VOAL

VOAL

Haradinaj letër ambasadorëve të Quint-it dhe BE-së: Ja si mund të hiqet taksa

January 28, 2019

Komentet

1 milion shqiptarë vuajnë nga një formë e rëndë e varfërisë sipas INSTAT

Më shumë se 1 milion shqiptarë vuajnë nga një formë e rëndë e varfërisë, sipas të dhënave të fundit të INSTAT që matën të ardhurat dhe nivelin e jetesës në vitin 2023.

Që nga viti 2018, INSTAT e mat varfërinë në përputhje me metodologjinë e Eurostat nëpërmjet treguesit “Rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social (AROPE) që u referohet individëve që janë në rrezik për të qenë të varfër, ose thellësisht të privuar nga ana materiale dhe sociale, ose që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim.

Sipas rezultateve të fundit, Shqipëria kishte 42.1% që vuajnë nga një formë e rëndë e varfërisë. Po të marrim në konsideratë se me të dhënat e Cens 2023, popullsia e vendit ishte 2.4 milionë banorë dhe mbi 1 milion shqiptarë po përjetojnë një nga format e rënda të varfërisë.

Të 1 milion shqiptarët jetojnë në familje që nuk mund të përballojnë të paktën shtatë nga trembëdhjetë kategoritë e privimit (6 kategori që lidhen me privimin në nivel individi dhe 7 kategori që lidhen me privimin në nivel familje).

Në nivel familje konsiderohen vështirësi:

Një individ mund të konsiderohet në vështirësi në rast se nuk ka:

Sipas Eurostat Shqipëria ka përqindjen më të lartë në Europë të popullsie në rrezik të varfërisë dhe privimit material.

Treguesit për Shqipërinë, sipas Eurostat, janë dukshëm më të lartë krahasuar me vendet e tjera fqinje të Ballkanit Perëndimor ku Mali i Zi ka 34.1% të popullsisë në rrezik varfërie, Maqedonia e Veriut 32.6%, Serbia 30% ndërsa për Bosnjë Herzegovinën dhe Kosovën nuk ka të dhëna.

Të dhënat e Eurostat për vendet e Bashkimit Europian flasin se në vitin 2023, rreth 21.4% e popullsisë europiane ose 94.6 milionë banorë ishin në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social.

Kosova dhe Shqipëria mbajnë seancë të përbashkët parlamentare

Kuvendet e Kosovës dhe Shqipërisë kanë mbajtur të premten një seancë të përbashkët parlamentare në Prishtinë, ku liderët e të dyja vendeve theksuan mbështetjen e ndërsjellë për njëra-tjetrën.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i lartësoi lidhjet mes popujve të Shqipërisë dhe e kritikoi Bashkimin Evropian për qëndrimet e tij ndaj Prishtinës.

“Jemi i vetmi komb që flet një gjuhë po aq të vjetër sa vetë gjeneza e Perëndimit. Dëshira ime është që të mos jemi njëri në tryezën e bisedimeve për anëtarësim në Bashkim Evropian, ndërsa tjetri nën sanksione të BE-së, të cilat, meqë ra fjala, sot janë një absurditet absolut”, tha Rama.

Derisa Shqipëria i hapi kapitujt e parë në negociatat për anëtarësim në BE në tetor, Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllok.

Rama tha se ai dhe presidentja e Kosovës, kërkuan heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës gjatë një samiti BE-Ballkani Perëndimor të mërkurën në Bruksel.

Blloku evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. BE-ja pati vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha në hapje të seancës se Kosova dhe Shqipëria janë me njëra tjetrën “në çdo rrethanë dhe pa asnjë kusht, duke qenë se ne nuk mund të përfaqësojmë tjetër gjë përveç se interesin kombëtar të kombit që për ne është i përbashkët”.

Ai e falënderoi Qeverinë e Shqipërisë për mbrojtjen e interesave të Kosovës dhe mbrojtjen e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“E drejta e Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit dhe integriteti, forcimit ligjit, nuk mund të konsiderohen cenim i fqinjësisë së mirë dhe as përshkallëzim i raporteve me fqinjët. Është Serbia që nuk na e pranon as statusin e fqinjit por ambiciet e aj hegjemoniste vazhdon t’i ketë të kodifikuara në Kushtetutë”, tha Konjufca.

Kjo është mbledhja e parë mes këtyre dy kuvendeve në Prishtinë. Seanca e fundit e përbashkët mes tyre u mbajt dy vjet më parë në Tiranë, me rastrin e shënimit të 110-vjetorit të Pavarësisë.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, tha se Tirana dhe Prishtina ndajnë synimet dhe vizionet e njëjta drejt integrimeve evropiane.

“Realizimi i objektivit tonë anëtarësimi në BE, integrimi euroatlantik i Kosovës dhe njohja përfundimtare e saj si realitet i pakthyeshëm, rritja e rolit të faktorit shqiptar, stabiliteti për paqe dhe siguri, janë detyrat tona, themeli i të ardhmes sonë”, tha Spirapoli. REL

Sot në Prishtinë mbledhje e përbashkët e parlamenteve të Kosovës e Shqipërisë

Sot do të mbahet mbledhja e përbashkët mes dy parlamenteve, të Shqipërisë dhe të Kosovës. Nga Shqipëria të pranishëm do të jenë 60 deputetë.

