Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së sotme ka bërë homazhe te varri i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova. Pas homazheve, kryeministri Haradinaj e ka vizituar familjen e presidentit Rugova.
Në 12 vjetorin e vdekjes së presidentit Rugova, Haradinaj ka thënë se sot e nderojnë veprën dhe punën madhore të mikut të tij dhe presidentit historik të Kosovës.
“Presidenti Rugova, intelektuali humanist që i dha emër Kosovës në botë, përjetësisht do të mbetet në kujtimet tona si njëri ndër personalitet kryesore që tërë jetën e tij ia kushtoi lirisë së vendit dhe i vuri themelet e shtetit tonë të pavarur”.
“Do ta kujtoj gjithmonë me respekt shembullin, figurën dhe vizionin e tij”, ka shkruar kryeministri Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.
Ramush Haradinaj ka marrë për herë të dytë postin e kryeministrit të Kosovës. Ish-komandanti i lartë i ish-UÇK-së dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka udhëhequr Qeverinë e Kosovës tre muaj, në kohën kur kishte lidhur koalicionin me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe liderin shumëvjeçar të Kosovës, presidentin tashmë të ndjerë Ibrahim Rugova.
Haradinaj në shtator të vitit 2017 u zgjodh sërish kryeministër i Kosovës. Kësaj rradhe sërish pati mbështetjen e familjes Rugova. Këtë herë të vajzës së tij Teuta Rugovës.
Komentet