Qeveria shqiptare ka bërë publike hartën e investimeve në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Në tabelat e shpërndarjes së fondeve vihet re se Qarku i Kukësit dhe i Lezhës janë përjashtuar nga investimet qeveritare për tre vjet resht. Pra, Qarku i Kukësit dhe i Lezhës, nuk janë në axhendën e qeverisë së majtë për investime në rrugë dhe projekte të tjera. Përkundër përjashtimit të këtyre dy qarqeve, janë dy qarqe të tjera, për të cilat është parashikuar një fond minimal për investime, në kuadër të zhvillimit të rajoneve të Shqipërisë.
Kështu, në shifra totale, qeveria shqiptare ka parashikuar investime për Bashkinë e Bulqizës një fond prej 4.864.231 lekë të reja për vitin 2015 dhe një shumë dhe një shumë prej 43.778.077 lekë për vitin 2016. Në këtë shumë, qeveria ka planifikuar për përfundimin e fazës së dytë të rrugës “Pedonale”, lagjja “Minatori”. Një investim është parashikuar edhe për Bashkinë e Matit, ku është parashikuar rehabilitimi i fasadave dhe sheshit të qytetit “Ulëz”. Për këtë bashki janë alokuar nga buxheti i shtetit mbi 9 milionë lekë këtë vit dhe për vitin e ardhshëm shifra e investimeve shkon në 38.749.537 lekë. Ndërkohë, në Shkodër është parashikuar ndërtimi i pedonales në fshatin turistik Razëm dhe rikualifikimi urban i ambienteve të jashtme të katedrales së Shën Shtjefnit. Shifra e investimeve për këto dy projekte është mbi 29 milionë lekë për vitin e ardhshëm.
Projektet në Jug
Ndryshe nga qarqet e Veriut, duket se qeveria shqiptare ka favorizuar rajonet jugore të Shqipërisë. Në Tiranë, Korçë. Fier dhe Gjirokastër, bazuar në të dhënat zyrtare të publikuara në Fletoren Zyrtare, janë përqendruar shuma më e madha të fondit për investime. Konkretisht, në qarkun e Korçës është planifikuar sistemim, asfaltim i rrugëve të brendshme të fshatit Maliq, ndërtimi në Korçë i kompleksit multifunksional, sportiv dhe kulturor, rikualifikimi i sheshit “Rilindja” dhe i fasadave në Bashkinë e Kolonjës. Shuma totale e investimeve në Qarkun e Korçës është 396.954.875 lekë. Në qarkun e Fierit është planifikuar rikonstruksioni i rrugës “Mujo Ulqinaku”, dhe rehabilitimi i fasadave të saj, rikonstruksioni i rrugës së Agim-Ndërmenas-Hasturkas, Libofshe, etj. Në Gjirokastër është planifikuar rikonstruksioni i bulevardit “18 shtatori” dhe degëzimeve të rr. “Rexhep Qosja” dhe “Gole Gushi”. Po ashtu, është parashikuar që në Bashkinë e Këlcyrës asfaltimi i Ynazës, Këlcyrë-Qendër. Ndërkohë, sa i përket bashkisë së Përmetit është planifikuar rijetësimi i bllokut të banimit ndërmjet rrugëve “Tefta Tashko Koço”, “Elena Gjika” dhe “Vasil Papadhopuli”.
Fondi për Tiranën
Bashkia e Tiranës ka marrë pjesën e luanit nga fondi për investime në rrugë dhe infrastrukturë. Në projektet për tre vitet e ardhshme qeveria ka planifikuar edhe ndryshimin e sheshit “Skëndërbej”. Kjo është paralajmëruar kjo që ditën e parë që Erion Veliaj u shpall kryebashkiak i kryeqytetit. Shifra limit e rikualifikimit të sheshit “Skëndërbej” është 1.014.543.261 lekë. Erneta Shevroja
Komentet