Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë për gazetën “Zëri” ka folur për dallimet ndërmjet partisë së tij dhe “Vetëvendosjes”
“Tani mendoj se opozita, në këtë rast Aleanca, “Vetëvendosja” dhe “Nisma”, kanë bërë diçka tepër të mirë për vendin. Kur Kosova është ndodhur në një disbalancë shumë të madhe, pra një koalicion shumë i madh qeverisës me më shumë se 2/3, të cilin koalicion nuk e kemi pasur ndonjëherë më parë, ne kemi ftuar edhe qytetarët që ta krijojnë balancën, pra opozita që ishte në Parlament plus qytetarët dhe e kemi krijuar një balancë të temave në kundërshtim dhe rezultat i kësaj dy tema, t’i quaj ashtu, janë të ndërprera, përkatësisht Bashkësia e Komunave pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe Demarkacioni nuk është ende i ratifikuar në Kuvend. Çka më tutje? Në opozitë Aleanca është parti e qendrës së djathtë, duke u bazuar në këtë e ka zhvilluar një vizion të veten si e mendon Kosovën, si i sheh temat qeverisëse veç e veç, si e sheh angazhimin e Kosovës në planin e brendshëm dhe të jashtëm. Pra, këto janë vizionet tona, të cilat ne nuk përtojmë t’u ofrohemi për partneritet, por nuk i dorëzojmë në një vizion të një partneri tjetër. Pra ky është dallimi, ne nuk jemi ofruar që tërë vizionin tonë që e kemi ndërtuar nëpër vite ta dorëzojmë”, ka thënë ai.
Zëri: Zotëri Haradinaj, kemi pasur disa përplasje mes opozitës, përkatësisht mes jush dhe zyrtarëve të “Vetëvendosjes”, a vazhdoni të jeni të bashkuar në kauzat tuaja të bëra publike?
Haradinaj: Partneriteti dhe solidariteti ynë si opozitë e bashkuar, filloi me ministrin Jabllanoviq, i cili kishte fyer nënat gjakovare, kur protestuam dhe ne të gjithë e ndiejmë të nevojshëm të jemi bashkë në atë rast. Pastaj e kemi forcuar këtë partneritet me Ligjin për “Trepçën” dhe së fundmi me marrëveshjet për Bashkësinë e Komunave me shumicë Serbe në Kosovë dhe Marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Në të gjitha këto zhvillime jemi bashkë, Në temat për të ardhmen, çka kishim mundur ne së bashku t’ia ofrojmë Kosovës si alternativë e përbashkët ose si opsion i përbashkët, kemi dallimet tona. /Zëri/
Komentet