Në emisionin Vetting në News24 është trajtuar veprimtaria e guroreve, problemet që shkaktojnë jo vetëm në mjedis, por edhe në jetën e përditshme të qytetarëve, duke rrezikuar seriozisht edhe shëndetin e tyre.
Emisioni ndalet veçanërisht në zonat ku veprimtaria e guroreve po shkatërron masivisht të paktën dy prej zonave ku operojnë edhe numri më i lartë i këtij biznesi, Dimali dhe Kruja.
Guroret konsiderohen si ndër bizneset më të mëdha të dekadave të fundit, për shkak të hovit të ndërtimeve dhe lëndës së parë që duhet për to.
Një ndër dëmet që kanë sjellë guroret, por që është anashkaluar disi, lidhet me humbjen e sipërfaqeve pyjore për shkak të ndërhyrjeve në mjedis për të siguruar gurore të reja, që sigurojnë lëndën e parë për ndërtim.
Edhe pse e kanë të sanksionuar me ligj, kompanitë nuk rehabilitojnë zonat e shpyllëzuara për shkak të aktivitetit të guroreve që kanë kryer, duke lënë pas gropa, që sipas ekspertëve paraqesin efekte negative në mjedis.
Sipas të dhënave të siguruara nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, aktualisht në Shqipëri gjenden 268 gurore dhe më shumë se 95% e tyre nuk kanë kryer rehabilitimin e zonës. Ky është një problem që nuk është ngritur vetëm nga banorët dhe shoqatat mjedisore, por edhe nga vetë zyrtartët më të lartë në Ministri.
Ekspertët ngrenë alarmin se guroret po shkatërrojnë florën dhe faunën, ndërsa banorë të zonave ankohen se shpërthimet pa kriter po dëmtojnë dhe shembin banesat, veçanërisht kur janë afër zonave të guroreve.
Sipas ekpertëve të mjedisit, guroret jo thjesht kanë impakt te bimësia, por po dëmtojnë seriozisht jetën e qytetarëve.
Problemi nis jo thjesht në shkatërrimin e burimeve natyrore, por këto gurore dëmtojnë tokat bujqësore, dëmtojnë banesat, sikundër rrezikojnë jetët e banorëve. Por cilët janë pronarët e guroreve që duket se kontrollojnë jo pak hapësirë dhe pavarësisht protestave të banorëve vijojnë aktivitetin.
Milionat që qarkullojnë nga bizneset e guroreve sfidojnë interesat e mijëra qytetarëve, të zonave ku shtrihen këto aktivitete. Dhe natyrisht kjo gjë nuk mund të arrihet pa lidhjet me pushtetin, qoftë në nivel lokal apo qendror. Paraja publike qarkullon brenda një rrethi të mbyllur e të mirëorganizuar, ku edhe institucionet e drejtësisë e kanë të vështirë të depërtojnë.
Nga lart qyteteve që janë të prekura nga kartelet e betonit dallon zgavra gjigande, ku janë shqyer pjesë masive të shpateve malore, ku rrëfehet qasja që ne si shoqëri kemi prej dekadash për natyrën, për jetën.
Këto plagë të hapura nga guroret që zhvillojnë aktivitetin pa kriter nuk sjellin vetëm shkatërrimin e natyrës shqiptare, por janë një kërcënim për të ardhmen, për brezat që vijnë. Njollat e stërmëdha të masakrës mbi male e kodrina krijojnë një peisazh të shkatërruar, ku dallohen nënshtresat e tokës, që e kanë humbur pjesën organike prej së cilës ushqehet bimësia.
Shumë pranë me qytetet, këto kantiere vazhdojnë të përhapen me shpejtësi në të gjithë territorin e Shqipërisë, ndonëse ky fakt është bërë problematik prej kohësh për banorët pranë tyre. Banorët janë dëmtuar dhe vazhdojnë të dëmtohen nga problemet që kanë sjellë guroret, shumica e të cilave funksionojnë në shkelje të çdo procedure ligjore, duke filluar nga mënyra se si e përpunojnë lëndën e parë. Tymi ndotës që ankohen banorët, kërkon përpunimin me ujë për të bllokuar ngritjen e grimcave të rrezikshme kancerogjene për shëndetin.
