Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë të premten në një konferencë për media se Samiti i Berlinit, që do të mbahet më 29 prill, është një takim multilateral ku do të diskutohen çështje të ndryshme.
Ai tha se qëndrimet që i ka Qeveria e Kosovës nuk janë qëndrime vetëm të kryeministrit por, siç tha ai janë qëndrime të Kosovës.
Ai shprehi bindjen se nuk do të ketë shpërputhje mes qëndrimeve të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe tij.
“Do të kemi kohë të flasim me presidentin dhe do të harmonizojmë qëndrimet, nuk besoj se ka ndonjë dallim në çështje të caktuar”, ka thënë Haradinaj.
Ai po ashtu ka thënë se personalisht nuk ka qëndrime tjera pos atyre që dihen deri tani si për dialogun me Serbinë po ashtu për taksën prej 100 për qind që autoritetet e Kosovës kanë vënë në mallrat e Serbisë dhe Bosnjës.
“Kuptohet, ne do ta kemi kohë që të bisedojmë bashkë me presidentin para ngjarjeve edhe me siguri që do të harmonizohemi po unë nuk kam qëndrime të tjera, ne i kemi ato të vazhdueshme që i kemi paraqitur dhe vlejnë”, ka shtuar ai.
Takimi i radhës i liderëve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet më 29 prill në Berlin, po shihet edhe si një mundësi e mirë që vendet e këtij rajoni të përfitojnë nga projektet e përbashkëta që do të mbështeten nga shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, kryesuar nga Gjermania.
Udhëheqësit e Kosovës dhe ata të Serbisë pritet të marrin pjesë, në një takim joformal në Berlin. Nikoqirë të takimit pritet të jenë kancelarja gjermane, Angela Merkel, si dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.
Në këtë samit është thënë se mund të diskutohet për taksën e Kosovës ndaj importeve të Serbisë, të cilën autoritetet serbe e kanë përmendur si arsye për mosvazhdim të dialogut me Kosovën.
Autoritetet e Kosovës në anën tjetër kanë thënë se taksa e vendosur në nëntor të vitit të kaluar nuk do të largohet derisa Serbia të njohë shtetësinë e Kosovës.
Kjo masë vazhdon të mbetet në fuqi, pavarësisht kundërshtimeve të shprehura nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Komentet