Pos shumë të pavërtetave kulmore, presidenti i quajti të gërditshëm shqiptarët etnikë që i japin besnikëri e lojalitet Republikës së Kosovës, të cilën e kanë krijuar pas një shekulli luftërash, rezistence e tragjedish. Ai tek pështynte kosovarizmin si identitet subetnik dhe emërkuptim i shtetit që aksidentalisht e drejton, po fliste me një gjuhë sureale, prej supernjeriu për luftën e tij për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet unik. Ai sapo kallëzonte përralla me mbret, që rëndom zënë vend tek të varfrit, netëve të gjata dimrit…
Presidenti i shtetit, si kontrovers i dëshmuar dhe me disa copëza mendimesh të palidhura mes vete, shpërndante fjalë e fjali konfuze pa asnjë kuptim etimologjik, botëkuptime pa themel politik e etik dhe së këndejmi fyese për inteligjencën e qytetarit mesatar.
Vetëm dy javë para se të jepte intervistën shumë kontroverse në “Opinion”, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e kishte pranuar se Kosova kishte një kombëtare në futboll.
“Kombëtarja e Kosovës dhe sportistët tanë të talentuar janë duke e përshpejtuar ecjen tonë si shtet i ri drejt skenës ndërkombëtare” – kishte shkruar në llogarinë e tij në “Facebook”.
Porse i përhumbur në mësymjet e tij pa fill dhe nën njëfarë presioni të habitshëm, ai po e mohonte këtë duke e quajtur “kombëtare” ekipin e futbollit të Shqipërisë, kurse atë të Kosovës e cilësonte “përfaqësuese”.
Sepse hise në linguistikën kombëtare del të ketë vetëm Shqipëria, por jo edhe shoqëria të cilën Thaçi e drejton…
Ai në dërdëllitjet e tij herë e sheh veten të varur në kornizë si një nga rilindësit kombkrijues (sipas doktrinës nacionalromantike shqiptare), herë e sheh veten pa fuqi, një vdekatar i rëndomtë, e herë një njeri i lidhur me ndërkombëtarët.
Sapo i largohet narkoza e hiperhistorisë kombëtariste dhe kthjellet, ai e sheh veten psikologjikisht një të persekutuar, të ndjekur…
President kot, të një shteti pa komb dhe që i nënshtrohet fabulës së turbonacionalistëve:
“Prish shtëpi e ndërto hajat”, sepse kosovarët vazhdojnë ta shohin shtetin si projekt të përkohshëm, përkatësisht derisa të realizohet ai projekti epik e legjendar i “Shqipërisë etnike” ose natyrale… e terma të tjerë të shpikur nga folkloristët shqiptarë.
Kosova e pavarur si një projekt perëndimor (ShBA me aleatët e NATO-s) më i madhi pas luftës së ftohtë, nuk shihet e përhershme porse nga disa grupe integristësh shqiptarë, të cilët po e pengojnë kombkrijimin, së këndejmi paqen me të tjerët dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë si titullar të kombit kosovar, modernizimin dhe perëndimorizimin e shtetit.
Ndër ta, i përhumbur së fundi shfaqet Hashim Thaçi.
Ai kishte harruar se televizionit NTV para do kohësh i deklaronte se ai ishte një politikan i moderuar dhe jo një luftëtar dhe tashti po u thoshte shqiptarëve se ai ka luftuar fort për bashkim kombëtar…!?
Mirëpo, nëse qytetarët kosovarë e ulin kokën dhe i dëgjojnë retorikat e pakuptimta të Thaçit, se si ata që thërrasin për kosovarizëm na qenkan të gërditshëm dhe si dikush paskësh recituar poezi për Titon mbi kontejnerë bërlloku, ai duhet të japë shpjegime përse një mori institucionesh shtetërore, politike e kulturore me bazë në Kushtetutë emërtohen me sufiksin “kombëtare”.
