Të kaluar 825 ditë mësyemje, është në kufirin verilindor të Ukrainës që duhet të shohim se ç’po ndodh, se çfarë mund të ndodhë. Harta e kësaj zone përvijëzon gjithshka. Ndoshta gjithshka që nuk do të donim të shihnim. Vladimir Putini ka grumbulluar këtu trupa, armë, furnizime. E që këtu nisen sulmet që shënjestrojnë gjithë provincën e Harkivit, ish kryeqytetit, që është kthyer në simbolin e qëndresës, i stërmbushur me refugjatë. Një pallat e një supermerkat janë të goditurit e fundit, të vrarë e të plagosur, vetëm civilë.
Ndalimi që i është imponuar Volodimir Zelenskit për të mos përdorur armët e aleatëve – amerikane së pari – për të gjuajtur objektivë rusë përtej kufirit, në fakt ka krijuar mbas shpatullave të Harkivit një zonë jastëk, të pasulmueshme: është në brëndësi të asaj rezerve që Moska ka përqëndruar një rrip bazash ushtarake e paraushtarake, të kthyera drejt për drejt nga armiku, një lloj “faltoreje”, të barabartë me gjysmën e Valle d’Aosta, të përsosur për të goditur lehtësisht nga larg. Për shumë vëzhgues, është zemra e një shkallëzimi të pashpallur nga Moska e shpjegon përparimin, fshat mbas fshati, të javëve të fundit.
Për Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-s, është arsyeja që duhet të shtyjë Shtetet antarë të njohin të drejtën ukraine “të godasë objektivë ushtarakë të ligjëruar jashtë territorit të saj”, duke pezulluar shtrëngesat që kufizojnë përdorimet e sistemeve perëndimorë të raketave me rreze të gjatë veprimi. Stoltenbergu ka thënë: “Mesazhi im është se besoj se ka ardhur çasti të shohim përsëri atë çështje”. Përndryshe e detyrojmë atë që duhet të mbrohet “ të luftojë me një krah të palosur mbas shpine”.
Menjëherë shpërtheu alarmi diplomatik. E kështu ankthi i atij që, natyrisht, do të donte të shpejtonte fundin e kësaj lufte, jo fillimin e një faze të re. “T’i zgjidhej” krahu ukrainasve, t’i lejohej Kievit të përgjigjej me armë jo pa majë – që kalojnë kufijtë kombëtarë dhe vijat e kuqe mbi marrëveshjet ushtarake – do të thotë t’i nënështrohemi rrëshqitjes, të gjithë së bashku, drejtuar një skenari të pakontrollueshëm me horizontin skajor të Luftës së Tretë Botërore, të ndjellur që në agimin e parë?
Ka një tjetër hipotezë, sfilitëse, por që i thërret të gjithë – nga Brukseli në Washington – të japin përsëri provë të bashkësisë, të seriozitetit, ndoshta edhe kujdesit, si në atë dimër 2022. Çështja, duhet thënë qartë, nuk është të goditet Rusia “në thellësi”. Askush nuk do të mendonte e do të donte të vinte Moskën në shënjestër. Zgjedhja është një rrugë e hapur e kërkuar nga Zelenski, në çdo etapë të udhëtimeve të tij, pa e marrë kurrë, për t’u lënë ukrainasve mundësinë për të inkuadruar e goditur ata pozicione të përparuar – siç janë, pikërisht, bazat ajrore gjatë kufirit – që po i sigurojnë Putinit një epërsi në rritje. Sigurisht nuk do të mund t’a bëjnë duke zhveshur shpatën e droneve “made in Ukraina”.
Nëse (e si) të ndërhyhet për Kievin dhe Harkivin është një çështje në qendër të një lëmshi konsideratash ushtarake e gjeopolitike, vërejtjesh e kundërvërejtjesh që mund të mbërtheheshin deri në përjetësi. Vendimi i përket aleatëve, veçmas, një për një, mbasi disponueshmëria e armëve i përket qeverive, jo drejtuesve të Aleancës. Stoltenbergu e ka përsëritur dhe nënvizuar, duke i drejtuar “mesazhin” e tij kujtdo që po vozit me sy të lirë, – i kushtëzuar nga fushata zgjedhore e miratimet n’atdhe – me qëllim që secili të bregëzohet në ndonjë strategji që mund të jetë e bashkëndarë, e diskutuar, e bashkërenduar. Por jo e shmangur, e bishtnuar. E përsëri Evropa – të cilën po e përtërijmë, ndoshta pa e ditur mirë se çfarë duam të jetë – do të duhej të përpiqej të përfytyronte e të ndërtonte një lidership të vetin , qoftë edhe duke vepruar brënda NATO-s, apo nga NATO e mbrapa.
Koha, në terren e rreth tavolinave, është e pakët. Mund të jemi në prag të një presidence të dytë Trump me një shkëputje pasuese (të mundëshme) të Shteteve të Bashkuar nga frontet e jashtme.
Putini që tani vë bast mbi zbrazësirën që mund të lindë në Perëndim dhe mospajtimet që do të shpërthejnë në Kontinentin e vjetër. Kremlini ngujohet në refrenet e propagandës (zëdhënësi Dmitri Peshkov ka thënë: “Jo, nuk jeni duke u afruar përplasjes së drejtpërdrejtë, jeni brënda”) e mbi të gjitha llogarit mbi aleanca më pak të ndërlikuara. “Boshti i Kundërshtarëve” – e ka përkufizuar gjenerali Chris Cavoli, komandant i përgjithshëm i Forcave SHBA në Evropë, i laureuar në Jale në studime ruse e të Evropës lindore duke i shtuar Moskës Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut. Kujtesa fatzezë bushiane e Boshtit të së Keqes, në 2002, e bën përcaktimin të papërdorëshëm – ka komentuar Gideon Rachman në Financial Times – por sigurisht na këshillon të mos harrojmë se Ukraina është vija e parë e një lufte shumë më të madhe. Lufta me Putinin, që është ende edhe e jona, nuk është e humbur.
Ukrainasit kanë mbaruar municionet, jo guximin.
“Corriere della Sera”, 28 maj 2024 Përktheu Eugjen Merlika