Sipas biologut Olsi Nika nga “ECOALBANIA”, guroret kanë pasoja serioze mbi mjedisin dhe njeriun. “Të gjitha grimcat e ngelura pezull në ajër janë ato që janë shqetësuesi kryesor, të cilët në fakt nuk është se dëmtojnë vetëm biotën, vetëm botën e gjallë, por dëmtojnë drejtpërdrejt edhe njerëzit nëse këto këto njësi vendosen pranë qendrave të banuara”, tha për “Vetting” Olsi Nika.
Prania e këtyre burimeve natyrore pranë komuniteteve po krijon vatra të reja për konfliktet sociale. Këto konflikte qendrojnë të heshtura duke u akumuluar dhe nëpërmjet protestave mobilizojnë popullsinë rurale dhe organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Në këtë episod, “Vetting” do të trajtojë problemet që kanë sjellë guroret në zonën e Dimalit në Berat dhe në Krujë, të cilat janë dy zonat më të dëmtuara nga kjo veprimtari.
Dhunë fizike dhe verbale ndaj banorëve nga pronarët e guroreve, përplasje dhe protesta, shkatërrim të shtëpive dhe ambientit nga eksplozivi pa kriter, ndotje të ambientit, erozion, e mbi të gjitha asgjesim total të ekosistemit natyror, të gjitha nën indiferencën e institucioneve ligjzbatuese.
Këto të fundit reagojnë vetëm kur problemi bëhet publik, duke hedhur hije dyshimi për korrupsionin që mund ti ketë fijet e fshehura midis pronarëve të guroreve dhe drejtuesve të korruptuar të institucioneve.
Sipas ekspertit të mjedisit, Abdulla Diku, Shqipëria paraqet një rast unik përsa i përket menaxhimit të burimeve natyrore.
“Nuk kemi asnjë vend tjetër në rajon të paktën, në Europë jo e jo, i cili të jetë i keqpërdorur në këtë mënyrë burimet natyrore, malet”, tha për “Vetting” Abdulla Diku.
22 guroret që po shkatërrojnë Dimalin
Dimali, dikur i njohur si Ura-Vajgurore, është një nga zonat më të prekura nga shfrytëzimi pa kriter i burimeve natyrore. Ky qytet ka 22 gurore në territorin e tij, duke mbajtur rekord me numrin më të lartë në Shqipëri. Kur e viziton këtë qytet, ajo që të bie në sy është jo vetëm shtrirja e guroreve përreth, por një shkatërrim total i kodrinave, ku nuk ka më thjesht shenja të shfrytëzimit, por shihet qartë dëmtimi i parikuperueshëm që i është bërë natyrës.
Në këtë zonë, aktiviteti i guroreve është zhvilluar për vite me radhë, pa u ndalur, dhe gjatë filmimeve nga ekipi i “Vetting”, një re e madhe tymi mbulonte të gjithë territorin e Dimalit, duke mbuluar edhe fshatrat e Pashallisë, Guri i Bardhë dhe Konezbaltë. Kjo ndotje ka marrë përmasa alarmante, duke krijuar një situatë dramatike për banorët e zonës. Shtëpitë që ndodhen ngjitur me guroret janë të mbuluara nga pluhuri, si pasojë e drejtpërdrejtë e aktivitetit industrial. Ky peisazh i shkatërruar është dëshmi e papërgjegjshmërisë së institucioneve ndër vite.
Pluhuri, jo vetëm që ndikon në cilësinë e ajrit, por gjithashtu ndalon plotësisht aktivitetet bujqësore në tokat e zones mbuluar me një shtresë të dendur që ju ndalon bimëve proceset organike natyrore.
Sipas ekspertit të mjedisit Abdulla Diku përveç shëndetit të njeriut, guroret kanë impakt dhe te bimësia.
“Besoj kushdo e ka vënë re që në afërsi të tyre, të karrierave të gurit, pothuajse gjethet e bimësisë janë kthyer jo të gjelbra por kanë marrë ngjyrën e pluhurit të bardhë”, u shpreh për “Vetting” Abdulla Diku.
