Asociacioni monoetnik jo-kushtetues dhe gangrenë e shtetit të Kosovës
Kosova ka bërë lëshime të bollshme, madje edhe të dhimbshme. Vetë pranimi i dialogut politik me Serbinë, pas masakrave masive në Kosovë, është një faj e tradhti nga Hashim Thaçi me ekipin e tij. Duke qenë rrast i shantazhuar, me dosje krimesh, të kundërshtarëve politikë shqiptarë, ai pranoi gjithçka që kërkoi Serbia, në këmbim të lirisë personale e grupore, mbi të cilët rëndojnë krimet numerike.
Një popull i tërë nuk mund dhe nuk duhet të dënohet e ndëshkohet, për fajet individuale apo grupore kriminale. Kosova duhet t`i penalizojë nënshkruesit e Marrëveshjes të Asociacionit dhe të tjera, të cilat vënë në pikëpyetje ekzistencën e vet shtetit të Kosovës.
Ngulmimi i BE-së dhe SHBA-së, për krijimin e Asocioacionit të komunave me shumicë serbe, ka ngulfatur Kosovën. Kosova me 94 % të popullësisë shqiptare, nuk mund të jetë -multietnike-. Por, këtë ia imponuan ndërkombëtarët, për t`i favorizuar ende më shumë komunitetet pakicë në Kosovë, në veçanti, serbët vendorë. Tani, paradoksalisht, BE dhe SHBA, kërkojnë krijimin e një -Asociacioni monoetnik-, edhe pse Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon!
Arsyetimi i ndërkombëtarëve se është nënshkruar një marrëveshje dhe duhet zbatuar, pavarësisht kohës dhe rrethanave, në të cilat është bërë ajo marrëveshje fatale, e devalvon një teori juridike, e njohur me emërtesën: “Klausula Sic Stantibus Rebus”, si normë juridike ndërkombëtare, për prishjen një kontrate apo marrëveshje ndërkombëtare, kur rrethanat kanë ndryshuar rrënjësisht dhe dëmi që sjellë zbatimi i një marrëveshje të tillë, është fatal për vendin, shtetin, siç është Asociacioni njëetnik për Kosovën! Qëllimet janë të errëta, me prapavijë bërjen hisedare të Serbisë në Kosovë, duke krijuar një “Republika Srpska”, e cila paralizon funksionimin normal të shtetit të Kosovës, deri në shkëputjen e një pjese të saj.
Rrethanat e ndryshuara, madje rrënjësisht, nga koha e nënshkrimit të Marrëveshjës të Asociacionit, fatale për Kosovën, janë evidente, të dukshme:
1) Nënshkruesit e marrëveshjes në fjalë, Hashimi Thaçi, me ekipin e tij, ishin dhe mbetën të shantazhuar, tani edhe të penalizuar, nga Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, me dosjet faktike vrastare të kundërshtarëve politikë shqiptarë. Dhe, ky nënshkrim, më vonë, edhe ratifikim në Kuvend, u bë në këmbim të lirisë të Hashim Thaçit dhe bandës së tij, të akuzuar me dosje bazike, për krimet e luftës dhe të pas luftës, kryesisht, vrasjen e oficërëve luftëbërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës; veprimtarëve të LDK-së; gazetarëve me integritet të luftës. Por, edhe ekzekutimet brenda llojit, kuadrot të hershëm të LPK-së, për ta eliminuar, paraprakisht, konkurrencën brenda partiake, në të ardhmen.
Shtesë e krimeve të bandës-PAN, janë edhe vrasja prapa shpinës, përafërsisht, 300 ushtarët e UÇK-së, të angazhuar në shërbimin e komandantëve të inkriminuar të PAN-it, arrestimet, burgosjen, maltretimet dhe vrasjen e kundërshtarëve politikë dhe fshehjen e kufomave të tyre. Dhe, këto krime makabre, banda-PAN ia faturon LDK-së, kinse për hakmarrje ndaj PAN-it, si përgjigje për vrasjen e listuar të komandantëve FARK-istë dhe të kuadrove të LDK-së! Edhe pse LDK-ja kurrë nuk ka pasur strukturë vrastare të shqiptarëve dhe aq më pak të pjesëtarëve të UÇK-së.
Kjo dëshmohet edhe me deklarimin publik, në median T7, emisioni PRESSING, me moderator Leonard Kërçuku, të Baton Haxhiut, me porosi të drejtëpërdrejtë të Hashim Thaçit, si parapërgaditje të opinionit, për zbatimin të planit-pazar Thaçi-Vuçiq, të renditur në tri pika:
- Veriu i Kosovës t`i lihet Serbisë;
- Të zhbëhet Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë;
- Të falen krimet reciproke dhe të bëhet pajtimi shqiptaro-serb!
2) Serbia, në koordinim me Moskën, me qëllimin perspektiv, për krijimin e “botës serbe” dhe të “botës ruse”, në Draft-statutin për Asociacionin, të një palo “Komisioni serb”, kinse të Kosovëe, kërkoi autonomi territoriale dhe referendum për serbët veriut të Kosovës, me synimin e qartë për ndarjen dhe bashkangjitjen Serbisë;
3) Sllogani, tashmë, i afishuar në veriun e Kosovës, në Serbi, në Mal të Zi (nga serbët vendorë), në “Republika Srpska” në Bosnje e deri në Moskën ruse: “Kur ushtria serbe do të kthehet në Kosovë”?!
