TIRANE – Në një intervistë me gazetaren Eni Vasili në emisionin Studio e Hapur në “News24”, i ambasadori i Gjermanisë në Tiranë Helmut Hoffman theksoi se rruga e azilkërkimit nuk është rruga e duhur për të marrë një vend pune në Gjermani.
“Ekziston tanimë një mundësi mjaft e mirë që të gjitha ata persona të kualifikuar shqiptar të këtushëm të mund të gjejnë një mundësi ligjore punësimi në ato profesione të ashtuquajtura të munguara në Gjermani. Kjo është e lidhur gjithsesi me disa hapa të caktuar procedurialë, pikësëpari të shkojnë në Gjermani, të gjejnë atje punëdhënësin e tyre, të lidhin marrëveshjen apo kontratën e punës,të paraqiten para zyrave përkatëse gjermane që do të verifikojnë kualifikimin e tyre , më pas të rikthehen në Shqipëri të aplikojnë për një vizë pune pranë ambasadës gjermane. Vetëm në këtë mënyrë mund të punësohen ligjërisht në Gjermani shtetasit shqiptarë. Por kjo nuk mund të ndodhë asesi përmes rrugës së azilkërkimit.”- deklaroi ambasadori Hoffman.
Eni Vasili: Zoti Ambasador faleminderit që pranuat këtë intervistë për të dhënë disa përgjigje shumë të rëndësishme për publikun shqiptar.
Ambasadori Hoffman: Edhe unë ju falenderoj shumë për mundësinë që po më jepni.
Eni Vasili: Zoti Ambasador çfarë do të thotë vendimi i kancelares Merkel për të shpallur Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë vende të sigurta të origjinës?
Ambasadori Hoffman: Konkretisht kjo do të thotë që të gjithë ata qytetarë që kanë bërë kërkesat për azil në Gjermani do të kenë mundësinë që këto aplikime të mund të përpunohen me ritme më të shpejta dhe ata të mund të rikthehen më shpejt në vendet e tyre. Që tani mund të themi që 100% e këtyre aplikimeve marrin një përgjigje refuzuese, e tërë kjo procedurë së shpejti do të përshpejtohet.
Eni Vasili: A ka rregulla të reja që lindin nga ky vendim për ata që nisën pas këtij vendimi, sepse njerëz nga Shqipëria që kërkojnë azil vazhdon të ketë?
Ambasadori Hoffman: Në fakt në terma konkretë, kjo do të thotë ndër të tjera që për të gjithë ata qytetarë që vijnë nga këto vende të ashtuquajtura origjinë e sigurt, pikësëpari ato do të duhet të qëndrojnë në kampet e pranimit, derisa të jetë marrë vendimi përkatës për aplikimin e tyre për dhënie të statusit të azilantit dhe e dyta është që do të ketë një kalim të procedurave, tani nuk do të ketë më ndihmë financiare për secilin prej tyre por ndihmë në shërbime konkrete, që do të thotë që diçka gjithsesi ka ndryshuar për këta qytetarë
Eni Vasili: Ne ishim në disa kampe në Berlin. Pamë nga afër situatën , ka pakënaqësi për kushtet e jetës, megjithatë takuam shqiptarë që donin të rrinin atje të siguronin një leje të përkohshme qëndrimi përmes sigurimit të një pune dhe jo nëpërmjet azilit. Është e mundur kjo?