Një nga banoret e prekura nga kjo situatë tregon për “Vetting” situatën dramatike, që e përndjek për shkak të guroreve.
“Unë jam e tmerruar, e kam vënë urdhëro shikoje, e kam vënë shtëpinë në shitje se nuk duroj dot më, jam e sëmurë, jam me mushkëri të copëtuara, jam me, më është mbushur veshka, po ta shohësh, kam fletën e analizave, më është mbushur veshka plot me kiste e kam veshkën? Pse? Nga ky tym!”, tha për “Vetting”, Shkenca Hyka.
Ajo është banore e lagjes Pashalli në Dimal. Shtëpia e saj mbulohet e para nga tymi dhe ndjen më fort tronditjet nga eksplozivi dhe zhurma që vjen nga guroret.
E prekur nga drama sociale që i kanë shkaktuar guroret, Shkenca rrëfen për “Vetting” se ka ardhur herët në këtë qytet për të krijuar kushte më të mira, por hapja e guroreve I ka sjellë pasoja të rënda shëndetësore dhe ekonomike për të dhe familjen e saj.
Edhe pse shpreson të riparojë shkatërrimet e shtëpisë nga shpërthimet me eksploziv, Shkenca kërkon nga bizneset e guroreve që të respektojnë ligjin, pasi përpunimi i gureve duhet të bëhet nëpërmjet ujit për të shmangur ndotjen.
“Po bëhemi problematikë, unë javën e parë, dy herë në polici, as që u ndjenë fare, puna vazhdoi normalisht, që nuk dilja dot”, shprehet e zhgënjyer Shkenca,e cila priste ndihmë nga Policia e Shtetit.
Duke folur për problemet me ndotjen nga guroret, Shkenca kujtohet që kishte nxjerrë për t’u tharë rrobat e lara të nipit të vogël dhe me nxitim tenton t’i heqi pasi pluhuri ka pushtuar komplet zonën.
Në oborrin e kësaj shtëpie ka disa hardhi që kanë prodhuar rrush, por sipas banores nuk mund të konsumohen.
Sipas biologut dhe drejtuesit të “EcoAlbania” Olsi Nika, tymi i guroreve ka pasoja serioze mbi florën dhe faunën, ashtu edhe për njeriun.
“E gjitha ajo grimca e ngelur pezull hyn në mushkëritë tona dhe patjetër ndikojnë te bimët duke i veshur, duke pamundësuar ose duke mininimizuar ritmin e frymëkëmbimit, të fotosintezës, të frymëmarrjes së bimëve. Ka një ndikim të jashtëzakonshëm”, tha për “Vetting” drejtuesi i “EcoAlbania”.
Në momentin që largohemi nga Shkenca për të intervistuar një banor aty pranë që është duke punuar tokën, guroret ndërpresin veprimtarinë, pasi janë sinjalizuar nga kamionat për prezencën e gazetarëve tanë në terren.
Një nga banorët që ka tokën aty afër, Sotir Pilua tregon se ka probleme me tokën bujqësore pasi ujërat e gurores kullojnë te kanali ngjitur me tokën e tij.
“Edhe bimësia, ja e mbjell, do ta mbjell grurë, nuk bën përpjetë, do ta mbjellë hasëll për dhëntë, kam nja dy tre dhënë, i bie këtu nuk kullosin. Vetëm tym do hanë ato, ca do hanë ato, tymin e gurores ?!”, shprehet për “Vetting” Sotir Pilua.
Për “Vetting”, Pilo tregon se edhe ai nuk ka probleme vetëm me ndotjen nga guroret, por edhe me shtëpinë ku banon.
“Te shtëpia kam problem tymin. Na tymosin, na kanë bërë kështu blozë! Se kur kthen era që këtej, kur kthen për andej, këtej paradite na vjen këtej tymi (bën me shenjë për te toka bujqësore), mbasdite më vete në shtëpi”, tha Pilua, i cili nuk është optimist për reagimin e institucioneve shtetërore.
