Të martën u hap procesi gjyqësor mbi pretendimin e ish-gazetares së revistës Elle. E. Jean Carroll se zoti Trump e përdhunoi atë para gati tre dekadash në dhomën e ndërrimit të një dyqani veshjesh. Përzgjedhja e jurisë u bë më herët të martën. Ish-presidenti thotë se mes tyre nuk ka ndodhur asgjë.
E. Jean Carroll do të dëshmojë para jurisë se sulmi që ndodhi brenda pak minutash në vitin 1996 “ia ndryshoi përgjithmonë jetën “, tha avokatja e saj, Shawn Crowley, në një deklaratë hapëse.
“E mbushur me frikë dhe turp, ajo heshti për dekada. Megjithatë, përfundimisht, heshtja u bë e pamundur, “tha avokatja Crowley duke shtuar se kur zonja Carroll e theu atë heshtje në libër autobiografik në vitin 2019, presidenti i atëhershëm “përdori platformën më të fuqishme në botë për të gënjyer për atë që kishte bërë, për të sulmuar integritetin e zonjës Carroll dhe për të fyer paraqitjen e saj”.
Gjyqi po mbahet në një gjykatë civile federale, që do të thotë se pavarësisht nga rezultati, zoti Trump nuk rrezikon të shkojë në burg. Atij madje nuk i kërkohet që të jetë i pranishëm në gjykatë dhe avokatët e tij kanë treguar se me shumë gjasa ai nuk do të dëshmojë.
Gjyqi vjen gjithashtu një muaj pasi zoti Trump u deklarua i pafajshëm në një çështje penale që lidhet me pagesat e bëra për të heshtur akuzat për marrëdhënie jashtëmartesore me dy gra.
Gjyqi do të përfshijë gjithashtu pretendimin për shpifje të zonjës Carroll kundër ish presidentit Trump për komentet nënçmuese që ai bëri për të në përgjigje të akuzave për përdhunim.
Ajo thotë se pasi u takua rastësisht me zotin Trump në dyqanin Bergdorf Goodman të Manhatanit, ai i kërkoi asaj ta ndihmonte për të blerë të brendshme femrash si dhuratë. Ajo thotë se ata filluan të ngacmonin njëri-tjetrin për të provuar të brendshmet e grave.
Zonja Carroll thotë se ata përfunduan vetëm në dhomën e zhveshjes së dyqanit, ku zoti Trump e shtyu atë pas një muri dhe e përdhunoi para se ajo ta luftonte dhe të ikte.
Që kur ajo i bëri akuzat për herë të parë në librin autobiografik në vitin 2019, zoti Trump e ka kundërshtuar fuqishëm akuzën për përdhunim. Ai tha se as nuk e njihte zonjën Carroll, ish bashkëpunëtore për një kohë të gjatë e revistës “Elle”.
Anëtarët e jurisë pritet të dëgjojnë dëshminë edhe të dy grave të tjera që thonë se janë sulmuar seksualisht nga ish presidenti Trump.
Jessica Leeds do të dëshmojë se zoti Trump u përpoq të fuste dorën nën fustanin e saj gjatë një fluturimi në vitin 1979 derisa ishin të ulur pranë njëri tjetrit. Ajo thotë se nuk ishte përzgjedhja e saj të ulet afër tij.
Natasha Stoynoff, ish-gazetare e revistës People, do të dëshmojë se ish presidenti e shtyu atë pas një muri dhe e puthi me forcë në rezidencën e tij në Florida, kur ajo shkoi atje më 2005 për të intervistuar zotin Trump dhe gruan e tij Melania Trump, e cila në atë kohë ishte shtatzënë.
Emrat e anëtarëve të jurisë do t’i fshihen publikut dhe avokatëve, për t’i mbrojtur nga ngacmimet e mundshme.
Gjykatësi Lewis A. Kaplan, i cili do të kryesojë gjyqin, refuzoi një kërkesë të avokatëve të zotit Trump që anëtarëve të jurisë t’u thuhej se ish-presidenti donte t’ia kursente qytetit përçarjen që mund të shkaktonte prania e tij.
Zoti Kaplan vuri në dukje se ish presidenti ka një ngjarje të fushatës parazgjedhore në Nju Hempshër të planifikuar për të enjten, ditën e tretë të gjyqit.
“Nëse Shërbimi Sekret mund ta mbrojë atë në atë aktivitet, sigurisht që Shërbimi Sekret, Shërbimi i Marshallëve dhe Qyteti i Nju Jorkut mund të kujdesen për sigurinë e tij në këtë gjykatë federale shumë të sigurt”, shkroi gjykatësi Kaplan në një urdhër.
Ish presidenti mund të vendosë të marrë pjesë në gjyq. Nëse ai nuk shkon, juria mund të shohë fragmente nga marrja në pyetje e tij, e cila u regjistrua në video.