Në agjendë do të jetë fjalimi i dy kryetarëve të Kuvendeve gjithashtu fjalimi i dy kryeministrave dhe më pas i kryetarëve të grupeve parlamentare. Mbledhja e përbashkët mes dy qeverive do të mbahet në Prishtinë.

Në total pritet të mblidhen 130 deputetë, ku priten të jenë të pranishëm edhe 70 parlamentarë të Kosovës. Të pranishëm në takim do të jenë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Kosovës, Albin Kurti.

Në mbledhjen e përbashkët mes qeverive të dy vendeve është parashikuar që pas ekzekutimit të himneve përkatëse, të mbajë fjalën kryetari i parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca dhe pas tij, kryetarja e parlamentit të Shqipërisë Elisa Spiropali. Takimi pritet të mbyllet me një fjalim nga Rama e Kurti.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, tha se mbledhja e përbashkët të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës, e cila mbahet në Prishtinë, më 20 dhjetor, është nevojë e koordinimit të agjendës tonë kombëtare. Mbledhja e fundit mes dy parlamenteve ka qenë më datë 27 nëntor 2022, kur shënohej 110-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë.

Tradita e mbledhjes së përbashkët mes qeverisë së Tiranës dhe të Prishtinës ka nisur që më 2014 kur dy qeveritë u takuan në Prizren. Në atë kohë, qeveria e Kosovës drejtohej nga Hashim Thaçi. Një tjetër mbledhje e përbashkët u mbajt pak më vonë në Tiranë, më datë 23 mars 2015 me moton “Një tokë, një popull, një ëndërr”.

Takimi i fundit mes qeverisë së Ramës dhe të Kurtit është mbajtur më 2022, ku ndër të tjera, u arrit që vendet të nënshkruajnë 19 marrëveshje të përbashkëta, që rregullonin sektorë të ndryshëm.

Agjenda

Arritja në Sallën e Seancave Plenare të Kuvendit të Kosovës

Hapja e aktivitetit  me ekzekutimin e Himneve Kombëtar

Fillon Seanca e përbashkët plenare në Kuvendin e Kosovës

Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës (10 min)

Elisa Spiropali, Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (10 min)

Mesila Doda, Kryetare e Grupit Parlamentar Demokraci dhe Integrim, Kuvendi i Shqipërisë  (3 min)

  1. Besnik Tahiri, Kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kuvendi i Kosovës (3 min)
  2. Fatmir Mediu Anetar i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim, Kuvendi i Shqipërisë (3 min)
  3. Enis Kervan, Kryetar i Grupit Parlamentar Multietnik, Kuvendi i Kosovës
  4. Arben Gashi, Kryetar i i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kuvendi i Kosovës (3 min)

Z.Gazment Bardhi, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kuvendi i Shqipërisë (5 min)

  1. Abelard Tahiri, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Kuvendi i Kosovës
  2. Niko Peleshi, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste,

Kuvendi i Shqipërisë (5 min)

Znj. Mimoza Kusari-Lila, Kryetare e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Kuvendi i Kosovës (5 min)

Sh.T. Z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë (10 min)

Sh.T. Z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës (10 min)

Mbyllja e Punimeve

(Balkanweb)

Sinani thotë se autoritetet serbe ia ndaluan ministrit Çeku vizitën në Preshevë

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se Qeveria e Serbisë e ka refuzuar kërkesën për vizitën e planifikuar të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrullah Çeku, vetëm një orë para realizimit.

“Qeveria e Serbisë refuzoi këtë vizitë vetëm një orë para kohës së planifikuar, duke shkelur afatin 48-orësh të përgjigjes, siç parashikohet në Marrëveshjen e Brukselit”, ka thënë Sinani përmes një postimi në Facebook.

Ajo e ka përshkruar këtë hap si dëshmi e tentimeve për izolim të shqiptarëve të komunës që ajo udhëheq.

Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë lidhur me vizitën e planifikuar të Çekut në Preshevë, por nuk ka marrë përgjigje.

Kjo Zyrë pati thënë më herët se Prishtina ua ka ndaluar vizitat përfaqësuesve të saj për të vizituar serbët e Kosovës në festën fetare të Shën Nikollës, që shënohet me 19 dhjetor.

Sipas saj, kjo përbën shkelje të marrëveshjes për lëvizje të lirë, të arritur mes dy vendeve më 2011.

Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.

Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës – term që përdoret për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, komuna të banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë – konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.

Në Kuvendin e Serbisë, shqiptarët kanë vetëm një zë: deputetin Shaip Kamberi.

Në muajt e fundit, qindra shqiptarë kanë protestuar kundër diskriminimit që kanë thënë se e përjetojnë në jug të Serbisë. Edhe autoritetet e Kosovës kanë qenë të zëshme në thirrjet për respektim të shqiptarëve të asaj zone.

Zyrtarët serbë, në anën tjetër, i kanë hedhur poshtë akuzat.