Problemi me ujin e kanalit që përmbytet nga ujërat e guroreve mund të ketë pasoja më të rënda për tokën pasi sipas ekspertëve këto ujëra tashmë kanë metale të rënda.
“Nëse shkëmbi përmban minerale, ka edhe metale të rëndë, që shkojnë në ujëra, përfundojnë në det, një pjesë e tyre janë edhe të dëmshme për shëndetin sepse përfundojnë në produktet bujqësore blegtorale dhe shumë nga metalet e rëndë janë kancerogjene”, tha për “Vetting” biologu Aleko Miho.
Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, e vetmja kompani në zonën e Dimalit, që ka bërë rehabilitimin e zonës është “AGBES CONSTRUCTION”.
Nga informacionet e siguruara, kjo kompani me leje minerare të marrë që në vitin 2003 ka rehabilituar rrugën hyrëse për në shkallën e parë të lejes minerare. Sipas Ministrisë së Mjedisit, në 15 maj 2018 po në këtë zonë janë marrë masa me pezullim aktiviteti deri në korrigjimin e shkeljeve të evidentuara ndaj kompanive “Shpiragu B” sh.p.k, “AKS” shpk, “2 Po 6” shpk, “Klisal” shpk, “Mustafai” shpk, “Vëllezërit Llupo” shpk, “Agbes Construksion” shpk, “Zhopi” shpk, “Admir” shpk, “Guri i Bardhë” shpk, “Beta” shpk, ndërkohë që është gjobitur kompania “Salillari” shpk.
Kruja, aty ku hidhet shteti në erë
Kruja është qyteti i dytë në Shqipëri me numrin më të madh të guroreve, por në dallim nga Dimali, guroret janë më pak të ekspozuara prej rrugëve. Në një cep të një guroreje të braktisur, në vend të pemëve që duhet të ishin mbjellë nga kompania, duket një makinë e djegur, që vitet e fundit është simbol dhe mjet që digjet pas atentateve.
Edhe kjo zonë ka pësuar një shfrytëzim barbar të maleve e kodrave prej guroreve, duke sjellë shqetësime serioze për banorët, madje duke shkaktuar konflikte sociale në mungesë të reagimit nga institucionet shtetërore.
Në dallim nga qytetet e tjera, banorët e kësaj zone janë përplasur me pronarët e guroreve, apo njerëzit që dërgonin këta të fundit, pasi rezultojnë si persona të lidhur me pushtetin. Banorët kanë protestuar edhe tek institucionet ligjzbatuese, por shpesh raportoheshin si denoncues tek pronarët e kompanive.
Vitin e kaluar banorët e fshatit Borizanë në Krujë protestuan kundra guroreve që me anë të përdorimit të eksplozivit denonconin përdorimin e tij pa kriter dhe në distancë të afërt me shtëpinë
Banorët ankoheshin për shkatërrimin e shtëpive, për faktin që kishin bërë denoncime në polici dhe prokurori, por kompania vazhdonte aktivitetin e pashqetësuar.
Më 7 korrik 2023, deputetja e Partisë Demokratike Merita Bakiu do të ngrinte shqetësimin e banorëve të Borizanit dhe mungesën e masave nga Prokuroria dhe Policia, por përsëri asnjë masë nuk do të merrej për problemin e banorëvë.
Madje gjërat do të merrnin një kthesë akoma më dramatike, për banorët që ishin në krye të protestës për të mbrojtur shtëpitë e veta nga shkatërrimi.
Disa ditë më pas, në korrik 2023, disa nga banorët që protestuan, do të sulmoheshin dhe do të dhunoheshin në brendësi të një lokali në Thumanë nga vëllezërit e ish deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.
Fillimisht pamjet dolën në rrjetet sociale dhe u shpërndanë në media duke tronditur opinionin publik duke sjellë largimin e deputetit Rrahman Rraja nga Parlamenti me dorëzimin e mandatit, si edhe shkarkimin nga detyra të ish ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi.
