Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj do të paraqitet sot para gjykatës franceze në Colmar.
“Për shkak të interesimit të jashtëzakonshëm të opinionit publik lidhur me ndalimin dhe procedurat ndaj meje në Francë, ju njoftoj se nesër në një seancë gjyqësore, do të bëhet paraqitja e materialit që e ka sajuar Serbia kundër meje, ndërkaq në seancën e javës së ardhshme, shpresoj që përfundimisht të marrë fund kjo farsë gjyqësore e imponuar nga Serbia”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ramush Haradinaj, aktualisht po mbahet nën masën e lirimit me kusht, mbi bazën e një procesi që po zhvillohet ndaj tij nga autoritetet franceze që bazohet në një urdhër-arrest të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit.
Ai është ndaluar nga autoritetet franceze më 4 janar të këtij viti.
Drejtësia serbe po kërkon ekstradimin e tij në Serbi.
Por, Haradinaj, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë kishte shprehur besimin e tij se aktakuza ndaj tij është e motivuar politikisht nga autoritetet serbe dhe si e tillë do të hedhet poshtë nga gjykata franceze.
Procesi ndaj Haradinajt, pritet të përmbyllet deri më 9 shkurt.
Komentet