Shqiptarët në Serbi ankohen se autoritetet atje nuk ua njohin diplomat e Kosovës, kërkojnë integrim nëpër institucionet shtetërore të Serbisë, lejim të përdorimit të simboleve kombëtare shqiptare dhe për zgjidhjen e çështjes së pasivizimit të adresave.

Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.

Pasivizimi i adresës përcaktohet me ligj në Serbi prej vitit 2011. Ligji parasheh që institucionet të bëjnë kontrolle për të kuptuar nëse një banor jeton në adresën e regjistruar.

Nëse vërtetohet që një banor nuk jeton në atë adresë, merret vendimi për pasivizimin e saj, dhe banori obligohet që të regjistrojë adresën e re brenda tetë ditëve, pas pranimit të vendimit.

Ndonëse ligji parasheh të drejtën për apel, qytetarët kanë thënë se, në disa raste, as nuk kanë mundur të ankohen ndaj vendimit, pasi nuk janë informuar me kohë për pasivizimin.

Kjo çështje është përmendur edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi, për vitin 2023.

Në të është thënë se pasivizimi i adresave duket se është kryer në mënyrë joproporcionale ndaj shqiptarëve, sidomos në Medvegjë. REL

UGSHPD: 60 VJEÇ DHËNDËR

 
 
 
Nga takimi i 17 Dhjetorit, 2024 në Bruksel, kryeministri i RSH Rama me në krah përfaqësuesit e presidencës së radhës së palës Hungareze në BE-së Péter Szijjártó dhe Marta Kos, është shprehur ndër të tjera në një deklaratë të përbashkët për mediat se: – “Ne kemi bërë një zgjedhje të qartë si komb që duam të martohemi me BE dhe t’i harrojmë divorcet e vjetra të hidhur të së shkuarës”.
Është interesante ta marrësh më të gjatë përmbajtjen nga ekrani në raport me titujt që vendosen nga Agjencia Telegrafike Shqiptare e cila ende pa e shpjeguar arsyen e heq pjesën tjetër nga një fjali ku theksat diplomatikë dhe politikë merren si mesazhe të qarta nga një kryeministër shteti dhe jo kombi. 
Pjesa e munguar (e qethur) vazhdon me: – “… t’i harrojmë divorcet e vjetra të hidhur të së shkuarës”sipas ngjyrimeve dhe mënyrës së propozimit për martesë me BE nga Rama. Ky aspekt nuk i ka shpëtuar skicës me titull “60 vjeç dhëndër” të autorit LD-NY24 e cila nënkupton auto censurën në fjalorin e diplomacisë së kryeministrit prej ATSH-s, por çuar më tej në vitet e tranzicionit shqiptar, “60 vjeç dhëndër” ka brenda disa dhjetëvjeçarë pushtetesh në politikën shqiptare që e kanë përdorur formulën e propozimit të lidhjeve sa herë që vijnë zgjedhjet parlamentare.
E ndërsa sot opozita proteston për keq qeverisjen dhe korrupsionin e administratës shtetërore në çdo nivel, qeveria e ka monopolizuar politikisht procesin e çeljes së grup kapitujve si të ishte pjesë e një programi të Rilindjes Socialiste që bëhen garanci jo thjeshtë për procesin, por edhe për marrjen e një mandati të katërt në një shtet ku transparenca, zbatimi i ligjit dhe drejtësia ende nuk kanë fituar epërsi si instrumenta të rëndësishme demokratike në mbrojtje të pluralizmit politik mbi frymën e arbitraritetit dhe autoritarizmit që po materializohet në një koncept qeverisës parti-shtet.
Sloganet Krenarë për Shqipërinë, Vetëm përpara dhe Shqipëria 2030 kërkojnë të përforcojë përçimin e mesazhit për votuesit brenda dhe jashtë nga e majta e politikës shqiptare në një kohë kur vota e diasporës me një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe të mbrojtur mendohet se do të sjellë ndryshimin.
Si mund të shkohet në BE kur në një kohë llogaritet se rreth 1/3 e popullsisë së vendit është larguar në dhjetëvjeçarin e fundit?
 
17 Dhjetor, 2024

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Zelensky: Uniteti SHBA-BE, i domosdoshëm për ta ndalur Putinin

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky para takimit të Bashkimit Evropian, në Bruksel, më 19 dhjetor, 2024/AP

 

VOA Marrë nga Reuters dhe AP

Gjatë takimeve me udhëheqësit e Bashkimit Evropian sot në Bruksel, Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Evropës të bashkëpunojnë për të ndalur Rusinë mes shqetësimeve se tërheqja e mundshme e ndihmës amerikane për Kievin mund të minojë përpjekjet e ukrainasve në luftën kundër Rusisë. Udhëheqësit evropianë kërkuan që çfarëdo nisme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë duhet të përfshijë Kievin dhe të respektojë integritetin territorial të Ukrainës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të enjten se vetëm aleanca ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë mund ta ndalë Rusinë dhe ta shpëtojë vendin e tij, në një mesazh drejtuar Presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump, mes thirrjeve të tij për t’i dhënë fund luftës.