Në atë kohë, Policia e Shtetit doli me një deklaratë për shtyp, ku shpjegoi se ishte bllokuar gurorja “Delia Group”, e cila ishte në pronësi të Viktor Deliut dhe së bashku me institucionet e tjera kryen kontrolle për të matur dëmtimet në disa shtëpi, duke ia referuar rastin Prokurorisë së Tiranës.
Por edhe sot e kësaj dite, aktiviteti i guroreve në fshatin Borizanë të Krujës vazhdon dhe kjo verifikohet nga pamjet ekskluzive që sjell “Vetting” nga terreni. Banorët ankohen se guroret kanë ndikuar negativisht në jetën e tyre, duke sjellë pasoja ekonomike dhe sociale.
Një nga banorët që ka shprehu shqetësimin është Sinan Morina, i cili flet për problemet e shumta që u kanë shkaktuar guroret.
“Na mbyti ky tymi, guroret na dëmtuan shëndetin. Ka raste këta të gurores hedhin në orën 12 të natës, nuk lajmërojnë kur bohen mina,hic, kur dun me i bo, i bojnë.”, thotë për “Vetting” Sinan Morina.
Por këto zona duket se nuk janë nën kontrollin e institucioneve shtetërore, ku nuk ekziston ligji dhe ku njerëzit duhet të mbrohen vetë. Edhe pas protestave dhe reagimit të institucioneve asgjë nuk ndryshoi dhe rezultoi se e gjitha ishte një fasadë për të kaluar skandalin e radhës.
Sipas Sinan Morinës, me rastin e gurores është shkelur ligji pasi guroret janë shumë afër me zonat e banuara.
Ka shumë arsye që në Krujë nuk mund të mbyllen guroret jashtë kritereve, ose të paktën t’u kërkohet të zbatohet ligjit. Po të analizojmë me vëmendje listën e personave që kanë këto kompani, janë përfituesit më të mëdhenj të tenderave publikë dhe konçesioneve shtetërore, madje që shpeshherë janë lakuar për lidhjet me pushtetin.
Megjithatë në këtë rast problem nuk është përfitimi i fondeve publike, por mënyra se si këto kompani favorizohen dhe mbështeten nga institucionet publike dhe zyrtarët e lartë, në dëm të banorëve.
Në Krujë janë vetëm 3 kompani që kanë bërë rehabilitimin e zonës së guroreve; kompanitë “FUSHE-KRUJE CEMENT FACTORY”, “MILIS BRICK” sha dhe “ANTEA CEMENT” sh.a. Kompanive të tjera u është revokuar licenca nga Ministria e Mjedisit, pasi nuk kanë rehabilituar mjedisin.
Sipas ekspertit Abdulla Diku, mënyra se si bëhet hapja dhe zgjerimi i karrierave e bën të vështirë procesin e rehabilitimit.
“Nuk mund të rehabilitosh një faqe masive shkëmbore, ku pjerrësia është 90 gradë dhe ku do të duhet një volum i jashtëzakonshëm”, deklaron Abdulla Diku.
Në mars 2019, Ministria e Mjedisit i revokoi lejen për guroren në Krastë të Krujës kompanisë “Salillari” shpk, pasi kishte një sërë shkeljesh sipas Ministrisë. Konkretisht kompania nuk kishte bërë rehabilitimin e karrierës, nuk kishte rregulluar sistemimin e rrjedhjes së ujërave sipërfaqësore dhe mbetjet sterile nuk ishin vendosur në një vend të përcaktuar sipas lejes së mjedisit.
Disa ditë më pas, më 15 mars 2019 kompania “Salillari” bëri ankesë për revokimin e lejes, por kërkesa u refuzua nga Ministria e Infrastrukturës, duke i lënë si mundësi të vetme ankimimin në Gjykatë.
Por pezullimi i lejes mjedisore të kompanisë “Salillari” ka ngritur pikëpyetje për lejet e tjera për gurore që ka ky subjekt. Sipas nenit 37 të Ligjit nr.10 304 datë 15.7.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, zotëruesi i lejes minerare ka detyrimin të bëjë rehabilitimin e zonës që ka marrë për shfrytëzim dhe në rast të mosrealizimit të planit të rehabilitimit, ky subjekt nuk përfiton leje për një veprimtari tjetër minerare për një periudhë prej 50 vitesh dhe kjo gjë bëhet shkak që t’i hiqet çdo leje tjetër minerare, që ka në zotërim.