Pra, Thaçi duhet me urgjencë ose të ngrihet në nivelin e një presidenti real të një shteti të pavarur dhe drejtues i një kombi sovran – që e ka këtë të drejtë një herë të arrirë, shtetin kombëtar – ose të nisë procedurat e shpërbërjes jo vetëm të semantikës kombëtariste në institucionet e shtetit, por edhe vetë shtetin e kosovarëve, së këndejmi t’i shndërrojë ato në institucione përfaqësuese.
Sikur që e “shndërroi” kombëtaren e futbollit në një ekip të një mëhalle shqiptare.
E nëse e mohon procesin e shtetkrijimit dhe kombndërtimit kosovar (shtet dhe komb i ndërtuar nga amerikanët dhe aleatët evropianë), atëherë është dashur që kësaj punës së bashkimit kombëtar (edhe pse është vetëm një deklaratë boshe politike) me i hy vetë!?
Po kujt i shërbejnë këto retorika boshe?
Qeveritarëve aktualë për ta mbajtur më lehtë pushtetin.
Oponentëve të tyre për të siguruar më shumë vota përmes parullave populiste dhe natyrisht Beogradit zyrtar për ta përmbushur pikën 6 të Memorandumit të Dytë të Akademisë serbe të shkencave: Destabilizimit të qeverive të vendeve fqinje, duke provokuar pakënaqësi të brendshme dhe trazira dhe për ta topitur tehun e akuzave ndaj Serbisë.
A nuk po turren liderë shqiptarë që ta faktorizojnë Vuçiqin dhe Qeverinë serbe kur ajo pos Rusisë i ka dyert e mbyllura në tërë botën demokratike dhe a nuk po shkojnë këto mësymje në favor të realizimit të Memorandumit 2?
Të shohim se cila është kjo linguistikë që shpreh dhe u jep emër institucioneve të shtetit pa komb Republikës së Kosovës, si entitet juridik-politik në të drejtën ndërkombëtare (sepse kombi shqiptar pandehet unik.)
1. Kushtetuta e Kosovës është derivat i Pakos Ahtisaari, pra dukja dhe rregullimi i simboleve nacionale/kombëtare buron nga Pakoja që thotë: 1.7 Kosova do të ketë simbolet e veta të veçanta nacionale, duke përfshirë flamurin, stemën dhe himnin, të cilët pasqyrojnë karakterin e saj shumetnik. Lexo edhe versionin në anglisht të këtij dokumenti që e ka derivuar Kushtetutën e Kosovës.
2. Kushtetuta e Republikës së Kosovës në nenin 126 (Forca e Sigurisë e Kosovës) e njeh për kategori kushtetuese një forcë kombëtare.
“ Forca e Sigurisë e Kosovës është forcë kombëtare e sigurisë për Republikën e Kosovës dhe mund të dërgojë pjesëtarët e saj jashtë vendit në përputhje të plotë me përgjegjësitë e saj ndërkombëtare.”
E tash, forcë kombëtare e cilit komb është FSK-ja? Kombit unik shqiptar që e zotëron Republikën e Shqipërisë me kryeqytet Tiranën apo një kombi tjetër që Thaçi po ia shtrembëron emërtimin e vërtetë, pra po e cenon Kushtetutën? Një kombi fantom që po ndërtohet në terren, me gjithë refuzimin e integristëve shqiptarë dhe kreut të Beogradit zyrtar, që përditë po u thonë kosovarëve se ata janë të paqenë, inekzistentë e rrjedhimisht e paqenë është edhe Republika e tyre sovrane, e njohur nga 112 kombe të botës!?
3. Po Teatri Kombëtar i Kosovës a është kombëtar zoti President apo Teatër përfaqësues i Kosovës?
4. Po Biblioteka Kombëtare e Kosovës a është bibliotekë përfaqësuese apo…?
5. Po çka na qenka kjo “Strategjia kombëtare e Republikës së Kosovës për menaxhimin e integruar të kufirit”, dokument ky që ka dalë nga zyra Juaj kur ishe kryeministër?
