Tirane, 20 maj – Pas një seance të gjatë debatesh dhe pa praninë e deputetëve të opozitës, Kuvendi miratoi të enjten në mbrëmje të gjitha pikat e rendit të ditës.
Me 72 vota u miratua ndryshimi i marrëveshjes së koncensionit ndërmjet palës shqiptare dhe shoqërisë “Tirana Airport Partners”. Marrëveshja synon rinegocimin e kushteve të koncensionit për t’i hapur rrugën vënies në punë të dy aeroporteve të reja, një në Kukës dhe tjetri në jug të vendit.
Me 72 vota deputetët e maxhorancës miratuan ratifikimin e marrëveshjes me BE-në për procedurat e sigurisë për shkëmbimin dhe mbrojtjen e informacionit të klasifikuar”. Marrëveshja synon përcaktimin e rregullave të përgjithshme të sigurisë që do të zbatohen për çdo shkëmbim informacioni të klasifikuar ndërmjet shtetit shqiptar dhe BE-së.
Deputetët në fund të seancës miratuan dhe zëvendësimin e Eduard Halimit, nënkryetar demokrat i komisionit për reformën në drejtësi, me deputetin Oerd Bylykbashi. Ndërsa ky i fundit u zëvendësua në komisionin e reformës zgjedhore me deputetin Keltis Kruja.
Punimet e parlamentit u shoqëruan me përplasje të forta mes maxhorancës dhe opozitës, ku në fokus ishin debatet për pajisjen e paligjshme te përgjimit; skandali seksual i kryebashkiakut të Dibrës dhe kërcënimet ndaj deputetit Ben Blushi.
Komentet