Pra, në këtë rast kompania “Salillari” rrezikon që t’i hiqen të gjitha lejet për gurore që ka edhe në zonën e Dimalit, ku në letrën e firmosur nga zv.ministri Ilir Bejtja kërkohet që të bëhet rehabilitimi i zonës.
Në aksionin e ndërmarrë në 2019, Ministria e Mjedisit i ka revokuar licencën edhe kompanive të tjera, si “VEGA” dhe “FRENKI” shpk.
Kompanisë “VEGA” i është hequr licenca pasi ka shfrytëzuar sipërfaqe jashtë lejes së shfrytëzimit, nuk ka respektuar lartësinë e shfrytëzimit dhe nuk ka bërë rehabilitimin e zonës.
Ndërsa kompania “FRENKI” shpk, e cila është në pronësi të shtetasit nga Jemeni Adel Thabit Ahmed Thabit dhe Sami Hoxhaj nuk ka patur leje mjedisi, por ka marrë në menaxhim guroren pas lejes së transferimit për shfrytëzim, që ka marrë nga kompania “ARVO” shpk. Edhe kjo gurore, ashtu si guroret e tjera që nuk kishin rehabilituar mjedisin, ka marrë një gjobë me vlerë 5 mijë euro nga Ministria e Mjedisit.
Nga të dhënat e siguruara nga AKBN-ja, vetëm për periudhën 2014-2023 janë mbledhur në total 7.6 milionë euro për garancinë e rehabilitimit për lejet minerare. Një pjesë e këtyre fondeve të mbledhura, 1.45 milionë euro, janë para nga kompanitë që u është revokuar leja.
Janë me dhjetëra rastet kur banorë të zonave kanë dalë në protesta kundër aktiviteteve të guroreve, që iu ka dëmtuar pronën dhe po ju merr dhe jetën dalëngadalë.
Prej gati 3 dekadash, mbrapa kësaj përplasjeje qëndron oligarkia ekonomike, e cila në Shqipëri është maska që mbulon pronarët e vërtetë të pasurive publike të gllabëruara, ku shpeshherë pas saj gjenden drejtues bandash kriminale nën petkun e biznesmenit, biznesmenë që janë mësuar të përfitojnë nga fondet publike të servirura nga politikanët dhe në fund ata, politikanët e korruptuar që me “Presta Nome” shmangin ligjin, i cili i pengon të dalin drejtpërdrejt si aksionerët e vërtetë të këtyre pasurive.
Në Shqipëri, guroret janë sinonim i abuzimit të pushtetit me burimet natyrore kombëtare, i mosrespektimit të ligjit dhe vjedhjes së shumicës përballë një pakice të korruptuar, që dhunon të drejtën e jetës, shkel ligjin dhe mbi të gjitha asgjeson të ardhmen.
Si shpërfillet ligji për rehabilitimin e zonave nga 95% e atyre që ushtrojnë aktivitet…
Nëse i kthehemi arkivës, vështirë të gjesh qoftë edhe një ish-ministër të mjedisit që nuk ka premtuar mbylljen apo kontrollin mbi aktivitetin e guroreve. Të gjithë janë përbetuar për zgjidhjen e problemit. Një ndër ta ishte edhe Blendi Klosi, i cili u investua personalisht në zgjidhjen e problematikës duke shkuar edhe në terren.
Në studion e “News 24”, ish ministri Klosi do të deklaronte afate konkrete për zgjidhjen e problematikës së guroreve dhe do të zvogëlonte lejet e mjedisit.