Ambasadori Hoffman: Së pari dëshiroj të theksoj besoj kam dhe mirëkuptimin tuaj, lidhur me faktin që këtë vit mendohet që Gjermania do të presë 800 mijë deri në një milionë refugjatë apo azilkërkues. Kjo siç mund ta kuptoni është një shifër kaq e madhe saqë i vendos të gjitha strukturat përkatëse në Gjermani përpara sfidash po kaq të mëdha. Në këtë mënyrë është për ne realisht e pamundur të krijojmë kushte jetese ideale për azilkërkuesit e atjeshëm. Përveç kësaj shtojmë edhe faktin që në këto kampe priten njerëz që vijnë nga qarqe kulturore të ndryshme, për këtë arsye megjithë përpjekjet tona për të siguruar atje një bashkëjetesë paqësore konfliktet nuk janë tërësisht të përjashtueshme. Për sa i përket nisjes së një marrëdhënie punësimi në Gjermani sigurisht ne e dimë, jemi mjaft të qartë me faktin që shqiptarët nuk kërkojnë azil në Gjermani, ajo çfarë kërkojnë është një vend pune dhe kushte më të mira jetese, por këtë gjë nuk mund ta japim përderisa nuk ekziston mundësia e azilantit ekonomik në Gjermani. Të gjithë ata të cilët kërkojnë dhënien e statusit të azilantit në Gjermani duhet të rikthehen në vendet e tyre përkatëse, sepse rruga e azilkërkimit nuk është rruga e duhur për të marrë një vend pune, për të nisur një marrëdhënie pune në Gjermani. Dhe në fakt është e vërtetë deri para pak muajsh , strukturat gjermane përkatëse nuk kanë qenë shumë konsekuente në lidhje me vendimmarrjen e kthimit të azilkërkuesve shqiptarë drejt vendit të tyre dhe për këtë arsye shumë azilkërkues shqiptarë kanë gjetur një farë mundësie për të qëndruar në Gjermani në mënyrë jo të ligjshme dhe të nisin një marrëdhënie punësimi në të zezë atje. Por tanimë me dyndjen kaq të madhe nga vende të tilla sikurse është Siria dhe Afganistani gatishmëria e strukturave përkatëse gjermane është në rritje për të rikthyer në vendet e tyre të gjithë këta azilkërkues. Shikojmë që çdo ditë pothuaj ka një fluturim të këtyre personave të rikthyer. Ndaj dhe njëherë apeli im do të këshilloja të gjithë ata persona që kanë ndërmend të marrin rrugën e azilkërkimit të mos e bëjnë këtë sepse kjo rrugë nuk të çon në nisjen e një marrëdhënie punësimi të ligjshme atje.
Eni Vasili: Pra kur ju thoni inkoseguencë nga pala gjermane e merrni një lloj përgjegjësia se keni dhënë mesazhet e gabuara për shqiptarët këtu në Shqipëri në lidhje me punësimin atje?
Ambasadori Hoffman: Unë asnjëherë nuk e kam fshehur faktin që edhe nga pala gjermane ka disa faktorë tërheqës po themi për sa i përket azilkërkuesve shqiptarë. Ndërkohë jemi duke punuar në mënyrë intensive për reduktimin e këtyre faktorëve tërheqës sikurse mund të jenë një sasi parash xhepi për azilkërkuesit apo mënyrë mund të themi jo tepër e vendosur e strukturave gjermane për ti rikthyer në vendet e tyre azilkërkuesit shqiptarë, por askush nuk ka thënë që rruga e azilkërkimit është rruga e duhur për të gjetur një vend pune atje. Gjithashtu ne kemi raportuar në mënyrë të vazhdueshme që këtu ka njerëz të cilët megjithëse e kanë ditur mjaft mirë që shanset e tyre për të marrë azil në Gjermani kanë qenë pothuajse zero dhe që do të refuzoheshin në procedurat e azilkërkimit pasi nuk kishin arsye për të kërkuar azil politik në Gjermani. Gjithsesi ata kanë marrë vendim për të shkuar me familjet e tyre në Gjermani për të jetuar atje 5 ose 6 muaj dhe për të përfituar nga këto kushte po themi favorizuese për ta , megjithëse sikurse thashë shpresat për azil ishin zero. Më lejoni ta them unë këtë lloj mënyrë të vepruari nuk arrij ta kuptoj dot.
Eni Vasili: Dakord dhe për ta përmbyllur mesazhin tuaj që të jetë edhe sa më i qartë. Pra një azilkërkues ne takuam shumë të tillë në Gjermani dhe disa prej tyre na thanë që ishin pranë gjetjes së një pune, një punëdhënësi, nëse e gjejnë këtë kanë mundësi të qëndrojnë apo sidoqoftë duhet të kthehen?
