Kampioni aktual i Botës në boksin profesional në kategorinë gjysmë të rëndë (WBA), Haxhi (Robin: nofka) Krasniqi ka thënë se fitorja e tij ndaj Dominic Boesel të shtunën më 10 tetor në Gjermani ka qenë ëndrra më e madhe e jetës për të, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media sot në Prishtinë, Krasniqi ka falënderuar të gjithë shqiptarët për mbështetjen ndaj tij, në një rrugë të gjatë në karrierë, ku pas 15 vjetësh kurorëzohet me çmimin e të parit të botës në boks për kategori të caktuar.
“Mendimi i parë (pas rrëzimit në tokë të kundërshtarit), ka qenë: Zoti na shpërbleu 15 vite punë. Nuk mund ta shpreh tash me fjalë, se sa e mundimshme, sa e rrezikshme dhe sa i madh ka qenë gëzimi. Ka qenë njëfarë britme sa edhe Zoti lartë më ka dëgjuar, aq gëzim sa kam përjetuar. Dhe mund të them që asnjë çmim në Botë nuk do të më gëzonte aq shumë sesa kjo fitore. Ndoshta do të bëj edhe shumë ndeshje tjera por besoj se këtë adrenalinë, gëzim dhe ndjenjë nuk do të mund më kurrë ta përjetoj”, tha Krasniqi.
Në meçin e së shtunës, Krasniqi edhe pse luan për shtetin gjerman tha se është munduar ta vërë në pah edhe prejardhjen e tij, me flamur kombëtar shqiptar dhe duke hyrë në ring me muzikë shqiptare.
Krasniqi, pikërisht vështirësitë dhe mundin e gjithë karrierës së tij prej 15 vjetësh, tha se i ka shprehur në boksin vendimtar të së shtunës, që e rrëzoi në tokë Dominic Boesel-in duke ia rrëmbyer atij çmimin e të parit të botës.
Duke folur rreth karrierës së tij në sportin të cilin tha se familja e tij gjithmonë kërkon që të largohet, Krasniqi tha se ka qenë e vështirë periudha kur ai si fëmijë është inkuadruar në shoqëri dhe në sport në Gjermani.
“Gjithmonë e kam cekur vendin tim me krenari të madhe se prej nga vij. I kam përcaktuar dy vendet. Normalisht që atje duhet të punosh 10 herë më shumë për ta mundur një gjerman, kështu që e kam pasur shumë të vështirë të depërtoj, sidomos kur bëhet fjalë kundër një gjermani. Ka qenë punë shumë e madhe, normalisht që edhe zhgënjimet kanë qenë pjesë e suksesit, më kanë bërë vetëm më të fortë”, tha Krasniqi.
Të shtunën në qytetin Magdeburg të Gjermanisë ku u zhvillua ndeshja, ka pasur rreth 2.500 shikues, për shkak të rregullave kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), e gjysma nga ta sipas, Krasniqit, kanë qenë shqiptarë, zëri i të cilëve ka mbizotëruar dhe i ka dhënë atij energji shtesë.
Krasniqi pas konferencës për media, ka thënë se bashkë me titujt e fituar, do ta vizitojë sot gjatë ditës Prekazin, tek varrezat e familjes së heroit të luftës Adem Jashari, ngase siç tha ai “Kur shkoj atje e ndjej veten shumë të vogël dhe në borxh për veprimtarinë e tyre”.
Meçi i fituar më 10 tetor ishte i vlefshëm për titull të përkohshëm të botës në versionin WBA, në kategorinë gjysmë të rëndë dhe në versionin IBO.
Për 33 vjeçarin nga Juniku, ishte hera e tretë që boksoi për titull bote në një nga katër versionet e mëdha të boksit profesionist (WBC, WBA, WBO e IBF). Dy herët e kaluara ai kishte pësuar humbje. Ai ka bilanc prej 51 fitore e gjashtë humbje në boksin profesionist.
Komentet