“Unë po ju premtoj publikisht dhe kjo do të jetë pjesë e konikës tuaj, pas një muaj, dy apo katër muajsh. Natyrisht deri më 24 maj 2018 do përfundojnë verifikimet e të gjitha gurorëve, evidentimi i problemeve dhe do merren masat përkatëse ligjore. Nga mali më i lartë i veriut dhe nga më i larti i Jugut kemi mbi 1000 leje mjedisore. Unë ju garantoj se nuk do te jenë kaq . Ata që do mbeten do e zhvillojnë aktivitetin brenda një standarti, brenda hapësirave ligjore. Kur një gurore për të zhvilluar hapësirat e biznesit në Shqipëri fiton para, bën biznes, duhet edhe ruaj mjedisin dhe duhet ruaj njerëzit”, deklaronte Blendi Klosi në një prononcim në News24 në vitin 2018.
Por problematika nuk nisi me Klosin, as me parardhësin e tij dhe më herët. Guroret, si shumë aktivitete të tjera të ngjashme e kanë origjinën shumë më herët.
Sipas raporteve nga organizatat mjedisore, transformimi i ekonomisë shqiptare në një ekonomi tregu të hapur mbas viteve 90’, ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm në natyrë dhe monitorimi pothuajse nuk ka ekzistuar. Këto aktivitete u intensifikuan dhe u bënë më të dëmshme pas vërshimit në sektorin e ndërtimeve.
Sipas biologut Aleko Miho, guroret kanë qenë biznesi më i madh i këtyre viteve, ku Shqipëria doli mbas viteve ’90 dhe ndërtimi mori hov të madh në zonat urbane, në bregdet dhe duhej lënda e parë për të ndërtuar dhe guroret kanë pasur gjithnjë aktivitet të madh.
Ky ndryshim i dha vrull ndërtimit të ligjshëm e të paligjshëm dhe në të njëjtën kohë lindi nevoja për të krijuar gurore, të cilat furnizojnë me lëndë të parë ndërtuesit, që edhe sot e kësaj dite janë personat më me ndikim në sferën ekonomiko-politike të vendit.
Një ndër dëmet që kanë sjellë guroret, por që është anashkaluar disi, lidhet me humbjen e sipërfaqeve pyjore për shkak të ndërhyrjeve në mjedis për të siguruar gurore të reja, që sigurojnë lëndën e parë për ndërtim.
Edhe pse e kanë të sanksionuar me ligj, kompanitë nuk rehabilitojnë zonat e shpyllëzuara për shkak të aktivitetit të guroreve që kanë kryer, duke lënë pas gropa, që sipas ekspertëve paraqesin efekte negative në mjedis.
Sipas të dhënave të siguruara nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, aktualisht në Shqipëri gjenden 268 gurore dhe më shumë se 95% e tyre nuk kanë kryer rehabilitimin e zonës. Ky është një problem që nuk është ngritur vetëm nga banorët dhe shoqatat mjedisore, por edhe nga vetë zyrtartët më të lartë në Ministri.
Në qershor 2018, ish Ministri Blendi Klosi do të deklaronte se zona të tëra nga guroret ishin dëmtuar dhe ishte shumë e vështirë që këto zona të rehabilitoheshin.
Në deklaratën për shtyp, Klosi do të theksonte se nuk duhet të jetonin njerëzit nën presionin e tymit dhe presionin e guroreve.
Ish-ministri Klosi do të pezullonte disa leje gjatë kohës që ishte në detyrë, por guroret që ishin licensuar nuk u mbyllën, përkundrazi do të rritej numri i tyre, njëherësh edhe numri i zonave që nuk janë rehabilituar. Janë fakte që “Vetting” i ka konfirmuar përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit dhe Agjensisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
Sipas Ligjit nr.10 304, datë 15.7.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, kompanitë ose pronarët e guroreve duhet të realizojnë rehabilitimin e mjedisit, duke filluar me rehabilitimin e sheshit të depozitimit të mbetjeve dhe të gjitha veprimtaritë e tjera, me qëllim parandalimin e dëmtimit të mjedisit e ndotjeve, duke garantuar një rehabilitim të plotë të ekosistemit në këtë zonë.
Në momentin që bizneset pajisen me lejen minerare, ato duhet të paguajnë çdo vit garancinë financiare për rehabilitimin e mjedisit, e cila bëhet në formën e një garancie bankare në favor të shtetit, që përdoret për realizimin e planit të rehabilitimit përfundimtar të mjedisit.
