë.
A ka mbet njeri
Që nuk e di
Çka vjen pas.
Larg nesh
Me prek kush nuk prek
Si ujku vatrën e vet
Edhe yjet i ndjek
Po ti zë një nga një
Të gjitha i shuan
Të gjitha i djeg.
I pari është ai
Qe shuan Yllin,
Yllin e fundit që bënë dritë.
DËGJONI
Dëgjoni.
Dëgjoni ujkun si ulërinë
Ditë e natë
Nga frika
Se mbet i vetëm.
FOLE NJË FJALË
(Fehmi Aganit)
Fole një fjalë
Profesor
Fjalë që shëron,
Kurrë s’kemi pasur më pak
Kurrë s’kemi pasur më shumë
Plagë kur çdo unazë lëngon.
(Fragment nga Poema,1999)
Komentet