“Uniteti ndërmjet Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe shteteve të Evropës është shumë i nevojshëm. Na nevojitet ky unitet për të arritur paqen dhe mendoj se vetëm së bashku Shtetet e Bashkuara dhe Evropa mund ta ndalin me të vërtetë Putinin dhe ta shpëtojnë Ukrainën”, deklaroi Presidenti Zelensky para se të mbante fjalimin para udhëheqësve të BE-së në fillim të takimit të BE-së, agjenda e të cilit po dominohet nga lufta në Ukrainë.

Diplomatët evropianë thonë se udhëheqësit e bllokut synojnë t’i dërgojnë një mesazh të qartë zotit Trump për përkrahjen e tyre të vazhdueshme ndaj Ukrainës. Ata do të theksojnë se Ukraina duhet të jetë e përfshirë në një marrëveshje të mundshme paqeje dhe se marrëveshja duhet të respektojë integritetin territorial të Ukrainës.

Presidenti i ri i Këshillit Evropian, Antonio Costa tha se lufta “nuk është vetëm për Ukrianën dhe për Bashkimin Evropian, por për ligjin ndërkombëtar”. Ai tha se BE-ja do të angazhohet për një paqe të drejtë dhe afatgjatë.

“Duhet të jemi shumë të qartë sa i përket Ukrainës. Ne do t’ju mbështesim plotësisht me të gjithshka kemi në dispozicion dhe për sa kohë që të duhet. Tani gjatë luftës dhe në të ardhmen, në paqe. Duam t’ju mirëpresim një ditë këtu si anëtar të Bashkimit Evropian”, deklaroi ai.

Presidenti i zgjedhur Trump vazhdimisht ka bërë thirrje për një përfundim të shpejtë të luftës. Në fillim të javës ai tha se Presidenti Zelensky duhet të jetë i gatshëm për një marrëveshje paqeje me Presidentin rus Putin, ndonëse nuk është deklaruar nëse kjo do të thoshte se Kievi duhet t’i japë territore Moskës si pjesë të zgjidhjes.

Forcat ruse aktualisht kanë pushtuar një të pestën e Ukrainës dhe po avancojnë në pjesën lindore të saj.

Projekt-deklarata e BE-së thekson se “Rusia nuk duhet të fitojë”, duke shtuar se asnjë nismë për Ukrainën nuk duhet të merret pa pjesëmarrjen e Kievit.

Pjesëmarrja e Presidentit Zelensky në takimin e BE-së vjen pas bisedimeve që ai zhvilloi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe udhëheqës të tjerë evropian të mërkurën, që synonin të siguronin ndihma të menjëhershme për Kievin dhe garanci afatgjata për sigurinë.

Ndonëse udhëheqësit evropianë thonë se po përqëndrohen në nevojat e momentit të Ukrainës, disa zyrtarë tashmë kanë filluar të diskutojnë se si do të duken masat e sigurisë për Ukrainën pas përfundimit të luftës.

Udhëheqësit e BE-së pritet të diskutojnë edhe për çështje tjera, të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, mes shqetësimeve për një luftë të mundshme tregtare mes tyre.

ASK: Kosova ka 1.586.659 banorë të regjistruar

Kosova i ka 1.586.659 banorë të regjistruar, sipas raportit përfundimtar të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për regjistrimin e popullsisë për vitin 2024.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, tha në një konferencë për media në Prishtinë se ASK-ja e ka bërë vlerësimin për komunat me shumicë serbe në veri të vendit, ku kryesisht u bojkotua procesi.

Ai tha se ASK-ja vlerëson se Kosova ka një popullsi të përgjithshme rezidente prej 1.602.515.

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, u zhvillua në të gjitha komunat e Kosovës nga 5 prilli deri më 24 maj.

Në këto të dhënat nuk përfshihet numri i pjesëtarëve të diasporës, pasi procesi i regjistrimit të tyre ende po vazhdon. Aktualisht, sipas ASK-së, në diasporë janë regjistruar rreth 500.000.

Sipas të dhënave zyrtare nga regjistrimi i kaluar i popullsisë i realizuar më 2011, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë ishte rreth 1.7 milion. Procesi ishte bojkotuar në masë të madhe nga serbët.

‘Vijojmë të fortë krah Ukrainës’- Eksportet gjermane të armatimeve arrijnë rekord

Nga fillimi i vitit deri më 17 dhjetor 2024 qeveria gjermane ka miratuar eksportimin e mallrave për armatime në vlerën rreth 13,2 miliardë euro. Këtë e deklaroi Ministria e Ekonomisë duke u bazuar në shifrat paraprake. Kësisoj eksportet e armatimeve arrijnë një vlerë rekord duke e tejkaluar kuotën e një viti më parë. Më 2023 vlera e eksporteve të miratuara për armatimet ishte 12,2 miliardë euro. Volumi i lartë i eksportit të armatimeve vazhdon të ketë si arsye luftën në Ukrainë.

Ky vend i sulmuar nga Rusia edhe sivjet ka qenë vendi kryesor ku janë dërguar eksportet me një volum 8,1 miliardë euro, që përbën kuotën e 62 përqind të të gjitha eksporteve të miratuara për armatime. “Shifrat theksojnë, që ne vazhdojmë të qendrojmë fort në krahun e Ukrainës në mbrojtjen e saj dhe kundër luftës agresive ruse”, deklarohet nga Ministria e Ekonomisë.