Guroret marrin lejen mjedisore nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, ku përcaktohet tarifa për rentën minerare dhe garancia për rehabilitimin e ambientit.
Në këtë leje gjenden koordinatat për vendndodhjen e gurores, sipërfaqja e karrierës dhe sasia e volumeve që do nxirren çdo vit. Karriera është vendi ku nxirren mineralet, drejtpërdrejt nga sipërfaqja, me anë të gërmimit ose të mënyrave të tjera, për të siguruar lëndë për ndërtim, tregti e për qëllime të tjera. Kurse renta minerare është përqindja e vlerës së mineralit të shitur, që i paguhet shtetit nga personi apo kompania që zotëron lejen minerare, si kompensim për zvogëlimin e burimeve minerare.
Guroret janë një biznes shumë fitimprurës pasi materialet që merren nga karrierat shkojnë drejtpërdrejt për projekte investimi shumë të mëdha si ndërtimi i objekteve publike, ndërtim pritash lumore, investime në rrugë, të cilat realizohen nëpërmjet procesit të tenderave publikë.
Milionat që sfidojnë interesat e mijëra qytetarëve, skema për të humbur gjurmët
Në rastin kur një bashki apo një institucion publik ka planifikuar ndërtimin e një rruge, ose një projekt ndërtimi që ka nevojë për lëndë të parë, në shumë raste realizohet një tender, ku fitues shpallet kompania që gjendet pranë qytetit, e cila merr pa kriter volume ndërtimi nga gurorja, duke realizuar dhe projektin që shpeshherë ka rezultuar me vlerë të tejfryrë.
Madje për të humbur gjurmët, kjo kompani përzgjidhet si nënkontraktor nga kompania fituese dhe në këtë mënyrë ndahen paratë publike. Këto kompani, si nënkontraktor, por edhe si fitues të tenderit gjenden në çdo sektor të prokurimeve publike dhe janë një mekanizëm se si fitimet shpërndahen në dëm të ambientit dhe taksapaguesve.
Këto janë disa nga mënyrat që paraja publike qarkullon brenda një rrethi të mbyllur e të mirëorganizuar, ku edhe institucionet e drejtësisë e kanë të vështirë të depërtojnë.
Milionat që qarkullojnë përmes këtij biznesi fitmprurës sfidojnë mijëra banorë të zonave përreth guroreve me shpresën e ndoshta edhe jetën që po iu shuhet dalëngadalë prej tymnajës së këtyre zgavrave që prodhojnë para për disa, e vdekje për të tjerë.
Në progres raportin e fundit të Komisionit Europian, në kapitullin 27 trajtohen problemet me ambientin dhe sektorët ku ka ngecur Shqipëria. Në raport shkruhet se Shqipëria ka bërë progres të kufizuar dhe i duhet të krijojë agjenci për të luftuar krimet kundër mjedisit për të qenë në një linjë me direktivat e Bashkimit Europian dhe për të mbrojtur burimet ujore.
Për të kuptuar regresin që ka bërë vendi ynë, mjafton të kuptohet se aprovimi i ligjit të ri në 2024 për Zonat e Mbrojtura nga Qeveria Shqiptare është parë nga Bashkimi Europian si një hap mbrapa në këtë drejtim, pasi nuk ka direktiva apo strategji për ndryshimet klimaterike.
Në këto pamje dramatike mbi shpatet e maleve dhe kodra është projektuar egërsia e njeriut si një grabitqar që vazhdon të kafshojë prenë e vet. Shkatërrimi i mjedisit vazhdon, ndërsa këto zgavra na rrëfejnë historinë e shkatërrimit, ku grabitqari dhe viktima është vetë njeriu. Nevojiten masa konkrete për parandalimin e këtyre aktiviteteve me dëme të pariparueshme dhe ndërgjegjësim për mënyrën si të kemi zhvillim të qëndrueshëm, në harmoni me natyrën dhe në shërbim të të gjithëve, jo vetëm të pakicave. Vetëm nëse i rikthejmë natyrës atë që i kemi marrë pa mëshirë, mund të ndërtojmë një të ardhme në vendin tonë.
Komentet