“Qeveria e Kosovës do shqyrtojë me kujdes shqetësimet e shprehura nga veteranët e luftës së fundit të UÇK-së”, ka thënë kryeministri Haradinaj
PRISHTINË – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sot priti në takim një grup të veteranëve të UÇK-së të cilët shprehën ankesat dhe shqetësimet e tyre lidhur me mos përfaqësimin e tyre me dinjitet nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.
Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit thuhet se veteranët në takim me kryeministrin kanë shprehur pakënaqësinë e tyre sa i përket ndikimit të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së tek Komisioni invalidor për përfitimin e shkallës së invaliditetit, “fryerjen” e listave të veteranëve dhe mostrajtimin adekuat nga Komisioni mjekësor.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka dëgjuar kërkesat dhe ankesat e veteranëve të pakënaqur, duke thënë se, “Qeveria e Kosovës do shqyrtojë me kujdes shqetësimet e shprehura nga veteranët e luftës së fundit të UÇK-së”.
Nga ana e tyre veteranët e UÇK-së kanë falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe përballjen me ankesat e tyre, duke shprehur besimin se qeveria në një afat sa më optimal do t’i trajtojë dhe zgjidh kërkesat e tyre.
Kujtojmë se sot një grup i ish-ushtarëve të UÇK-së kanë mbajtur protestë simbolike në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë dhe para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës ku kanë kërkuar të takohen me kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj për t’ia shprehur pakënaqësitë lidhur me listat dhe statusin e veteranëve dhe invalidëve të luftës.
Kërkesat e tyre janë: pastrimi i listave, verifikimi i veteranëve nga fillimi dhe shkarkimi i Komisonit të tanishëm invalidor i cili sipas tyre luftëtarët e vërtetë po i konsideron si kriminelë dhe po ua refuzon njohjen ndërsa ata që i kanë blerë certifikatat me para po e kalojnë shkallën e invaliditetit.
Komentet