Përgjigja e BE-së dhe e SHBA-së, për Beogradin zyrtar dhe aleatët e tij, duhej të ishte “NIKADA”, KURRË! Dhe, në mesin e dhjetra fakteve tjera, vetëm këto tri fakte të cituara, për ta hequr, njëherë e përgjithmonë, nga agjenda e dialogut Asociacionin e stisur dhe të shpifur, qëllimshëm, nga shtetet mike të Serbisë brenda BE-së, do të ishin të mjaftueshëm.
Çfarëdo insistimi i mëtejmë i BE-së, SHBA-së dhe të ndërkombëtarëve të tjerë, për themelimin e cilitdo nivel Asociacioni, do të ishte përdhosje e 800 dëshmorëve, 13.000 viktimave civile të pafajshme, e vuajtjeve masive fizike e shpirtërore të shqiptarëve të Kosovës. Kjo do të ishte një padrejtësi e madhe, një provokim i rëndë për popullin e Kosovës dhe shqiptarët e përbotshëm.
Pendesa e BE-së, SHBA-së dhe ndërkombëtarëve tjerë, do të ishte e parathënë, e pritshme, ashtu siç u penduan për plojën e përgjakshme në Bosnje, Kosovë dhe Ukrainë. Por, nëse, vërtet, themelimi i Asociacionit do të imponohet nga BE dhe SHBA, pendesa e tyre e sigurtë, nuk do të ishte kurrëfarë zgjidhje. Për rrjedhojë, konflikti serbo-shqiptar do të mbetet gjithnjë i hapur, me mundësi përshkallëzimi, deri në përmasën e një lufte të përgjakshme, në mes të dy popujve, me rrezik të destabilizimit në rajon e më gjerë.
Ndoshta e vetmja shtesë, që mund t`i bëhet de-përshkallëzimit sot, nga qeveria e Kosovës, është zhvendosja e kryetarit të ngujuar në zyrën komunale dhe sistemimin e tij në një objekt rrethanor. Por, gjithnjë, me garancinë se në zyrën e të parit të komunës, nuk do të lejohet të hyjë askush, përveç kryetarit fitues në zgjedhjet dhe votën demokratike të pritshme.
Kosova, nën masat sanksionuese, gjithësesi pëson humbje të mëdha. Por, kur dihet, madje botërisht, se këto masa nuk janë për fajin e Kosovës, duhet të përballohen dinjitetshëm. Kosova ka përjetuar terror dhe varfëri, njëherësh. Dhe, ka mbijetuar në saje të solidaritetit ndërnjerëzor. Edhe këto masa do t`i përballojmë, pavarësisht, kohëzgjatjes së tyre.
Për përballimin e lehtësuar të vështirësive aktuale, kërkohet unitet në qendresë. Pikërisht, mungesa e unitetit dhe etja e shfrenuar për pushtet, e një opozite servile, destruktive, rrast të inkriminuar, kontribuoi shumë në ndëshkimin absurd të Kosovës. Mosbesues në votën e popullit, opozita zgjodhi mbështetjen e Serbisë. Kjo opozitë dje kishte mbështetur -Listën Serbe-, në luftimin e opozitës të saj, sot kjo Listë famëkeqe, po ndihmon në luftimin e pozitës, përkatësisht, të qeverisë aktuale të Kosovës.
PAN-i i lidhur fort me Listën Serbe, në makro-kontrabandën, në vite e dekada, me disa komandantë të inkriminuar, penguan, qëllimshëm, kontaktet me minoritetin serb në veri të Kosovës. Ata e heshtën dhe bllokuan hapjen e Urës së Ibrit, edhe pas ndërtimit të saj, me qëllim që kontrabanda të bëhej shpengueshëm. Krerët e Listës Serbe preferencë kishin PAN-in, në zgjedhjet qendrore. Dhe, këtë e dëshmuan me votën e tyre vendimtare, në zgjedhjen e Ramush Haradinaj kryeministër.
Kosova, pavarësisht marrëdhënieve me Beogradin, me serbët në Kosovë, jug dhe veri, duhet të bashkëpunojë, sepse në mesin e tyre ka shumë Rashiqër e Kërstiçër, Bogdanoviçër dhe të tjerë, të cilët e kuptojnë se bashkëjetesa me shqiptarët, ka qenë dhe mbetet domosdo e kohës.
Me të drejtë, opozita serbe, akuzon, me emër e mbiemër, Hashim Thaçin, Ramush Haradinaj dhe komandantët tjerë, për bashkëpunimin në makro-kontrabandën me “Listën Serbe”. Ata e luftuan dhe e shkatërruan Opozitën serbe në Kosovë, duke e ndihmuar, drejtëpërdrejtë, “Listën Serbe”, për ta përvehtësuar të gjithë pushtetin në komunat me shumicë serbe në Kosovë dhe Vuçiqin në Serbi.