Ambasadori Hoffman: Në dijeninë time unë nuk kam asnjë lloj informacioni që për sa kohë që procedurat e verifikimit të kërkesës për azil janë në vijim e sipër personat përkatës të mund të nisim një marrëdhënie pune të ligjshme. Me sa di unë ky punësim nuk ekziston. Nëse bëhet fjalë për punësim në të zezë kjo është një çështje tjetër më pas, por mundësi të punësimit ligjor nuk ekzistojnë. Nga ana tjetër ekziston tanimë një mundësi mjaft e mirë që të gjitha ata persona të kualifikuar shqiptar të këtushëm të mund të gjejnë një mundësi ligjore punësimi në ato profesione të ashtuquajtura të munguara në Gjermani. Kjo është e lidhur gjithsesi me disa hapa të caktuar procedurialë, pikësëpari të shkojnë në Gjermani, të gjejnë atje punëdhënësin e tyre, të lidhin marrëveshjen apo kontratën e punës,të paraqiten para zyrave përkatëse gjermane që do të verifikojnë kualifikimin e tyre , më pas të rikthehen në Shqipëri të aplikojnë për një vizë pune pranë ambasadës gjermane. Vetëm në këtë mënyrë mund të punësohen ligjërisht në Gjermani shtetasit shqiptarë. Por kjo nuk mund të ndodhë asesi përmes rrugës së azilkërkimit.
Eni Vasili: Dakord kjo është e qartë juve sapo bëtë edhe një apel për t’ju drejtuar shtetasve shqiptarë këtu që të mos nisen për shkak të situatës që ju e shpjeguat megjithatë duke parë në gjithë këta muaj grafiku i azilkërkuesve ka qenë në rritje. Çfarë ka ndodhur keni dështuar ju me apelet, a do të merrni masa të tjera për frenimin e azilkërkuesve nga Shqipëria por dhe vende të tjera të Ballkanit? Pra do të ketë masa të tjera bllokuese?
Ambasadori Hoffman: Ju me gjasë i referoheni shifrave të muajve korrik dhe gusht ku dhe numri ka qenë në rritje. Shifrën për muajin shtator nuk e kemi por ka tregues të qartë që ajo ka pësuar rënie dhe ky është një zhvillim pozitiv në këndvështrimin tim.
Por edhe duke i parë shifrat e muajve korrik dhe gusht do të lutesha që ti kuptonim drejt ato . Nëse flasim për një shifër prej 8500 azilkërkuesish shqiptarë gjatë muajit gusht , kjo nuk do të thotë që të gjithë ata kanë mbërritur në Gjermani duke nisur prej datës 1 gusht. Ata me shumë gjasa kanë qenë atje, para muajit gusht por duke qenë se procedurat e regjistrimit kërkojnë kohën e tyre sigurisht që kjo ka krijuar një farë akumulimi të këtyre qytetarëve të cilët vetëm në muaji gusht pastaj kanë pasur mundësi të regjistrohen. Vazhdoj të jem I bindur që ka qenë rruga e duhur dhe mënyra e duhur apelimi i vazhdueshëm përgjatë intervistave dhe daljeve të mia publike dhe paralajmërimi apo dekurajimi i qytetarëve shqiptarë për të marrë këtë rrugë të azilkërkimit. Sigurisht që unë nuk kam pasur iluzione të mëdha që do të arrija rezultate mjaft të mëdha. Vendimtar ishte gjithsesi fakti që në Gjermani është vendosur kohët e fundi që të gjithë këta azilantë të rikthehen në vendet e tyre sepse dhe efekti që arrihet përmes rikthimit të tyre është shumë më i madh.
Eni Vasili: A ka ndryshuar numri i madh i azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani marrëdhëniet mes dy vendeve ? A e bëni qeverinë shqiptare përgjegjëse për këtë situatë? Çfarë do ti kërkonit palës shqiptare ?
Ambasadori Hoffman: Mua më duhet të them që ne bashkëpunojmë në mënyrë mjaft të mirë me strukturat e qeverisë shqiptarë në lidhje me menaxhimin e fenomenit të azilkërkimit të qytetarëve shqiptarë. Në mënyrë të veçantë me strukturat e policisë së kufirit për ta mbajtur në kontroll gjithë këtë problem, gjë që nuk është plotësisht e thjeshtë. Është mjaft e rëndësishme që qeveria shqiptare është pozicionuar qartë kundrejt këtij fenomeni. Vetëm dje ne patëm një aktivitet ku unë me kryeministrin Rama, morëm pjesë bashkërisht, ku kryeministri shfrytëzoi rastin për të paralajmëruar edhe njëherë të gjithë qytetarët shqiptarë që të mos ndërmerrnin tentativën e azilkërkimit në Gjermani pasi kjo është një rrugë e cila nuk do të funksionojë.
Eni Vasili: Ju falenderoj që na dhatë kohën tuaj dhe për të gjitha përgjigjet që dhatë sot për publikun shqiptar.
Ambasadori Hoffman: Faleminderit Juve.
Komentet