Fërfërinë fletët e mollëve dhe thanë
Fjalët e violinës tënde,
Cicërinë fëmijët e kopshteve dhe thanë
Fjalët e violinës tënde, Ibrahim;
Vërshëlleu basi i lokomotivës, përhapi
Fjalët e violinës tënde,
Fjalët e violinës tënde përhapën dhe ujvarat,
Ujvarat e bjeshkëve.Unë i dëgjova dhe erdha
Në koncertin tënd.
Kokën e mbështete prapë mbi violinë
Si mbi kraharorin e shqetësuar të së dashurës,
Lulëzuan nëpër brazdat e trurit
Pentagramet e gjelbëra.
Ku do na shpien sonte, Ibrahim?
Salla është plot pritje dhe heshtje.
Zemrat tona të çelura
Për këngët.
Ku do të na shpiesh sonte?
Fushat kanë grurë,
Matet kanë bakër,
Qiejt – avionë.
Ne kemi fushat, malet dhe qiejt e kaltër,
Ne kemi këngët.
Violina jote është shumë e gëzuar.
Harku lart.
Harku poshtë, sikur kërkon.
Nëpër mineralet e çmuara të thesarit të popullit,
Nga dolle.
Qemali vetë
Do të kish zbritur nga piedestali, do të vinte
Në koncertin tënd, do të të puthte
Në ballin tënd të rrudhur si fushë pentagrami.
Violina e tij mbeti e varur në mur, e varur
Në zemrat tona mbeti violina e heroit.
Violina jote, –
Vazhdimi i një kënge, të cilën nuk mund të mos
e këndojmë
Fushat kanë grurë,
Malet kanë bakër,
Qiejt – avionë.
Ne kemi fushat, malet, qiejt e kaltër,
Ne kemi këngët.
Harkun lart,
Harkun lart, Ibrahim.
Poezi e bukur per te madhin e virtuozin Ibrahim.