PRISHTINE – Partitë opozitare nuk do të lejojnë mbajtjen e seancës së radhës të Kuvendit të Kosovës, e cila është paralajmëruar për të hënën.
Pengimin edhe të kësaj seance e ka konfirmuar për KosovaPress kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj. Ai bëri të ditur se kjo seancë do të kundërshtohet.
“Jemi në diskutim e sipër si opozitë për mënyrën e kundërshtimit. Kundërshtimi i mbajtjes së seancave do të vazhdojë deri sa të anulohen marrëveshjet. Jemi po ashtu në aktivitet edhe në terren me tubimet. Pra do të jetë një formë e kombinuar e kundërshtimit edhe për këtë seancë të radhës”, tha Haradinaj.
Haradinaj u shpreh se kundërshtimi i marrëveshjes së Asociacionit të Komunave Serbe dhe asaj për demarkacionin me Malin e Zi do të vazhdojë me tubime nëpër qytetet kryesore të Kosovës.
Opozita e bashkuar ditë më parë ka bërë me dije se tubimi protestues i radhës do të jetë këtë të shtunë në Gjilan, ndërsa të hënën në Pejë.
Haradinaj mori pjesë në ceremoninë në Kolegjin Fama, me rastin e shpalljes Doctor Honoris Causa të politikanit dhe diplomatit amerikan Marshall Harris.(KosovaPress)
Komentet