Mos vet për ty, je kapur në Corpus delicti!
6. E ciceroni i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor se “Ku mund të sigurohen informatat për parqet kombëtare të Kosovës, a është me gabime shtypi a po u bëjnë sytë?
7. Po kjo Agjencia e Kosovës për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguria bërthamore – AMRK, çfarë na qenka?
8. Po ky Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike a do të duhej të ishte institut përfaqësues i shëndetësisë publike?
9. Ose kjo Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut? Për cilin gjak flitet këtu a mos për ndonjë gjak të prishur, jokombëtar, por përfaqësues, po ku mbeti gjaku “i pastër” i shqiptarit që e luaje keq në studion televizive në Tiranë?
10. Dhe në fund, a e ke lexuar se cili është identiteti yt kombëtar në pasaportën biometrike!?
Shqiptar apo kosovar?
Shqiptarësia është ETNIA dhe ajo është një konstantë (ne jemi shqiptarë), kurse identiteti kombëtar është subetnik pra një variabël president, një bashkësi imagjinare njerëzish, politikisht e konstruktuar, e ky është ENTITETI kosovar: Shteti Sovran, President!
President, duhet t’i drejtoheni Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar një verdikt nëse këto institucione emërtohen drejt dhe në bazë të Kushtetutës ose jo?
Nëse nuk e bëni këtë, ju po e shkelni përditë Kushtetutën duke përdorur emërtime jokushtetuese për agjencitë qeveritare dhe institucionet politike dhe kulturore!
Zoti President, i thuaj publikut nëse di ndonjë homolog, kudo në botë, që nuk identifikohet me kombin dhe shtetin që i drejton, ama vetëm një!?
Pra, a do të ishte absurde që presidenti Ivanov të thoshte se nuk ka komb maqedonas, vetëm pse ai është etnikisht një bullgar?
A do të ishte marrëzi sikur Gjukanoviq do të deklaronte se nuk ka komb malazias, vetëm pse rrënjët e largëta etnike të tij janë ngjitas me ato të serbëve?
Ose a nuk do të ishte skandal po qe se presidenti austriak do të thoshte në Bruksel se nuk ka komb austriak, ngase ai flet gjuhën e Goetës?
A nuk do të shokohej globi nëse Barack Obama do të dilte e të thoshte se nuk ka komb amerikan, ngase të parët e tij nga vija e babës ishin etnikisht Kenyan myslimanë?
Dhe, a nuk do të shkaktonte tronditje presidenti i Zvicrës të deklaronte se nuk ka komb helevet, sepse ai është një gjerman etnik, Johann Schneider-Ammann!
Dhe krejt në fund të intervistës suaj, plot ankth e frikë se mos po gabon e po thua najsen të vërtetë dhe po del nga rutina e retorikave populiste, megjithatë e ke bërë një “gabim fatal”, sepse e ke përmendur togfjalëshin “interes nacional” i Kosovës!
Kur po flisje për dialogun me Serbinë.
Pra, e pranon në ndërdije kombin kosovar – sepse ta ka ëndja me qenë i pari i tij – por s’ke guxim qytetar dhe nuk je asnjë patriot kushtetues, për ta thënë këtë zëshëm!
Dhe nga mungesa e guximit, fyen ata që guxojnë!
Bluan fjalë pa kuptim, pa asnjë përmbajtje…
Ashiqare, kurrë nuk e ke thënë asnjë fjalë në burimin e vet etimologjik.
Për këtë je shndërruar në kërcënues të vetë shtetit që e drejton dhe lirisë kombëtare dhe në një njeri që fyen shtetasit, vetëm e vetëm pse ata i japin dashuri atdheut të tyre, Kosovës!?
E tmerrshme!
Komentet