Nga Harry Bajraktari*
Bisedë e hapur me Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit Escobar në Uashington
Këtë javë, me djalin tim Naimin, patëm një vizitë të këndshme e të frytshme në Uashington, me ndalesa në Capitol Hill dhe Departamentin e Shtetit.
Mbeta i kënaqur veçanërisht nga takimi dhe biseda e hapur, të martën, më 16 maj, me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit (DAS) Gabriel Escobar, i cili mbikëqyr politikën e SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor, në Byronë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit.
Diskutuam shumë çështje, në radhë të parë për Kosovën dhe Shqipërinë, por edhe për pjesën tjetër të rajonit. DAS Escobar u tregua bujar me kohën dhe shpjegimet e tij për angazhimin e SHBA-së në mbështetje të Kosovës, ecurinë e negociatave me Serbinë dhe rrugën e mundshme të Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.
Unë ofrova pikëpamjet e mia për disa nga shqetësimet dhe pritshmëritë që kanë shqiptarët e Kosovës për negociatat si dhe dyshimet për gatishmërinë e Serbisë për të ecur drejt së ardhmes.
Patëm një diskutim të mirë edhe për Shqipërinë. E shpreha hapur shqetësimin tim se Shqipëria po bëhet një sistem njëpartiak, gjë që nuk është si duhet të funksionojë demokracia dhe sigurisht jo çfarë imagjinonin shqiptarët kur përmbysën komunizmin më shumë se 30 vjet më parë. Kjo nuk është çfarë meriton Shqipëria as nuk është rruga drejt një të ardhmeje më të mirë.
DAS Escobar tha se Shqipëria është një aleat i rëndësishëm dhe do të gëzojë gjithmonë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Edhe ai nuk ishte i kënaqur me gjendjen e demokracisë sot, por shprehu shpresën se vendi do të gjejë rrugën për të përmirësuar demokracinë dhe për t’u ofruar alternativa më të mira njerëzve.
Cekëm edhe Maqedoninë, Malin e Zi si dhe pakicën shqiptare në Serbi. Ai përshkroi disa nga zhvillimet në rajon nga perspektiva e tij dhe se si ato ndikojnë në politikën e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor.
Në fund, ai këmbënguli që komuniteti shqiptaro-amerikan të përfshihet më shumë. Duke bashkëpunuar me Departamentin e Shtetit, mund të kontribuojmë në gjetjen e zgjidhjeve më të mira për problemet ekzistuese në Ballkanin Perëndimor.
*Harry Bajraktari është biznesmen dhe aktivist i njohur shqiptaro-amerikan