Është një ndër ëmbëlsirat më të shijshme dhe më të dashura për shqiptarët. Tradita e përgatitjes së saj në familjet shqiptare është e hershme po aq sa edhe mbetet ende ndër më të preferuarat, sidomos në raste festash.
Krejt e lehtë në shije, ashtu si edhe për t’u përgatitur, mendohet se Hashurja është një ëmbëlsirë, receta e së cilës vjen nga Turqia, por që sot njeh shtrirje edhe në shumë zona të tjera mesdhetare.
Falë përbërësve të saj, kjo ëmbëlsirë mbart shumë vlera të mira shëndetsore, siç janë fibrat, mineralet, proteinat dhe vitaminat të gjendura tek gruri, arrat, bajamet e frutat e thata.
PËRBËRËSIT
1 gotë grurë,
1 gotë sheqer,
pak kripë,
2-3 lugë gjellë niseshte,
1 lugë gjellë kanelle,
50 gr rrush i thatë,
100 gr arra dhe bajame të grira,
4-5 karafila
PËRGATITJA
Në një tenxhere hedhim masën e grurit.
Më pas shtojnë 2.5 litra ujë dhe vendosim në zjarr të ngadaltë që të zjejë.
E kontrollojmë herë pas here, duke e përzjerë.
Në momentin kur kokrrat e grurit nisin të plasariten, hedhim pjesën tjetër të përbërësve, kripën, sheqerin, rrushin e thatë, kanellën, karafilat dhe gjysmën e arrave dhe bajameve të grira.
Më pas, në një tas përzjejmë niseshtenë me pak ujë, derisa të shkrihet në një masë të vetme.
Masën e përftuar e shtojmë në tenxheren në zjarr, ku kemi grurin me përbërësit e tjerë. E përzjejmë, derisa niseshteja të njëtrajtësohet me masën.
Pasi merr një valë, e heqim nga zjarri dhe masën e hedhim në tasa.
Në sipërfaqe hedhim pjesën tjetër të arrave dhe bajameve të grira, si dhe kanellë.
Pasi ftohen, tasat me Hashure i vendosim në frigorifer, në mënyrë që të marrin shijen e duhur.
Komentet