Vlera e përgjithshme prej 13,2 miliardë euro konsiston në 8,1 miliardë euro për armë lufte dhe rreth 5,1 miliardë euro për mallra të ndryshme armatimi.

Përjashtim për eksportetet e armatimeve për Ukrainën
Eksportet e armatimeve i nënshtrohen vazhdimisht verifikimit të posaçëm nga qeveria. Për Singapurin sivjet u miratuan furnizime në vlerën 1,2 miliardë euro, për Algjerinë gati 559 milionë. Pasojnë SHBA (298,5 milionë euro), Turqia (230,9 milionë euro) dhe India (224,0 milionë euro).

Në fakt qeveria nën kancelarin socialdemokrat Olaf Scholz kishte vendosur të ndiqte një kurs restriktiv sa i përket miratimit të eksporteve të armatimeve. Por për mbështetjen e Ukrainës në mbrojtje ndaj Rusisë është bërë një përjashtim. “Ndihma ushtarake për Ukrainën është në interesin tonë të politikës së sigurisë”, deklaroi sekretari i shtetit në Ministrinë e Ekonomisë Bernhard Kluttig. Në përgjithësi qeveria i përmbahet kursit të saj “për një politikë restriktive ndaj eksporteve të armatimeve me një nivel të lartë të standardit të verifikimit”. sn

Po ikin deri në Irlandë, mijëra shqiptarë kërkojnë azil! Ja shteti që pret aplikimet më të mëdha

Ndonëse një pjesë e madhe e atyre që duan të ikin po tentojnë ta bëjnë këtë përmes kontratave të punës, sërish ka shtetas shqiptarë që po tentojnë të largohen përmes aplikimeve për azil.

Eurostat bëri të ditur se për periudhën janar- shtator 2024, në 27 vendet e Bashkimit Europian ka pasur gjithsej 5485 aplikime për azil nga shtetas shqiptarë.

Në krahasim me te njëjtën periudhë të një viti më parë, aplikimet për azil kanë rënë me gati 20%.

Ndërsa kanali i emigracionit përmes aplikimeve për azil ka ardhur në rënie, tendenca është për ikjen me leje pune.

Të dhëna të tjera të Eurostat bënë të ditur se numri i lejeve të qëndrimit për herë të parë të dhëna gjithsej nga shtetet e BE-së për shtetasit shqiptarë që duan të punojnë ka shënuar rritje të ndjeshme që pas pandemisë.

Aplikimet sipas shteteve

Në 2022 u arrit niveli më i lartë rekord, të paktën prej nga viti 2013 që raportohen të dhënat, në 21 mijë. Në 2023 u dhanë 17.6 mijë leje. Ndërkohë që aplikimet për azil në 2023 ishin rreth 9.1 mijë.

Për periudhën janar-shtator 2024, Franca ka vijuar të jetë shteti që pret aplikimet më të mëdha, me 31% të totalit.

Në vend të dytë ka kaluar Italia, me 25%, duke zbritur Gjermaninë në vend të tretë me 20% të aplikimeve për 9 mujorin.

Greqia vijon ende të ketë kërkesa nga azilantë, me 14% të totalit.

Pas Greqisë, renditet Belgjika, me 5%.

Një destinacion që po tentohet së fundmi është dhe Irlanda, ku mesatarisht ka 15-20 aplikime në muaj, ose 125 për 9 mujorin, me një rritje prej 13% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Irlanda është e vetmja që ka parë rritje të aplikimeve, ndryshe nga shtetet e tjera ku është shënuar rënie.

Europa

Në Europë, në shtatorin e këtij viti, 75,755 qytetarë jo të BE-së aplikuan për herë të parë për azil, një ulje me 24 për qind krahasuar me shtatorin e vitit 2023, raporton Eurostat.

Gjithashtu, u regjistruan 6,360 aplikime përsëritëse, duke përfaqësuar një rritje prej 13 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sirianët mbetën grupi më i madh i personave që kërkuan azil në shtator (14,205 aplikantë të parë), të ndjekur nga venezuelianët (5,480), afganët (4,950) dhe turqit (4,455).

Gjermania (18,105), Spanja (12,510), Italia (11,895) dhe Franca (11,535) vazhduan të merrnin numrin më të madh të aplikimeve për herë të parë për azil, duke përbërë 71% të gjithë aplikimeve fillestare për azil në BE.

Shkalla totale e aplikimeve për herë të parë për azil në BE në shtator 2024 ishte 16.9 për çdo 100 mijë njerëz.

Krahasuar me popullsinë e secilit shtet të BE-së (më 1 janar 2024), shkallët më të larta u regjistruan në Greqi (66.0), pasuar nga Qipro (31.9).

Një total prej 2,950 minorenësh të pashoqëruar kërkuan azil për herë të parë në BE, shumica e të cilëve vinin nga Siria (975) dhe Afganistani (380).

Shteti i BE-së që mori numrin më të lartë të aplikimeve për azil nga minorët e pashoqëruar ishte Gjermania (715), pasuar nga Holanda (410), Bullgaria (340), Spanja (320) dhe Greqia (315)./Monitor

SHBA i kërkon Evropës t’i japë fund varësisë energjetike nga Rusia

Geoffrey Pyatt, Ndihmës Sekretar i Shtetit
VOA Oksana Bedratenko

Në javët e fundit para largimit të Presidentit Joe Biden nga Shtëpia e Bardhë, Uashingtoni po vazhdon përpjekjet për të bllokuar eksportet energjetike ruse, duke vënë sanksione të reja me synimin për të frenuar të ardhurat që Moska i përdor për financimin e agresionit në Ukrainë, thotë Ndihmës Sekretari i Shtetit, Geoffrey Pyatt.

Gjatë dy javëve të fundit, zoti Pyatt ishte në Evropë dhe Azi për të diskutuar mbi sigurinë energjetike me vendet aleate dhe grupin G7 + Ukraine për çështjet e energjisë.

Në një intervistë me gazetaren Oksana Bedratenko të Zërit të Amerikës në gjuhën ukrainase, zoti Pyatt thotë se Evropa duhet ta shfrytëzojë 31 dhjetorin, data kur skadon kontrata mes Ukrainës dhe Rusisë për tranzitin e gazit, për t’i dhënë fund me vendosmëri varësisë së saj nga energjia ruse.

Ai thotë se qëndrimi i Evropës, e cila e sheh gazin e lëngshëm natyror amerikan (LNG) si mundësi që ofron zgjidhje për sigurinë energjetike të bllokut, është inkurajues. Zoti Pyatt thekson se madje edhe Japonia, e cila importon 10% të gazit nga Rusia, e kupton nevojën për të gjetur furnizues alternativë të energjisë.

 

Në vazhdim përmbledhja e intervistës.

Zëri i Amerikës: Gjatë javëve të fundit Rusia kreu disa sulme masive ndaj sektorit energjetik të Ukrainës. Me të gjitha përgatitjet e Ukrainës përpara dimrit dhe ndihmën e aleatëve të saj, si e vlerësoni qëndrueshmërinë e sektorit energjetik në Ukrainë?

Geoffrey Pyatt, Ndihmës Sekretar i Shtetit: Dihej që ardhja e dimrit do të ishte një periudhë shumë e brishtë, por lajmi i mirë është se mbështetja për Ukrainën, për punëtorët e sektorit të energjisë, është më e fortë se kurrë më parë. Pamë një tjetër sulm brutal të premten, veçanërisht në Ukrainën perëndimore, në Lviv, Ternopil, Ivano-Frankivsk….çka është pjesa më e hidhur e dimrit. Ndaj e dimë se duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku. Sapo jam kthyer nga një udhëtim dyjavor. Isha në Tokio pas ndalesave në Paris dhe Londër. Mesazhi që dëgjova vazhdimisht nga të gjithë partnerët tanë të G7 ishte impenjimi shumë i qartë për të bërë gjithçka që mundemi për të siguruar dështimin e përpjekjeve të Rusisë gjatë dimrit.

Zëri i Amerikës: Në fund të këtij viti përfundon kontrata e tranzitit të gazit midis Rusisë dhe Ukrainës. A mendoni se Evropa është e përgatitur për këtë? Tashmë ka patur trysni ndaj Ukrainës për ta vazhduar tranzitin e gazit. A mendoni se ky do të jetë në të vërtetë fundi i varësisë së Evropës nga gazi rus?

Pyatt: Sigurisht që shpresoj të ndodhë kjo. Dhe më e rëndësishmja, trysnia që shoh unë vjen vetëm nga një ose dy vende. I vlerësoj deklaratat e fundjavës nga Komisioneri i Bashkimit Evropian për Energjinë, Dan Jorgensen, i cili e bën shumë të qartë nevojën për bërë përparime në dhënien fund të varësisë nga energjia ruse, qoftë gazi, energjia bërthamore apo forma të tjera, në përputhje me objektivin e BE-së për të arritur nivelin zero deri në vitin 2027. Padyshim, Brukseli dhe Kievi duhet të marrin disa vendime gjatë dy javëve të ardhshme. Në këndvështrimin afatgjatë, është shumë e qartë se në veçanti tregtia e energjisë dhe gazit ka qenë elementi kryesor i ndikimit rus tek ekonomia ukrainase që nga pavarësia. Shtrohet pyetja, përse dikush do të ishte i interesuar për vazhdimin kësaj marrëdhënieje?

Zëri i Amerikës: Evropa ka blerë më shumë gaz të lëngshëm natyror (LNG) nga Rusia. A ka plane për më shumë sanksione ndaj projekteve ruse të gazit të lëngshëm natyror?

Pyatt: I mirëpresim hapat e Evropës. Vetëm sot [15 dhjetor], paketa e 15-të e sanksioneve, e cila është mjaft thelbësore. E kam thënë publikisht në disa raste kohët e fundit se do të ketë më shumë nga administrata e Presidentit Biden. Jam shumë i sigurt për këtë. Ne po punojmë shumë për të ruajtur koordinimin mes Uashingtonit, Brukselit, Londrës. Kjo ishte pjesë e vizitës në Evropë dy javë më parë. Ritmi i operacioneve është paksa i ndryshëm për të gjithë. E vlerësoj qëndrimin e Komisionerit Jorgensten mbi rolin e rëndësishëm të gazit të lëngshëm amerikan si pjesë e zgjidhjes për sektorin energjetik evropian. Kam shumë besim se do të vazhdojmë të shtrëngojmë lakun e eksporteve të energjisë ruse. Do të bëjmë gjithçka që mundemi për të ulur të ardhurat e Putinit nga tregtia e energjisë, të cilat shkojnë për të paguar për raketat e Koresë së Veriut dhe dronët rusë që po shkatërrojnë infrastrukturën civile të Ukrainës çdo ditë të javës.

Zëri i Amerikës: Kur hedhim vështrimin tek viti që vjen, mbështetja amerikane për Ukrainën mund të pakësohet. A mendoni se Evropa dhe aleatët e tjerë janë gati të vazhdojnë të mbështesin sektorin energjetik të Ukrainës?

Pyatt: Tashmë të gjithë po shtojnë përpjekjet. Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, nënshkroi së fundmi me Ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Andrii Sybiha, Memorandumin e dytë të Mirëkuptimit për energjinë. Bëhet fjalë për 825 milionë dollarë ndihmë shtesë për sektorin e energjisë vetëm nga Shtetet e Bashkuara. Ky nivel shumë i lartë i ndihmës amerikane është tejkaluar nga ndihma që ka ardhur nga G7 plus partnerët e tjerë. Është pikë e rëndësishme që nuk janë vetëm Shtetet e Bashkuara që ofrojnë këtë ndihmë, pasi në fakt pjesa më e madhe e ndihmës për sektorin energjetik ka ardhur nga G7 plus vendet e tjera.

Zëri i Amerikës: Në Memorandumin e Mirëkuptimit i është kushtuar vëmendje e madhe mbrojtjes së kompanive ukrainase nga ndikimi politik. Sa të rëndësishme janë reformat në Ukrainë, madje edhe gjatë luftës?

Pyatt: Siç e dini, kam 10 vjet që punoj për këto çështje reformash. I vlerësoj përparimet e arritura, janë reale. Shembull është përmirësimi i shifrave të prodhimit nga Naftogaz. Shtimi i prodhimit ndoshta ka të bëjë me menaxhimin më të mirë, ndoshta ka të bëjë transparencën që ka eliminuar vjedhjet. Sidoqoftë, rezultati është pozitiv dhe kërkohet më shumë punë. Ukraina nuk do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian brenda një dite. Por përmbushja e aspiratave që shprehu populli ukrainas gjatë revolucionit të dinjitetit, kur isha ambasador në Kiev, është po aq e rëndësishme sot. Përputhja e sektorit energjik ukrainas me standardet më të larta evropiane dhe Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik është tërësisht pjesë përbërëse e procesit të madh të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Osmani në samitin BE-Ballkani Perëndimor: BE po i bën padrejtësi Kosovës

Radio Evropa e Lirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka kritikuar Bashkimin Evropian se është i “padrejtë” ndaj Kosovës në politikat e saj në Ballkanin Perëndimor, duke mos i hequr masat ndëshkuese ndaj saj dhe duke mos treguar gatishmëri për ta shqyrtuar kërkesën e saj për anëtarësim në bllok.

Duke folur pas mbërritjes të mërkurën në Bruksel për samitin BE-Ballkani Perëndimor, Osmani tha se “duket se ka tendenca në BE nga disa shtete anëtare që Kosova vazhdimisht të dënohet”.

Ajo tha se takimet si ky samit janë rast i mirë për ta çuar përpara perspektiven evropiane të të gjithë rajonit, por se, sipas saj, në procesin e zgjerimit BE-ja po i bën “padrejtësi” Kosovës.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj nuk është shqytuar ende, dhe si rrjedhojë ajo është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat.

Osmani nguli këmbë se po të ketë vullnet politik nga ana e BE-së mund të gjinden modalitetet që të mandatohet Komisioni Evropian për ta shqyrtuar aplikacionin e Kosovës për anëtarësim.

Osmani foli edhe për çështjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, duke thënë se ato, pos që janë të “padrejta”, janë edhe “joevropiane” sepse, siç u shpreh, “po e dënojnë një popull me 1.7 milionë banorë, i cili është populli më proevropian në rruzullin tokësorë, me mbi 97 për qind të qytetarëve të saj që mbështesin procesin e integrimit në BE”.

Blloku evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. BE-ja pati vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim.

Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian takohen sot në Bruksel me kolegët e tyre nga Ballkani Perëndimor në samitin e përbashkët që tashmë është bërë format i rregullt i takimeve së paku një herë në vit.

Qëllimi i samitit BE- Ballkani Perëndimor, sipas zyrtarëve të bllokut, është që të forcohet partneritetit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor duke përshirë integrimin gradual të këtyre vendeve në disa politika të BE-së edhe para se ato një ditë të bëhen edhe formalisht vende anëtare.

Nga ky samit pritet të dërgohet porosia se BE-ja do ta trajtojë procesin e zgjerimit si prioritet të lartë dhe të shprehë interesin që ky proces të përshpejtohet. Kjo është përfshirë edhe në tekstin e Deklaratës së përbashkët të përgatitur për miratim në samit.

“Zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqe, stabilitet dhe prosperitet. Tash ka një dinamizëm të ri në procesin e zgjerimit. Përshpejtimi i procesit të zgjerimit, bazuar në kushtet e drejta dhe strikte dhe parimet e meritave individuale, është në interes të përbashkët”, thuhet në draftin e këtij dokumenti.

Vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor do t’u bëhet thirrje që të zgjidhin mospajtimet ndërmjet vete sikur edhe me fqinjët në BE, në mënyrë që të përshpejtohet procesi i zgjerimit.

“Mospajtimet rajonale dhe bilaterale që i kanë rrënjët në të kaluarën, për një kohë tepër të gjatë e kanë penguar fokusimin në të ardhmen. Implementimi i marrëveshjeve bilaterale me mirëbesim dhe me rezultate të prekshme, përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin e Miqësisë, Marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë mbeten kyç”, thuhet në këtë dokument.

Në veçanti do t’u bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që të avancojnë në procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet tyre duke i përmbushur detyrimet që dalin nga dialogu, të cilin e lehtëson BE-ja.

“Marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, mes Beogradit dhe Prishtinës, përfshirë edhe Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, duhet të zbatohen pa vonesa të reja. BE-ja u bën ftesë të gjithë partnerëve që të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave”, theksohet në draftin e tekstit të deklaratës.

Të pranishëm në samit nga Ballkani do të jenë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe kryesuesja e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq.

Pos shefave të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të BE-së, në takim marrin pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonia Costa, si organizator i takimit, pastaj presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.

‘Tryzub’, arma lazer e Ukrainës që rrezikon avionët rusë/ Koloneli ukrainas flet edhe për ‘dronët mbretëreshë’

Ukraina ka zhvilluar një armë lazer të avancuar që është gati për të rrëzuar avionët rusë, ka zbuluar një komandant ushtarak.

Arma njihet si Tryzub (Trident) dhe mendohet se është modeluar sipas një prototipi të Mbretërisë e Bashkuar, pasi dizajnet u ndanë me Kievin në fillim të këtij viti.

Kolonel Vadym Sukharevskyi, komandanti i Forcave të Sistemeve pa pilot të Ukrainës, tha se sistemi i avancuar lazer është i aftë të rrëzojë aeroplanët në distanca më shumë se 2 km.

“Vërtet funksionon, ekziston me të vërtetë”, tha ai në një konferencë të industrisë së mbrojtjes, ku prezantoi ‘Tryzub’.

Komandanti vuri në dukje se Ukraina ishte vendi i 5-të që zotëronte një armë lazer me fuqi të lartë, e cila përdor një rreze intensive drite ndaj objektivit të saj.

Telemmglpict000363271689 17345344963000 Trans Nvbqzqnjv4bqcrjhb2m3xos9q6qrwyyba 9hg0y37qvhyjczpvg1zsa

Trident, i cili është gjithashtu një simbol i paraqitur në stemën e Ukrainës, është gati për të rrëzuar avionët rusë, pohoi Koloneli Sukharevskyi, duke shtuar se po bëhen përpjekje për të përmirësuar aftësitë e armës.

Ai nuk zbuloi specifikat mbi ‘Tryzub’.

Mendohet se ‘Tryzub’ është e ngjashme me lazerin ‘DragonFire’ të Mbretërisë së Bashkuar. Armët lazer, të njohura gjithashtu si armë me energji të drejtuar, mund të kenë “degëzime të mëdha” për konfliktin.

DragonFire, i ndërtuar nga shkencëtarët britanikë, është një lazer revolucionar me vlerë 10 £ që thuhet se ka saktësi të mjaftueshme për të goditur një monedhë 1 £ mbi një kilometër larg.

Fillimisht i planifikuar për prodhim në vitin 2033, sistemi me energji elektrike tani është planifikuar të vendoset në anijet luftarake të Marinës Mbretërore gjashtë vjet më herët se sa pritej.

Telemmglpict000373547887 17345349215300 Trans Nvbqzqnjv4bqtgqb12khxxqcrwntzkx0nwgwqwm85jewpgvhfb46ttg

Trident së shpejti mund të ndihmojë në mbrojtjen e qiejve të Ukrainës. Raketat hipersonike ruse, të cilat mund të udhëtojnë me shpejtësi deri në 3,800 mph, janë të vështira për t’u shënjestruar me armë fizike, por mund të rrëzohen më lehtë me një rreze lazer.

Ushtritë perëndimore janë drejtuar gjithnjë e më shumë nga armët lazer si një alternativë e lirë, kundrejt dronëve dhe raketave të shtrenjta, për të rrëzuar dhe goditur objektiva.

Telemmglpict000373633906 17345350309850 Trans Nvbqzqnjv4bqpivx42josuakz0be9ijunp4xpit Dmgvdp2n7fdd82k

Koloneli Sukharevskyi gjithashtu foli për zhvillimin e të ashtuquajturave “dronë mbretëreshë”, të cilët udhëheqin një tufë dronësh sulmues FPV.

Këto mjete ajrore pa pilot, tha ai, janë të afta të fluturojnë më shumë se 70 km në territorin e armikut për të goditur objektiva të thella. Ai i përshkroi ato si një “përparim” në teknologjinë ukrainase të dronëve.bw


Send this to a friend